KONTRIBUTI I HOXHË DR. ABDUL FETTAH KADIUT NË SHKRIME

0
739

 

Sa i përket kontributit të hoxhës në shkrimin e veprave dhe recensimin e tyre, dr. Abdul Azizi na ofron një përmbledhje të tyre duke i përmendur titujt me nga një përshkim të shkurtër. Dr. Abdul Azizi nuk ka ofruar ndonjë foto të librave se si duken ato, mbase për shkak se në kohën e tij nuk ka ekzistuar interneti dhe se kjo mundësi që sot neve na ofrohet nuk ka qenë më parë. Këtë e kemi bërë ne. Secilit libër ia kemi vënë edhe një foto përkatëse.

Ndërsa përshkruan veprat e hoxhës, dr. Abdul Azizi bën këtë hyrje, përkitazi me profesionalizmin e hoxhës dhe dijet e shumta të tij:

Shejh dr. Abdul Fettah Kadiu ishte i njohur për zgjuarsinë e tij. Ai kishte një metodë dhe stil të lartë shpjegimi, kishte memorie të fortë dhe ishte i njohur për dije në fusha të ndryshme, fetare e shkencore, si: kiraete dhe shkenca kur’anore, fikh dhe usul, tefsir dhe hadith, gjuhë dhe letërsi arabe etj. Ai ishte mësues i dalluar dhe shquhej për elokuencë dhe rrjedhshmëri në të folur[1]. Kur fliste, të folurit e tij mund ta kuptoje shumë shpejt. Prej tij dolën mijëra studentë, nga dy prej universiteteve më me famë në botë, atij të Ez’herit dhe atij të Medinës.

Veprat e hoxhës janë diku 25 sosh dhe pothuajse të gjitha kanë për tematikë Kur’anin, shkencat e tij, shkencën e kiraeteve, mbrojtjen e këtyre shkencave etj. Por, ka edhe vepra të tjera me tematik fetare.

Në vazhdim do të prezentojmë këto vepra ose shumicën e tyre, pasi që disa nuk kemi pasur mundësi t’i kemi e dokumentojmë, andaj do ta përshkruajmë vetëm atë që kemi e për tjetrën Allahu nuk i ngarkon robërit përtej mundësive që kanë.

1.El-vafi fi sherhi-sh-shatibijjeh fi-l-kiraat es-sebë

Është një komentim përmbledhës i veprës “Lamije” të Imam Shatibiut, e njohur si Shatibijjeh. Ka gjithsej 1173 vargje. Për rëndësinë që ka flet fakti se shumë dijetarë, si Sehavi, Xha’beriu, Ebu Shameh, Ibnul Kasih, Musuliu, Sujuti etj., e kanë komentuar atë.

2.El-ijdah li metni-durreh fil kiraati-th-thelath el-mutemmimeti lil kiraat el-ashr

Një komentim përmbledhës, po kështu i veprës së njohur të Ibnul Xhezeriut Ed-durretu-l-mudijjeh, e cila trajton leximet e tre imamëve Ebu Xha’fer Medeniut, Ja’kub Hadremiut dhe Halef Ibni Hisham el-Kufiut. Vepra ka 240 vargje. Vepra nuk është komentuar shumë nga dijetarët e mëparshëm, kështu që kontributi i dr. Kadiut në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm, ngase sjell para nesh një pjesë të trashëgimisë sonë shkencore, të panjohur hollësisht më parë. Libri ka 130 faqe të formatit të mesëm.

3. El-budur ez-zahire fil kiraat el-ashereh el-mutevatireh min tarikat esh-shatibijjeh ve-d-durreh

Është një prej veprave më të mira të Shejhut dhe më e dobishmja për studentët e lëmit të kiraeteve. Në këtë vepër, ai i ka mbledhur të dhjetë leximet nga veprat shatibijjeh dhe durreh, si dhe i ka renditur sipas radhitjes kur’anore, duke bërë shpjegim fjalë për fjalë, duke filluar me usul[2] e pastaj me fersh[3]. Në fakt, ai nuk ishte i pari në përdorimin e kësaj metodologjie, pasi që para tij, dijetari i madh Safaksiu, kishte bërë një vepër të ngjashme, ku kishte mbledhur shtatë leximet dhe i kishte radhitur kësisoj në një vepër të njohur, titulli i së cilës ishte “Gajthu-n-nef’i fi-l-kiraat es-seb’ë”. Libri ka 360 faqe.

4. Sherhu Minhati Mulil-Birr fima zadehu kitabu-n-neshri fi-l-kiraati-l-ashr ala-shatibjjeh ve-durreh

Minhatu Mulij-l-Birr është një poemë e Shejhut Muhammed Ibn Muhammed Hilal el-Ebjari, e cila ka 140 vargje.

Ajo fillon me këtë varg:

Muhammed Hilali thotë duke e lutur

Zotin e vet për falje të përgjithshme e të mjaftueshme

Falënderime Zotit tonë ndërsa salavate për

Muhammedin dhe familjen sa lexuesi të lexojë

Ja, këtu e keni tërë atë që Neshri ia ka shtuar

asaj që në Durreh dhe Hirz është parashtruar.

 

5. En-Nadhmu el-xhami li kiraeti-l-Imami-n-Nafië

Imam Nafiu është imami i njohur i Medinës në kiraete, në kohën e imam Malikut. Ishte i njohur në këtë fushë, madje më kompetenti në kohën e tij, aq sa kur Imam Maliku pyetej për diç nga kjo lëmi, pyetjen e adresonte tek ai duke thënë: Për çdo dije, pyeten të zotët e saj. Është lexuesi i parë në radhitjen e veprave Shatibijjeh dhe Durreh. Vepra ka 294 vargje dhe fillon me këtë varg:

Me falënderimin për Krijuesin e botëve filloj,

Pastaj salate dhe selam

për të Dërguarin e Allahut, krijesën më të mirë çoj

Udhëzuesin e njerëzve në dritën e së vërtetës

Për familjen dhe shokët e tij të shquar

Për atë që Kur’anin sipas dispozitave e ka lexuar

 

6.  El-kiraat esh-shadh-dheh ve tevxhihuha min lugatil arab

Në këtë libër autori trajton leximet e disa imamëve: Ibn Muhajsin Muhammed Ibn AbduRrahman el-Mekki (vd. 132 h.); Jahja el-Jezidi Ebu Muhammed Jahja Ibn Mubarek el-Basrijj (vd. 202 h.); A’mesh Ebu Muhammed Sulejman Ibn Mehran Kufiu (vd. 148 h.).

 

7.Sherhu Es-sirru-l-mesun fi rivajeti Kalun min esh-Shatibijjeh

Është një poezi për sqarimin e asaj që Kaluni dallon nga Versha. Është botuar në shtypshkronjën Abdul Hamid Hanefi, në Kajro.

8. Sherhu sirr-rri-l-mesun Komentim i veprës paraprake.

 

9. El-feraid el-hisan fi addi aji-l-Kur’an

Është një përmbledhje prej 130 vargjesh, nga ajo që njihet si bahru-rrexhez, me një stil të ëmbël dhe të lehtë. Vepra hapet me këtë varg:

E falënderoj Zotin tim dhe lutem përherë;

Për të Dërguarin e Allahut, nurin e udhëzimin.

Mendimet e dijetarëve rreth ajeteve të Kur’anit

Po i sjell në formë të një poezie

perla të bukura e kam titulluar

shpresoj tek Allahu të më jetë pranuar  

10.   Nefaisul bejan sherhu feraidil hisan

Është komentim i veprës paraprake. Ka 56 faqe të formatit të vogël.

 

11.  Beshiru-l-jusri sherhu nadhimeti-z-zehri fi ilmi-l-fevasil

Fjala është për librin ‘En-nudhum’ të imam Shatibiut, që ka për tematikë numërimin e ajeteve kur’anore. Quhet edhe ‘Ilmu-l-fevasil’. Në fakt, ky libër është një version i shkurtuar i librit ‘El-bejan’ të Ebu Amr Daniut. Ka gjithsej 297 vargje nga Bahru-t-Tavili, të cilat fillojnë me këtë varg:

Nadhimete Zehrin me falënderim për Allahun e fillova

që me ndihmën e Tij, një buqetë lule të na ofrojë

Kërkova mbrojtje tek Allahu nga dëmi i asaj që ka caktuar

dhe u strehova tek Ai për çështjen time në vetmi e publik

U strehova tek i Gjalli, Ai që dëshiron, Dijetari, Folësi

Dëgjuesi, Shikuesi, i Përhershmi, i Forti dhe i Vetmi

 

12.   Tarihu-l-Mus’hafi-sh-sherif

Titulli flet edhe për përmbajtjen. Libri trajton historinë e Mus’hafit në kohën e sahabëve [Allahu qoftë i kënaqur me ta!], sikurse që flet për shkrimin, pikësimin dhe vokalizimin e tij, për kushtet që duhet t’i plotësojë shkruesi i Kur’anit, shtëpitë botuese, për renditjen e ajeteve kur’anore, kapitujt përkitazi me shkaqet e shpalljes së ajeteve. Autori përmend edhe mendime të ndryshme të dijetarëve duke i diskutuar ato, si dhe duke përvetësuar atë që, në bazë të dëshmive, del se është më i vërteti.

Këtë aspekt ndoshta e gjejmë më të theksuar tek çështja e kopjeve të Kur’anit në kohën e Uthmanit r.a., të cilat u shkruan në shtatë dialekte – lexime (ar. kiraetet.). Libri, tash në botimin e tij të dytë, ka gjithsej 168 faqe të formatit të vogël.

 

13.  Sherhu el-mukaddimeti el-xhezerijjeh

Libri El-mukaddimetu el-xhezerijjeh është shumë i njohur në Texhvid. Përdoret shumë nga ata që i qasen mësimit përmendsh të Kur’anit. Si libër i është atribuar shejhut tonë, mirëpo a është ende në dorëshkrim apo është botuar, këtë nuk mund ta dimë, pasi që nuk kam mundur ta gjej ndonjë kopje të tij.

 

14.   Min ulumi-l-Kur’an

Është një libërth tërheqës, në të cilin autori trajton disa çështje që kanë të bëjnë me Kur’anin, si: domethënia e Kur’anit, emrat e tij, ajetet mekase dhe medinase, shkrimi dhe kodifikimi i tij, radhitja, ajetet e qarta dhe të paqarta, shembujt kur’anorë, betimet e tij, ajetet që sipërfaqësisht duken kundërthënëse, metodat, tregimet etj. Libërthi shquhet për metodën e tij tërheqëse, të qartë dhe të kuptueshme. Është ndër më të mirët e këtij lloji, veçanërisht për fillestarët.

 

15.  Tarihu-l-Kurr-rra’i-l-ashr ve ruvatihim ve tevaturu kiraatihim ve menhexhu kul-lin fi-l-kiraeh

Është libër i formatit të mesëm dhe ka gjithsej 46 faqe.

 

16.  Ebhath fi kiraat el-Kur’ani-l-Kerim

Në këtë libër autori trajton 13 çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me leximet – kiraetet, të cilat, siç i ka numëruar vetë ai në parathënie, janë:

1)      Hadithet që flasin për shpalljen e Kur’anit në shtatë germa.

2)      Çka nënkuptojnë shtatë germat?

3)      Urtësia e shpalljes së Kur’anit në shtatë germa.

4)      Çfarë mund të përfitohet nga hadithet e transmetuara me këtë tematikë?

5)      Leximet e shtatë imamëve dhe lidhjet e tyre me shtatë germat.

6)      Leximet e dhjetë imamëve si pjesë e shtatë germave.

7)      Tevaturi (saktësia maksimale) e leximeve të dhjetë imamëve.

8)      Kriteri i leximit mutevatir (të saktë).

9)      Ndarja e leximit autentik.

10) Dispozita e mohimit të leximit të vërtetuar sipas tevaturit.

11) Shkaku pse leximet i atribuohen sahabiut ose lexuesit.

12) Leximet janë alternativa të lexuesve – sqarimi përkatës.

13) Mendimi ynë.

Ky libër, megjithëse është i vogël, është përplot dituri. Ai në fakt përfaqëson mendimin e shejhut për çështjet në fjalë, të cilat, siç e dimë, janë të diskutueshme tek dijetarët. Mendimi ose opinioni i shejhut është se këto janë çështje alternative dhe se nuk kanë karakter obligues, veçse për autorët apo koleksionuesit e tyre. Libri, që është botuar në Kajro nga AbduRrahman Muhammedi, ka gjithsej 31 faqe të formatit të mesëm.

 

17.   El-kiraat fi nadhari el-musteshrikine vel mulhidine[4]

Ky është një ndër librat më të mirë të punuar nga shejhu. Në të, shejhu demanton një nga një akuzat e Goldziherit, i cili, në mënyrë të qëllimshme, tenton të njollosë kiraetet, e me këtë t’ia ulë vlerën Kur’anit. Gjatë diskutimit të shpifjeve dhe akuzave të pabaza të Goldziherit, mund të vërehet lehtë dituria e thellë që ka dr. Abdul Fettah Kadiu. Ai sjell shembuj të shumtë për të dëshmuar pavërtetësinë e asaj që pretendon Goldziheri dhe të ngjashmit me të. Libri, në botimin e dytë nga shtëpia botuese ed-Dar, në Medinën e Ndritur, ka gjithsej 203 faqe të formatit të vogël.

Njëherësh, ky është libri tek i cili do ta fokusojmë studimin tonë.

18.   Esbab en-nuzul ani-s-sahabeti ve-l-mufessirine

Është libër i formatit të madh. Konsiderohet si më i miri i llojit të vet. Shejhu i ka vënë vetes obligim që të mos sjellë në këtë libër asnjë transmetim përveçse që të jetë i saktë, në përputhje me kuptimin dhe synimet e ajeteve, në harmoni me synimet e përgjithshme të besimit islam, në një vijë me rregullat dhe kriteret e vëna nga dijetarët etj. Shejhu ndonëse sjell edhe burimet e transmetimeve, megjithatë nuk bën ndonjë studim kritik të tyre. Libri ka gjithsej 256 faqe.

19.   Erxhuzetul mirath

Poezia që trajton shkencën e Feraidit, shkencën që ka të bëjë me ndarjen e trashëgimisë. Ka 158 vargje dhe hynë në tipin e poezive të Bahru-rr-rrixhzit. Është hapur me këtë poezi:

Falënderimi i takon Allahut, të Parit të Gjithmonshëm

Përcaktuesit të exheleve (afateve) dhe furnizimeve

Pastaj, bekimet dhe përshëndetjet qofshin përherë

Për pejgamberin arab, pandërprerë

20. Sherhu erxhuzetil mirath

Është komentim i veprës paraprake, me të cilin autori ka synuar t’ua lehtësojë fillestarëve këtë shkencë. Megjithatë, autori nuk i ka përfshirë të gjithë kapitujt e kësaj shkence, madje ata më kompleksët i ka braktisur fare. Libri është botuar në Kajro dhe ka 139 faqe të formatit të vogël.

21. Es-sijamu fedailuhu ve ahkamuhu

Është një libër që flet për agjërimin, por që shquhet për një metodë shumë tërheqëse. Autori përmend mendimet e dijetarëve dhe argumentet e tyre. Për herë të parë është botuar nga Akademia e Hulumtimeve Islame, në Az’har, në vitin 1392 h. Ka 175 faqe të formatit të vogël.

 

Këto ishin veprat autoriale të hoxhës, siç mund të vërejmë, janë shumica absolute për dhe rreth Kur’anit. Krahas tyre, hoxha ka bërë edhe recensimin e disa veprave, si:

22.  Tahbiru-t-tejsir fi kiraat el-eimmeti-l-ashr

E ka recensuar dhe ka dhënë shënime me vlerë, në bashkëpunim me Shejh Muhammed Sadik Kamhavin, që njëherësh është dhe student i tij. Është botuar nga Darul va’ji, në Halep, në vitin 1393 h. Ka 206 faqe.

23. Sherhu telhisil fevaid ve takribu el-mutebaidi ala ukajleti etrabil kasaid

Fjala është për librin e famshëm të Shatibiut në lidhje me shkrimin e Mus’hafit. Ka 298 poezi. I përket llojit të poezive Bahru-l-besit. Fillon me këtë varg:

Falënderimi, pandarë, ashtu edhe siç ka urdhëruar, i takon Allahut

të bekuar, të mirë, i Cili sjell furnizimin.

24.  Delilul hajran shehu mevridi-dh-dham’an

Fjala është për poezinë ‘Meuridu-dh-dham’an fi ilmi resmi-l-Kur’an’, e cila ka 454 vargje, të tipit Bahru-r-rrixhz. Vargjet janë përpiluar nga Ebu Abdullah Muhammed Ibn Muhammed Ibn Ibrahim el-Emevijj esh-Sherishijj, i njohur me emrin Harraz. Ndërsa ai që i komentoi këto poezi është dijetari Ibrahim Ibn Ahmed el-Margani nga Tunizia. Shejh Abdul Fettah Kadiu e ka recensuar këtë libër dhe ka dhënë shënime me vlerë për të. Libri ka 479 faqe dhe është botuar në Kajro, nga Daru-l-Kur’an[5].

Shumica e veprave të hoxhës janë të përfshira si burime dhe referenca në kurrikula e programe studimore në Az’har dhe vende tjera islame[6].

Se hoxha ynë kishte qëllime të pastra dhe të çiltra në përpilimin dhe shkrimin e këtyre veprave, përveç tjerash, flet edhe fakti i botimit të tyre tani nga Instituti për Kur’anin dhe Shkencat e tij Imam Shatibiu. Janë përmbledhur të gjitha veprat në shtatë vëllime dhe janë botuar nën mbikëqyrjen e nxënësit të tij, hoxhës dr. Abdul Aziz Abdul Fettah Kariu, Allahu i shpërbleftë me të mira, të gjithë!

 

KIRAETET E KUR’ANIT (ndërmjet pikëpamjes hebreje dhe islame) Abdul Fettah el Kadi dhe Ignaz Goldziheri sy më sy

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA


[1] Ndërsa po përgatisnim këtë studim, përveç materialeve tekstuale, kemi hulumtuar edhe në materiale tjera, audio dhe video. Në njërën prej këtyre ligjëratave, tanimë të ngarkuare dhe në internet, hoxha flet aq bukur dhe me zë aq të ëmbël saqë të mahnit. Konsiderojmë se është e dobishme nëse dëgjohet. Ja dhe linku: https://www.youtube.com/watch?v=sCdnVw3xbrA

[2] Për qëllim janë rregullat, të cilat lexuesi i ndjek ndërsa lexon.

[3] Rregullat e veçanta përkitazi me disa fjalë të caktuara në Kur’an ose ekzekutimi ndryshe i disa fjalëve nga disa lexues, si p.sh., fjala Malik që lexohet edhe Melik.

[4] Një ndër librat më të mirë të hoxhës, në të cilin iu kundërpërgjigjet orientalistëve në përgjithësi e Goldziherit në veçanti. Ne i jemi referuar shumë gjatë këtij studimi.

[5] El-Kari, El-Alametu esh_Shejh Abdul Fettah el-Kadi ve etheruhu fi eddirasat el-kur’anijeh, f. 309-320.

[6] Në universitetin Ummu el-Kura në Mekkë p.sh.