NJË VËSHTRIM MBI DUKURITË E SJELLJES DHE MORALIT NË SHKOLLAT DHE UNIVERSITETET ARABE

Ekspertët dhe edukatorët muslimanë tërheqin vërejtjen për një devijim dhe rënie të theksuar të moralit[1], edukatës dhe sukseseve të nxënësve dhe  studentëve muslimanë. [2]

Gjatë qëndrimit dhe angazhimit tim si ligjërues në këtë vend arabo-islam (Arabi Saudite) dhe kontaktit tim të drejtpërdrejtë me studentë dhe profesorë të universitetit, kam hasur në disa dukuri dhe sjellje morale dhe ideore të devijuara dhe të lajthitura, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me metodologjinë kur’anore, pejgamberike, tradicionale si dhe janë larg mesatares islame.

Këto dukuri mund t’i përmbledhim në pikat në vijim:

  1. Mungesa e seriozitetit në vijimin e mësimit dhe mësimdhënies.
  2. Mungesa e organeve kompetente që do të pengonin ‘lulëzimin’ e këtyre dukurive.
  3. Dukuria e rritjes së flokëve.
  4. Dukuria e pirjes së duhanit dhe përdorimit të shisha-s.
  5. Dukuria e prishjes dhe dëmtimit të veturave.
  6. Dukuria e vonimit në shkolla dhe ligjërata.
  7. Dukuria e përhapjes së internetkafeve dhe qëndrimit deri në orët e vona të natës.
  8. Dukuria e ikjes nga shkollat dhe universitetet.
  9. Rastet e helmimit në disa shkolla dhe universitet për shkak të mungesës së pastërtisë, qoftë në restorante, në qendra tregtare përreth shkollave dhe universiteteve, apo edhe shitjes së artikujve me afat të skaduar.
  10. Injorimi i punës së dorës nga bindja (e gabuar) se punët e tilla janë vetëm për shërbëtorët që vijnë nga jashtë vendi.
  11. Dukuria e mashtrimit dhe tradhtisë në provime dhe humbja e ndjenjës së përgjegjësisë para Allahut të Madhëruar.
  12. Dukuria e keqpërdorimit dhe shkatërrimit të inventarit dhe pronës shtetërore në shkolla dhe universitete. [3]
  13. Dukuria e favorizimit dhe kalimit për interes të studentëve.
  14. Dukuria e konflikteve ndërmjet nxënësve dhe studentëve në ambiente shkollore dhe universitare.
  15. Dukuria e pagave të vogla për mësuesit dhe profesorët universitarë, gjë që ka shkaktuar mospërkushtim të madh të tyre në punët profesionale, si dhe hulumtimin për punë të tjera apo orë shtesë, qoftë edhe gjatë natës, vetëm e vetëm për të siguruar të ardhura që do t’iu mjaftonim për vete dhe familjet e tyre.
  16. Dukuria e jobesnikërisë ndaj shtetit dhe udhëheqësve nga disa të rinj të indoktrinuar.
  17. Dukuria e fjetjes së studentëve gjatë ligjëratave për shkak të qëndrimit deri në orët e vona të natës dhe pamundësisë për t’u zgjuar me kohë.
  18. Dukuria e perceptimit të shkollimit universitar si diç që nuk i sjell ndonjë dobi njeriut apo edhe si diç që vetëm duhet pasur një diplomë për të siguruar një vend pune, autoritet apo edhe përmirësimit të pozitës shoqërore.
  19. Dukuria e përcjelljes së programeve argëtuese, serialeve dhe filmave çoroditës për moralin e familjes dhe të rinjve, si serialet që bëjnë fjalë për shkurorëzim, tradhti bashkëshortore, konsumim të drogës, dashuri, romantikë etj.
  20. Dukuria e përcjelljes së filmave erotikë në kanale satelitore apo edhe nëpërmjet internetit.
  21. Dukuria e mungesës së objektivave dhe idealeve të shkollimit, në krye të të cilave sigurisht se qëndron shërbimi ndaj fesë dhe atdheut.[4]

Nëse kjo është gjendja e nxënësve dhe studentëve tanë në shumicën e vendeve arabe dhe islame dhe, nëse studimet universitare reflektojnë dijet e fituara gjatë niveleve shkollore të mëhershme, por jo vetëm dijet dhe zellin, por edhe moralin, sjelljet, mendimet, idetë, organizimin, disiplinën, sinqeritetin, përkushtimin, produktivitetin, bashkëpunimin, solidarizimin, respektin e ndërsjellë etj, atëherë konsideroj se inkorporimi i këtyre elementeve të moderimit që mungojnë në planprogramet dhe metodologjitë tona arsimore është nevojë imediate.

Kam bindjen se promovimi i këtyre vlerave të mirëfillta islame dhe kujdesi për mbikëqyrjen e implementimit të tyre është prioriteti i prioriteteve. Patjetër duhet të zbulojmë se çfarë i shtyn studentët tanë që t’iu ikin këtyre vlerave dhe përse bëhen ekstremistë? Doemos duhet të kujdesemi për zhvillimin dhe përgatitjen sa më të mirë profesionale të tyre, gjithnjë nën hijen e këtyre botëkuptimeve të moderimit apo vesatijjes islame, siç e quajmë në fjalorin fetar. Këtë ëndërr mund ta bëjmë realitet vetëm nëse ngritjen morale, edukative dhe arsimore të studentëve e marrim shumë seriozisht.

Mos harroni, ngritja morale dhe shpirtërore e studentit është mbase ndër shkaqet apo motivet më efektive edhe për ngritjen e tij arsimore, kulturore dhe ideore. Kjo për arsye se kultura islame e pastër është ajo që e shndërron procedurën mësimdhënëse nga “udhëzimi e sugjerimi në meditim, nga logjika e grumbullimit, transmetimit dhe imitimit në mentalitet shpikës, hulumtues dhe reformues… nga periudha e ndijimit në periudhën e perceptimit (kuptimi), nga parashikimi i parashenjave në kuptimin e rezultateve dhe përfundimeve, nga shenjtërimi i trashëgimisë dhe mburrjes me të në marrjen në pyetje që t’i përgjigjet pyetjeve të së tashmes dhe të parashikojë të ardhmen, nga inekzistenca në të kaluarën dhe mos kthimi në të tanishmen, nga akuzimi i logjikës, bllokimi i saj dhe tentativa për zhvleftësimin e rolit të saj në emër të fesë dhe triumfit të saj në ringjalljen e saj, zhbllokimin dhe perceptimin e rolit të saj, duke e lënë atë të lirë në fushat e hulumtimit (ixhtihadit) dhe të kuptuarit e saktë, si dhe aplikimit të vlerave fetare në aktualitetin njerëzor… nga mentaliteti i dhunës, vrazhdësisë dhe papajtueshmërisë në mentalitet urtësie, meditimi,  [5] përsiatje, njohurie dhe fleksibiliteti…” 6FKjo po kështu do të kontribuonte në përdorimin e shkencave dhe njohurive në dobi dhe interes të njerëzve duke shtuar këtu se për studentët, enkas, do të ishte një  [6]udhëzim i qartë drejt objektivave madhore islame.”

Ngecja apo ngërçi në mundësinë e realizimit të këtyre botëkuptimeve të moderimit islam në mesin e studentëve tanë konsideroj se është për shkak të mungesës së një eksperience të mirë, të mungesës së shkollave, institucioneve a universiteteve që kanë një sistem arsimor fleksibil dhe efikas, ngase, siç nënvizojnë ekspertët, ‘efikasiteti nënkupton përpjekjet për arritjen e gradave më të larta në performancë dhe realizimin e rezultateve më të mira. [7]

Performanca në gradë të lartë dhe realizimi i rezultateve të mira në universitetet arabe është diç për të cilin diskutohet shumë. Ekspertët vlerësojnë se ‘efikasiteti’ vjen në shprehje atëherë kur rezultatet e arritura (outputs) të jenë më të mira dhe më shumë se shpenzimet e bëra (inputs), ndërsa në universitetet arabe ndodh plotësisht e kundërta. Buxheti i tyre është marramendës, por të arriturat janë për të qarë.

Në Kur’anin Famëlartë aludohet në këto ‘inputs’-e (të hyrat, obligime materiale, harxhimet) me shprehje dhe emërtime të ndryshme, si: el-vus’u (mundësi), el-kuvvetu (forcë, fuqi) dhe err-rribat (pajisje luftarake). Allahu i Madhëruar thotë:

Ne nuk e obligojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij dhe te Ne është libri (i shënimeve) që i shënon saktësisht (veprat) dhe atyre nuk u bëhet padrejtë.” (el-Mu’minune, 62) 

E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje), ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. Çkado që shpenzoni për rrugë të All-llahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë.” (el-Enfalë, 60)

Ka dhe shumë ajete të tjera me këto domethënie.

Ndërsa sa iu përket rezultateve ose ‘outputs’-eve, Kur’ani i quan ‘elAkibetu’ (përfundim) që zakonisht vendoset paralel me besimtarët e devotshëm (el-muttekune), si p.sh. në kaptinën Hud, ajeti 49:

Këto janë disa nga rrëfimet e panjohura (për ty), që po t’i shpallim ty, e që para këtij (Kur’anit) nuk i ke ditur as ti as populli yt. Pra, të jesh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit.

Pra, përfundimi i lavdishëm dhe i suksesshëm do të jetë për ata që i frikësohen ndeshjes me urdhrat e Allahut, ligjet dhe rregullat e Tij. E kur ‘efikasiteti’ të ketë arritur shkallët më të larta, atëherë Kur’ani këtë apo ata që përshkruhen me të i quan ‘el-Muflihune.’ Muflihunë janë ata që realizojnë kërkesat.[8]

E tash, më thoni se ku janë apo ku duken imazhet e ‘muflihune-ve’ në shkollat dhe universitete arabe?

Ku vërehen aspektet e këtij efikasiteti në rezultatet e tyre?

Ku janë rezultatet e pritura në raport me buxhetin e madh të ndarë për reformimin e sistemit edukativ në universitetet arabe?

A kemi arritur domethëniet kur’anore të efikasitetit?

A i jemi frikësuar ndeshjes eventuale të sistemit tonë edukativ me ligjet e jetës dhe të kozmosit?[9] 

Përpjekjet dhe mundi ynë a janë të mjaftueshme për realizimin e rezultateve të larta?

A jemi ndaluar të diskutojmë ‘inputs’-et tona në mënyrë që më pas të (kemi të drejtë të) presim rezultate (outputse) më të mira?

 

Prof.Dr.Hfz Hajredin Hoxha

MUNGESA E BOTËKUPTIMEVE TË MODERIMIT NË UNIVERSITETET ARABE (Lexim mbi përvojën edukative japoneze dhe mbi interesimin e Mbretërisë Saudite për të)


[1] Revista el-Emn, nr. 16, f. 29-30. Janë përmendur shifra të mëdha të shpenzimeve që bëhen për këtë gjë.

[2] Yalçin, Mikdad, Subul un-nuhud bit tul-lab hulukijjen ve ilmijjen ila musteva ehdafil ummeti, f.12-13.

[3] Yalçin, Mikdad, Subul un-nuhud bit tul-lab hulukijjen ve ilmijjen ila musteva ehdafil ummeti, f.13.

[4] Nahlavi, AbduRrahman, Usulu-t-terbijjetil islamijjeti ve esalijbuha fil bejti vel emdreseti vel muxhtemeë, f.45-68.

[5] Haseneh, Umer Abiid, Etth thekafetu el amtlubetu hatta nekune fi musteva islamina,  f.6064.

[6] Yalçin, Mikdad, Subul un-nuhud bit tul-lab hulukijjen ve ilmijjen ila musteva ehdafil ummeti, f.16.

[7] Robert, Albanese; Managing: Toward Accountability for Performance, 3rd ed, Homewood, Illions, 1981, pg:16

[8] Kejlani, Maxhid Ursan, Et terbijjetu vet texhdid ve tenmijjetul failijjeti indel muslimil muasir, f.11.

[9] Gazali, Muhammed, Sirr-rru te’hiril arab vel muslimine, f.11-21.

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments