Parametrat edukativë në mendimet e Imam Neveviut (Allahu e mëshiroftë)
Edukata e nxënësit të Kur’anit
Në numrin e kaluar, tema jonë kishte në fokus edukatën, vlerat dhe moralin që duhet t’i përvetësojë mësuesi i Kur’anit. Ndërsa në këtë artikull, që paraqet një vazhdimësi të artikujve paraprakë dhe që në fakt është pjesa e fundit e tyre, në epiqendër të interesimit tonë do të jetë korpusi i vlerave dhe moralit me të cilat studenti duhet ta ndërtojë personalitetin e tij.
Imam Neveviu [Allahu e mëshiroftë] ka thënë: Krejt ajo që kemi përmendur për moralin dhe edukatën e mësuesit vlen edhe për studentin. Studenti duhet t’i shmanget çdo gjëje që e pengon nga mësimi, me përjashtim të gjërave që i ka të domosdoshme. Ai duhet ta pastrojë zemrën nga njollat për të qenë në gjendje që ta pranojë Kur’anin, ta mësojë përmendsh atë dhe të përfitojë (në kuptim të vlerave) prej tij. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
…Vini re! Në trup është një copë mishi, që nëse shëndoshet, shëndoshet i tërë trupi, e nëse prishet (sëmuret), prishet i tërë trupi. Vini re! Kjo është zemra!”
“Zemra duhet të përgatitet për Kur’anin, ashtu siç përgatitet toka për mbjellje”- thotë një fjalë e urtë.
Modestia ndaj mësuesit
Studenti duhet të jetë modest dhe i sjellshëm ndaj mësuesit të tij, edhe nëse ai është më i ri apo me më pak autoritet. Duhet të jetë modest ndaj dijes ngase vetëm kështu mund ta fitojë atë. Duhet ta respektojë mësuesin dhe të konsultohet me të për punët e tij, duke e pranuar mendimin e tij mu ashtu sikurse që i sëmuri e pranon mendimin e mjekut të sinqertë….
Ai nuk duhet të marrë dije prej çdo njeriu, përveçse prej atij që është profesionist, është i devotshëm dhe i ditur. Selefitë thoshin: ‘Kjo dituri është fe, andaj shikoni se prej kujt po e merrni fenë tuaj!’
Ai duhet të ketë konsideratë për mësuesin e tij, të besojë në të qenët e tij si i denjë për mësues dhe, po kështu, ta konsiderojë atë si më të mirin e mësuesve të kategorisë së tij. Kështu, ai do ta ketë më të lehtë përfitimin e njohurive prej tij. Në të kaluarën, kishte studentë që, para se të shkonin tek mësuesi, jepnin lëmoshë dhe luteshin: ‘O Zoti im! Mbuloja të metat mësuesit tim, ndërsa mua mos më privo nga bereqeti i diturisë së tij!’
Rebiu, nxënësi i Shafiut [Allahu i mëshiroftë që të dy] rrëfen për veten e tij: ‘Nuk mund të merrja guximin që të pija ujë, ndërsa Shafiu më shikonte, jo për tjetër, por nga frikërespekti që kisha për të!’
Kemi transmetuar[1] se Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të] ka thënë: ‘Mësuesi ka të drejtën ekskluzive që kur t’i përshëndesësh të gjithë, atë ta veçosh me përshëndetje, të ulesh para tij dhe të mos bësh me dorë në drejtim të tij. Mos luaj me sy dhe as mos thuaj: Filani mendon ndryshe nga kjo që thua! Po kështu, mos përgojo askënd dhe mos pëshpërit me shokun që ke afër. Kur të ngrihet, mos e kap nga rrobat, dhe nëse është lodhur dhe përton, mos iu lut shumë për ndonjë gjë. Mos u ngop kurrë duke qëndruar me të!’
Studenti duhet të edukohet në frymën e këtyre fjalëve të mrekullueshme që ka thënë Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të]. Nëse rastis që mësuesi mungon, atëherë ai nuk duhet të lejojë ofendimin e tij, përndryshe duhet të largohet nga ato ndeja dhe mexhlise.
Studenti duhet të hyjë tek mësuesi duke qenë i zbukuruar me cilësitë që përmendëm më parë, duhet te jetë i pastër, duhet t’i ketë pastruar dhëmbët me misvak (ose brushë) dhe duhet të jetë i çliruar nga gjërat që ia rëndojnë zemrën. Nëse mësuesi ndodhet në ndonjë vend ku nuk hyhet dot pa marrë leje, atëherë ai duhet të mos hyjë pa marrë leje paraprakisht. Kur të hyjë, duhet t’i përshëndesë të gjithë në përgjithësi, ndërsa mësuesin duhet ta përshëndesë në mënyrë të veçantë. Po kështu duhet të veprojë edhe kur të largohet nga mexhlisi. Nuk bën të kalojë nëpër safe, por duhet të ulet atje ku gjen vend të lirë, përveç nëse mësuesi e thërret apo të tjerët i japin leje për një gjë të tillë. Nuk duhet ta çojë askënd prej vendit të vet. Edhe nëse dikush ia lëshon vendin përpara, ai nuk duhet të pranojë, duke pasuar kështu Ibni Omerin [Allahu qoftë i kënaqur me të], përpos nëse kalimi i tij përpara ka dobi për të tjerët, apo mësuesi e thërret përpara. Nuk bën të ulet në mes të tubimit dhe as në mes të dy shokëve, përveç nëse ata e lejojnë të ulet në mesin e tyre.
Po kështu, ai duhet të jetë i sjellshëm edhe me shokët dhe bashkëulësit e tij, ngase kjo tregon respekt edhe për mësuesin dhe mexhlisin e tij. Ai duhet të ulet para mësuesit si student, e jo si mësues. Nuk bën ta ngrejë zërin pa nevojë, as të qeshë dhe të flasë pa nevojë. Nuk bën të luajë me diç, as të kthehet majtas e djathtas pa nevojë. Përkundrazi, duhet të jetë i kthyer nga mësuesi dhe të dëgjojë me vëmendje ligjërimin e tij.
Shfrytëzimi i kohës
Një prej gjërave që studenti duhet t’i kushtojë rëndësi është edhe: mos insistimi për ta pyetur mësuesin kur ai nuk është i disponuar. Përkundrazi. Studenti duhet të shfrytëzojë momentet kur mësuesi është i disponuar dhe duhet të vetëpërmbahet nëse eventualisht mësuesi shfaq ashpërsi apo ndonjë tipar jo të mirë. Kjo nuk duhet ta zhgënjejë studentin dhe rrjedhimisht ta largojë prej mësuesit të tij. Jo, megjithatë studenti duhet të besojë në aftësinë e mësuesit të tij dhe nevojën për ta pasuar atë, ndërsa veprimet e tij të pahijshme t’i komentojë si qëllimmira. Nëse mësuesi sillet keq, atëherë vetë studenti le t’i kërkojë falje atij, sikur ky ka gabuar e jo ai, ngase kjo është më e dobishme për të në këtë botë dhe në botën tjetër, sikurse që edhe zemrën e mësuesit e bën më të pastër. Të parët kanë thënë: ‘Kush nuk duron nënçmimin e mësimit, do të jetojë tërë jetën nën tutelën e injorancës. E kush duron, ai do të përfitojë krenarinë e ahiretit dhe kësaj bote.’ Ibni Abbasi [Allahu qoftë i kënaqur me të] transmetohet të ketë thënë: ‘Jam nënçmuar si kërkues (i diturisë), ndërsa jam bërë krenar si i kërkuar (për dituri).’ Sa bukur është thënë: ‘Kush nuk shijon shijen e nënçmimit, qoftë edhe për një çast, do të jetojë tërë jetën i poshtëruar!’
Studenti duhet të jetë i zellshëm për të përfituar dituri, në çdo kohë që i jepet mundësia dhe nuk duhet të kënaqet me pak, kur ka mundësi për më shumë, por nuk duhet ta ngarkojë veten tepër aq sa ta kaplojë monotonia apo ta harrojë atë që ka mësuar. Ngarkimi i vetvetes bëhet varësisht nga njeriu. Kur shkon tek mësuesi dhe ndodh që ai nuk është aty, atëherë ai duhet të presë dhe të mos shkojë. Nëse mësuesi është duke fjetur apo i zënë me ndonjë punë, atëherë ai duhet të presë derisa të zgjohet apo të lirohet nga ajo punë. Më së miri dhe më e preferuar është që të durojë derisa mësuesi të lirohet, ashtu siç kanë vepruar Ibni Abbasi [Allahu qoftë i kënaqur me të] dhe të tjerë.
Studenti duhet ta shfrytëzojë maksimalisht kohën e lirë, para se të jetë i zënë me problemet e jetës apo të marrë pozitë më të lartë. Prijësi i besimtarëve, Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të] ka thënë: ‘Mësoni para se të udhëhiqni!’ që nënkupton: Përpiquni për t’u bërë sa më profesionistë dhe sa më të denjë, para se të zini poste udhëheqëse apo të bëheni të pasuar, ngase kjo, sikurse edhe angazhimet tuaja të shumta, do t’iu pengojë që të mësoni. Kjo është dhe domethënia e thënies së Imam Shafiut [Allahu e mëshiroftë]: ‘Mësoni para se të bëheni prijës, ngase atëherë nuk do të mund të mësoni më!’
Favorizimi i vështirësive
Studenti duhet të shkojë tek mësuesi për lexim qysh në fillim të ditës dhe nuk duhet ta bëjë këtë me rend me ndonjërin prej shokëve të tij. Favorizimi i vështirësive në adhurime, për dallim nga favorizimi i kënaqësive të epshit, është i preferuar dhe i pëlqyer. Nëse mësuesi e sheh favorizimin e tij për disa kohë si të nevojshëm (dobishëm) për ndonjë arsye fetare dhe ia bën me dije këtë studentit, atëherë ai duhet ta përfillë urdhrin e mësuesit. Studenti nuk guxon assesi t’i ketë zili ata të cilët Allahu i ka begatuar me të kuptuar më të shumtë, sikurse që nuk guxon të vetëkënaqet apo të mburret me atë me të cilën e ka veçuar Allahu. Mënyra për ta luftuar cilësinë e urryer të vetëmburrjes është që të përkujtojë se për arritjet e tij i detyrohet Allahut, ndërsa mënyra për ta luftuar zilinë është që të përkujtojë se dallimi i tjetrit me ndonjë tipar të mirë përmban ndonjë urtësi që Allahu e di, prandaj edhe nuk duhet t’i kundërvihet kësaj gjëje.
Prej edukatës, me të cilën po ashtu duhet të pajiset, është edhe të qenit në gjendjet më të mira dhe me cilësitë më të pëlqyera. Ai duhet të largohet nga çdo gjë që Kur’ani e ka ndaluar, të paktën në shenjë respekti ndaj Kur’anit. Ai duhet të largohet nga të fituarit në mënyrë të ndaluar, duhet ta ruajë nderin, duhet të jetë dinjitoz ndaj tiranëve dhe mizorëve të kësaj bote dhe të tregohet modest ndaj vepërmirëve dhe skamnorëve. Duhet të jetë i përulur (para Allahut) me urtësi dhe seriozitet. Abdullah ibni Mes’udi [Allahu qoftë i kënaqur me të] ka thënë: ‘Bartësi i Kur’anit (hafëzi, dijetari) duhet të dallohet gjatë natës kur njerëzit flenë, gjatë ditës kur ata hanë, duhet të dallohet me pikëllimin e tij kur njerëzit gëzohen, me të qarit e tij kur ata qeshin, me heshtjen e tij kur ata zhyten në biseda (të panevojshme apo ndaluara), me përuljen e tij kur njerëzit bëhen mendjemëdhenj…’ Fudajl Ibn Ijjadi [Allahu e mëshiroftë] ka thënë: ‘Bartësi i Kur’anit nuk guxon të ketë nevojë për prijësit e muslimanëve, e aq më pak për të tjerët.’ Po kështu ka thënë: ‘Bartësi i Kur’anit është bajraktar i Islamit, andaj nuk duhet të dëfrehet me ata që dëfrehen (me gjëra të kota), apo ta kalojë natën zgjuar (në mëkate) me ata që rrinë zgjuar dhe as të flasë dokrra me ata që flasin ashtu, për të respektuar kështu të drejtën e Kur’anit…’
Allahu qoftë i kënaqur me Imamin tonë, Imam Neveviun dhe e shpërbleftë atë me çdo të mirë prej nesh dhe prej Islamit! Po kështu, e lusim të na bëjë të ngjashëm me të dhe dijetarët e tjerë të sinqertë. Vërtet, Allahu dëgjon, është afër dhe i përgjigjet lutjeve tona, e fundit prej të cilave është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
[1] Shënim: Thënia e Imam Neveviut [Allahu e mëshiroftë] “Kemi transmetuar” (ar. revejna) nënkupton se senedi i tij lidhet me thënien apo hadithin të cilën ai e transmeton. Përkthyesi.