Dr. Jusuf Kardavi, duke folur për rëndësinë e kulturës, thotë: “…popujt, sigurisht, dallojnë shumë në kulturë nga njëri-tjetri. Ka prej tyre kultura e të cilëve është e drejtuar nga shpirti (spiritualiteti), të tjerë kultura e të cilëve është e drejtuar nga mendja (logjika) e disa të tjerë kultura e të cilëve është e drejtuar nga materializmi. Ka popuj kultura e të cilëve është e lidhur me tokën, sikurse që ka të tjerë kultura e të cilëve është e lidhur me qiellin. Prej tyre ka që e njohin Allahun për Krijues, por nuk e adhurojnë; të tjerë që e adhurojnë por nuk e aplikojnë ligjin e Tij në jetën e përditshme, e prej tyre ka që i kanë bashkuar të gjitha këto elemente: nuk kërkojnë zot pos Allahut, nuk adhurojnë askënd përveç Tij, si dhe nuk marrin Ligjvënës askënd pos Tij.”
Bazuar në këtë, rëndësinë e Kulturës Islame do të mund ta kuptonim nëpërmjet pikave në vijim:
-Dallueshmëri në identitet dhe principe. Muslimani intelektual dallohet nga intelektualët e tjerë në të gjitha fushat e jetës. Ai dallohet në moral, sjellje, marrëdhënie, mënyrën e të ngrënit, pirjes etj. Ai nuk asimilohet, pavarësisht se sa gjatë mund të jetojë në një shoqëri tjetër. Është kultura e tij ajo që e ruan atë nga shkrirja. Kur’ani Fisnik ka aluduar për këto tipare të çmuara. Allahu i Madhërishëm thotë:
E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!” (el-Furkan, 63)
Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.“ (Fussilet, 34)
-Rrënjët e thella dhe lidhjen me të kaluarën. Kultura Islame është kulturë rrënjët e së cilës janë të ngulitura thellë. Ajo lidhet fuqishëm me të kaluarën e bujshme të saj, me historinë e ndritur islame. Ajo, në të njëjtën kohë, është kulturë e trashëguar dhe e përfituar. E trashëguar nga prindërit dhe ambienti, dhe e përfituar nga të mësuarit dhe kultura. Allahu ka thënë:
Ai ju përcaktoi juve për fé atë që ia pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të… “ (esh-Shura, 13)
Luftoni me një luftë të denjë për hir të All-llahut, se Ai ju zgjodhi ju (ju përcaktoi për të luftuar për rrugën e Tij) dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi, në fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai edhe më parë, e edhe ky (Kur’an) ju quajti muslimanë, e për të qenë i dërguari dëshmitar juaji dhe për të qenë ju dëshmitarë ndaj njerëzve, pra falni rregullisht namazin, jepni zeqatin, përmbajuni All-llahut se Ai është ndihmëtari juaj. Sa mbrojtës i mirë dhe sa ndihmëtar i madh që është.“ (el-Haxh, 78)
-Mburrja dhe krenaria për përkatësinë kulturore. Muslimani i kulturuar ndien në shpirt një lloj krenarie dhe mburrje, sigurisht jo të tipit arrogant, nënçmues dhe ofendues për të tjerët, por krenari për faktin se i përket një feje të madhe, një feje kulturaliste, një feje me përkatësinë e së cilës ndihet i lumtur. Allahu ka thënë:
“ Ndërsa e tërë krenaria i takon All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë ”. (el-Munafikune, 8)
–Aftësia e bashkëveprimit me aktualitetin. Kultura Islame ka qasje pozitive për jetën. Islami e urdhëron njeriun të punojë në tokë dhe ta ndërtojë atë, duke përfillur kodin gjeneral, i cili është i shprehur në këto ajete kur’anore: “
All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.“ (en-Nahl, 90)
… Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë.“ (el-Maide, 2)
Prof.Dr.Hfz Hajredin Hoxha: KULTURA E MUSLIMANIT BASHKËKOHOR
Bibliografia:
Kardavi, Jusuf. (2005) Thekafetuna bejnel infitahi vel ingilak, f. 19.