- Rrethanat politiko-ndërkombëtare dhe lëvizja pansllaviste ruse
Kur u bë bashkimi i Gjermanisë më 1870-1871, Austro-Hungaria, duke hequr dorë nga ndikimi në tokat gjermane, e orientoi politikën e vet të jashtme në drejtim të Ballkanit dhe synonte të pushtonte Bosnjën[1] dhe Hercegovinën, e më pas Shqipërinë dhe Selanikun. Për ta realizuar këtë qëllim, Austro-Hungaria bëri çmos për ta fituar përkrahjen e Gjermanisë që të depërtonte nga Lindja. Kështu, në mbledhjen e Berlinit, më 1872, tre ministrat e jashtëm të tre shteteve kryesore u mblodhën për të formuar aleancën e tyre: Bismarku i Gjermanisë, Gorcakovi i Rusisë dhe Andrashi i Austro-Hungarisë. Ata u deklaruan me shkrim se në radhë të parë ishte ruajtja dhe mbrojtja e paqes, si edhe ruajtja dhe mbrojtja e idesë së krishterimit nën emrin apo maskën e pansllavizmit ballkanik.[2]
B-Pansllavizmi rus – historiku i tij
Sa i përket idesë pansllaviste ruse dhe termit pansllavizëm, historianët na flasin se ky term u përdor për herë të parë, më 1826, nga një shkrimtar sllovak. Kjo rrymë në fillim planifikonte të çlironte sllavët nga okupimi austriak dhe osman. Ndërkaq në Rusi, qysh nga viti 1820, ishte formuar “Shoqata e Sllavëve të Njësuar”, sipas parimeve të së cilës: rusët, polakët, çekët, serbët, kroatët, bullgarët dhe sllovenët ishin një komb, dhe se Deti i Ngrirë në Veri (i Siberisë), Deti Mesdhe në Jug, Deti i Zi në Lindje dhe deti Adriatikut në Perëndim, ishin dete sllave.[3]
E kemi thënë më lart, dhe po e përsërisim këtu, se faktori fetar ka qenë mbi të gjithë faktorët e tjerë që kanë ndikuar dhe ende ndikon në zhvillimin e historisë njerëzore në përgjithësi dhe asaj ballkanike në veçanti. Premisat e lartpërmendura kur’anore po dalin në shesh dita-ditës, pas çdo ngjarjeje edhe më të vogël. Kjo vërehet qartë dhe pastër edhe me çështjen pansllaviste ruse.
Para luftës së Krimesë, që u zhvillua më 1841, pansllavistët rusë u tubuan rreth revistës “Moskovitjanin”, të historianit rus Mihail Petroviҫ Pogodin. Sipas tyre, Evropa Perëndimore ishte infektuar nga një sëmundje infektuese, ishte kalbur dhe e kishte vdekjen afër. Pas saj do të lindte një Perandori e madhe sllave, në kryeqytetin e Turqisë. Me të vërtetë, kur shpërtheu lufta ruso-osmane, më 1853-1856, ata menduan se erdhi koha e pansllavizmit rus dhe e imperializmit të saj.[4]
Për t’i bërë ballë kësaj sfide religjioze dhe kësaj stuhie shkatërruese ideologjike dhe morale, qeveria osmane filloi të ndërmerrte masat e duhura kundër lëvizjes pansllaviste ruse, duke caktuar personalitete si Mit’hat Pashën, Ymer Pashën etj., në disa valillëqe dhe disa ejalete të Prizrenit, të Nishit etj.[5]
Si zakonisht për armiqtë, edhe Rusia filloi të ndërmarrë hapa serioze për realizimin e qëllimeve të saj, duke caktuar persona të ushtruar dhe të aftë për mashtrime dhe persona të korruptuar. Ata caktuan në zyrën e tyre – konsullatën aziatike në Stamboll, Nikollaj Pavliviҫ Ignatiev (1832-1908) dhe ky person u bë bajraktar i pansllavizmit në diplomacinë ruse.
Ky njeri, sipas disa burimeve historike, arriti të lidhte marrëdhënie të forta dhe të përfitonte nënën e Sulltan Abdylazizit II (1861-1876), dhe ndërmjet saj e përfitoi edhe Sulltanin personalisht, sa që thuhet se u bë pjesëtar i haremit të grave të tij. Kështu, dalëngadalë, ai e zgjeroi rrjetin e tij destruktiv edhe në kanale të tjera të qeverisë osmane dhe ndikoi në largimin e vezirit të madh, Mit’hat Pashës, si dhe ndikoi negativisht në politikën dhe ekonominë e Perandorisë Osmane. Po ashtu, ai filloi ta nxjerrë në diskutim çështjen e Bosnjës, Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe të Bullgarisë, për shkak se ishte në pyetje popullata sllave.[6]
Edhe këtu shihet qartë mrekullia kur’anore, se jobesimtarët (çifutët dhe të krishterët ortodoksë dhe katolikë janë miq dhe i ndihmojnë njëri-tjetrit(.[7]
Historiografia shqiptare na flet se bashkimi i Gjermanisë, më 1871, i zgjoi ndjenjat e rusëve më shumë ndaj pansllavizmit. Kjo vërehet qartë në deklaratën e njërit prej ithtarëve të saj, Nikollaj Jakovleviҫ Danilevskij, në librin e tij: ‘Rusia dhe Evropa’, ku ai e paraqet Çështjen Lindore në shek. e XIX-të, si vazhdim të luftës dymijë vjeçare ndërmjet Romës dhe Greqisë. Gjermania tani e zuri vendin e romakëve, ndërsa Rusia vendin e bizantinëve…[8]
Plane dhe aspirata këto të tmerrshme për njerëzimin në përgjithësi dhe për muslimanët, në veçanti po të ishin realizuar… Mirëpo Allahu, me forcën dhe madhërinë e Tij, ua zmbrapsi ato plane dhe ata dështuan. Falënderimi I takon vetëm Atij, subhanehu ve teala.
C-Shpërthimi i Krizës Llindore
Mbasi që Evropa mbeti nën ndikimin e tri perandorive të mëdha: të Rusisë, të Austrisë dhe të Gjermanisë, këto filluan të planifikonin planet e tyre të mëtejshme, duke u mbledhur në Berlin, Vjenë dhe Petrograd.[9]
Ata diskutonin Çështjen e Lindjes dhe ndikonin në komunitetet sllave që ishin në Bosnjë, Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi dhe Bullgari, duke i përkrahur ata materialisht dhe moralisht, me qëllim që të ngriheshin kundër Perandorisë Osmane[10] dhe kështu u bë. Hercegovasit u ngritën në Vesinje, më 1875. Disa prej tyre u bashkuan me serbët dhe kërkuan krijimin e një Serbie të madhe.
Kjo kryengritje u zgjerua edhe në Bosnje, ku boshnjakët kërkuan lirinë e fesë, barazi, mbrojtje nga zullumet e xhandarëve, anulim të angarës, të taksave (të dhjetat) etj. Si pasojë e kësaj kryengritjeje dhe kërkese të Bosnjës, shtetet e mëdha intervenuan dhe kërkuan reforma për Bosnjën dhe Hercegovinën. Porta e Lartë u premtoi, dhe më 12.12.1875, u lëshua fermani mbi reformat në gjithë Perandorinë…[11]
Pas kryengritjes së Bosnjës dhe shpalljes së reformave pasuan edhe ngjarje të tjera, sepse të tjerët filluan ta shfrytëzonin dobësinë e Perandorisë Osmane dhe morën zemër për kryengritje. Kështu shpërtheu kryengritja bullgare në Plovdiv, ku u bënë masakra mbi popullatën muslimane. Gjendja ekonomike e Perandorisë filloi të dobësohej. Borxhet ishin të mëdha, mbi 200.000.000 (dyqind milionë lira). Për çdo vit Perandoria i jepte kamatë Evropës 14.000.000 (katërmbëdhjetë milionë lira) etj., dhe kështu u shpall falimentimi i Perandorisë.[12]
Pas këtyre ngjarjeve është me rëndësi të përkujtohet edhe një ngjarje në Selanik të Greqisë. Historianët na flasin se një vajzë bullgare kishte shkuar në Selanik për të kaluar në fenë islame. Mirëpo kjo vajzë u rrëmbye nga ana e konsullit amerikan. Popullata muslimane e Selanikut reagoi ashpër kundër këtij rasti jonjerëzor, me ç’rast u vra konsulli francez dhe konsulli i Gjermanisë.
Për këtë ndodhi shtetet evropiane reaguan ashpër, me ç’rast Rusia, Austria, Gjermania i dërguan Perandorisë Osmane një memorandum që quhet: ‘Memorandumi i Berlinit’, me kushte shumë të rënda kundër Perandorisë, ku kërkoheshin më shumë të drejta dhe privilegje për krishterët. [13]
Ata të cilët nuk e besojnë Islamin (armiqtë e fesë islame) janë miq dhe shokë ndërmjet vete dhe i ndihmojnë njëri-tjetrit. Ky është një realitet kur’anor i vërtetuar historikisht. Kjo nuk do të thotë se ne jemi ekstremistë, apo se jemi fanatikë…Kurrë… Kjo zbërthen fshehtësinë që ekziston në zemrat e atyre të cilëve nuk e besojnë Islamin si fe të fundit dhe si anuluese për fetë e tjera para saj. Këtë fshehtësi na e ka zbuluar Allahu xh.sh., krijuesi i gjithësisë dhe i mbarë njerëzimit.
Është me rëndësi të dihet se një prej kërkesave të këtij memorandumi ishte që krishterëve t’u lejohej bartja e armëve, derisa të sendërtoheshin reformat dhe se këto reforma të zbatoheshin nën mbikëqyrjen e konsujve të shteteve të Evropës!![14]
Pas kësaj ngjarjeje, Serbia dhe Mali i Zi, të nxitur nga pansllavizmi rus, i shpallën luftë Perandorisë Osmane, më 1 korrik 1876, të nxitur nga Ignatievi, me qëllimin e bashkimit të sllavëve dhe të bullgarëve.[15]
Kësaj propagande pansllaviste tani iu zbulua realiteti i saj, kështu që ajo mori formën: muslimanizmi apo krishterizmi? europeizmi apo aziatizmi? Rusia tani ishte e gatshme t’i ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me qeverinë osmane. Po ashtu, edhe Anglia deklaroi se ishte e gatshme për luftë.[16]
Planet anti-islame të jobesimtarëve dolën në shesh me ardhjen në pushtet të Carit të Rusisë Aleksandri II, i cili u konsiderua si shpëtimtar i të gjithë sllavëve të Ballkanit. Populli sllav ishte i gatshëm të hynte me të në luftë të shenjtë[17]!!!
“…dhe se Rusia në kokën e saj – sipas disave – kishte për qëllim krijimin e një shteti të madh bullgar sllav në Ballkan, pa asnjë musliman dhe që Ballkani të ishte mburojë e interesave ruse…”[18]
Pas këtyre ngjarjeve, si zgjidhje dhe manipulim tjetër prej shteteve të Evropës, për realizimin e qëllimeve dhe planeve të krishtera (ortodokse apo katolike), ministri i Anglisë, Lordi Derby, sugjeroi mbajtjen e një konference në Stamboll që do të shqyrtonte Çështjen Lindore.
D-Konferenca e Stambollit (23 dhjetor, 1876-20 janar,1877)
Qëllimi i kësaj konference ishte rishikimi i çështjeve administrative të Perandorisë Osmane, arritja e një paqeje me Perandorinë Osmane, rikthimi i gjendjes së moçme në Serbi, Mal të Zi dhe njohja e autonomisë së Bosnjës dhe Hercegovinës. Po ashtu, Cari i Rusisë, Aleksandri II, do të kërkonte personalisht nga Perandoria Osmane garanci për sllavët e Ballkanit. Ignatievi kishte përgatitur një listë me kërkesa të rënda, të cilën ua bëri me dije shteteve të Evropës atë listë. Në atë listë vërehej haptazi dhe qartë armiqësia dhe urrejtja ndaj muslimanëve, në përgjithësi dhe Perandorisë Osmane në veçanti. Në atë listë ishin shkruar këto kërkesa, që duhej të përmbusheshin në këtë konferencë:
- Çarmatimi i muslimanëve të Bosnjës, Hercegovinës dhe të Bullgarisë.
- Largimi i nëpunësve osmane nga këto vende.
- Formimi i policisë nga të krishterët vendas.
- Ushtria osmane duhej të mbetej vetëm nëpër fortifikata.
- Anulimi i yshrit(fjalë arabe që dmth:tatimi i 1/10) dhe vjelja e tatimeve nga vendasit.
- Përdorimi i gjuhës së vendit në gjyq dhe në administratë.
- Vendosja e valinjve të krishterë, siç ishte rasti në Liban, për pesë vjet.
- Dënimi i rëndë për ata muslimanë që kishin marrë pjesë në krimet kundër të krishterëve. Të krishterëve t’u paguheshin dëmet e bëra nga populli musliman.
Këto kërkesa të palogjikshme nuk i kundërshtoi as Anglia, as Austria dhe as shtetet e tjera të mëdha të Evropës.[19]
Pra, në këtë konferencë të gjatë, çështja shqiptare as që u përmend nga Ignatievi dhe diplomatët e tjerë. [20]
Sipas prof. Skënder Rizajt, marrëdhëniet ndërkombëtare ishin shumë të disfavorshme për shqiptarët. Ata nuk mund të mbështeteshin as në Portën e Lartë, as në qeveritë monarkiste të shteteve fqinje, e as në shtetet imperialiste të Evropës, interesat e të cilave konfrontoheshin mu në tokat dhe pasuritë e shqiptarëve, sepse këto toka kishin rëndësi gjeostrategjike.[21]
E-Lufta ruso-osmane dhe pasojat e saj mbi shqiptarët (24 prill, 1877-1878)
Mbasi që në këtë konferencë nuk u arrit ndonjë marrëveshje dhe mbasi që Perandoria Osmane i refuzoi kërkesat e shteteve evropiane dhe protokollin e Londrës, Rusia vendosi që ta zgjidhte vetë Çështjen Lindore duke i shpallur luftë Portës së Lartë dhe duke bërë mobilizimin e përgjithshëm të popullit.
Kështu, më 26-27 qershor 1877, ajo u fut në tokat e Perandorisë Osmane. Në këto momente të vështira të luftës, kur Rusia i shkaktoi dëme të mëdha Perandorisë Osmane, Serbia dhe Mali i Zi e shfrytëzuan rastin. Kështu edhe ato i shpallën luftë Perandorisë Osmane.[22]
Kur rusët hynë në Edrene, më 31 janar 1878, aty u nënshkrua një marrëveshje për armëpushim. Sipas një paragrafi të asaj marrëveshjeje u pranua okupimi i territoreve deri në dyert e Stambollit. Më 24 shkurt, gjenerali Grunduk Nikolla e pushtoi Shën Stefanin-Yeshil Koy, paralagje e Stambollit. Në këtë vend, më 3 mars 1878, u arrit përsëri marrëveshja për paqe mes Perandorisë Osmane dhe asaj ruse, dhe kjo paqe kishte 29 nene të dëmshme për shqiptarët dhe ardhmërinë gjeografiko-etniko-kulturore të tyre.[23]
Prej neneve ishte edhe njohja e pavarësisë së Malit të Zi, zgjerimi i territoreve të saj, njohja e pavarësisë së Serbisë dhe ndryshimeve të kufijve të saj, që shkonte në dëm të shqiptarëve dhe të muslimanëve, dhe se
“…Muslimanët (shqiptarët, turqit, boshnjakët, çerkezët) të cilët donin të banonin jashtë principatës së Malit të Zi, mund t’i ruanin trojet e veta në territoret e aneksuara Serbisë, duke ia ngarkuar punën tjetër kujt, ose duke i lënë ato të drejtoheshin nga të tjerët…”[24]
Historianët potencojnë pasojat e luftës ruso-osmane “… pra, si rezultat i luftës ruso-osmane, më saktë i vendimeve të paqes së Shën Stefanit, Perandoria Osmane u copëtua…Me paqen e Shën Stefanit u cenuan më së shumti interesat e turmave popullore (boshnjakëve, çerkezëve, shqiptarëve) të Perandorisë Osmane, e në mënyrë të qartë interesat e shqiptarëve, sepse vendimet e paqes në fjalë do të sillnin shtypje më të egër politike, kombëtare, fetare, kulturore, ekonomike dhe sociale. Bile për shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe çerkezët do të sillnin edhe gjenocid. Mu për këtë arsye, popullsia shqiptare u tmerrua nga fatkeqësia që i ra në krye. Prandaj shqiptarëve nuk u mbeti tjetër pos të rezistonin në çdo mënyrë kundër paqes së Shën Stefanit…”[25]
E Tërë ajo qe u cek me lartë mjafton për të deshmuar ne korrektësine e teorisë sonë, se faktori fetar te luftërat gjithmonë ka ekzistue dhe akoma ekziston në planet e perandorive, popujve dhe shteteve të ndryshme. Prandaj nuk është e saktë logjikisht dhe jo de-facto historikisht se kinse vetëm Perandoria Osmane kishte për qëllim ekspansionimin e fesë Islame, a ndërsa të tjerët jo!!
Një prej çështjeve të rëndësishme që ka të bëjë me Çështjen Lindore dhe shqiptare është edhe çështja e ikësve – muhaxhirëve. Prandaj le të hedhim pakëz dritë mbi këtë çështje, për rëndësinë që ajo ka dhe për faktin se është objekt diskutimi në këtë punim.
Doc.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Vështrim islam rreth faktorit fetar në historinë shqiptare moderne dhe antike
[1] Më gjerësisht shih: Fikret Karcic, The Bosniaks and the Challenges of Modernity-Late Ottoman and Hapsburg Times, (Sarajevo, El-kalem, 1999).
[2] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 39.
[3] Po aty, f. 40; shih dhe Mehdi Frasheri, Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, f. 34-35.
[4] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 40.
[5] Po aty, f. 41.
[6] Po aty, f. 42; po ashtu shih, Gazmend Shpuza, Kuvendime për historinë kombëtare, (Shtëpia bot. Dituria,Tiranë, 2000), f. 81-104.
[8] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 43.
[9] Po aty, f. 44; shih dhe Georges Castellan, Historia e Ballkanit, f. 342.
[10] Mehmet Maksudoglu, Ottoman History based mainly on Ottoman sources, f. 293; shih dhe Justin McCarthy, Death and Exile, f. 6, 10, 12
[11] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare, f. 44; Më gjerësisht shih Fikret Karcic, The Bosniaks and the Challenges of Modernity… Po ashtu shih artikullin në: Journal of Islamic Studies, vol.5, no:2, (Jul.1994, Oxford University Press), Dr.Muhamet Mufaku Alarnaut, Islam and Muslims in Bosnia 1878-1918, Two Hijras and two Fatwas, f. 242-253.
[12] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 44; Justin McCaerthy, Death and Exile, 5: Georges Castellan, Histori e Ballkanit, f. 176.
[13] S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 45.
[14] Po aty, f. 45.
[15] Po aty, f. 46.
[16] Po aty, f. 48.
[17] Po aty, f. 49.
[18] Justin McCarthy, Death and Exile, f. 138-139.
[19] Më gjerësisht S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 48-49; po ashtu shih Nexhip P.Alpan-Nesim Kaci, Shqiptarët në Perandorinë Osmane, f. 34.
[20] S. Rizaj, f. 55.
[21] Po aty, f. 60.
[22] Po aty, f. 67. Po ashtu shih Justin McCarthy, Death and Exile, f. 109-116; Po ashtu shih ditarin e princes Aishe Osman Oglu, e bija e Sultan Abdul Hamit 2 në arabisht:Validi Es Sultan Abdul Hamdid el Thani,،11-56
[23] S. Rizaj, f. 69-70.
[24] Po aty, f. 70. Për nenet dhe vendimet e Paqes në fjalë shih edhe faqet 69-73, po aty.
[25] Po aty, f. 74.