SHEMBUJ TË LIDERSHIPIT TË DËSHTUAR NGA PRIZMI KUR’ANOR

0
331

Kur’ani dallohet për një metodologji të rrallë dhe unike për sa i përket prezantimit, analizimit dhe më pas gjykimit të ngjarjeve. Karakterizohet me paanësi dhe objektivizëm në shpjegimin e aspekteve pozitive dhe negative të dukurive a fenomeneve të caktuar.

Sa për ilustrim, do të përmendim rastin me alkoolin, për çka në Kur’an qëndron:

“Të pyesin ty për verën dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia”…” [Kur’ani: Bekare: 219]

Ana argumentuese e ajetit qëndron në shpjegimin që Allahu xh.sh. flet për qëllimet pse njerëzit merreshin me alkoolin dhe bixhozin në të cilat, pavarësisht mëkatit të madh, disa njerëz kishin edhe përfitime materiale. Tregtarët përfitonin sepse e shisnin alkoolin duke mos çarë kokën për anën tjetër, respektivisht ndalesën fetare dhe dëmin nga ai dhe bixhozi.

Kjo metodologji Kur’anore e prezantimit objektiv të gjërave vihet re edhe në trajtimin e disa modeleve shtypëse dhe represive të lidershipit, pra modele të dështuara, të cilat janë përmendur nga pejgamberët përgjatë gjithë historisë njerëzore dhe të cilat, ndonëse në forma pak më ndryshe, vazhdojnë të qeverisin edhe sot e kësaj dite. Shembull konkret i kësaj që po themi, është rasti i tiranit të madh, Faraonit dhe të dy ministrave destruktivë të tij, Karunit dhe Hamanit. Allahu xh.sh. na rrëfen për këtë e thotë:

1- “Dhe Faraoni i thërriste popullit të vet: “O populli im! Vallë, a nuk më përket mua sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin pranë meje? A nuk shihni-madhmshtin¸timë -? 52. Vallë, a nuk jam unë më i mirë se ky i mjerë, i cili mezi shprehet? 53. Përse nuk i janë dhënë atij byzylykë ari? Përse nuk kanë ardhur bashkë me të engjëjt?” 54. Kështu, ai e mashtroi popullin e vet. Ata iu nënshtruan atij, sepse ishin vërtet një popull i pabindur.” [ Zuhruf: 51-54]

Dëshmia nga ajeti qëndron në pretendimin e pushtetit absolut nga Faraoni, në kryelartësinë e tij ndaj popullit dhe në frikësimin e tyre, në ç’vlerësimin e nivelit intelektual të tyre dhe në dyshimet e vazhdueshme që kishte për ta. Populli i tij ishte mëkatar dhe pikërisht pushteti i padrejtë i Faraonit ishte kostoja që paguanin ata për mëkatet e tyre. Duke mos gjetur zgjidhje tjetër para vetes, gjithnjë sipas asaj që u diktonte Faraoni dhe për shkak të gjendjes së mjerë si pasojë e mëkateve, ata pasuan dhe iu bindën Faraonit.

Dijetari i njohur, Fahruddin Rrazi, i ka bërë një interpretim të shkëlqyer këtij ajeti me ç’rast ofron një analizë të bukur dhe kuptimplote:

Ajeti përmban disa mesele:

Meseleja e parë: Qëllimi i rikthimit të rrëfimit të Musait a.s. me Faraonin në këtë vend është bërë për ta konfirmuar ose miratuar atë që është thënë më parë. Kjo për arsye se idhujtarët kurejshë kontestuan pejgamberinë e Muhammedit a.s. me pretekstin se ishte i varfër dhe pa autoritet. Pas shpalosjes së mrekullive sfiduese të Musait a.s. në saktësinë e të cilave nuk ka dyshim, e përmendi këtë dyshim të Faraonit, të ngjashëm me atë që idhujtarët kurejshë thanë për Muhammedin a.s. Faraoni tha: unë jam i pasur dhe i pushtetshëm. A nuk shihni se si pushteti i Misrit (Egjiptit) më takon mua dhe se këta lumenj që rrjedhin në fakt po rrjedhin nën mua dhe sundimin tim. Ndërsa Musai është i varfër, i përbuzur dhe nuk mund të shprehet mirë.

Kështu, gjithnjë sipas mendësisë së Faraonit, si mund të dërgohet një njeri i varfër nga Zoti për tek ai që ka pushtet të madh dhe pasuri. Kështu, konfirmohet se dyshimin që hodhën idhujtarët kurejshë për pejgamberinë e Muhammedit a.s. dhe të cilin Kur’ani e përmend: “ Pastaj thanë – kurejshët-paria e Mekës -: “Përse të mos ketë zbritur ky Kur’an një njeriu të madh nga dy qytete?” [Zuhruf, ajeti 31], (e kishin për qëllim njeriun e madh njerin prej dy liderëve të tyre-el Velid bin el Mugire nga Meka, ose Urva bin Mas’ud el Thakafi nga Taifi – dmth: sipas tyre Muhamedi a.s.nuk e ka merituar zbritjen e Kur’anit, jo i madh sipas tyre)!!, është po ai që hodhi më parë me Faraonin ndaj Musait a.s.

Qëllimi i këtij rrëfimi qëndron në konfirmimin e dy gjërave: e para, argumentimit të jobesimtarëve dhe injorantëve ndaj Pejgamberëve me këtë akuzë dhe dyshim të dobët e të paqëndrueshëm, të cilit nuk duhet t’i kushtohet vëmendje dhe as rëndësi, dhe, e dyta, Faraoni kur ishte në gjendje materiale më të mirë të mundshme në dynja, u përmbys dhe mori fund dhe ky është fundi për armiqtë e tu (o Muhammed!). Pra, poenta e ripërtëritjes së rrëfimit nuk ka të bëjë me vet rrëfimin por me miratimin e përgjigjes ndaj dyshimit të përmendur…[1]

Një tjetër ajet që trajton shembullin e dështuar të Faraonit është ajeti në vazhdim:

2- “Dhe Faraoni tha: “O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot pos meje! O Haman, më ndez një zjarr të pjek qerpiçë dhe më ndërto një kullë të lartë të ngjitem te Zoti i Musait. Jam i bindur se ai (Musai) gënjen!” [Kasas: 38]

Dëshmia nga ky ajet, siç përmend dijetari Ibn Ashuri, qëndron në ligjërimin e Faraonit përmes të cilit ai do të bindë parinë në hyjninë e tij të rrejshme (pretendonte që ishte zot! sh.p.), kështu që iu tha se nuk dinte ndonjë zot tjetër pos tij, duke tentuar kështu zhvlerësimin e asaj që predikonte Musai a.s. siç është rrëfyer në kaptinën Shuara ajeti 24, dhe 26, detalisht: “Zoti juaj dhe Zoti i etërve tuaj është Allahu” dhe “Ai (Allahu) është Zoti i qiejve dhe i tokës dhe çdo gjëje që ekziston ndërmjet tyre nëse jeni të bindur.” Kështu Faraoni u tha atyre se nuk i besonte thirrjes së Musait a.s. dhe se ai nuk dinte zot tjetër për popullin e vet përveç vetes së tij[2].

(3) Kur’ani na ka rrëfyer edhe për rastin e parisë së popullit të Shuajbit a.s, despotë dhe tiranë që pamëshirshëm keqtrajtonin popullin e pafajshëm, të cilët pasonin liderët e udhëzuar dhe të drejtë nga radhët e Pejgamberëve. Allahu xh.sh. thotë:

3-“Paria arrogante e popullit të tij tha: “O Shuajb! Kthehuni në fenë tonë ose do t’ju dëbojmë nga qyteti ynë, ty me gjithë ndjekësit e tu”. Shuajbi tha: “Edhe pse e urrejmë atë?! 89. Nëse do të ktheheshim në fenë tuaj, pasi Allahu na shpëtoi nga ajo, atëherë do të shpifnim gënjeshtra kundër Allahut. Ne nuk mund të kthehemi në të, përveçse po të dojë Allahu, Zoti ynë. Ai përfshin çdo gjë me dijeninë e Vet dhe tek Ai ne mbështetemi. O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë”! 90. Por paria e pafe i tha popullit të tij: “Nëse shkoni pas Shuajbit, atëherë, me siguri do të jeni të humbur.” 91. E kështu, ata i goditi një tërmet i rëndë dhe u gdhinë të shtrirë përmbys në shtëpitë e tyre. 92. Ata që e quajtën Shuajbin gënjeshtar, sikur nuk kishin banuar kurrë në atë vend; ata që e quajtën Shuajbin gënjeshtar, qenë të humbur” [ A’rafë: 88-92]

Siç shpjegon dijetari Sheukani në tefsirin e tij Fet’h el-Kadir, aspekti i argumentimit me ajetet në fjalë fshihet në atë se “…paria nuk u mjaftua me braktisjen e besimit dhe shfaqjen e arrogancës dhe të kundërshtimit ndaj thirrjes që iu ishte drejtuar (nga Shuajbi a.s.), por shkoi edhe më tutje duke shfaqur dhunë, mendjemadhësi dhe duke kërcënuar pejgamberin e tyre dhe pasuesit e tij, duke i kërcënuar se do t’i nxirrnin me dhunë nga vendbanimet e tyre ose do ti kthenin në fenë e tyre të vjetër (në idhujtari). Pra, kishin para vetes vetëm një nga dy zgjidhjet: internimin[3] ose kthimin në idhujtari.”[4]

(4)  Këtë proçes refuzimi e kundërshtimi të dhunshëm e gjejmë dhe në rrëfimin e Ibrahimit a.s. me popullin e vet tiran, që jo vetëm e kërcënuan por u përpoqën edhe ta djegin të gjallë për të shpëtuar kinse prej tij dhe për ta hequr qafe njëherë e përgjithmonë. Por, Allahu xh.sh. e shpëtoi duke ia prishur kurthet atij populli mizor. Kur’ani na shpalos detaje nga kjo tendencë makabër dhe ky veprim mizor e barbar i popullit të Ibrahimit a.s:

4 – “Kujtoje Ibrahimin, kur i tha popullit të vet:

“Adhuroni Allahun dhe frikësojuni Atij! Kjo është më e mirë për ju, nëse e dini. 17. Vërtet, ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm idhuj. Ju po shpifni gënjeshtra. Në të vërtetë, ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk kanë pushtet t’ju furnizojnë, andaj, vetëm tek Allahu kërkoni riskun dhe adhuroni e falënderoni vetëm Atë. Tek Ai do të ktheheni. 18. Nëse ju nuk më besoni, dijeni se edhe popujt e mëparshëm i kanë quajtur gënjeshtarë (të dërguarit) dhe se i Dërguari ka për detyrë vetëm që të shpallë qartazi.”19. Vallë, a nuk e vërejnë ata se si Allahu e zë fill krijimin, pastaj e ripërsërit atë? Natyrisht, kjo është e lehtë për Allahun. 20.

Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin. Pastaj do të jetë Allahu Ai që do të bëjë krijimin e dytë (ringjalljen). Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë. 21. Ai ndëshkon kë të dojë dhe mëshiron kë të dojë; tek Ai do të ktheheni. 22. Ndëshkimit të Tij nuk mund t’i shpëtoni as në Tokë e as në qiell dhe përveç Allahut nuk keni as mbrojtës, as ndihmës. 23. Ata që mohojnë shpalljet e Allahut dhe takimin e Tij, pikërisht ata e kanë humbur shpresën në mëshirën Time dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” 24. Populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveçse tha: “Vriteni atë ose digjeni!” Por Allahu e shpëtoi atë nga zjarri. Vërtet, këtu ka shenja të qarta për njerëzit që besojnë.” [ Ankebut: 16-24]

Hoxha Muhammed el-Emin Shenkiti, duke shpjeguar këto ajete në tefsirin e tij të njohur Advau el-bejan, ka thënë:

Në këtë ajet fisnik, Allahu xh.sh. përmend se pasi i Dërguari i Tij, Ibrahimi, paqja qoftë mbi të dhe mbi pejgamberin tonë, e heshti popullin e vet mohues me argumente dhe dëshmi të qarta e të prera, këta të fundit nuk panë rrugë tjetër pos përdorimit të forcës, andaj thanë: digjeni dhe masakrojeni nëse doni të ndihmoni dhe përkrahni idhujt tuaj! Është bërë traditë që ithtarët e të kotës të përdorin dhunën si mjet kundër të së vërtetës sa herë që argumentet dhe provat e tyre dështojnë[5].

5-Shembull tjetër mohues dhe tiran gjejmë dhe në rrëfimin e As’hab el-uhdud [6]të cilët dogjën për së gjalli besimtarët vetëm pse besuan Allahun, krijuesin e qiejve dhe të tokës. Allahu e ka përjetësuar në Kur’an rrëfimin e këtyre besimtarëve besnikë që ruajtën besimin e tyre pavarësisht çmimit që paguan:

Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut, 5. zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse, 6. kur rrinin ulur rreth tij, 7. duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve! 8. Ata i munduan besimtarët[7], vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd, 9. të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje. 10. Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me zjarr.” [Buruxhë: 4-10]

Ebu Suudi i ka bërë një shpjegim të bukur këtyre ajeteve dhe këtij rrëfimi që mendoj se ia vlen ta përmendim!

Në tefsirin e tij Irshad el-akl esselim, ka thënë: “Është thënë se për qëllim është: janë mbytur. Por, cilido që të jetë kuptimi, fjalia është haberije (njoftuese, lajmëruese)[8]. Edhe më qartë, ajo duket të jetë duaije (fjali lutëse) që tregon për përgjigje. Sikur është thënë: “Betohem në këto gjëra se mohuesit e Mekkës janë të mallkuar sikur vrasësit e Uhdudit!

” Kjo për arsye se kaptina ka ardhur për t’i përforcuar besimtarët në besim dhe për t’i bërë të duruar, për t’iu dhënë kurajo për t’u rezistuar keqtrajtimeve të mohuesve dhe për t’ua ofruar një shembull durimi e sakrifice të mëhershme për besimin, në mënyrë që t’i pasojnë ata (besimtarët e mëparshëm) për të përballuar më lehtë keqtrajtimin nga ana e popullit të tyre. Njëherit dhe për të ditur se keqtrajtuesit e tyre janë në pozitën e keqtrajtuesve të besimtarëve të mëhershëm dhe janë të mallkuar njëjtë siç ishin edhe ata dhe se meritojnë të quhen tiranë siç janë quajtur tiranët e mëparshëm…[9]

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Fahrudin Rrazi, Mefatihu el-gajb, 1/186, meselen e dytë nuk e përmendëm.

[2] Ibn Ashur, Ettahriru ve ettenviru, 21/122.

[3] Si në kohën e regjimeve komuniste në Shqipëri e Jugoslavi e në Bashkimin Sovjetik.

[4] Imam Sheukani, Fet’h el-Kadir, 1/486. Kjo metodë e dhunës dhe e diktatorisë ka ekzistuar dhe akoma vazhdon së ekzistuari edhe sot (shek.21), “ ose me ne, ose kundër nesh”!!!

[5] Muhammed El-Emin esh-Shenkiti, Advau el-bejan fi îdahi el-Kur’an bi el-Kur’an, 4/162.

[6] Kjo masakër-ky holokost, shkurtimisht sipar disa burimeve islame, Sahihu i Muslimit, Musnedi i Ahmedit dhe Sunneni i Nesaiut, ka ndodhur sipas Dahhakut para shpalljes së Muhamedit a.s. 40 vite, në Jemen me të krishterët e qytetit Nexhran në Jug të Arabisë Saudite, shkaku ishte se ata kaluan nga hebreizmi në krishterizëm, dhe për hakmarje mbreti i tyre Dhu Nevvas el Jahudi Zur’ah ibn Tebban Esa’ad el Himjerij me ushtrinë e tij i masakroji ata me djegje për së gjalli, i hodhi ata në hendeqe të thella përplot zjarrë,shih: el Tefsir el Munir fi el Akideti ve el Sheriati ve el Menhexh,  30 / 153

[7] Rreth masakrave të bëra kundër atyre besimtarëve shih tefsirin e Imam el Kurtubiut dhe transmetimet e trishtueshme qe janë bërë në atë kohë, 19/248

[8] Në gjuhën arabe, fjalia haberije nënkupton fjalinë e cila përmban një haber, lajm, i cili mund të jetë i saktë ose pasaktë. Përkthyesi.

[9] Ebu Suud, Irshadu el-akli esselim, 9/136.