Ashtu siç thamë më parë, Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu ishte një personalitet me kulturë të gjerë fetare, shoqërore, ekonomike[1] dhe politike, bile ishte edhe ushtarak i mbrojtjes e sigurimit. Në tefsirin e tij të ajetit kur’anor:
“Pejgamberi i tyre ju tha: “Allahu caktoi sundues tuajin Talutin”,[2] Shejhu thotë se dërgimi i Talutit si sundues të Beni Israilëve argumenton se kryetari ose sunduesi ka rol të madh në shtet dhe në mbrojtjen e interesave e jetës së popullit. Kryetari apo sunduesi duhet të jetë fetar, trim i mençur njohës i politikës së brendshme e të jashtme, dhe të tillët duhet të respektohen, përderisa nuk kundërshtojnë kushtetutën e shtetit e nëse ndodhë e kundërta, atëherë njerëzit duhet ta shkarkojnë e të zgjedhin një tjetër.
Ushtarët, po ashtu, duhet ti respektojnë urdhëresat e komandantit të tyre në fushëbetejë dhe nuk lejohet kundërshtimi i tyre dhe se besimtarët duhet të bashkohen në xhihad në rrugë të Zotit kundër kundërshtarit…[3]
Mësimet e përfituara nga ajetet kuranore vërehen edhe ne aspektin politik dhe te sigurimit, ku ai aplikon parimet usuliste juridike të njohura ne shkencën e Usuli Fik’hut ( قواعد أصول الفقه )dhe te shkencave kuranore ( علوم القرآن ), për kuptimin e tekstit për qëllime politike, ekonomike etj, si p.sh.:
( العبرة بعموم اللفظ لا بخصوص السبب )“Shembulli duhet marrë nga kuptimi i përgjithshëm i fjalës e jo nga specifika e arsyes”. Në tefsirin e ajetit kur’anor:
“Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë në mes njerëzve”[4],
Shejhu ua drejton thirrjen udhëheqësve, kryetarëve dhe sunduesve të shteteve që të punojnë sipas këtij ajeti fisnik, dhe nëse punojnë sipas tij, atëherë përforcohen shtyllat dhe bazat e shtetit si dhe shteti ecë përpara, e nëse largohen nga ky ajet, atëherë do të rrënohet e shkatërrohet shteti: Sipas Shejhut, pa marrë parasysh shkakun e shpalljes së këtij ajeti, ky ajet ka vlerë absolute e të përgjithshme, dhe se sigurimi nënkupton sigurimin fetar dhe të kësaj bote.[5] Këtu vërejmë qartë precizitetin dhe përcaktimin e çështjeve politike, shtetërore dhe të sigurimit. Nëse përdorim mirë këto çështje e koncepte për sqarimin e kuptimit të qëllimit të ajetit, një gjë e tillë konsiderohet ( الاستحسان )“istihsan”.
Burimet e mendimit të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut përmes tefsirit të tij
Literatura të cilën e ka përdorur Shejhu në tefsirin e tij është e shumtë dhe e llojllojshme, gjë që argumenton diturinë e tij të gjerë dhe autoritetin e tij të pacenueshëm. Ai bën simbiozën e literaturës tradicionale me literaturën e re, literaturën fetare me atë shkencore. Ai është mbështetur në libra të ndryshëm të tefsirit të përpiluar nga dijetarë klasikë e të rinj. Tefsiret klasikë që i ka përdorur Shejhu janë: Tefsiri i Taberiut,[6] tefsiri i Nisaburit[7], tefsiri i Ibn Abbasit r.a.[8] dhe të dhënat nga sahabët e mëdhenj si Omeri, Aliu, Ibn Mes’udi, Ibn Omeri, Zejd ibn Thabiti r.a.[9]
Ai flet në përgjithësi rreth komentuesve.[10] Një nga komentuesit turk që jetoi në kohën e Shejhut, është Muhamed Vehbiu nga qyteti i Konjës,[11]Turqi, dhe emri i tefsirit të tij është: ( خلاصة البيان ) “Hulasatul-bejan”. Tefsiri i Fahruddin Raziut, Bejdavit dhe Hazinit janë shtylla të Shejh Hafiz Ibrahimi Dalliut, dhe në çdo faqe të tefsirit të tij, patjetër të theksohet njëri prej të treve, ose bashkërisht ose veçmas ose nga dy. Mund të konstatoj se tefsiri i Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut është rezyme e tre tefsireve të sipërpërmendur për shkak të mbështetjes së madhe të tij në tefsirët e tillë në çdo ajet. Nga burimet e tefsirit të Shejhut është edhe tefsiri
“El-Fevatih El-Ilahijje vel-mefatih el-gajbijje El-mudihati lil-kelim el-kur’anijje vel-hikem-el-furkanijje”; i Shejh Baba Ni’metullah ibn Muhamed En-Nexhevani El-Efendiut.
Ç’është e vërteta, akoma nuk kam gjetur ndonjë biografi të këtij komentuesi, edhe pse Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu e thekson shpesh herë gjatë transmetimeve prej tij.[12] Hulumtuesi dr. Ismail Bardhi thekson emrin e këtij komentuesi dhe tefsirin e tij në studimin e tij rreth Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut.[13] Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu, po ashtu, ka transmetuar nga tefsiri i Shejhut dhe diejtarit të famshëm Ebu Se’ud,[14] nga tefsiri i Hazinit, i Nesefiut dhe i Muxhahidit.[15]
Nga literatura sekondare, Shejhu ka përdorur librat e Ithtarëve të Librit, si p.sh., Teuratin, Inxhilin, dhe atë duke transmetuar tekste,[16] bile edhe nga Zeburi:[17] Shejhu transmeton, po ashtu, nga literatura historike islame e llojllojshme, nga librat e Sires dhe të betejave, raporte, hulumtime të mjekëve, nga librat e fikhut e usulit, nga librat rreth shkaqeve të shpalljes, nga shkenca e Kur’anit, nga librat e va’dhit e irshadit, nga rrëfimet e pejgamberëve dhe librat e tij personale, nga librat e gjuhës, rregullave, statistikës, nga librat e ndryshëm të astronomisë, fizikës, kimisë e gjeografisë, nga librat e moralit dhe edukimit, si p.sh., libri “Ihjau Ulumiddin” i Imam Gazaliut, nga librat e kulturës së përgjithshme, nga librat e feve të tjera, hulumtime e studime të amerikanëve dhe evropianëve etj. E gjithë kjo argumenton kulturën e tij të gjerë dhe njohuritë e tij në shkenca të ndryshme.[18]
Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)
[1] Edhe aspekti ekonomik vërehet qartë në shqyrtimin e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut rreth urtësisë së ndalimit të kamatës. Në këtë kontekst ai thotë se nga kamata vjen dëm ekonomik, kulturor dhe industrial. Aplikimi i kamatës i shkatërron dobitë e tilla të rëndësishme, të cilat e bëjnë popullin të ecë përpara, të përparojë dhe të lulëzojë (Ajka e kuptimeve, vëll. 1, f. 428).
[2] El-Bekare, 247.
[3] Ajka e kuptimeve, vëll. 1, fq. 373-379, 380-381-613.
[4] En-Nisaë, 58.
[5] Po aty, vëll. 2, fq. 806-807; Më gjerësisht rreth politikës së Sheriatit dhe të drejtave njerëzore shih: El-Kadi Burhanuddin Ibrahim ibn Ali El-Ja’murij, i njohur si Ibn Ferhun, “Tebsiretul-hukkam fi usulil-ukdijeti ve menahixhil-ahkam”; Bejrut, Darul-kutub el-ilmijje, pa vit botimi; Ahmed ibn Abdulhalim Ibn Tehmije, “Es-sijasetu esh-sher’ijje fi islahir-ra’i ver-re’ijjeti”; Bejrut, Darul-Ma’rifeti, pa vit botimi, 30-72.
[6] Ajka e kuptimeve, vëll. 1, fq. 559, 566, 608, 666, 684 dhe vëll. 2, fq. 739, 894, 926, etj.
[7] Po aty, vëll. 2, fq. 407, 982.
[8] Transmeton nga ai në formë thumbimi duke thënë: Transmetohet nga Ibn Abasi, apo u transmetua prej tij, vëll. 1, f. 434.
[9] Po aty, vëll. 2, f. 340.
[10] Po aty, vëll. 1, f. 272.
[11] Bardhi, Ismail, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij kur’anore, 1
[12] Ajka i kuptimeve, vëll. 2, f. 734.
[13] Bardhi, Ismail, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij kur’anore, 162.
[14] Ajka e kuptimeve, vëll. 1., fq. 128, 133, 688, 689, 901.
[15] Ajka e kuptimeve, vëll. 1. fq. 170-171.
[16] Po aty, vëll. 1, fq. 262.
[17] Po aty, vëll. 1, fq. 262.
[18] Më gjerësisht shihe tefsirin e tij në vëll. 1, fq. 97, 114-115, 132, 170-171, 247, 259, 262, 408, 508, etj.