Teoritë e personalitetit individual

0
806

 

Tiparet dhe komponentët që përmendëm më parë kanë nxitur psikologët dhe ekspertët e lidershipit të thellohen në studime dhe të përfundojnë me teori që lidhen me stilet e personalitetit individual[1]. Kjo ka ndodhur duke bashkuar këto tipare ndërvepruese mes vete. Sistemi i personalitetit individual i detyrohet pikërisht këtij ndërveprimi ndërmjet tipareve. Ky sistem përqendrohet në dy dimensione:

  • Dimensioni i parë, i cili përfshin aspektin e brendshëm, dhe atë sipas etikës, tipareve, virtyteve shpirtërore dhe sjelljeve elegante që gjenden tek individi.
  • Dimensioni i dytë, i cili përfshin aspektet e jashtme, dhe atë sipas etikës dhe sjelljeve të shthurura dhe çoroditëse, pikërisht ashtu siç vepruan tek stilet e lidershipit, duke i klasifikuar njerëzit se filani është tip introvert, tjetri ekstrovert, dikujt i thanë se është i ekuilibruar e dikujt i çekuilibruar[2], për dikë thanë se është egoist apo materialist…etj.

 

1.Teoria e modeleve të personalitetit individual ndahen në dy dimensione:

Dimensioni 1: Aspekti i brendshëm

  • Model i ndryshueshëm- Personalitet i drejt që nuk joshet lehtë, i qetë, mund të mbështetesh tek ai, me humor të ekuilibruar
  • Model i qëndrueshëm– Tip i moderuar, i qetë, jo temparament, i ekuilibruar

Dimensioni 2: Aspekti i jashtëm

  • Introvert – Interesohet vetëm për veten e vet, ka frikë njerëzit, ikën prej tyre
  • Ekstrovert– Interesohet për njerëzit, gjërat, krijon raporte me ta, mbështet tek ata, ndikohet nga faktorët e jashtëm

 

2.Teoria psikoanalitike e personalitetit individual

Kjo teori i atribuohet psikologut kontrovers, Frojdit (Sigmund Freud). Përgjatë hulumtimit tonë përkitazi me mendimet dhe qëndrimet e hulumtuesve dhe shkencëtarëve rreth kësaj çështje të ndjeshme, kemi mësuar detaje dhe analiza të cilat për ne nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë shkencore andaj edhe nuk i kemi përfshirë këtu shumicën e tyre. Madje, thënë me modesti, po të mos parashihej nga detyrimi shkencor trajtimi kritik dhe analitik i këtyre studimeve përkitazi me këtë teori të këtij psikologu kontrovers[1], do ta anashkaloja tërësisht, por kodi dhe etika shkencore nuk më lejojnë!

Sipas teorisë së Frojdit[2], njeriu kalon në disa periudha deri në formimin e personalitetit të vet, duke filluar nga foshnjëria. Më saktë, ai thotë se fëmijët prej lindjes e deri në adoleshencë kalojnë përmes pesë periudhave apo fazave të zhvillimit[3]. Në çdo fazë, energjia e libidos, ose forca që drejton të gjitha sjelljet njerëzore, bëhet e përqendruar në zona specifike erogjene.

Përfundimi i suksesshëm i secilës fazë rezulton në kalimin në fazën e ardhshme të zhvillimit, por dështimi në ndonjë fazë të veçantë mund të çojë në fiksime që mund të ndikojnë në personalitetin e rritur. Frojdi thotë se tërë kjo lidhet me dy instinkte kryesore: instinktin e jetës (erosin) dhe instinktin e vdekjes (thanatosin)[4]. Seksi është shprehja kryesore e instinktit të jetës dhe është motivacion për një shumëllojshmëri të mendimeve dhe të sjelljeve njerëzore. Ndërsa instinkti i vdekjes (thanatos) përfshin agresivitetin dhe shkatërrimin.

Këto janë ato që përcaktojnë thelbësisht personalitetin dhe sjelljet e njeriut. Bile, sipas disa hulumtuesve perëndimorë, instinkti i jetës (erosi) ka rol përcaktues për sa i përket sjelljeve dhe tipareve të personalitetit të njeriut.

Pavarësisht përhapjes, kjo teori është kundërshtuar që nga fillimi, madje edhe nga vet perëndimorët. Shumë shkencëtarë e studiues e kanë konsideruar teori të dështuar, ndonëse ka dhe nga ata që e kanë pranuar këtë teori të Frojdit.

Gjatë shqyrtimeve të kësaj teorie, ne gjetëm disa vërejtje serioze, të cilat i kemi përmbledhur si në vijim:

  • Teoria e tij objekt studimi ka fëmijët meshkuj, shumë pak femrat.
  • Teoria e tij nuk është me mundësi analogjie, nuk matet.
  • Profetizon të ardhmen ndërsa këtë e di vetëm Allahu! Të gjitha parashikimet e tij janë të mjegullta, të paqarta. Si mund të dalë me qëndrime të prera për një person duke konkluduar se veprimet jetësore janë kryekput rezultat (pasojë) e përvojës së hidhur paraprake fëmijërore?! A mund të jenë shkaqe mungesa e edukimit në përgjithësi dhe atij islam në veçanti, shoqëria e keqe, rrethi dhe ambienti ku jetojnë…?! Pa dyshim, po.
  • Teoria e tij nuk është e mbështetur në eksperiment shkencor por në raste klinike. Më saktë, në gjendjen e disa pacientëve që e kanë vizituar klinikën e tij dhe kanë marrë shërbime prej tij. Pra, nuk janë marrë parasysh rastet e njerëzve të shëndoshë.
  • Siç vihet re, qëndrimet e tij janë mjaftë të mangëta sa i përket çështjes së instinkteve seksuale të njeriut.

Këto janë arsyet pse ne në fakt nuk jemi marrë më shumë me këtë teori.

Sa u përket komponentëve përbërës të personalitetit të njeriut, sipas teorisë psikoanalitike të Frojdit janë tre[5]:

1) ID-i

ID-i është i pranishëm që në lindje, përfaqëson prirjet bazë instinktive dhe biologjike. Ai pretendonte se ID-i vepron mbi bazën e parimit të kënaqësisë, ku prirjet instinktive kërkojnë kënaqësi të menjëhershme në mënyrë të pandërgjegjshme dhe impulsive.

Kjo mund të jetë e saktë relativisht, ndryshe, as logjikisht, as fetarisht nuk pranohet, sepse ne ditët e para të jetës fëmija, ashtu siç edhe konfirmohet në Kur’an, nuk di asgjë.

Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” [Kur’ani: Nahl: 78]

Kur fëmija të dalë nga barku i nënës, ai nuk di asgjë, nuk dëgjon, nuk sheh, nuk ka njohuri, nuk ka shkathtësi, nuk di as për mirë, as për keq, nuk bën dredhi dhe nuk ngre kurthe, nuk ka epsh, nuk ka as mendim të mirë as të keq, nuk bën as mirë, as keq, nuk joshet seksualisht. Nëse diçka e josh, ai është ushqimi (qumështi).

Asgjë tjetër pos thithjes së gjirit të nënës fëmija nuk di. Kështu konfirmohet në këtë ajet Kur’anor, në të cilin fjala “la ta’lemune shej’en ka ardhur në trajtën e pashquar që nënkupton absolutisht asgjë. Ibën Kethiri, duke e komentuar këtë ajet, ka thënë:

“...Pastaj Allahu xh.sh., ua përmendi robërve mirësitë e Tij ndaj tyre, duke i nxjerrë nga barqet e nënave të tyre pa ditur asgjë, për tua dhënë më pas shqisën e të dëgjuarit me të cilën arrijnë të kuptojnë zërat, shqisën e të shikuarit me të cilën i vërejnë gjërat e dukshme, (ua dha po kështu edhe) mendjet – qendër e të cilave është zemra sipas mendimit më të qëlluar. Është thënë edhe ndryshe, se qendër e saj është truri. Rëndësia e mendjes është se nëpërmjet saj njeriu arrin të dallojë të mirën nga e keqja. Këto forca dhe shqisa shtohen e forcohen gradualisht, vit pas viti, derisa njeriu të arrijë pjekurinë e vet...[6]

2) EGO-ja

Egoja përbëhet nga një aftësi e ndërgjegjshme për të perceptuar dhe për t’u marrë me realitetin në mënyrë inteligjente. Ajo vepron si ndërmjetës midis ID-it (duke i larguar dëshirat për kënaqësi të menjëhershme) dhe superegos (duke pranuar se disa nga forcat penguese të saj nuk janë racionale). Egoja vepron në bazë të parimit të realitetit dhe përpiqet të gjejë mënyra të pranueshme nga shoqëria për të kënaqur ID-in.

3) SUPER EGO-ja

Superegoja (ose alteregoja) përbëhet nga vlera shoqërore dhe familjare që i janë ushqyer personit. Ajo është në një masë të madhe e pandërgjegjshme dhe frenon dëshirat e ID-it. Ajo përfshin ndërgjegjen (njohuri për sjelljet gabuara) dhe idealin e egos (njohuri për sjelljet e drejta).

Siç mund ta vërejmë, kjo teori është pothuajse e dështuar dhe, nga opinioni im, e pavlerë. Asgjë shkencore nuk mund t’i atribuohet asaj. Ajo është më shumë mashtrim, ngatërrim, pështjellim, kompleksim të së thjeshtës, shpjegim i diçkasë që njihet nga të gjithë. Problemi këtu ka të bëjë me edukimin e drejtë të fëmijëve. Nëse ne e kryejmë detyrën tonë karshi edukimit të fëmijëve, me përgjegjësi mund të presim rezultate! Ndryshe, nëse kemi çaluar në edukimin e tyre, atëherë fajin e kemi ne vetë!  Këto shpjegime të kësaj teorie më duken ikje nga përgjegjësia apo justifikim të dështimit tonë në edukimin e fëmijëve.

Ka dhe teori të tjera të ngjashme me këtë, si teoria biologjike, teoria e individualizmit, teoria e tipareve, për të cilat do të mjaftohemi thjesht me këtë shpjegim, jo më shumë!

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1]Shih: Peter G. Northouse, Leadership and Practice, pg: 19; Tarik Suvejdani & Fejsal Bashurahajli, Sinaatu el-kaid,(Mektebetu Xherir, ed. 3, 2004), f. 128-166.

[2]Shih: Hisham Talib, Delil et-tedrib el-kijadij, vep. cit., 63-73; Utejbi, El-enmat el-kijadije, vep. cit., f. 85-87.

[3] https://www.iep.utm.edu/freud/

[4]Shih një kritikë serioze ndaj teorisë së Frojdit e publikuar në linkun e më poshtëm:https://www.verywellmind.com/freuds-stages-of-psychosexual-development-2795962. Autori e ka shfletuar këtë portal më 9 maj 2019.

[5Për përkthimin e këtyre teorive, përkthyesi është shërbyer me materiale tjera nga fushat përkatëse, në shqip dhe gjuhë tjera.

[6] Shih artikullin e publikuar në (portalin e Harvardit) linkun e mëposhtëm:  https://www.health.harvard.edu/newsletter_article/Psychoanalysis_Theory_and_treatment

[7]Autori referencë ka https://www.verywellmind.com/what-is-the-pleasure-principle-2795472, ndërsa në shqip, përkthyesi i është referuar: Terry F. Pettijohn, Psikologjia – një hyrje koncize, përkthyer dhe botuar nga fondacioni Soros, Tiranë, ed. 2, 1996, f. 393.

[8]Ibën Kethiri, Tefsiru el-Kur’ani el-adhim, vol.4, f.590

[9]Ditëve tona, një ligjërues kontrovers është munduar që këto tri ndarje  të teorisë psikoanalitike të Frojdit t’i lidh me tre ndarjet kur’anore përkitazi me nefsin:1- nefsin që urdhëron për të keq, 2-nefsin qortues dhe, 3-nefsin e qetësuar. Sipas opinionit tim një përpjekje e këtillë për të ndërlidhur teorinë e Frojdit me këtë ndarje kur’anore të nefsit është e panevojshme sepse nuk mund të tërhiqen paralele krahasuese ndërmjet tyre, dhe Allahu e di më së miri!

Shih ligjëratën e Adnan Ibrahimit “Teoria e tre nefseve tek Frojdi”,   https://www.youtube.com/watch?v=3ZaNJ3AsAQM, shfletuar më 7 maj 2019..