Tiparet më dalluese të lidershipit të suksesshëm në rrëfimin e Dhulkarnejnit

0
530

Sa i përket tipareve dhe karakteristikave të lidershipit të fituara nga rrëfimi i Dhulkarnejnit, për çka edhe iu kthyem tefsireve klasike dhe bashkëkohore që kësaj mesele t’i bëjmë trajtim referencial, më duhet të them se nuk kam gjetur atë që kam pritur të gjej për këtë studim, me përjashtim tek disa mufessirë klasikë si Imam Kurtubiu dhe disa bashkëkohorë, si AbduRrahman Sa’di, Tahir bin Ashuri, Sejjid Kutubi. Kjo mbase për shkak të trajtimit jo me prioritet të temës së lidershipit në kohën e shumë mufessirëve sepse në atë kohë ymeti  ballafaqohej me sfida tjera, dhe pushtetarët nuk ishin siç janë sot.

 

Këto karakteristika të lidershipit mund të radhiten si më poshtë:

1) Vetëbesimi dhe pajtimi me atë që Allahu të ka dhënë nga pasuria, shëndeti, pushteti dhe sundimi

Imam Kurtubiu duke komentuar pjesën e ajetit 95 nga kaptina Kehf: “Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (nga pagesa juaj)” ka thënë:

Në të fshihen dy mesazhe:

E para, pjesa e ajetit: “Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im është më e mirë…” – Dhulkarnejni po iu thotë se fuqia dhe pushteti që ia ka dhënë Allahu xh.sh. janë më të mira se pagesa dhe kompensimi material që po më ofroni. Ajo që kërkoj nga ju është fuqia punëtore, pra burrat tuaj që të punojnë fizikisht.

E dyta, ky ajet është provë dhe dëshmi se si mbreti e ka për farz ose detyrë që ta ruajë popullin dhe të kujdeset për ta, mirëqenien dhe sigurinë e tyre dhe këtë nga mjetet materiale të tyre. Të drejtat e tyre (materiale) të cilat i përmbledh arka e tyre janë nën menaxhimin e tij (mbretit), dhe nëse arka do të zbrazej për shkak të investimit në projekte në interes të tyre, prapë detyrim do të mbetej mbushja e saj nga pasuritë e tyre ndërsa mbreti do ta kishte për detyrë të kujdesej për këtë pasuri[1]) me këto tre kushte: të mos e veçojë veten ndaj tyre me diçka nga kjo pasuri, të fillojë me shpërndarjen e saj tek ata që kanë më së shumti nevojë dhe ta shpërndajë atë sipas pozitave. Kur arka të zbrazet, atëherë ai kërkon që ata ta ofrojnë veten (fizikisht) para pasurive të tyre. E nëse kjo nuk mjafton, atëherë merr prej pasurisë së tyre me mirëkuptim dhe e shpenzon atë në mënyrë racionale e të kontrolluar.

Kështu veproi Dhulkarnejni kur ata ia ofruan pagesën fillimisht që t’i mbronte nga armiqësia e Je’xhuxhëve dhe Me’xhuxhëve. Ai iu tha se nuk kishte nevojë për paratë e tyre por për punën fizike të tyre. Më ndihmoni mua për veten tuaj sepse paratë janë në dorën time ndërsa meshkujt (fuqia fizike) në dorën tuaj. Dhulkarnejni pa se pasuria nuk luante rol primar në këtë rast dhe se ai po ta merrte pagesën apo shpërblimin kjo do ta pakësonte atë për të cilën ai kishte nevojë (fuqinë fizike) kështu që do t’i duhej të angazhonte punëtorë me pagesë nga radhët e tyre. Për këtë shkak, kërkimi i fuqisë punëtore këtu ishte primar. Lideri nuk ia merr pasurinë askujt pa nevojë. Në këtë rast, marrja e pasurisë bëhet haptazi, jo fshehurazi, shpenzohet me drejtësi dhe jo për përfitim (investim në kapital), bëhet me konsultim dhe jo me vendim arbitrar.

Allahu i lartësuar është Ai që bekon të qëlluarën![2]

Karakteristikat e lidershipit sipas Imam Kurtubiut

  • Vetëbesimi dhe pajtimi me atë që Allahu të ka dhënë nga pasuria, shëndeti, pushteti
  • Ofrimi i sigurisë dhe mirëqenies për popullin
  • Ruajtja e pasurive të tyre duke i shpenzuar ato për nevojtarët dhe skamnorët
  • Drejtësia sociale duke shpërndarë të mirat materiale sipas pozitave të tyre

2) Luftimi i korrupsionit, zhvillimi industrial, modestia dhe falënderimi për Allahun xh.sh, drejtësia sociale dhe ndihma për nevojtarët, mbrojtja e qytetarëve nga rreziqet dhe armiqësitë që iu kanosen pa kompensim material, shpalljen e kushtetutës dhe ligjit, ndëshkimi i keqbërësve, shpërblimi i mirëbërësve…

Prof. Sejjid Kutubi duke interpretuar Ajetet 95-99 nga kaptina Kehf ka thënë: “…Ai lider i mirë e refuzoi kompensimin material për punën që bëri në përputhje me programin e mirë që kishte shpallur për ta luftuar të keqen dhe çrregullimin në tokë. Ai erdhi në përfundim se mënyra më e mirë për ta parandaluar popullin çrregullues ishte të ndërtonte një digë ndërmjet dy kodrave. Kështu, për ta bërë këtë punë, kërkoi ndihmë materiale (copa hekuri dhe bakër të shkrirë) dhe fizike.

…por më ndihmoni mua me krahë! Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. 96. Më sillni blloqe hekuri!…”, kështu ata i sollën copa hekuri, “…Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve,…” dhe u bë një pirg nga rrafshimi i tyre “…tha: “Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.”…” pra kur hekuri u skuq shumë dhe u bë pothuajse zjarr, “…tha: “Më sillni bakër të shkrirë që ta hedh në të.”.”, pra bakër të shkrirë për ta përzier me hekurin që ta forcojë edhe më shumë.

Kjo formë e përforcimit të hekurit është përdorur edhe në kohën bashkëkohore pasi që është konstatuar se shtimi i një sasie të bakrit hekurit i shton forcë dhe qëndrueshmëri. Kjo njohuri ishte nga Allahu xh.sh. dhe si e tillë është e regjistruar në Librin e Tij të përjetshëm, duke i paraprirë kështu shkencës moderne me njohuri dhe praktika të dëshmuara shumë shekuj më parë, që saktësisht vetëm Allahu e di kur ka ndodhur[3].

Me këtë veprim të Dhulkarnejnit korridori u mbyll dhe bashkë me të edhe rruga e Je’xhuxhëve dhe Me’xhuxhëve. “Kështu, ata (Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të.

Dhulkarnejni, që ishte begatuar me dije e fuqi nga Allahu, këtë punë gjigante nuk e shikoi si diçka që thjesht mund ta kryente, pra nuk ishte i mashtruar me këto dhunti që i ishin dhënë[4], por me modesti dhe falënderim për Allahun duke dashur që ajo të jetë shpagim i mirësive të Allahut ndaj tij. Ai nuk shfaqi pavarësi nga Allahu, përkundrazi, shfaqi pavarësi nga vetvetja duke iu mbështetur tërësisht Allahut dhe duke iu dorëzuar Atij. Ai shfaqi dijen që kishte se do të vjen koha kur këto kodra, para Kiametit, do të rrafshohen me tokë. “Ai tha: “Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë.”

Këtu përfundon biografia e Dhulkarnejnit, këtij shembulli të përkryer të liderit të ndershëm, të cilit Allahu xh.sh. i dha forcë dhe pushtet në tokë dhe për të cilin kishin nevojë Lindja dhe Perëndimi. Ai nuk ishte i vetëmashtruar dhe aq më pak mendjemadh a arrogant. Pushteti dhe sukseset nuk ishin mjet për përfitime materiale personale dhe as për të shfrytëzuar njerëzit apo vendet për interesa personale.

Vendet e pushtuara nuk i trajtonte me ligje skllavërie dhe as i shtypte banorët e tyre si tiran. Ai ndante drejtësi kudo që ishte, ndihmonte nevojtarët kudo që thërriste nevoja, ua siguronte lirinë pa kompensim material. Mundësitë që ia kishte dhënë Allahu xh.sh. i kishte vënë në dobi të njerëzimit, në favor të shfrytëzimit, ndryshimit dhe rregullimit, largimit të armiqësisë dhe jetësimit të sigurisë e paqes. Për asnjë çast nuk harronte të falënderonte Allahun dhe t’i detyrohej Atij për mirësitë dhe mëshirën, njëherit të përkujtonte forcën dhe fuqinë e Tij dhe se ai, Dhulkarnejni, një ditë (si gjithë të tjerët), do të kthehej tek Allahu xh.sh[5]

E rëndësishme këtu është se Dhulkarnjeni shpalli platformën e tij për mënyrën e qeverisjes me vendet e çliruara, të cilat iu nënshtruan dhe ishin nën pushtetin e tij. “Ai tha: “Sa i përket atij që bën të këqija, Ne do ta ndëshkojmë e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të rëndë. 88. Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe do t’i premtojmë atij lehtësira.” Kështu, Dhulkarnejni shpalli se keqbërësit do të ndëshkohen në këtë botë, sikur që do të ndëshkohen dhe në botën tjetër me dënim çfarë njeriu nuk mund ta paramendojë. Ndërsa sa i përket besimtarëve të devotshëm, për ata do të kenë shpërblime, trajtim dinjitoz dhe privilegje.

Kjo është platforma e liderit të mirë, kjo është kushtetuta që duhet të ketë. Besimtari i mirë duhet të ndihet krenar, të jetë i favorizuar, të shpërblehet, ndërsa shkelësi i të drejtave, krimineli, duhet të merr ndëshkimin. Kur mirëbërësi të gjejë shpërblimin për mirëbërje dhe pozitë e respekt në shoqëri, dhe keqbërësi të merr ndëshkimin e merituar për krimin, kjo do të shërbejë si mësim dhe motivim për të vazhduar me ndershmëri dhe produktivitet (për të dhënë edhe më shumë nga vetja). Ndryshe, nëse përmbysen kriteret e pushtetit ku në vend të mirëbërësve shpërblehen e nderohen keqbërësit, kur të ndershmit anashkalohen dhe për më keq, luftohen, atëherë i gjithë pushteti shndërrohet në mjet dhune, kalon në duar e tiranit dhe çrregullohet i gjithë sistemi shoqëror derisa të kalojë në kaos total…[6]

Përmbledhje e shkurtër dhe grafike e treguesve të lidershipit  sipas Sejjid Kutubit, rahmet pastë!

Karakteristikat e lidershipit sipas pikëpamjes së Sejjdit Kutubit

  • Luftimi i korrupsionit dhe anarkisë
  • Zbulimet teknologjike dhe industriale
  • Modestia dhe falenderimi për Allahun xh.sh.
  • Drejtsia dhe ndihma për nevojtarët
  • Ofrimi i sigurisë për të dëmtuarit pa kompensim material
  • Shpallja e kushtetutës dhe ligjit/sistemit
  • Ndëshkimi i keqbërësve, shpërblimi i mirëbërësve

 

3) Ndershmëria dhe drejtësia, frymëzimi nga Allahu dhe mbështetja tek Ai, zgjerimi i sundimit, arritja në token e Je’xhuxhëve dhe Me’xhuxhëve, ndërtimi i digave dhe urave për të evituar dhunën dhe për të mbrojtur të dëmtuarit nga dhuna e padrejtësia, përkushtimi për industrinë dhe zejen, përdorimi i fuqisë njerëzore për realizimin e objektivave…

Imami Tahir bin Ashuri ka thënë:

Ky rrëfim Kur’anor na ofron tipare të liderit dhe lidershipit të cilat pashmangshëm na duhen (për ndërtimin e modeleve të reja):

  • Ai (Dhulkarnejni) ishte mbret i ndershëm dhe i drejtë.
  • Ishte i frymëzuar nga Allahu xh.sh.
  • Pushteti i tij ishte shtrirë në vise të shumta.
  • Ai kishte shkuar në vendin e Je’xhuxhëve dhe Me’xhuxhëve që kishte qenë gjeografikisht i përfshirë në territorin ku sundonte ai. Ishte ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, pra as në Lindje as në Perëndim, siç parashihet nga ekzaminimi apo gjurmimi i mjeteve të tij.
  • Ai kishte ndërtuar një digë që ndante Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët nga një popull tjetër.
  • Ai me vete kishte një ekip ekspertësh për përpunim të hekurit dhe në ndërtim[7].

 

Në fund konsideroj që koncepti dhe tiparet e lidershipit sipas modelit të Dhulkarnejnit mjaftojnë për të qenë shembull dhe model i mirë për të gjithë ata që duan të jenë liderë të suksesshëm dhe të ndjekur nga të tjerët në çdo kohë. Këtu do të shtoja dhe disa detaje rreth Dhulkarnejnit.

Përpjekjet e dijetarëve për ta përcaktuar kohën dhe vendin ku/kur ka jetuar janë thjesht përpjekje shkencore që mund të pranohen dhe të refuzohen për faktin se Kur’ani nuk është deklaruar rreth tyre dhe as që janë synuar në kontekstin të cilin Kur’ani e përmend Dhulkarnejnin, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që dikush nga mufessirët t’i zbulojnë ato, sepse urtësitë e Kur’anit zbulohen përherë dhe janë të hapura për të gjithë. Për të qenë mrekullia edhe më e madhe, urtësitë e Kur’anit shpalosen në çdo kohë, deri në ditën e kiametit.

Po e theksoj se gjëja më e rëndësishme është që Kur’ani është deklaruar qartë rreth liderit; pregaditjen e tij fetare, intelektuale, emocionale dhe shumëdimensionale kundrejt luftës me të gjitha format e të keqes dhe prezantimit të të gjitha tipareve individuale e shoqërore që afirmojnë vlerat e mirëfillta islame. Kjo është ajo që kërkohet. Allahu e di më së miri!

Karakteristikat e lidershipit sipas pikëpamjes së Imamit Tahir bin Ashur

  • Ndershmëria e liderit dhe drejtësia e tij
  • Frymëzimi i liderit dhe lidhja e tij e fortë me Allahun xh.sh.
  • Pushteti i madh në tokë
  • Ndërtimi i digave dhe ndërmarrja e çdo veprimi për ruajtjen e popullit dhe interesit të tyre
  • Bashkëpunimi me popullin në fushën e industrisë dhe çdo gjë tjetër që paraqet interes për popullin

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1]Pjesa brenda kllapave nuk është shënim i përkthyesit por teksti komplet i Imam Kurtubiut të cilin përkthyesi e solli për tu kuptuar meseleja më qartë. Përkthyesi.

[2]Kurtubiu, El-xhamiu li-ahkami el-Kur’an, 11/60.

[3]Shih: Sejjid Kutub, Fi dhilali el-Kur’an, 1/2714.

[4]Shih edhe: AbduRrahman Sa’di, Tejsiru el-Kerimi el-Mennan, 487, kur bën krahasimin ndërmjet modestisë dhe falënderimit të Sulejmanit a.s. për dhuntitë e dhëna dhe arrogancës dhe mendjemadhësisë së Karunit. Ky i fundit të gjitha ia atribuonte vetes së tij, jo Allahut xh.sh.

[5]Shih: Sejjid Kutub, Fi dhilali el-Kur’an, 1/2714.

[6]Shih: Sejjid Kutub, Fi dhilali el-Kur’an, 1/2712-2713.

[7]Ibn Ashur, Ettahriru ve ettenviru, 16/25.