Jeta e Haxhi Bektash Veliut – themeluesit të tarikatit   

0
584

Haxhi Bektash Veliu është përshkruar nga ndjekësit e tij kështu:

“O kryeshenjtor i nderuar, Sejid Sulltan, Haxhi Bektash Veli, Allahu i Lartësuar ia shenjtëroftë misterin. Ai ngau luanë, fliste me zogjtë dhe drerët, ecte mbi det, fluturoi në qiej mbi lëkurën e luanit, ngjalli të vdekurit, u dha shikim të verbërve, dhe shëroi të sëmurët.” John Kingsley Birge shkruan në veprën e tij The Bektashi Order of Dervishes:

”Si ndihmues në kujtesë dhe në përputhje me një zakon të mirënjohur universal në Lindjen muslimane, jeta e Haxhi Bektash Veliut përmblidhet te bektashinjtë në katër fjali, ku fjalë të caktuara të secilës përmbajnë gërma, vlera numerike e të cilave shpjegon një fakt ose një tjetër në kronologjinë e jetës së shenjtorit. Katër fjalitë janë këto:

  1. Hazreti Pirin veladeti müruwet,
  2. Horasandan Ruma tesrif eder, reft,
  3. Müddeti ömrü Muhammad dir cemali,
  4. Bektasiye tarih asvabi rihlet,

 

  1. Hazreti Pirin veladeti müruwet, “Lindja e Kryeshenjtorit, bujaria e shpirtit.” Fjala müruwet me katër germat e saj në arabisht:
  • mim – 40,
  • re – 200,
  • ve – 6,
  • te – 400

Shuma e këtyre numrave del 646, që pranohet si viti i lindjes së tij sipas kalendarit hixhri (1248 A.D.)

  1. Horasandan Ruma tesrif eder, reft. Ai erdhi nga Horasani në Rumin e këndshëm. Reft ka vlerën numerike të mëposhtme:
  •  re – 200,
  •  fe – 80
  •  te – 400;

që jep vlerën 680, i cili merret si viti i ardhjes së tij në Anadoll, në moshën tridhjetë e katër vjeçare (1281 AD).

  1. Müddeti ömrü Muhammad dir cemali. “Gjatësia e jetës së tij është bukuria e Muhammedit.” Kësaj radhe jo fjala e fundit, por fjala Muhammed jep numrin e viteve të jetës së tij:
  •               Mim – 40,
  •               Ha – 8,
  •               mim – 40,
  •               dal – 4
  •               që jep 92.

Ky numër pranohet si numri i viteve që ai jetoi.

  1. Bektasiye tarih asvabi rihlet. Data e vdekjes së tij, 738 A.H. (A.D. 1337) përfaqësohet nga fjalia e katërt “Data e vdekjes së Bektashit, shumë e vërtetë.” Në këtë fjali, si fjala bektashije edhe fraza asvabi rihlet janë baras me 738:
  •              be – 2,
  •              kef – 20,
  •              te – 400,
  •              elif – 1,
  •              sin – 300,
  •              be – 10,
  •              he -5
  • japin 738.

 

Dhe

  •             elif – 1,
  •             sad – 90,
  •             vav – 6,
  •             elif – 1,
  •             be – 2,
  •             re – 200,
  •             ha – 8,
  •             lam – 30,
  •             te – 300

japin 738. (Shih: The Bektashi order of Dervishes, f. 34)

Ai ishte ndër prijësit shpirtërorë që fituan spikatje të madhe për fuqitë mrekullibërëse mes avamit, si muslimanë ashtu edhe të krishterë سريعي التصديق . Prejardhja e Bektashit kthehet deri tek Profeti a.s. Kjo përmendet në Vilajetnamenë e Haxhi Veli Bektashit, me këtë linjë:

  1. Muhammedi a.s.
  2. Fatimja e bija e Pejgamberit a.s.
  3. Imam Huseini
  4. Imam Zejnul Abidini
  5. Imam Muhammed el-Bakir
  6. Imam Xhafer es-Sadik
  7. Imam Musa el-Kadhim
  8. Sejid Ibrahim el-Muxhab
  9. Sejid Musa Thani
  10. Sejid Sulltan Ibrahim Thani
  11. Haxhi Bektash Veli

Babai i tij Sejid Sulltan Ibrahimi ishte sundimtar i një krahine në Horasan. Kur shenjtori i ardhshëm u lind, ai u quajt Bektash, që do të thotë “shok në rang”, ose “i barabartë me princin”. Atë e dëgjuan të recitonte shehadetin në djep. (The Bektashi order of Dervishes, f. 36)

Ai lindi në qytetin e Nishaburit në Horasan. Babai i tij ishte Sejjid Ibrahimi, ndërsa e ëma Hatem Hatun nga Nishaburi.

Haxhi Bektash Veliu i kaloi 25 vjetët e para të jetës në Nishabur, ku mësoi filozofi, fizikë, letërsi e shkenca të tjera nga dijetarë të Turkistanit, të prirë nga Lukman Perende. Ai e rriti dijen e tij me udhëtime të shumta në Turkistan, Iran, Bagdad, Kerbela, Mekë dhe Siri.

Pastaj u zhvendos në Anadoll dhe u vendos në Sulucakarahuyuk, emri i sotëm i të cilës është Haxhibektash, me ftesën e Ahmed Jeseviut. Ai e zhvilloi mendimin e tij në qendrën e kulturës turke që ngriti atje, duke marrë me vete një numër të stërmadh nxënësish dhe luajtur rolin e prijësit ushtarak, shoqëror dhe fetar mes turqve anadollas, duke zgjidhur gjithashtu problemet e popullit me ushtrinë.

Pasi u martua me Fatma Nurije Hanëm (Kadinxhik Ana), të bijën e Idris Hoxhës, Haxhi Bektash Veliu nisi udhëtime të gjerësishme në rajone të Anadollit të banuara nga turq, studioi zakonet dhe traditat turke, që ishin mbajtur të paprekura deri atëherë, përzjeu besimin islam dhe kulturën turke dhe themeloi filozofinë e tij mbi këtë pajtim. I njohur edhe si shenjtori themelues i jeniçerëve, ai ishte vendimtar në krijimin e bashkimit turk në Anadoll, ngriti statusin e gruas në jetën shoqërore dhe vazhdoi për tërë jetën ta mbronte gjuhën dhe kulturën turke nga ndikimet e huaja dhe futjet heretike. Besohet se vdiq më 1337. Haxhi Bektash Veliu është varrosur në faltoren e tij në qytetin Haxhibektash.

Ai ka shkruar libra me titujt Makalat, Fevaid, Sadhijje dhe Sherh-i Besmele. Vepra e njohur si Vilajetname është një burim i rëndësishëm për njohjen me jetën dhe mrekullitë e Haxhi Veli Bektashit.

Sipas opinionit të disa studiuesve, themeluesi i vërtetë i tarikatit ka qenë predikuesi dhe kalenderi Haxhi Bektash Vali Nishpuri Horasani (1208-1270), i cili shpalli zinxhirin e tij të shpirtshëm si të buruar nga shejhu i Turkistanit Ahmed Jeseviu (vd. 1166), dhe përmes atij personi deri te Imami i shtatë shii Musa el-Kadhim. Haxhi Bektashi fitoi shumë shpejt popullaritet të gjerë në Azinë e Vogël. Më 1240 ai mori pjesë aktive në kryengritjen e “të liruarve turq” që udhëhiqej nga dervishi kalender Baba Is’hak (kundër sulltanit konias Gijath ed-Din Husrov). Nuk ka burime ose shkrime autentike të Haxhi Bektashit dhe nuk mund të gjykojmë rreth mësimit të tij (tradita bektashiane beson se ai ishte autor i trajtesës Makalat në arabisht, por origjinali nuk është gjetur; ekzistojnë vetëm dy përkthime poetike në turqisht nga shekujt XIV dhe XVI. Shih edhe: Ahmet Yasar Ocak, Bektasi Menakib namelerinde Islam Oncesi Inanc Motifleri, ff. 5-9) Por sipas doracakëve të mëvonshëm të lutjeve, riteve dhe rregullave fetare, mund të hamendësohet se Haxhi Bektashi (sikurse shumë predikues të tjerë lëvizës në Turqi) predikonte idetë e kalenderëve dhe (ka mundësi) nocione të shiitëve radikalë (gulatë). (Shih: Islam Ansiklopedisi,vëll.1, f. 468, botimi i vjetër)

Bektashinjtë u përhapën mes popullatës fshatare. Gradualisht, bektashinjtë u bënë njësi e qëndrueshme me një rrjet të zhvilluar teqesh dhe bashkësish me hierarki të rreptë, sistem ritual të pandotur dhe rite inicimi si dhe simbole të posaçme e veshje të veçantë

الثوب أو الكساء الخاص.( Shih: The Sufi Orders In Islam, f. 399)                                                                                                                                                                   

2-Themeluesi i tarikatit                                                                                                                       

“Figurat legjendare janë pjesë e kujtesës kolektive të njerëzve, ata u lejojnë popujve të frymojnë dhe shijojnë tezat e historisë së tyre me një konkretshmëri që asnjë tekst nuk mund ta barazojë. Veprat e pandehura si dhe të njohura të heronjve fetarë eponimë që shfaqen në historinë e kujtuar të Turqisë përbëjnë një mozaik të pasur, që ofron për një publik të gjerë turk imazhe të paraardhësve të tyre si dhe të institucioneve të tyre shoqërore.

Kështu është edhe me Haxhi Bektash Veliun, një shenjtor osman prejardhja dhe jeta e të cilit nuk njihen akoma mirë. Një pjesë e arsyes së këtij ngulmimi është përfshirja e këtij njeriu të shenjtë në ngjarjet që shenjuan themelimin e Perandorisë Osmane në shekujt XIII-XV.

Ai ishte një lider tipik i migruesve fisnorë turkmenë nga Azia Qendrore, të cilët e ndryshuan strukturën e popullatës së Azisë së Vogël. Këto ndryshime ndodhën mes shekujve XI e XV. Islami kishte mbërritur në Azinë Qendrore në fillim të shek. IX, por vetëm duke hyrë në qendrat kulturore islame më qendrore të Azisë Perëndimore që turkmenët nisën të merrnin një dije më shumë se sipërfaqësore të fesë së tyre (Shih: Turkiye Diyanet vakfi- Islam Ansiklopedisi, under the Bektashiya, c-5, f. 373)

  • Reforma në tarikatin bektashi

Ky shndërrim i tarikatit në një organizatë të rrënjosur lidhej me veprimtaritë e Shejhut të madh Balim Sulltan (vd. 1516), titull fetar i të cilit ndër besimtarë ishte Piri i Dytë. Balim Sulltani u vetëshpall pasardhës i Haxhi Bektash Rumiut dhe reformoi strukturën e bashkësive dhe teqeve, renditjen e riteve të inicimit dhe mesa duket vendosi praktikën e beqarisë. (Shih: Islam Ansiklopedisi, Vol. 2, f. 461, botimi i vjetër).

Por disa anëtarë të tarikatit e refuzuan reformën e Balim Sulltanit. U shfaqën dy grupe ndërluftuese ndjekësish. I pari përbëhej nga çelebij, pra pasardhës të Haxhi Bektash Rumiut dhe ndjekësve të reformave të Balim Sulltanit. I dyti përbëhej nga baballarët, që ishin të sigurt se vetëm ata ishin ndjekësit e vërtetë të mësimit të themeluesit të bektashive; ata luftuan kundër reformave. Kjo skizmë e futi tarikatin në konflikte dhe përplasje serioze.

Në fund, çelebitë morën në dorë vendin e kreut të teqesë mëmë (Pir-evi ) si dhe të rolit udhëheqës në tarikat, përfshirë rangun e kreut të tarikatit (deri në fund të shekullit XVII ekzistonin zgjedhje të kreut të tarikatit; pas kësaj date posti u bë i trashëgueshëm).

4- Zhvillime dhe veprimtari brenda tarikatit

Në pjesën e dytë të shekullit XVI, kreu i tarikatit bektashi Sersam-‘Ali-baba (vd. 1589) vendosi postin më të lartë të tarikatit, Dede-baba. Ndonëse çelebitë e ruajtën pushtetin e tyre të vërtetë brenda tarikatit (kontrollin e vakëfeve, shpërndarjen e përfitimeve, emërimin e krerëve të teqeve lokale, etj), vetëm Dede-baba mund t’i jepte dikujt leje për t’u caktuar në postin e kreut të bektashinjve. Ky post ishte elektiv, dhe tetë baballarë të teqesë qendrore merrnin pjesë në zgjedhjen e Dede-babait. (Shih edhe: Islam Ansiklopedisi, vëll. 2, f. 162, botimi i vjetër).

Pjesëtarët e tarikatit bektashi morën pjesë në një sërë kryengritjesh kundër regjimit osman (si p.sh. lëvizja e Kalendarogllut më 1526, e cila u mbështet nga 30,000 bektashi). Pas pushtimeve osmane bektashinjtë u përhapën në Siri, Palestinë dhe Egjipt, ku ishin ngritur teqetë dhe bashkësitë e tyre.

Gjatë udhëheqjes së Balim-Sulltanit propaganda bektashiane gëzoi suksesin më të madh mes pjesëtarëve të trupave jeniçere. Bektashinjtë ishin tejet ndikues mes ushtarëve jeniçerë. Rrethanat përcaktuan rritjen e rëndësisë politike të rendit bektashi në Turqinë osmane. Nga ana e saj, lidhja mes trupave elitë jeniçere dhe vëllazërisë së organizuar bektashite i shndërroi trupat jeniçere në një institucion të mbyllur më vete.

 

Prof.Dr.Hfz.  Hajredin Hoxha 

Tarikati bektashian (Hyrje në historinë dhe bindjet e tij) Sipas burimeve bektashiane