POLITIKA E NEGOCIATAVE

0
358

 

Ibni Is’haku[1] tregon: “Jezid b. Zijadi tregon se Mu­ham­med b. Ka’bi ka thënë: “Kjo ka ndodhur kur Utbe b. Rebia ishte kryepar. Një ditë në kë­shi­llin e kurejshëve ky tha (Resulullahu ishte i ulur vetëm në mes­xhid): “O kurejshë, a dëshironi të shkoj te Muhammedi? Do të flas me të dhe do t’i propozoj disa gjëra. Ndoshta do të pranojë ndonjërën prej tyre. Do t’i japim gjithçka dëshiron, vetëm të na lërë të qetë.” Kjo ka ndodhur pas kalimit të Hamzës në Islam.

Duke qenë se numri i as’habëve të Muhammedit [alejhis salatu ves selam] rritej nga dita në ditë, ata thanë: “S’ka mbetur tjetër, ngrihu o Ebul-Velid, shko dhe fol me të.” Utbe u ngrit, iu afrua Muhammedit [alejhis salatu ves selam] dhe tha: “O nipi im, siç e di edhe vetë, ti je nga gjaku dhe origjina jonë fisnike. E ke vendin tënd në familje dhe në brez. Popullit tënd i bëre padrej­tësi të madhe, i ke ndarë në grupe, ua ke rrënuar ëndrrat, ua ke poshtëruar zotat dhe besimin e tyre, gjyshërit tanë i bëre jobesimtarë. Më dëgjo, po të ofroj disa zgjidhje, besoj se do t’i pranosh, bile disa nga ato.”

“Fol, o Ebul-Velid, po të dëgjoj,” – tha Resulullahu.

“O nipi im, nëse dëshiron pasuri për këtë fe që je duke kum­tuar, ne do ta mbledhim nga pasuritë tona dhe do të jesh më i pasuri në mesin tonë. Nëse dëshiron të na sundosh, do të zgje­dhim për kryepar tonin dhe asgjë nuk do të bëjmë pa dijen tënde. Nëse dëshiron pushtet, do të të zgje­dhim për kryetar. Nëse tërë këtë që je duke përjetuar dhe po të shtiret se je pejgamber nuk mund ta dëbosh nga vetvetja, do të kërkoj­më mjek për ty dhe nuk do të kur­sejmë asgjë vetëm që ti të shërohesh nga kjo sëmundje, sepse vetë natyra e njeriut nganjëherë e ngadhënjen atë, andaj ka nevojë për shërim.” “A e kreve, tanimë o Ebul-Velid?” “Po”, – tha ai. “Atëherë, pra, më dëgjo mirë,” – tha Muhammedi.

 “Bis­mil-Lahir-Rahmanir-Rahim. Ha, Mim. (Kjo është) Shpallja prej Bami­rë­sit, Mëshiruesit. Libër, argumentet e të cilit janë të qarta, (që është) Kur’ani në gjuhën arabe, për popullin që di. Si sihariques dhe para­laj­më­rues, por shumica e tyre janë shmangur (prej studimit të tij) e nuk duan të dëgjojnë. (Por) Thonë: “Zemrat tona janë të mbuluara (blin­dua­ra e nuk kuptojnë) për atë që na thërret ti, veshët tanë janë të shurdhër për atë, e mes nesh e teje ka perde, andaj puno ti (në idenë tënde), (por) me të vërtetë, dhe ne do të punoj­më”. (Fussilet: 1-5).

Resulullahu vazhdoi të këndonte ajete nga kjo sure, kurse Ebul-Velidi dëgjonte në heshtje. Duart i kishte vënë prapa shpine, dhe i mbësh­tetur edhe më tej dëgjonte, dëgjonte. Kur Resulullahu arriti tek ajeti i sexhdes, bëri sexhde dhe tha: “O Ebul-Velid, kjo qe nga unë, e ti mund të veprosh si të duash.”

Utbe u ngrit dhe vajti te shokët e vet, të cilët flisnin për të. Kur e panë, thanë: “Betohemi për Zotin se Ebul-Velidi po kthehet me fytyrë tjetër nga ajo me të cilën ka shkuar, është i disponuar ndryshe.” Pasi u ul, ata pyetën: “E, ç’u bë? Çfarë lajme na solle?” Ai u përgjigj: “Ju solla lajme se dëgjova fjalë që, për Zotin tim, nuk i kam dëgjuar gjer më tani. Për Zotin, nuk janë vargje të poetit, e as fjali të magjistarit, e as mër­mëritje të shortarit. O popull, o kurej­shë, bëhuni të dëgjueshëm dhe fenë e tij ma lini mua. Lëreni këtë njeri vetëm dhe shman­guni nga ai. Betohem në Zotin se, ligjërimi që dëgjova, sjell porosi madhështore. Nëse arabët e refu­zojnë atë, atëherë ju do të jeni të mjaf­tueshëm për të, por nëse shkon puna mbarë e të gjithë arabët e pra­nojnë, atëherë push­teti i tij do të jetë edhe juaji, nami i tij do të jetë edhe nami juaj, me të do të bëheni populli më fatlum.” Ata thanë: “O Ebul-Velid, të paska bërë magji!” Ai tha: “Ky është mendimi im për të, e ju veproni si të doni.”[2]

Në një version tjetër thuhet se Utbe e ka dëgjuar këndimin e Kur’­anit, derisa Resulullahu, ka arritur gjer te:

“Nëse shman­gen (refuzojnë be­simin), ti thuaju: “Ju paralajmëroj me bubulli­më (dënimin e tmerr­shëm), asi dënimi çfarë e goditi Adin e The­mudin.” (Fussilet: 13).

Pas­taj, u ngrit i shqetësuar dhe ia vuri Resulullahut  dorën në gojë e tha: “Betohem për Zotin se kjo është gjë e mirë.” Me siguri këtë e ka thënë që të mos ishte i paralajmëruar. Pastaj u ngrit dhe shkoi te populli i vet dhe u tregoi për të gjitha.[3]

Në këtë pjesë të sires pejgamberike gjenden tri argumente të rëndësishme:

Argumenti i parë:

Argumenti i parë shpalos thelbin dhe esencën e misionit të Muhammedit [alejhis salatu ves selam], sikurse që sqaron objektivat dhe idealet e tij. Ky argument është i rëndësishëm për faktin se promotorët e lëvizjeve dhe thirrjeve të ndryshme për reformim vuajnë nga mungesa e idealeve të tilla; në fakt ata mund t’i trumbetojnë publikisht ato, por në esencë, siç është dëshmuar dhe dëshmohet, ata kanë para së gjithash aspektin material.

Armiqtë e Islamit u munduan shumë ta dobësonin Islamin nga ky aspekt, por deshi Allahu dhe përpjekjet e tyre shkuan huq. Shumë mendimtarë jomuslimanë u munduan që të njollosnin misionin e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], kinse pas thirrjeve të tij qëndronte motivi për lidership dhe pasuri, por ky argument i zhvleftëson krejt ato fjalë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] iu tha shumë qartë: Unë nuk kam ardhur për të kërkuar pasurinë, nderin dhe pozitën (lidershipin) mbi ju, por Allahu më dërgoi tek ju si pejgamber dhe më shpalli libër… Më urdhëroi që të jam përgëzues dhe qortues në mesin tuaj…

Gjëra të tjera që dëshmojnë qëllimet e pastra të Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] janë edhe:

  1. a) Fjalët e tij ishin përkthim origjinal i jetës së tij. Ai iu largua pasurisë jo vetëm me gjuhë, por edhe fizikisht. Jetesa e tij ishte një jetesë e përkorë. Aisheja, siç transmeton Buhariu, ka thënë:

Vdiq Pejgamberi [alejhis salatu ves selam], ndërsa nuk unë kisha në dollapin tim diç që do ta hante ndonjë gjallesë, me përjashtim të ca elbi prej të cilit haja për një kohë të gjatë derisa e mata[4] dhe u harxhua.

  1. b) As shtroja dhe mbuloja e tij nuk ishin hiç më të mira. Ai nuk fjeti kurrë në diç të butë. Flinte në një hasër. Me një fjalë bënte një jetë të thjeshtë. Një ditë gratë iu ankuan dhe kërkuan që të paktën të kishin jetë të ngjashme me shoqet e tyre përreth, gjë që e hidhëroi shumë Muhammedin [alejhis salatu ves selam] dhe nuk u përgjigj derisa Allahu shpalli:

“O ti Pejgamber, thuaju grave të tua: “Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani: unë po ju jap furnizimin (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e rrugës. 29. E në qoftë se e doni All-llahun, të dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se All-llahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë punë të mira.” (el-Ahzab, 29)

Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ua lexoi këto ajete kur’anore dhe i la të lira të zgjidhnin, por, kuptohet, ato zgjodhën jetën e vështirë vetëm e vetëm që të mos ndaheshin nga i Dërguari i Allahut.

Nuk di si mund të dyshohet në qëllimet e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] pas kësaj që mësuam?! Me çfarë logjike mund të thuhet se pas misionit të tij fshihen ambiciet për para, luks, pozitë, pushtet?!

Argumenti i dytë:

  1. Legjislacioni islam përcakton jo vetëm qëllimet, por edhe mjete për realizimin e tyre. Pra, qëllimet nuk realizohen me çfarëdo mjetesh. Shikuar nga këndvështrimi politik, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] do të mund të pranonte pozitën e liderit për ta përhapur më pas Islamin me forcën e pushtetit, gjë të cilën e ëndërrojnë promotorët dhe propaganduesit e lëvizjeve të ndryshme për t’ua imponuar njerëzve bindjet dhe idetë e tyre. Ideja për një gjë të tillë iu duk e mbrapshtë Pejgamberit [alejhis salatu ves selam], kështu që e refuzoi atë, ngase ajo has në kundërthënie me parimet e vetë këtij misioni. Po kështu, po të merrej si bazë kjo politikë, vështirë se do të mund të bënim dallim ndërmjet të sinqertit dhe hipokritit.
  2. Filozofia e kësaj feje është e ngritur mbi ndershmërinë në qëllime dhe mjete. Ashtu sikurse që qëllimi duhet të jetë i ndërtuar mbi themelet e së vërtetës dhe sinqeritetit, po kështu edhe mjetet duhet të kenë bazë të tillë. Kjo, në një formë, është dhe një thirrje për muslimanët e devotshëm që për hire të kësaj feje duhet të sakrifikojnë shumë, ngase kjo fe është diçka që nuk lejon kthim djathtas e majtas.
  3. Është gabim që urtësia (el-hikmeh) në da’ve të perceptohet si rruga më e lehtë dhe kursim për thirrësit nga sprovat dhe problemet. ‘Urtësia’ është mjet për t’ua bërë sa më të kapshme fenë njerëzve, për t’ua zbërthyer sa më thjesht domethëniet e saj, ndryshe, nëse në rrugën e davetit hasim në pengesa dhe barriera, atëherë ‘urtësi’ është xhihadi dhe sakrifikimi me të gjitha format… Urtësi është të vësh gjërat në vendin e duhur dhe këtu qëndron edhe dallimi ndërmjet saj dhe ‘muhadeas’ (mashtrimit, kurtheve). Tregimi i Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] me disa liderë kurejshitë dhe Abdullah Ibni Ummi Mektumin dëshmon për këtë të vërtetë.
  4. Konkludimi apo përfundimi që mund të nxirret nga kjo është se askush nuk ka të drejtë të ndërrojë diç nga parimet dhe dispozitat e Islamit me pretekstin e aplikimit të urtësisë (el-hikme) dhe këshillës (en-nesiha) në da’ve. Urtësia nuk merret për urtësi përderisa nuk është brenda kornizave të sheriatit islam.

Argumenti i tretë:

  1. Qëndrimi i Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] para kërkesave të kurejshëve ishte për t’u lakmuar. Pikërisht, dijetarët e kanë lidhur me atë qëndrim shpalljen e ajeteve në vijim:

“Ata thanë: “Nuk të besojmë ty derisa që të na nxjerrësh prej tokës burime”. 91. Ose, (nuk të besojmë deri që) të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh të rrjedhin vazhdimisht lumenj në mesin e tyre. 92. Ose, (nuk të besojmë derisa) të bie mbi ne qielli copa – copa, ashtu si po mendon ti (se do të na dënojë Zoti), apo të na sjellësh All-llahun dhe engjëjt pranë nesh. 93. Ose të kesh një shtëpi prej ari apo të ngjitesh lart në qiell, po ne nuk të besojmë për ngjitjen tënde derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë?!” Thuaj: “Subhanallah – i Madhërishëm është Zoti im, a mos jam unë tjetër vetëm se njeri, Pejgamber?“ (el-Isra, 90-93)

Arsyeja pse Allahu nuk iu përgjigj kërkesave të tyre nuk është pse Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] kishte mrekulli vetëm Kur’anin, (jo, ai kishte dhe shumë mrekulli të tjera) por se Allahu e dinte se kërkesat e tyre buronin vetëm nga mohimi, mëria, tallja dhe përqeshja me të Dërguarin e Tij, e jo se iu interesonin ato gjëra. Ndryshe, Allahu do t’ua plotësonte kërkesat, por puna e tyre ishte sikurse e atyre që Allahu i përshkroi në një vend tjetër në Kur’an:

 “Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një derë në qiell dhe të ngjiteshin vazhdimisht lart në të (e t’i shihnin engjëjt e fshehtësitë). 15. Ata gjithqysh do të thoshin: “Neve na janë ndalë sytë (të parit). Jo, ne jemi njerëz të magjepsur”.“(el-Hixhr, 14-15)

 

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)


[1] Me kërkesën e autorit është shtuar edhe kjo pjesë nga Nektari i vulosur i Xhennetit, f. 124-125.

[2] Ibni Hisham: I/293, 294.

[3] Tefsiri Ibni Kethir: VI/159-161.

[4] Aisheja, siç komentohet, kishte pak elb, kështu që e maste për ta ditur se sa kishte mbetur… Përkthyesi.