Përvetësimi i tjetrit

0
242

 

Ndodh që për x shkaqe të ketë mospajtime ndërmjet palëve, por Pejgamberi (alejhi’s selam) na ka mësuar mënyrën e zgjidhjes së tyre, duke u marrë me thelbin e problematikave e jo me formalitetet e tyre. Allahu thotë:

Në qoftë se ata anojnë nga paqja, ano edhe ti nga ajo e mbështetu tek All-llahu. Ai është që dëgjon dhe di.” el-Enfale, 61.

Ai që mediton për qëndrimet e Pejgamberit (alejhi’s selam) ndaj jomuslimanëve dhe hipokritëve do t’i vërejë shumë qartë këto botëkuptime. Sa për shembull, do të ktheheshim tek Marrëveshja e Hudejbisë, respektivisht tek kundërshtimi i disa frazave të saj nga përfaqësuesi i palës tjetër, Suhejl b. Amri. Kur Ali b. Ebi Talibi shkroi: “Bismil-lahi’rr Rrahmani’rr Rrahim”, Suhejli kundërshtoi:

-Ne nuk e dimë se kush është Rrahmani (andaj mos e shkruaj, por) shkruaje Bismike Allahumme! Pejgamberi (alejhi’s selam) e urdhëroi Aliun që ta bënte këtë. Pastaj Pejgamberi (alejhi’s selam) vazhdoi t’i diktonte Aliut tekstin e Marrëveshjes: “Kjo është Marrëveshje e lidhur ndërmjet Muhammedit, të Dërguarit të Allahut”, por Suhejli ndërhyri prapë duke i thënë:

-Sikur të besonim se je i tillë (i Dërguar i Zotit) nuk do të pengonim nga vizita e Qabesë e as që do të luftonim, por shkruaje “…Muhammedit, të birit të Abdullahut.” Pejgamberi (alejhi’s selam) tha: ‘Unë, pasha Allahun, jam i Dërguar i Allahut, edhe nëse më përgënjeshtroni’, ndërsa Aliun e urdhëroi ta shkruante “…Muhammedit, të birit të Abdullahut” dhe ta fshinte tekstin ku figuronte “i Dërguari i Allahut”. Aliu refuzoi ta bënte këtë, kështu që vetë Pejgamberi (alejhi’s selam) e fshiu atë me dorën e tij.

Kjo ndodhi patjetër se paraqet një sërë mësimesh për muslimanët, e në veçanti për thirrësit (hoxhallarët dhe të tjerët), për nevojën e gjetjes së mundësive për të qenë tolerantë në lidhje me ata që na kundërshtojnë, duke mos u ndalur shumë në gjëra sekondare, në mënyrë që fokusimi ynë tek bazamentet, tek thelbësoret, të mos zbehet kurrë.

Pejgamberi (alejhi’s selam) ishte i bindur plotësisht se Allahu do ta ndihmonte dhe se ai gjithsesi se do të hynte në Mekë. Mu për këtë, ai nuk u mor shumë me disa formalitete, të cilat ndoshta në një shikim sipërfaqësor mund të duken si të rëndësishme por gjatë hulumtimit dhe verifikimit dalin se nuk janë të tilla, por lëshoi pe për to. Allahu e di më së miri!

  1. Maturia në nxjerrjen e vendimeve

Ngutja është pjesë e pandarë e personalitetit njerëzor. Fatkeqësisht, kjo cilësi siç duket është bërë dukuri në vendet e Ballkanit, ngase jo rrallë të bie të shohësh njerëz tek e gjykojnë tjetrin me humbje (dalalet), gabim, fisk, bidat, e madje edhe me kufër, dhe nëse ne nuk “ngutemi” që ta vëmë gjendjen nën kontroll, nëse nuk organizojmë seminare dhe konferenca të tilla siç është kjo për t’i kthyer njerëzit, imamët, thirrësi, studentët tek burimorja kur’anore, tek mesatarja në të cilën na fton Kur’ani, nëse nuk i pajisim me kulturë islame, atëherë nuk do të duhej të habiteshim nëse na vjen ndonjë dënim prej Zotit.

Pejgamberi (alejhi’s selam) e ka rekomanduar ummetin e tij që të mos nxitojë në krijimin e paragjykimeve dhe supozimeve përkitazi me të tjerët, në mënyrë të veçantë për ithtarët e librit, çifutët dhe të krishterët, dhe siç thotë:

Atë që ua thonë ithtarët e librit mos e merrni për të vërtetë, por as mos e përgënjeshtroni. Më mirë thoni: Besuam në Allahun, librat dhe të Dërguarit e Tij…”[1], ngase tek ata gjendet një pjesë e trashëgimisë së pejgamberëve.

  1. Përfitimi nga tjetri

Njerëzit janë të ndryshëm dhe secili prej tyre mund të ketë diç që nuk e ka tjetri. Ndaj, në këtë kontekst, ky tjetri mund të ketë diç, njohuri a përvojë qoftë, që neve do të na ndihmonte në zgjidhjen e problemeve tona. Madje në tekstet fetare është potencuar se urtësia është gjë e humbur të cilën besimtari duhet ta marrë kudo që ta gjejë, gjë për të cilën ka aluduar edhe mufessiri bashkëkohor, Muhammed Emin Shenkiti, në Tefsirin e tij ‘Advau’l Bejan’. Në fakt, ai qëndrimet e besimtarit karshi kulturave të tjera i sheh të përmbledhura në këto katër pika:

  • Braktisja totale e kulturës dhe civilizimit perëndimor, duke përfshirë këtu edhe gjërat e dobishme;
  • Përvetësimi total i kësaj kulture, duke përfshirë këtu edhe aspektet negative;
  • Përvetësimi i aspekteve negative dhe anashkalimi i atyre pozitive;
  • Përvetësimi i aspekteve pozitive dhe braktisja e të tjerave.

Më pas, hoxha i nderuar, vazhdon e thotë: “Qëndrimi më i natyrshëm për Islamin dhe muslimanët karshi kësaj kulture do të ishte përvetësimi i aspekteve materiale (teknologjisë) dhe braktisja e arrogancës dhe kryeneçësisë së tyre ndaj Krijuesit të kozmosit, për të fituar kështu këtë botë dhe ahiretin. Por është për të ardhur keq se çështja në fakt ka devijuar; njerëzit përvetësojnë degjenerimin moral, zhveshjen nga feja dhe distancimin nga Krijuesi, duke rrezikuar shumë kështu humbjen e të dyjave: edhe të kësaj bote, edhe ahiretit.[2]

Një mendim të tillë, para tij, e ka ndarë edhe Shejhu’l Islam Ibni Tejmije, i cili në Fetava konsideron se: “…nëse çështja nuk ka të bëjë me fenë por me gjëra të tjera, si mjekësia apo thjesht llogaritje (matematike), atëherë kjo është e lejuar. Mësimi i shkencës së mjekësisë nga një jomusliman është sikur të marrësh për udhërrëfyes një jomusliman apo të kërkosh kurim prej tij. Madje kjo është edhe më e mirë, ngase ata nuk i kanë shkruar librat e tyre për llogari të muslimanëve që të ketë pas mundësi tradhtie në to; nuk ka nevojë për askënd prej tyre për tradhti: kjo është vetëm përfitim nga të arriturat e tyre, si përfitimi nga rrobat, shtëpitë, arat dhe armët e tyre, e kështu me radhë[3]

Një gjë të këtillë e dëshmon edhe hadithi, të cilin e shënon Imam Muslimi:

Pata menduar t’ua ndaloj gilen[4] por përkujtova romakët dhe persët, të cilët e bëjnë një gjë të tillë dhe kjo nuk i dëmton aspak fëmijët e tyre.”

Armiqësia nuk mund të jetë aq e fortë saqë të na pengojë nga përfitimi prej përvojave të të tjerëve. Pejgamberi (alejhi’s selam) përfitoi nga përvojat e persëve dhe romakëve për problematikën e theksuar më lart. Ngjashëm me të vepruan edhe halifët muslimanë. Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përvetësoi Sistemin e Divanit dhe atë të Regjistrave Administrativë dhe Financiarë për Arkën Shtetërore të muslimanëve, sisteme këto të huaja për arabët.

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

TJETRI (dhe raportet me të nga perspektiva kur’anore dhe pejgamberike)

 


[1] Hadithin e transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij, ndërsa Albani në Sahihu ve Daifu Suneni Ebi Davud, e ka cilësuar të dobët (shën. i përkth.).

[2] Shih: Tefsiru Aduai’l Bejan, f. 826.

[3] Mexhmuu’l Fetava, pj.3, f. 114-115.

[4] Gile është marrëdhënia me gruan gjatë kohës që ajo ka fëmijën në gji apo ta lërë atë shtatzënë ndërkohë që ajo e ka fëmijën në gji.