Definicionet dhe përkufizimet
Një numër i madh i dijetarëve dhe hulumtuesve bashkëkohorë kanë ofruar definicione dhe përkufizime të ndryshme të konceptit të “islamizimit të shkencave”, duke u bashkuar në disa aspekte, por duke u ndarë në disa aspekte të tjera për shkak të bagazhit shkencor dhe qëndrimeve të tyre fetare. Mendimtari musliman turk, profesori i nderuar dr. Mikdad Jalxhin, e ka prekur këtë çështje në mënyrë të hollësishme duke theksuar se ekzistojnë disa definicione e përkufizime, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me projektin e islamizimit të shkencave. Gjatë studimit dhe analizimit të definicioneve të tilla, pashë se ekziston një lidhje e afërt me synimin e këtij projekti, por jo me të gjitha sosh. Në vazhdim do të theksoj definicionet dhe përkufizimet që ka përmendur dr. Mikdad Jalxhini:
- Islamizimi i shkencave ose islamizimi i diturisë,
- Udhëzimi islamik i shkencave,
- Udhëzimi i shkencave humane ose udhëzimi islamik,
- Formimi i shkencave me formë islame,
- Mbështetja e shkencës në dituri islame,
- Zbulimi i formave islame mbi të cilat mbështeten shkencat humane,
- Formimi i shkencave sociale mbi parimet islame,
- Rikthimi i shkencave në bazat e sheriatit islam,
- Formimi i shkencave sociale me metodën islame,[1]
- Kristalizimi dhe pastrimi i shkencave humane e sociale nga parimet që e kundërshtojnë Islamin.
Definicioni i fundit është i imi dhe besoj se përputhet shumë me projektin e islamizimit, gjegjësisht me synimin dhe cakun që tenton të arrijë.
Në punimin tim do të përdor definicionin “Eslemetul-ulum” ose “Islamijjetul-ulum” në kuptimin e pastrimit, zgjedhjes, seleksionimit, spastrimit dhe shoshitjes, ndërsa për sa u përket definicioneve të theksuara, do të shqyrtoj disa prej tyre që janë më të njohura e që iu takojnë dijetarëve dhe krerëve më të njohur të këtij projekti, duke sqaruar atë që është më e kapshme. Shpresoj që e gjithë kjo të realizohet me lejen e Zotit të Madhëruar.
Definicioni i parë është ai i prof. dr. Imaduddin Halilit, i cili është historian i njohur irakian. Në kontekst të islamizimit të diturive, ai thotë: “Me islamizimin e diturisë nënkuptojmë aktivitetin shkencor për të zbuluar, tubuar, arritur e botuar gjithësinë, jetën e njeriut nga aspekti i konceptit islamik”.[2]
Definicioni i dytë është ai i prof. dr. Ibrahim Ahmed Umerit: “Ftesa për islamizimin e diturisë nënkupton lidhshmërinë e diturisë me fenë, dhe se e vetmja fe te Zoti është Islami.”[3]
Definicioni i tretë është ai i dr. Muhamed Amares, i cili është mendimtar islamik egjiptian. Sipas tij “islamizimi i diturisë” nënkupton “doktrinën e ekzistimit të lidhjes mes Islamit dhe shkencave humane, duke refuzuar realitetin dhe ekzistimin si burim të vetëm të diturive njerëzore dhe njohurive humane, sepse dituria njerëzore ka burim “shpalljen” dhe shkencat e saj, si edhe “gjithësinë” dhe shkencat e saj, e jo vetëm njërën anë, gjegjësisht ekzistencën.”[4]
Definicioni i katërt nxirret dhe përfitohet nga tematikat që kanë të bëjnë me parimin e përgjithshëm të islamizimit të diturisë: “Islamizimi i diturisë nënkupton metodologjinë e fuqishme dhe universale islame që mbështetet në ndikimin e shpalljes, duke mos e anashkaluar rolin e intelektit, dhe përfaqëson synimet dhe udhëzimet e shpalljes për individin, shoqërinë njerëzore, konstruksionin dhe ndërtimin qytetërues…”[5]
Definicioni i pestë është i dr. Irfan Abdulhamid Fettahut (Zoti e mëshiroftë!), mendimtar islamik irakian dhe profesori im në lëndën: “Fetë komparative”, në studimet e doktoratës në Universitetin Islamik Ndërkombëtar të Malajzisë. Sipas tij: “Kjo çështje ka të bëjë me temën e metodës intelektuale të kulturës së ndërsjellë qytetëruese me dy instanca ose me dy kuptime të afërta: Kuptimi i parë nënkupton orvatjen e mendimit bashkëkohor islamik për të shkatërruar gjithë atë që ka formuar intelekti perëndimor që përfaqëson dy elemente: qytetërimin materialist dhe kulturën abstrakte. Sipas kuptimit të dytë, të dhënat e tyre që u formuan brenda koncepteve filozofike, afetare, materialiste e ateiste duhet të spastrohen, të rikomentohen e të ndërlidhen me vlerat islame dhe me udhëzimin hyjnor që u përkrye me Islamin.”[6]
Definicioni i gjashtë është i mendimtarit të njohur musliman palestinez , dr. Ismail Farukit: “Riformimi i shkencave në suazat e Islamit nënkuptohet me fjalën: “Islamizim, gjegjësisht riformimin dhe riformulimin e të dhënave, ripërsiatjen në premisa e rezultate, riformulimin e rezultateve të përfituara dhe ripërkufizimin e synimeve në bazë të metodës që shqyrton llojet e ndryshme të diturisë sipas konceptit islamik dhe në shërbim të synimeve të Islamit”.[7]
Definicioni i shtatë është i ligjëruesit të lëndës së “islamizimit të diturisë”, prof. dr. Ibrahim Rexhepit, nga Egjipti: “Formimi islamik i shkencave sociale nënkupton procesin e riformimit të shkencave sociale sipas konceptit islamik mbi njeriun, shoqërinë dhe ekzistencën, përmes metodës që harmonizon shpalljen me realitetin objektiv si burim të diturisë. Koncepti i tillë islamik formulon teori mbi komentimin e gjërave të dukshme parciale e të konfirmuara dhe mbi gjërat e përgjithshme objektive (empirike-eksperimentale) gjatë formulimit të pikëpamjeve të shkencave të tilla në mënyrë të përgjithshme”.[8]
Definicioni i tetë është i mendimtarit islamik prof. dr. Mikdad Jallxhinit, nga Turqia, i cili është edhe fitues i çmimit të mbretit Fejsal ndërkombëtar për studime islame e pedagogjike në Rijad. Ky definon shkurt projektin e islamizimit të shkencave duke thënë: “Formimi i shkencave islame me metodën e Islamit.”[9]
Assoc.Prof.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha
ISLAMIZIMI I SHKENCAVE HUMANE DHE SHOQËRORE NGA DISA KËNDVËSHTRIME (Simpoziumi shkencor në Universitetin Shafi’it të shkencave islame në Xhakartë, Indonezi)
[1] Jalxhin, Mikdad, Esasijjatut-te’sil vet-teuxhihil islami lil ulumi vel-fununi, Daru Alemil Kur’ani, Rijad, bot. 2, 2004, f. 21.
[2] Halil, Amaduddin, Medhal ila islamijjetil-ma’rifeti, f. 15.
[3] Umer, Ibrahim Ahmed, Muhadarat fil-menhexhijjetil-islamijjeti, f. 1.
[4] Amare, Muhamed, Islamijjetul-ma’rifeti, f. 15.
[5] Islamijjetul-ma’rifeti, El-Mebadiul-ammeti, f. 167.
[6] Revista “Islamijjetul-ma’rifeti, nr. 5, f. 9.
[7] Faruki, Ismail, Eslemetul-ma’rifeti, Darul-buhuthil-islamijjeti, Kuvajt 1404, f. 25.
[8] Revista “Islamijjetul-ma’rifeti”, nr. 3, f. 48, artikull i dr. Ibrahim Rexhepit. Shih po ashtu edhe revistën Et-texhdid, nr. 3, f. 97, artikulli i dr. Nazar el-Anit nga Iraku, ligjërues i lëndës së psikologjisë në Universitetin Islamik Ndërkombëtar në Malajzi.
[9] Jallxhin, Mikdad, Esasijatut-te’sili vet-teuxhihil-islamij lil ulum vel-ma’rif vel-funun, f. 36.