SHQYRTIMI I DEFINICIONEVE DHE I PËRKUFIZIMEVE TË ISLAMIZIMIT TË DITURISË ME ANIM PREFERUES

 

Pas parashtrimit të këtyre shtatë definicioneve themi se në mesin e tyre disa janë të përgjithshme e disa të posaçme dhe me përafërsi të madhe. Disa prej tyre janë universale, komprihensive e të thukta, ndërsa në disa të tjera nuk vërehen kushtet dhe karakteristikat e tilla. Përveç kësaj, pjesa dërmuese e definicioneve të tilla kanë të përbashkët metodën dhe sqarimin.

٭ Shqyrtimi i definicionit të parë

Dr. Imaduddin Halili thotë: “Islamizimi i diturisë nënkupton aktivitetin shkencor për të zbuluar, tubuar, arritur e botuar gjithësinë, jetën dhe njeriun nga aspekti i konceptit islamik.”[1] Sinjalizimi i diturive, për të përdorur aktivitetin shkencor, është i kushtëzuar nga aspekti islamik – Kur’ani dhe sunneti, por shprehja: “Aktiviteti shkencor… etj.” më duket se nënkupton se koncepti islamik i shkencave fillon pas fillimit në shkencë, dhe kjo nuk duhet të jetë kështu, sepse koncepti islamik i punës, aktiviteteve dhe njohurive të ndryshme paraprijnë, sepse paraprakisht duhet të përgatitemi me zemër e metodë para fillimit të aktiviteteve në punë, mësim e studim. Nëse premisat janë pozitive, atëherë të tilla do të jenë edhe rezultatet, e nëse janë negative, atëherë ashtu do të jenë edhe rezultatet. Pra, ne jemi dakord me pjesën e dytë të këtij definicioni që është i ndërlidhur me pjesën e parë.

٭ Shqyrtimi i definicionit të dytë

Për sa i përket thënies së dr. Ahmed Umerit: “Islamizimi i diturisë nënkupton lidhshmërinë e diturisë me fenë, dhe se feja e vetme te Zoti është Islami.”[2] Themi se definicioni në fjalë është i paplotë, jokomprihensiv dhe i pathuktë. Ne nuk pranojmë se Islamizimi i diturisë nënkupton lidhshmërinë e diturisë apo shkencës me fenë (pra, se dituria i përket fesë). Jo, sepse ekzistojnë shkenca dhe njohuri që janë jofetare, madje edhe joislame. Nuk duhet t’ia bashkëlidhim Islamit shkencat e tilla, sepse në esencë nuk i ka sjellë Islami, dhe si mund t’ia bashkëngjisim fesë diçka që nuk është e saj?

Ekziston një numër i shkencave që i kanë zbuluar jomuslimanët, dhe a është e logjikshme që të prishet interesi i përgjithshëm duke mos i përdorur shkencat e tilla, sepse janë joislame?! Në asnjë mënyrë, madje dua të theksoj se shkencat dhe dituritë nuk duhet përshkruar si fetare ose jofetare, sepse në to nuk ka fe. Nga shkencat e tilla duhen marrë dobitë e tyre pozitive dhe duhen mënjanuar ato që janë negative.

Pra, duhet të shfrytëzohen dobitë e shkencave dhe njohurive humane e sociale, brenda suazave fetare dhe brenda parimeve tolerante fetare islame, sepse, në këtë mënyrë, feja islame shndërrohet në udhëzues dhe udhërrëfyes parimor për përcaktimit e synimit gjatë përdorimit të shkencave të tilla pa kurrfarë dallimi, qoftë nëse shkencat e tilla janë islame apo joislame. Me rëndësi është që shkencat e tilla të mos e dëmtojnë njerëzimin. Pra, ekziston një dallim i madh mes lidhshmërisë së shkencave me fenë dhe përfitimit nga shkencat e tilla sipas parimeve fetare islame.

٭ Shqyrtimi i definicionit të tretë

Dr. Muhamed Amare thotë: “Islamizimi i diturisë ose islamizimi i shkencave nënkupton doktrinën e ekzistimit të lidhjes mes Islamit dhe shkencave humane, duke refuzuar realitetin dhe ekzistencën si burim të vetëm të diturisë njerëzore dhe njohurive humane, sepse dituria njerëzore ka burim “shpalljen” dhe shkencat e saj si dhe “gjithësinë” dhe shkencat e saj, e jo vetëm njërën anë, gjegjësisht ekzistencën”.[3]

Ky definicion është jashtëzakonisht i mrekullueshëm, sepse përmbledh në vete shumë elemente e parime që kanë të bëjnë me esencën e kësaj problematike, por thënia e tij për ‘doktrinën e ekzistimit të lidhjes mes Islamit e diturive’, mendoj se duhet zëvendësuar me ndonjë fjalë tjetër, sepse kur dëshirojmë të ndërlidhim dobinë prej njohurive humane dhe shkencave sociale nga aspekti islamik, sipas rregullave të sheriatit që mbështeten në Kur’an, sunnet e në selefitë e devotshëm, më mirë është të thuhet se ky proces apo kjo orvatje duhet të quhet si: “metodologji islame”, ose proces i besimit dhe fesë në pastrimin dhe modifikimin e shkencave dhe njohurive nga çdo gjë që kundërshton Islamin…

Ne kritikojmë vetëm këtë pjesë të definicionit. Për ne, përdorimi i fjalës “doktrinë” nuk duhet të nënkuptojë sikur me qenë një nga doktrinat bashkëkohore pozitive apo negative.

Ne jemi plotësisht të bindur se ekziston një lidhje në mes Islamit dhe njohurive humane. Pra, ekziston dallim i madh në mes besimit të paluhatshëm dhe doktrinës, pa marrë parasysh se për cilën doktrinë bëhet fjalë. Përveç kësaj, thënia e dr.  Muhamed Amares në definicionin e tij se dituria njerëzore duhet të mbështetet në dy shtylla: në shpalljen dhe në shkencat e saj (Kur’anin dhe sunnetin) si dhe në shkencat e ndryshme kozmologjike është gjëja më e mrekullueshme që kam vërejtur në këtë çështje, sepse ka për qëllim shkencat dhe njohuritë njerëzore e të vërtetat shkencore, por jo edhe teoritë e paragjykimet.

٭ Shqyrtimi i definicionit të katërt

Në përgjithësi, nuk kemi ndonjë vështrim apo vërejtje të këtij definicioni dhe momentalisht nuk mendoj të shtoj diçka të re, përpos faktit se ky definicion dallohet për ndërlidhjen e shpalljes me shkencat dhe njohuritë duke mos e anuluar rolin e intelektit. Intelekti udhëzohet me dritën, udhëzimin dhe udhërrëfimin e shpalljes në qytetërimin njerëzor dhe në civilizimin human. Parimet e këtij definicioni janë të bekuara dhe shumë të rëndësishme, sepse çdo punë, aktivitet, lëvizje ose shkencë që kundërshton shpalljen (Kur’anin, sunnetin dhe udhën e selefive të devotshëm) nuk janë të dobishme e as pozitive. Përpos kësaj, sheriati i pastër e obligon njeriun me mund, e nëse humb mendjen, s’ka obligim. Pra, nëse ka intelekt, atëherë ai duhet të ndriçohet me dritën e shpalljes që reprezantohet nëpërmes Kur’anit dhe sunnetit.

٭ Shqyrtimi i definicionit të pestë

Për sa i përket definicionit të profesorit tim të ndjerë, dr. Irfan Abdulhamid Fettahut, mund të them me plot të drejtë se ai e ka quajtur procesin e islamizimit me termin “metodë” duke ia përngjitur fjalët: “intelektual, kulturor dhe qytetërues”. E gjithë kjo ka të bëjë me faktin se dijetarët muslimanë, me kalimin e kohës, janë orvatur që të zbërthejnë e të pranojnë frytin e mendimit perëndimor nga sfera qytetëruese, materialiste e kulturore…”

Pra, ai (Zoti e mëshiroftë!) është përqendruar në orvatjet dhe tentativat e dijetarëve muslimanë, gjatë historisë e deri më sot, për të zbërthyer, spastruar e më pas për të pranuar atë që ka arritur tjetri, duke i postuluar në epiqendrën e Kur’anit dhe sunnetit. Kështu shprehej ai gjatë ligjëratave shkencore që zhvillonte me ne. Me fjalë të tjera, kjo metodë nënkupton spastrimin dhe seleksionimin e të arriturave të tilla shkencore perëndimore nga aspekti islam duke i shndërruar në të kapshme për punë e aplikim.

Ai e kishte zakon që, gjatë ligjëratave, të shprehej se ekziston një dallim në mes fesë (Kur’anit e sunnetit) dhe mendimit fetar, sepse ky i fundit nënkupton orvatjet dhe mendimet e dijetarëve muslimanë për të kuptuar e sqaruar tekstet fetare.

Karakteristikë e këtij definicioni është se preferoi i ndjeri thirrte në profesori i ndjerë thërriste për çlirimin dhe spastrimin e fryteve perëndimore që ishin formuar në bazë të koncepteve filozofike afetare, materialiste e ateiste, duke iu dhënë ngjyrën e vlerave islame, që janë të ndërlidhura me udhëzimin hyjnor, i cili u përkrye në fund me Islamin.

٭ Shqyrtimi i definicionit të gjashtë

Ky definicion është i mendimtarit të ndjerë Ismail Farukit, i cili ashtu si edhe të tjerët e shihte si të domosdoshëm formimin e shkencave humane dhe sociale brenda suazave të teksteve të sheriatit: Kur’anit dhe sunnetit të vërtetë. Ai, përveç kësaj, shton se duhen shqyrtuar premisat dhe rezultatet e shkencave humane e sociale, duke iu dhënë synime të qarta islame dhe pikërisht kjo nënkuptohet me procesin e “islamizimit”. Sipas mendimtarit të ndjerë Ismail Farukut, përkujdesja ndaj elementeve të tilla është shumë e rëndësishme, sepse nëse premisat janë të mira, atëherë edhe rezultatet do të jenë të mira, e nëse janë të këqija, atëherë të tilla do të jenë edhe rezultatet.

٭ Shqyrtimi i definicionit të shtatë

Profesori im i nderuar, Ibrahim Rexhepi, mendonte ashtu siç mendonin edhe vëllezërit tanë të tjerë mendimtarë, por ai e përkufizon definicionin e tij me dy çështje: “Formimi islamik i shkencave”, gjegjësisht rikthimin e shkencave në rrënjët e Islamit për të parë se sa jemi të harmonizuar me Kur’anin, me sunnetin e saktë dhe me urdhrin e selefive të devotshëm. Çështja e dytë ka të bëjë me konceptin islamik të njeriut, shoqërisë dhe ekzistencës. Pra, koncepti perëndimor, laik, ateist, i krishterë, hebraik, budist ose hindus, duhet të shqyrtohet në bazë të koncepteve të tilla islame. Këto dy çështje janë shumë të rëndësishme dhe për të dhënë rezultat duhet të kalojnë përmes metodës shkencore në të cilën shpallja e vërtetë përputhet me realitetin objektiv, që konsiderohen burim i diturisë ashtu siç thamë më parë.

٭ Shqyrtimi i definicionit të tetë

Definicioni i prof. dr. Mikdad Jallxhinit, i cili e definon çështjen e “islamizimit të shkencave” si: “formim i shkencave shoqërore në bazë të metodës së Islamit”,[4] sipas mendimit tim mund të ketë ca kritika. Më parë theksuam se shkencat sociale nuk janë të gjitha kundër Islamit, sepse, si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen, shkencat humane dhe sociale mund të jenë të sakta dhe të pasakta dhe, siç duket, Islami i pranon gjërat e sakta, por jo edhe të pasaktat, pa marrë parasysh burimin apo bartësin. Për sa i përket fjalës: “formim” që përdoret në definicionin e dr. Mikdad Jallxhinit, nënkuptohet se shkencat duhet të fillojnë të zbulohen që nga fillimi. Kjo është çështje e vështirë dhe nuk bën pjesë në projektin e islamizimit, sepse nuk mund të rinisin të gjitha shkencat humane dhe sociale në bazë të metodës së Islamit. Këtu bisedohet për spastrimin e shkencave dhe njohurive të tilla nga e gjithë ajo që e kundërshton Islamin. Pra, ekziston dallim i qartë në mes formimit dhe seleksionimit e spastrimit.

Pjesa dërmuese e dijetarëve dhe mendimtarëve, që flasin për këtë çështje, e kushtëzojnë rikthimin e shkencave humane dhe sociale në besimin e Islamit, gjegjësisht në Kur’anin Famëlartë dhe në sunnetin e Pejgamberit a.s.

Po ashtu, vërehet se të gjithë dijetarët e kushtëzojnë rishqyrtimin e shkencave të tilla sipas konceptit islamik dhe rregullave islame mbi njeriun, shoqërinë dhe ekzistencën. Ky koncept është shumë i rëndësishëm, sepse i rregullon dhe i riparon gjërat. Sipas tyre, procesi i hulumtimit, shqyrtimit, spastrimit dhe seleksionimit duhet realizuar përmes metodës së përpiktë shkencore, duke pasur kujdes ndaj premisave shkencore e metodologjike në mënyrë precize, sepse kështu do të përfitohen rezultate precize e të shëndosha nga çdo shëmtim mbrojtura nga çdo devijim.

Edhe pse dituria i takon vetëm Zotit të Madhëruar, ne, nga definicionet e tillë, preferojmë atë të dr. Ismail Farukut dhe dr. Irfan Abdulhamid Fettahut, për shkak të natyrës së tyre të përgjithshme, komprihensive, të thukëta e gjithëpërfshirëse.

Jam i sigurt se një definicion, me të gjitha këto tipare, është shumë i vështirë dhe, për këtë shkak, ndihet nevoja e sqarimit dhe eksplikimit të projektit në fjalë, dhe pasi që kemi të drejtë të bëjmë një hap të tillë rreth procesit të “islamizimit të shkencave dhe njohurive humane e sociale”, themi se muslimani urdhërohet që të bëjë harmonizimin e gjërave e jo përkryerjen, si dhe të ofrojë atë që është e mirë dhe e dobishme e të largojë atë që është e padobishme dhe negative.

Pra, ai duhet të bëjë harmonizimin në mes parimeve të kulturës së re, të shkencave humane e sociale të importuara ose të përfituara dhe parimeve të fesë islame, gjegjësisht harmonizimin e shkencave, njohurive dhe kulturave, të cilat nuk i kundërshtojnë parimet e fesë më të pastër. Ajo që harmonizohet, pranohet, kurse ajo që nuk mund të harmonizohet, refuzohet. Harmonizimi i tillë realizohet nëpërmjet mënyrave dhe metodave të ndryshme, si p.sh., pozicionimi i vendosja e kulturave apo shkencave të importuara në peshoren dhe qendrën islame (Kur’an, sunnet dhe thëniet e dijetarëve të famshëm, eruditë, e të dëshmuar në shkencë, vepërmirësi e devotshmëri).

Pastaj duhet ndërmarrë procesi i spastrimit, zbërthimit dhe seleksionimit të të gjitha elementeve idhujtare e totemiste, që kundërshtojnë Islamin, që nuk përputhen me shijen e përgjithshme apo që bien ndesh me traditat të cilat nuk e kundërshtojnë sheriatin. Pas kësaj, duhet t’u jepet ngjyrë islame ose sheriatike shkencave, kulturave dhe njohurive të tilla duke ua ofruar muslimanëve në një mënyrë të re e të kapshme.

Pra, këtu vërehet madhështia e Islamit, sepse ai pranon atë që e kanë të tjerët, pa ia shkrirë identitetin fetar origjinal.

Në bazë të kësaj metodologjie precize do të kemi mundësi që të bëjmë humanizmin e shkencave dhe njohurive të dobishme me ato të padobishme ??? dhe vetëm kështu do të ikim nga mashtrimi, gënjeshtra e rrena.

S’duhet harruar se procesi i tillë shkencor dhe metodologjik nuk do të jetë i suksesshëm e as i frytshëm nëse nuk filtrohet nëpër institucione shkencore, si p.sh., në institute, universitete, shoqata, organizata të njohura, komisione shkencore e të specializuara që punojnë në mënyrë kolektive dhe nën mbikëqyrjen precize shkencore. Orvatjet individuale për islamizimin e shkencave dhe diturive humane e sociale mund të mbesin vetëm në letër apo vetëm në botën e teorive, pa pasur ndonjë ndikim të vërtetë në botën reale, po qe se nuk zbatohen kushtet paraprake.

Për të pasur një formim të shëndoshë e të suksesshëm, mendoj se këtu ka rëndësi të madhe shkencore të theksoj fjalët e dijetarit të njohur musliman turk, shejhut dhe profesorit të nderuar dr. Mikdad Jalxhin, i cili kur flet për parimet elementare të suksesit të formimit, në formë rezymeje, thotë:

  1. Ekzistimi i shpirtit origjinal te përgjegjësit, hulumtuesit dhe mësuesit që merren me origjinalitetin.
  2. Ekzistimi i metodës së rikthimit në burim, si edhe ai që merret me këtë çështje duhet të karakterizohet nga një bagazh shkencor që respektohet në mesin e atyre që merren me çështjen e origjinalitetit.
  3. Përqendrimi në brendësinë e shkencave që kanë nevojë për origjinalitet.
  4. Bindja e plotë e atij që merret me këtë proces në rikthimin burimor origjinal…[5]

Shkencat më të rëndësishme sociale dhe humane që kanë nevojë për origjinalitetin islam ose për islamizim janë:

  1. Pedagogjia (e cila përmban elemente dhe parime perëndimore që i kundërshtojnë parimet islame).
  2. Psikologjia perëndimore (e cila ka parime dhe elemente perëndimore që e kundërshtojnë Islamin).
  3. Antropologjia
  4. Etika – Morali
  5. Sociologjia (që mbështetet në parime e rregulla pozitiviste).
  6. Historia (e falsifikuar dhe joobjektive, pa marrë parasysh se cilës kohë apo cilit popull i takon).
  7. Qytetërimi perëndimor (sepse nuk mund të pranohet apo të refuzohet në tërësi).
  8. Të drejtat shoqërore (të drejtat që nuk kujdesen për drejtësinë dhe barazinë e të gjithëve, apo të drejtat e shoqërive që pranojnë ndarjen klasore të njerëzve, rangut aristokrat ose pronës.
  9. Studimi i të drejtave të njeriut dhe mosndarja e njeriut nga qytetari, pa marrë parasysh se cilës fe, popull apo vendi i takon.
  10. Shërbimi social kur klasa e ulët paguan për klasën e lartë.
  11. Studimet ekonomike dhe të biznesit (që janë përplot me marrëdhënie të ndaluara në shitblerje, kontrata, banka dhe transaksione).
  12. Kultura perëndimore (bihejviorizmi, në veshje, pije, ngrënie, marrëdhënie familjare e shoqërore, në të cilat nuk ruhen sjelljet edukative e fetare e as burrëria njerëzore).
  13. Shkencat politike (qofshin politike perëndimore ose lindore, arabe ose turke, kurde ose shqiptare…)
  14. Studimet juridike perëndimore (normale).
  15. Shkencat industriale (përkufizimi i qëllimit të industrisë dhe përdorimit të saj).
  16. Shkencat mjekësore (studimet, zbulimet dhe eksperimentet mjekësore me koncept perëndimor).
  17. Filozofia (doktrinat destruktive filozofike).
  18. Studimet letrare, artistike e mediatike.[6]

Shkencat e tilla humane dhe sociale kanë nevojë për ekspertë dhe specialistë që do t’i spastrojnë, seleksionojnë e zbërthejnë të dhënat e tyre dhe do t’ia paraqesin ummetit islamik. Por, a veprohet në këtë mënyrë? Në këtë ka rikujtim për ata që kanë zemër, dëgjojnë dhe Ai sheh gjithçka! Këto gjëra i kuptojnë vetëm dijetarët.

Ndokush mund të pyesë se çka nënkuptohet me riformimin e shkencave ose me islamizimin e tyre?

Çka nënkupton islamizimi i tyre? A duhet që jobesimtarët t’i bëjmë muslimanë apo t’i islamizojmë?

Këto çështje do të mundohem t’i qartësoj në kreun e dytë të këtij punimi.

 

Assoc.Prof.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha

ISLAMIZIMI I SHKENCAVE HUMANE DHE SHOQËRORE NGA DISA KËNDVËSHTRIME (Simpoziumi shkencor në Universitetin Shafi’it të shkencave islame në Xhakartë, Indonezi)


[1] Halil, Imaduddin, Medhal ila islamijjetil-ma’rifeti, f. 15.

[2] Umer, Ibrahim Ahmed, Muhadarat fil-menhexhijjetil-islamijjet, f. 1.

[3] Amare, Muhamed, Islamijjeti el-ma’rifeti, f. 15.

[4] Jallxhin, Mikdad, Esasijjetut-te’sili vet-teuxhihil-islamij lil-ulumi vel-ma’rifeti vel-fununi, f. 36.

[5] Jalxhin, Mikdad, Esasijjetut-te’sili…, Daru Alemil-Kitab, Rijad, bot. 2, 2004, f. 11-13.

[6] www.theorgofknouledge.net/areas of knouledge/thehuman scienes/humanseirnes-starting-pointa,php. 04.07.2012. Time browset 17:35PM.

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments