QËLLIMI I PROJEKTIT TË “ISLAMIZIMIT TË DITURIVE” OSE TË ISLAMIZIMIT TË DITURIVE DHE SHKENCAVE

0
167

 

Duhet të kuptojmë qartë ne si hoxhallarë, thirrës në fe dhe mendimtarë, se çështja e islamizimit të shkencave ose të diturive apo formimi islamik i shkencave është çështje madhështore, me një përgjegjësi të madhe. Ky është obligimi ynë për të korrigjuar rrugën intelektuale dhe metodologjike të ummetit muhamedan dhe për t’i shpëtuar ata nga dekadenca shkencore, ekonomike, shoqërore e politike. Kur ftojmë në “formimin islamik të shkencave”, në “projektin e islamizimit të diturive” ose në “islamizimin e shkencave”, kemi për qëllim çështjet vijuese:

  1. Formimin e njeriut parimor, që do të ketë mendim e koncept të vlefshëm njerëzor ndaj intelektit, shpirtit dhe ndjenjave.
  2. Metodologjinë e fuqishme islame e të përgjithshme, që mbështetet në udhëzimin e shpalljes pa anashkaluar rolin e intelektit, dhe se shpallja është udhërrëfyes i intelektit, individit dhe shoqërisë njerëzore.
  3. Formimin islamik të shkencave që mbështeten në të dhëna të vërteta shkencore e qytetëruese të njerëzimit, pasi që të spastrohen përmes vlerave universale dhe udhëzimeve të peshores së Islamit.
  4. Njohurinë kritike, koncize e precize, që përmban në vete të gjitha të dhënat e vërteta apo të pavërteta.
  5. Njohurinë që buron nga vlerat e shpalljes, synimet e mesazhit dhe atë që është autentike dhe e çmueshme, që del nga trashëgimia e ummetit dhe diturive të ulemasë dhe mendimtarëve nëpër shekuj deri në Ditën e Gjykimit.
  6. Procesin dhe metodologjinë e vazhdueshme të ripërtërirës me ripërtëritjen e kohës, vendit, njohurive e shkencave deri në Ditën e Gjykimit.
  7. Konfirmimin se islamizimi i shkencave dhe njohurive nuk nënkupton vetëm ide e teori e as përsiatje individuale, as histori e as trashëgimi, porse është rrugë dhe metodë e çështjeve racionale dhe shkencore, në çdo shkencë dhe dituri sociale, humane, natyrore dhe aplikative.
  8. Bindjen se formimi islamik i shkencave është dituri me parime hyjnore dhe me synime hyjnore.[1]
  9. Kjo çështje duhet të jetë në shkallën më të lartë të prioriteteve të ummetit në zhvillimin e metodologjisë së mendimit islamik dhe në pastrimin e tij nga pluhuri që e ka kapluar deri më sot.[2]
  10. Vlerësimin e potencialit të intelektit, mendimet dhe metodën e shëndoshë si dhe nevojën e ummetit dhe sfidat me të cilat ballafaqohet duke afruar fuqi, potencial intelektual, vizion e metoda të nevojshme intelektuale dhe qytetëruese.
  11. Islamizimi i diturisë në asnjë mënyrë nuk nënkupton kundërshtimin ose anulimin e orvatjeve të bijve të sinqertë të ummetit islamik në sferat e ndryshme të jetës, por përkundrazi, nënkupton plotësimin e tyre.[3]
  12. Koncepti i këtij projekti e kaplon tërë jetën njerëzore, qytetërimin dhe progresin njerëzor. Qëllimi i të gjitha aktiviteteve, orvatjeve, punëve e sistemit social islamik është unanim, pa anashkaluar ose nënvlerësuar asnjë aspekt.
  13. Çdo analizë shkencore, nëse është islame, duhet të zbulojë modusin hyjnor në çështjet njerëzore dhe të vërtetojë realitetin e tij, të zbulojë faktorët që mundësojnë apo pengojnë realizimin e këtij procesi si dhe të përqendrohet në të kuptuarit e raportit të këtij procesi me të gjitha proceset e tjera që kanë të bëjnë me jetën e popullit.[4]
  14. Gjetjen e lidhjeve në mes këtij procesi dhe ligjeve hyjnore, të cilat i solli shpallja në gjithësi, te njeriu dhe në shoqëri. Shkencat dhe njohuritë e tilla duhet të praktikohen përmes islamizimit të filozofisë së tyre për të realizuar qëllimet dhe synimet e sheriatit, të cilat i ka caktuar shpallja për krijesat e Zotit të Madhëruar, gjithësinë dhe njeriun.[5]

Pas shqyrtimit të konceptit të islamizimit të diturisë mund të themi se ky projekt madhështor, të cilin e formoi dëshmori Ismail Faruku (Zoti e mëshiroftë!), plotëson atë që e kanë filluar prijësit e lëvizjeve reformiste bashkëkohore, me në krye Shejh Xhemaluddin Afganin dhe profesorin Imam Muhamed Abduhunë etj.

Qëllimi i të parëve dhe i atyre që vijonin më pas ishte formimi i lidhjes në mes shkencave të sheriatit dhe shkencave moderne, anulimi i zbrazëtisë  që ekziston në mes këtyre dy llojeve të shkencave si dhe kritikimi i themeluesve të shkencave sociale nga aspekti i metodologjisë, epistemologjisë, ontologjisë dhe aksiologjisë. Synimi i tyre gjithashtu ka qenë spastrimi dhe seleksionimi i tyre sipas rregullave të Kur’anit Famëlartë dhe sunnetit të vërtetë të Pejgamberit a.s. derisa të mos ketë asgjë që kundërshton parimet e Islamit.

Për të plotësuar besnikërinë shkencore duhet t’i theksoj edhe synimet islame të konceptit të formimit islamik të shkencave që dr. Mikdadi i ka potencuar në studimin e tij: “Esasijjatut-te’sili”, krahas synimeve të tjera të cilat i ka caktuar komiteti i përhershëm i formimit islamik të shkencave sociale në seksionin e hulumtimit shkencor në Universitetin e Imam Muhamed ibën Saud, në të cilin dr. Mikdadi ishte një nga anëtarët e dalluar të këtij komiteti vite me radhë. Zoti i shpërbleftë të gjithë për orvatjen e tyre themeltare nismëtare.

Synimet e formimit, të cilat i potencon mendimtari islamik turk, dr. Mikdad Jalxhin, janë:

  1. Njerëzit duhet të mburren me atë që ka feja jonë dhe me kontributin e dijetarëve muslimanë në formimin dhe zhvillimin e shkencave, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen.
  2. Mënjanimi dhe largimi i koncepteve dhe ideve që kundërshtojnë parimet e formimit islamik të shkencave sociale dhe bihevioriste.
  3. Intelektualët që merren me shkencat bihevioriste në mbarë botën duhet të lexojnë edhe pasurinë e madhërishme që kanë dhënë muslimanët në sferat e shkencave humane si dhe ndikimin që kanë pasur në përparimin e shkencave të tilla.
  4. Përdorimi i shkencave të tilla në formimin e personaliteteve shkencore që kanë të bëjnë me sjelljet e përgjithshme islame të shkencave të tilla.
  5. Studimeve të tilla duhet t’u shtohet edhe aspekti islamik, sepse një vepër e tillë do të ndikojë në strategjinë e shkencave të tilla.
  6. Përforcimi i studimeve të kaluara dhe moderne në bazë të parimeve islame, shërimi i aspekteve negative dhe përkrahja e anëve pozitive.
  7. Zbulimi i synimeve të përgjithshme dhe të posaçme të shkencave të tilla nga aspekti islamik si dhe zbulimi i mënyrave të realizimit të tyre.
  8. Formimi i një metode të qartë të shkencave të tilla, në përgjithësi dhe pas çdo shkence në vete, në veçanti.
  9. Përdorimi i shkencave të tilla në përkrahjen e vlerave islame dhe në da’vetin islamik ashtu siç i përdorin perëndimorët në përkrahjen e ideologjive të tyre.
  10. Zbërthimi i parimeve dhe synimeve në të cilat mbështetet formimi i shkencave sociale.
  11. Studiuesit e teorive duhet të sfidojnë me përpikëri të plotë teoritë dhe mendimet nëpërmjet rregullave dhe metodës së qartë e të harmonizuar të mendimit.
  12. Formimi i intelektit islamik që mendon, planifikon dhe zbërthen problemet në bazë të metodologjisë së Islamit.
  13. Shpëtimi i gjeneratave nga ndjekja e verbër ideologjike, kulturore, racionale dhe personale perëndimore.[6]

 

Rezyme e synimeve të komitetit të përhershëm të formimit islamik të shkencave sociale në Universitetin islamik ‘Imam Muhamed ibën Saud’.

  1. Duhen sqaruar parimet bihevioriste që janë në sheriatin islamik në përgjithësi dhe në Kur’anin Famëlartë e në sunnetin pejgamberik në veçanti, pastaj promotorët, natyra e instinktit, ligjet e shoqërisë, rregullat e qytetërimit, metoda e pedagogjisë, parimet e marrëdhënieve sociale që rregullojnë çështjet e njerëzve dhe që përcaktojnë natyrën e shoqërive dhe bashkimin e tyre….
  2. Ringjallja e trashëgimisë së mendimtarëve sociologë muslimanë dhe konfirmimi i origjinalitetit të tyre shkencor teorik e metodologjik në sferën e shkencave sociale që të sigurohet bazë e qartë për formimin dhe për të dhënë pasqyrë të qartë mbi të vërtetën e Islamit që është fe e diturisë dhe e punës, besimit dhe adhurimit, teorisë dhe praktikës…
  3. Mbajtjen e vetëdijes sociale islame te hulumtuesit e shkencave sociale në përgjithësi dhe te studentët e universiteteve në veçanti, për shkak se ata janë pionierë dhe bartës të shkëndisë së shkencës së dobishme në të tashmen dhe në të ardhmen.
  4. Përmirësimi i vizionit të njeriut musliman ndaj realitetit të tij social dhe pozitës së tij qytetare, duke sqaruar vizionin islamik udhërrëfyes, nëpërmjet mendimit të drejtë që ngulitet në shpirtin e tij dhe që përkufizon idenë dhe sjelljen në raport me Zotin, njerëzit dhe shoqërinë.
  5. Shqyrtimi i parimeve të sheriatit islamik, të cilat e udhëzojnë individin nga aspekti edukativ dhe shoqëror, duke formuar rregulla për vetë njeriun, në mes njeriut dhe njerëzve të tjerë, në mes njeriut dhe krijesave të tjera, si dhe në mes njeriut dhe Krijuesit të tij.
  6. Përfitimi i dobisë gjatë procesit të formimit islamik nga metodat e mendimtarëve bashkëkohorë gjatë studimit të realitetit të njeriut, por me kusht që të mos jenë të mbështetura në baza ateiste që e nënçmojnë autoritetin e njeriut dhe kapacitetin e tij, si p.sh. teoria e evolucionit dhe origjinës së llojeve. Pra, studimi i sistemeve dhe rregullave sociale në shoqërinë islame duhet të realizohet përmes metodologjisë islame.
  7. Nëse metodologjia islame është mjet ose rrugë për studimin e sistemeve dhe rregullave shoqërore në shoqërinë islame, me vështrime kritike të bazuara në teoritë dhe pikëpamjet e mendimit perëndimor, atëherë mund të themi se hulumtuesi serioz musliman do të flasë për realitetin e shoqërisë islame në mënyrë kreative larg imitimit, ripërsëritjes dhe ecjes pas.
  8. Shfrytëzimi i procesit të formimit nga lëmi i da’vetit islamik, përmes aspektit islamik, as lindor e as perëndimor, gjegjësisht nga baza e urtësisë dhe këshillës së mirë që është përplot dialogë në mënyrën më të bukur. Pra, dijetarët muslimanë dallohen për këtë karakteristikë, e cila mbështetet në parimin e rëndësishëm dhe të fortë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi, këshillë të mirë dhe polemizo me ata në formën më të bukur.” (En-Nahl, 125)
  9. Formimi (i shkollës islame në shkencat sociale) që do të funksionojë në sferën e shkencave sociologjike në baza, synime e metoda teorike dhe aplikative që janë konform parimeve dhe rregullave të Islamit.
  10. Pikënisja në studimet pedagogjike, psikologjike duhet të jetë nga parimet islame që mbështeten në Kur’an, sunnet dhe në trashëgiminë intelektuale të ummetit islamik.
  11. Spastrimi i shkencave sociale nga konceptet e dyshimta dhe nga konceptet e doktrinave të devijuara që dalin nga parimet idhujtare, hebraike, të krishtera ose nga doktrinat destruktive, si p.sh. nga komunizmi, ekzistencializmi, liberalizmi etj. Pra, ato duhet të mbështeten në konceptin e vërtetë islamik shkencor.
  12. Çdo gjë që iu ofrohet studentëve të shkencave sociale në botën islame duhet të spastrohet nga çështjet që e kundërshtojnë Islamin, sepse vetëm kështu do të formohet edukimi i vërtetë islamik si dhe do të mënjanohen metodologjitë nga kontradiktat intelektuale dhe iluzionet që janë formuar në mungesë të mendimit social islamik dhe të shkollës islame për shkencat sociologjike.
  13. Përfaqësimi i mendimit islamik në sfera të ndryshme botërore të shkencave sociologjike, me qëllim që ithtarët e doktrinave sociale, psikologjike e pedagogjike të shohin se me çfarë karakterizohet shkolla islame, gjegjësisht të njihen me karakteristikat dhe cilësitë madhështore që burojnë nga madhëria e fesë islame dhe kapaciteti i saj për t’i zbërthyer të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet njeriu në çdo kohë dhe në çdo vend.
  14. Kundërshtimi i teorive dhe mendimeve perëndimore që nuk përputhen me Islamin dhe me mendimin origjinal islamik. Kuptohet se edhe shoqëritë islame duhen mbrojtur nga idetë dhe teoritë e tilla të devijuara. Një gjë e tillë nuk mund të bëhet me refuzimin e plotë të mendimit perëndimor, por duke e zëvendësuar atë me mendimin islam dhe me përhapjen e kreativitetit dhe epërsisë islame.
  15. Hapja e horizonteve të kreativitetit dhe epërsisë para hulumtuesve sociologë muslimanë, duke i shpëtuar nga imitimi intelektual dhe duke i pastruar me parimet islame të shkencave sociologjike. Në këtë mënyrë do të formohet edhe metodologjia e shërimit, duke nxitur cilësinë e seriozitetit dhe kreativitetit, si dhe duke i çliruar nga imitimi i shkencave sociologjike në Lindje apo në Perëndim.
  16. Studimi objektiv i botës islame nga aspekti i sociologjisë, pedagogjisë e psikologjisë, për t’u përqendruar në realitetin dhe në problemet e kësaj bote, duke ofruar zbërthime islame të problemeve të tilla. E gjithë kjo do të ndikojë që të formohen shkencat e tilla me qëllim që të jepen zbërthime adekuate, të cilat përputhen dhe mbështeten në parimet e besimit islam.
  17. Formimi i personalitetit të fuqishëm dhe stabil islam, në baza të parimeve të psikologjisë së Islamit si dhe në baza të udhëzimeve sociologjike islame, dhe kështu shkencat do të shndërrohen në sjellje dhe në veprim.
  18. Formimi i personalitetit të mësuesit, hulumtuesit dhe mendimtarit musliman, sipas konceptit islamik ndaj gjithësisë dhe jetës, dhe kështu ata do të përfitojnë edukatë të shëndoshë dhe moral të vërtetë dhe si të tillë do të mund ta udhëzojnë shoqërinë në rrugën e drejtë që përputhet me parimet, me virtytet e larta dhe me vlerat qytetëruese të Islamit.
  19. Përfitimi i dobive nga të dhënat e shkencave shoqërore, pas spastrimit të tyre, në sferat e da’vetit islamik dhe për ta sfiduar luftën intelektuale që zhvillohet në botën islame.[7]

Pas sqarimit të rëndësisë së islamizimit të diturisë dëshiroj që të dal në një çështje tjetër që ka të bëjë me shpalljen dhe intelektin. A ka kontradiktë apo harmoni në mes tyre? A mund të anashkalohet mrekullia si burim i diturisë apo jo? A ka nevojë dituria për shpalljen hyjnore apo jo? Pra, në kreun tjetër do të mundohem t’i sqaroj këto çështje!

 

Assoc.Prof.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha

ISLAMIZIMI I SHKENCAVE HUMANE DHE SHOQËRORE NGA DISA KËNDVËSHTRIME (Simpoziumi shkencor në Universitetin Shafi’it të shkencave islame në Xhakartë, Indonezi)


[1] Islamijjetul-ma’rifeti, El-Mebadi’u, f. 77, 167, 168 dhe 170.

[2] Mendimtari, filozofi indian malazias, anticipator i idesë së islamizimit të diturisë, Sejjid Neqib Attasi ka kontribuuar shumë që nga viti 1978 në këtë fushë me veprat e tij të shumta në gjuhën malaziase e angleze, disa prej tyre të përkthyera në gjermanisht. Në Wikipedia është botuar biografia e tij dhe veprat e tij. Po ashtu edhe dr. Ismail Faruku ka dhënë kontributin e tij për këtë çështje qysh në vitin 1982 e në vazhdim. http//cm.wikipedia.org/wiki/islamization_of.knouledge, 05.07.2012. Po ashtu shih http//wikislam.net/ islamization of knowledge.

[3] El-Vexhiz fi islamijjetil-ma’rifeti, f. 81, 82 dhe 83.

[4] Dr. Faruki, Sijagatul-ulumil-ixhtima’ijjeti sijagaten islamijjeten, f. 29-30.

[5] Muhamed Amare, Islamijjetul-ma’rifeti, f. 16; Haule teshhidil-aklil-muslimi, dr. Imaduddin Halil, f. 55-70.

[6] Jalxhin, Mikdad, Esasijjatut-te’sili vet-teuxhihil-islamij lil-ulumi vel-me’arif vel-fununi, f. 38-39.

[7] Et-te’silul-islamij lil-ulumil-ixhtimaijjeti, dekanati i hulumtimit shkencor, Universiteti Islamik el-Imam Muhamed ibën Saud, pa vit botimi, f. 30; Mefhumul-teuxhhil-islamij lil-ulumi ve ahdafihi ve ususihi el-islamijjeti, Shejh Menna’e El-Kattan, Simpoziumi për udhëzimin islamik të shkencave, Kajro, 1413, vëll. I, f. 68, 73; Menhexhul-teuxhil-islamij lil-ulumil-ixhtimaijjeti, dr. Ibrahim Rexhep, vepër e pabotuar, 1413, f. 1; El-Teuxhihul-islamij lil-ulumi vel-ma’rifi mefhumuhu ve ahdafuhu, dr. Adnan Zarzur, Muessesetur-risaleti, Bejrut 1992, f. 39: El-Xhamiatul-islamijjeti vet-teusilul-islamij lil-ulum, dr. Zekij Ismail, Darul-metbu’atul-xhedideti, Kajro 1992, f. 9-10.