Tanzimati dhe pasojat negative të tij mbi popullin shqiptar dhe Perandorinë Osmane

0
815

 

Përse Tanziamti?

Perandoria Osmane, sipas studiuesit Tajar Zavalanit, për të shpëtuar nga shkatërrimi i plotë: “…u mundua të zbatonte në Shqipëri reformat e Tanzimatit me anë të forcës së verbët, pa marrë parasysh strukturën gjeografike të vendit, ndarjen e popullit në vise dhe tradita lokale. Reforma që shkaktoi rezistencën më të fortë në Shqipëri ishte shërbimi ushtarak i detyrueshëm i shoqëruar nga taksat e rënda për të mbajtur në këmbë ushtrinë e re…” [1]

Kjo ide kishte lindur nga osmanlinjtë e arsimuar dhe të edukuar në frymën e Perëndimit, për arsye se ata nuk ishin të kënaqur me gjendjen e Perandorisë. Ata ishin të mendimit se po që se Perandoria do të administrohej me kushtetutë punët do të shkonin më mirë. Kështu, këta të arsimuar filluan përpilimin e kushtetutës në parlamentin e deputetëve, ku do të merrnin pjesë edhe deputetë të krishterë.[2]

Kështu pra, si po shihet më lart, këto reforma kishin për qëllim daljen nga kriza që kishte filluar të përjetonte Perandoria Osmane. Si të dilej nga kriza? Nëse pyeten ata që janë infektuar me mendimet e Perëndimit, përgjigjja është lehtë dhe definitive. Ata kishin për t’u përgjigjur se rruga e vetme e shpëtimit është që ta imitonin Perëndimin në çdo aspekt dhe në çdo fushë.

Dhe kështu u bë. Mirëpo, si do ta shohim më poshtë, ndodhi e kundërta. Në vend se Perandoria të dilte nga kriza, ajo shkoi drejt një krize dhe humnere më të madhe përfundimtare. Shkuarje pa kthim mjerisht. Vetëm nëse do Allahu xh.sh. të dalë ndonjë perandori tjetër islam, atëherë muslimanëve në tërë globin tokësor do t’u rikthehet nderi, forca, vlera dhe pushteti. Këtë ne nuk dimë.

Ajo është në diturinë e Allahut xh.sh, por kjo nuk do të thot që ne të rimë duarkryq dhe të mos angazhohemi për rikthimin e Perandorisë Islame në mënyrë paqësore, me sjellje të mira, me punë dhe angazhim intensiv, me reforma pozitive radikale në mendimet, veprat, dhe mardhënjet tona sociale, politike dhe ekonomike. Poashtu mos të harrojmë reformat pozitive ne aspektin shkollor, univerzitar, fetar të medreseve dhe fakulteteve fetare.

 

Natyra e Tanzimatit

Sipas studiuesit Dr. Ismail Bardhi: “…Kuptimi i reformës në Perandorinë Osmane më tepër ka ngjyra të  reformave politike se sa të modernizimit religjioz, të cilat kanë filluar qysh më herët brenda saj, saqë aso kohe vërehet një shprehje shumë e rëndësishme, din ve devle, e cila është shpjeguar në mënyra të ndryshme…”[3]

Ky pohim nuk mund të pranohet tërësisht, sepse siç kemi thënë më lart, në Perandorinë Osmane janë bërë edhe reforma ekonomike, sociale, militare dhe administrative. Kjo që thamë shihet edhe prej fjalëve të studiuesit H. Feraj se:

Thelbi i këtyre reformave qëndronte nga pikëpamja politike në centralizimin e pushtetit dhe nga pikëpamja ekonomike në industrializimin e Perandorisë[4]

Mund të shtojmë edhe këtë realitet tjetër: thelbi i këtyre reformave qëndronte nga pikëpamja politiko-sociale në evropianizimin e Perandorisë Osmane dhe komunitetit musliman gradualisht, dhe kjo ndodhi per fat të keq, me ardhjen e Ataturkit dhe sistemit laik sekular të Turqisë. Sa i përket reformave religjioze, në këtë moment, nuk mund të flasim për shkak të natyrës së punimit që kemi për objekt studimi.

 

Pasojat e Tanzimatit për shqiptarët dhe prishja e marrëdhënieve shqiptare me Perandorinë Osmane

 

Sipas studiuesit H. Feraj, prishja e marrëdhënieve shqiptare daton që nga proklamimi i Tanzimatit më 1839. Marrëdhëniet shqiptaro-osmane, nga aspekti i përgjithshëm, ishin të mira, edhe përkundër kryengritjeve dhe rezistencave të disa grupacioneve të vogla. Ato filluan të prishen nga fundi i shek. të XVIII-të dhe fillimi i shek. të XIX-të. Në këtë periudhë, Perandoria planifikonte centralizimin e pushtetit, ndërsa shtresa drejtuese e shqiptarëve synonte dhe planifikonte decentralizimin dhe autonominë e saj. [5]

Historianët potencojnë se ato reforma-Tanzimati “… cenonin në radhë të parë statutin dhe rolin e shtresës drejtuese shqiptare. Kësaj shtrese i rrezikohej ekzistenca si shtresë, e madje i kërcënohej edhe ekzistenca fizike…”[6]

Me pranimin e fesë islame në mënyrë masive[7] nga ana e shqiptarëve, ata arritën të bëhen pashallarë, zaimë, timariotë dhe të qeverisnin ushtritë e tyre. Perandoria ishte më e dobët në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe ata ua kishin frikën shqiptarëve në një aspekt.

“…reformat bënin centralizimin e pushtetit dhe e zvogëlonin ose e asgjësonin  këtë autonomi. Kështu, së pari, deri në reformat e Tanzimatit, pashallarët, çifligarët, kapedanët etj. në Shqipëri kishin ushtritë e tyre shqiptare, gati personale, mercenarë (me pagesë)…”[8]

 

Prej pasojave të tjera të Tanzimatit ishte edhe ajo se: “…Administrata civile dhe ushtarake, që deri atëherë ishte pothuajse tërësisht shqiptare, me reformat filloi të zëvendësohej secilën herë e më shumë me nëpunës të dërguar nga qendra prej viseve të tjera të Perandorisë Osmane dhe me kombësi joshqiptare…”[9]

Ana tjetër ishte se: “…Nga reformat u keqësua edhe gjendja e shtresës së ulët të shoqërisë shqiptare, qoftë në fshat, qoftë në qytet. Sistemi nizam parashikonte një shërbim ushtarak pa pagesë, ndërsa deri atëherë shërbimi ushtarak paguhej… Shërbimi ushtarak zbatohej vetëm përkohësisht, sa zgjasnin luftërat, ndërsa sipas reformave shërbimi i rregullt ushtarak ishte i detyrueshëm dhe zgjaste prej 7-12 vjet…”[10]

 

Si e përjetuan dhe si e interpretuan shqiptarët Tanzimatin?

-Lindja e idesë së kombit për bashkim kundër armikut

 

Këto reforma zgjuan një revoltë mbarëshqiptare dhe ato u interpretuan në mënyra të ndryshme, siç do ta shohim me poshtë. Sipas studiuesit H. Feraj:

“…Vetë reformat e Tanzimatit mund të kuptoheshin dhe të interpretoheshin si sulm ndaj bashkësisë etnike dhe kështu e bënin tërheqëse thirrjen për t’u bashkuar mbi këtë bazë (të kombit, H. Hoxha)…dhe ato cenonin të drejtat zakonore shqiptare të cila deri atëherë kishin shërbyer si bazë e rëndësishme e zgjidhjes së konflikteve në vend… Përjetimi i reformave si sulm mbi baza etnike i osmanëve ndaj shqiptarëve…e bënin të nevojshme dhe të pranueshme idenë e kombit si ide përbashkuese e tyre kundër armikut të tyre të njëjtë…Kombi e kryente më së miri funksionin integrues social dhe politik shqiptar, i tejkalonte dallimet sociale ende të mbetura…Ideja e kombit kryente funksion barazues… Interesat politike, pothuajse të të gjitha shtresave shoqërore, dukej se mund të realizoheshin duke u bashkuar mbi bazën elementare të kulturës së përbashkët, të gjuhës, prejardhjes, historisë etj. Me këtë u realizua afrimi dhe bashkimi i politikës me kulturën dhe lindja e nacionalizmit shqiptar…”[11]

 

Kështu, pra, shqiptarët e kuptuan dhe e interpretuan Tanzimatin si kërcënim dhe vërejtje alarmuese për ekzistencën e tyre etnike, politike, kombëtare, ekonomike dhe socio-religjioze. Pa dyshim këtë reformë në Perandorinë Osmane e shfrytëzuan masat intelektuale shqiptare të krishtera, shqiptarët e jugut-ortodoksë, që ishin në mërgim, në Amerikë, Egjipt, Stamboll, Rumani, Itali etj., për ta ringjallur idenë e kombit, si bosht rreth të cilit mund të mblidheshin shqiptarët për të formuar një fuqi të përbashkët kundër Perandorisë Osmane dhe kjo u realizua me të vërtetë, prandaj edhe pasojat ishin serioze.

 

Prej pasojave të Tanzimatit ishte edhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë Lidhje, organizim dhe revolucion të gjithëmbarshëm, shqiptarët u deklaruan publikisht, para opinionit të gjerë botëror, kundër qeverisë osmane dhe kundër vendimeve të Portës së Lartë. Rëndësia e këtij kapitulli është tejet e madhe. Kjo ngjarje historike shqiptare është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në çështjen e Krizës Lindore, për të cilën e kemi edhe fjalën.

Ajo është shumë e rëndësishme për Perandorinë Osmane dhe, po ashtu, është shumë e rëndësishme për historikun e shqiptarëve. Prandaj, si kemi thënë më lart dhe siç e kemi treguar në mënyrë kronologjike historike natyrën rezistuese, kryengritëse të shqiptarëve gjatë shekujve, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është hallkë vazhduese e atij fenomeni rezistues shqiptar, mirëpo në këtë rast ndryshojnë rrethanat politiko-shoqërore dhe këtë radhë është nxitur prej klerikëve fetarë dhe intelektualëve shqiptarë muslimanë kryesisht.

Historia e shqiptarëve nuk mund të kuptohet në mënyrë të drejtë pa studimin dhe analizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të cilën do të bëjmë fjalë në kapitullin vijues, in sha’Allahu Teala.

 

Doc.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Vështrim islam rreth faktorit fetar në historinë shqiptare moderne dhe antike


[1] Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, (Tiranë, Phoenix, Fondacioni Soros, Mendimi Shqiptar), f. 170.

[2] Më gjerësisht shih: S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 51; Georges Castellan, Histori e Ballkanit, 219; Mehmet Maksudoglu, Ottoman History based mainly on Ottoman sources, f. 328-329.

[3] Ismail Bardhi, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij kur’anore, (Logos-A, Shkup,1998), fusnota 169, f. 92.

[4] H. Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 68; S. Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 95; Muslim Identity and the Balkan State, f. 15.

[5] H. Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 68.

[6] Po aty, f. 69.

[7] Për këtë çështje të rëndësishme do të bëjmë fjalë më vonë gjerësisht shih: Skënder Rizaj, Kosova gjatë shekujve, XV-XVI-XVII, Administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore, (Prishtinë, Rilindja,1982), f. 460-477.

[8] Më gjerësisht, H. Feraj, f. 68-77.

[9] Po aty.

[10] Po aty, f. 68-77.

[11] Po aty, f. 68-77. Po ashtu shih: Stavro Skëndi, Zgjimi kombëtar shqiptar.