Bazat dhe principet e kulturës së muslimanit bashkëkohor  

0
500

Muslimani dhe thirrësi bashkëkohor ka nevojë për gjashtë lloj kulturash:

  • Kulturë fetare,
  • Kulturë gjuhësore dhe letrare,
  • Kulturë historike,
  • Kulturë shoqërore,
  • Kulturë shkencore dhe
  • Kulturë të realitetit.

Dr. Jusuf Kardavi, duke folur për rëndësinë e kulturës, thotë: “…popujt, sigurisht, dallojnë shumë në kulturë nga njëri-tjetri. Ka prej tyre, kultura e të cilëve është e drejtuar nga shpirti (spiritualiteti), të tjerë kultura e të cilëve është e drejtuar nga mendja (logjika) e disa të tjerë kultura e të cilëve është e drejtuar nga materializmi. Ka popuj kultura e të cilëve është e lidhur me tokën, sikur që ka të tjerë, kultura e të cilëve është e lidhur me qiellin. Prej tyre ka që e njohin Allahun për Krijues, por nuk e adhurojnë; të tjerë që e adhurojnë por nuk e aplikojnë ligjin e Tij në jetën e përditshme, e ka prej tyre që i kanë bashkuar të gjitha këto elemente: nuk kërkojnë zot pos Allahut, nuk adhurojnë askënd përveç Tij, si dhe nuk marrin Ligjvënës askënd pos Tij.”

Edhe ne, me këtë rast, duam të konfirmojmë se kultura jonë, këtu kam për qëllim kulturën e Ummetit në tërësi, është kulturë e veçantë, por, megjithëkëtë, ende ngrihet pyetja se ç’identitet ka kultura jonë: a është arabe, shqiptare, turke, melaje? – duke nënkuptuar, në një farë forme, se konfirmimi i njërit identitet mohon identitetin tjetër. Ky botëkuptimi i fundit mbase është i gabuar, ngase gjuha arabe është gjuhë e Islamit, gjuhë e Kur’anit dhe Sunnetit, është gjuhë ndërkombëtare tek dijetarët muslimanë. Islami ishte ai që i nxori arabët nga errësira në dritë dhe i bëri të denjë për të qenë kujdestarë të njerëzimit. Dr. Kardavi vazhdon me sqarimet e tij: “…dhe bazuar në këtë, nuk shohim ndonjë kundërthënie ndërmjet arabizmit dhe islamizmit, sikurse që nuk gjejmë ndonjë pengesë që kulturën tonë ta thërrasim njëkohësisht kulturë arabe islame. Këtë nuk e themi si mirësjellje për Islamin dhe as si lajkatim për arabizmin; kjo është një e vërtetë, për të cilën flasin argumentet dhe faktet…”

Po kështu, mund të themi se nuk ka kundërthënie ndërmjet të qenit të kulturës sonë shqiptare, turke, boshnjake, melaje dhe islame, sikur që nuk gjejmë ndonjë pengesë që ta përshkruajmë kulturën tonë si arabe nga një aspekt, dhe islame nga aspekti tjetër, shqiptare nga një aspekt, dhe islame nga aspekti tjetër…

BAZAT E KULTURËS ISLAME  

1.1 Feja

Feja, çfarëdo qoftë, ka ndikim në kulturën e njerëzve, por kur jemi tek Islami, ai njëherësh është themelues i kësaj kulture, ruajtës dhe ripërtëritës i saj.  Islami i ka lidhur pjesët e kulturës me nyje besimi, shpërblimi dhe llogarie. Vlerat e kulturës islame janë vlera islame dhe humane, si: e vërteta, drejtësia, sinqeriteti, dëlirësia, besimi, morali, bashkëpunimi, nderimi, respektimi i fqinjit, mbajtja e lidhjeve familjare etj. Allahu ka thënë:

“Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allllahun, Zotin e botëve.“ (el-En’amë, 162)

“Thuaj: “Vetëm All-llahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.“ (ez-Zumer, 14)

“Mos iu afroni pasurisë së jetimit derisa ai të arrijë pjekurinë, (mund t’i afroheni) vetëm në mënyrë më të mirë, zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën. Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij. Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit, dhe zotimin e dhënë All-llahut plotësojeni. Këto janë me çka Ai ju porosit kështu që të përkujtoni.“ (el-En’amë, 152)

“Edhe ata që përgatitën vendin (Medinën) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në gjokset e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.“ (el-Hashr, 9)

1.2. Historia Islame

Historia është shumë e rëndësishme për intelektualin musliman. Qëllimi i studimit të saj është marrja mësim nga përvojat e të tjerëve si dhe studimi i shkaqeve që çuan në ngritjen por edhe në rënien e tyre. Allahu ka thënë:

“Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjtë) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.“ (Jusuf, 111)

Historia ka ndikimin e vet. Ajo është përplot lavdi, por edhe kujtime të hidhura. Kjo për shkak të sjelljeve të njerëzve dhe llogaritjeve të gabuara të tyre. Edhe historia jonë, po ashtu, duhet të lexohet me të dy aspektet e saj.34F[4] Ajo që në fakt dua ta nënvizoj këtu dhe që e shoh si shumë të rëndësishme dhe si kriter për t’u përvetësuar është që të mos e marrim historinë tonë të bujshme si mjet për të justifikuar të metat dhe neglizhencën tonë sot. “Historia është mbreti i kohës, në të cilën ka lindur, e që nuk trashëgon lavdinë dhe as dështimet. Ajo që trashëgon është vetëm mësimmarrja.”

1.3. Gjuha arabe

Gjuhët patjetër se kanë një rol të madh në jetët e njerëzve. Edhe në raport me muslimanin, gjuha ka rëndësinë e vet, sidomos ajo arabe, pasi që me të ruhet feja. Ndoshta më së miri është të thuhet se ruajtja ndërmjet fesë dhe gjuhës arabe është reciproke, pasi që po të mos ishte Kur’ani dhe Sunneti, gjuha arabe do të shkrihej në ndonjë gjuhë tjetër. Falë ndikimit të fuqishëm të shprehjeve fetare, të cilat nuk ndryshojnë me ndryshimin e kohës, gjuha arabe mbeti dhe vazhdon të jetë e fuqishme. Kur’ani aludon në këtë kur e përshkruan veten:

“Duke qenë Kur’ani arabisht që nuk ka kundërthënie, me qëllim që të ruhen prej rrugës së gabuar.” (ez-Zumer, 28)

Fakti se Kur’ani u shpall në gjuhën arabe, në këtë gjuhë që nuk shtrembërohet, ndryshe do të mund të kuptohej (sipas konceptit të merhum el-muhalefe) se gjuhët e tjera kanë mangësi. Këtë mund ta vëresh qartë në gjuhët moderne. P.sh. në anglishte, gjen se si një shkronjë shqiptohet në forma të ndryshme dhe jo të qëndrueshme, si shkronjat ‘i’, ‘e’, të cilat në raste të shumta kanë shqiptime të caktuara në fillim të fjalës, tjetër në mes të saj dhe krejtësisht tjetër në fund të saj. Ai që nuk ka njohuri në gjuhën angleze, do të hasë në vështirësi të mëdha për shkak të kësaj natyre të shqiptimit në të shprehur dhe konverzacion. Këtë gjë nuk mund ta hasësh në shkronjat e gjuhës arabe. Prof. Talib Abdu-Rrahman Abdul Xhebbar thotë: Është evidente dhe e qartë se në gjuhën angleze një shqiptim (zë) shkruhet në më shumë se një formë, ndërsa shqiptimet (zërat) dallojnë ndërmjet vete për nga mënyrat që mund të shkruhen. P.sh. shqiptimi (zëri) ‘th’ në anglisht nuk shkruhet veçse në këtë formë, ndërsa një shqiptim (zë) tjetër, ta zëmë ‘schwa’ shkruhet deri në 28 mënyra. Sigurisht, për shkak të mundësisë së kufizuar, shpjegimin do ta përqendrojmë vetëm tek një nga shembujt më të këqij të shqiptimit në gjuhën angleze, për shkak të formave të ndryshme që merr në të shkruar. Më konkretisht, do të marrim shembull ‘sh’- në, një zë të mesëm, i cili shkruhet në 15 forma, si: ‘sh, c, ch, s, ti, ss, sc, chs, sci, ssi, si, ci, sch, se, x.’

E keqja është se nuk ka ndonjë rregull gramatikor në anglishte që do ta orientonte lexuesin në zgjedhjen e njërit apo tjetrit opsion. E tërë puna ka të bëjë me vetë fjalën. Çështja bëhet edhe më komplekse atëherë kur mësojmë se këto alternativa ripërdoren një apo më shumë herë për të shprehur zëra që nuk ka të bëjnë fare me ‘sh’-në. P.sh. opsioni ‘x’, i pesëmbëdhjeti në radhë i përmendur për shenjën ‘sh’, përdoret për ‘sh’-në në fjalën ‘luxury’, por përdoret edhe për zëra tjerë, si:

  • ‘ks’ – p.sh. fjala ‘box’
  • ‘kz’ – p.sh. në fjalën ‘exxagerate’
  • ‘z’ – p.sh. në fjalën ‘xylophone’
  • apo nuk lexohet fare, si në fjalën ‘faux pas’[5].

Ndërsa gjuha arabe dallon nga gjuhët e tjera për veçori dhe karakteristika, si:

  • Fleksibiliteti dhe aftësia në nxjerrjen (derivim) e fjalëve
  • Aftësia dhe përshtatshmëria për ripërtëritje
  • Aftësia për t’i bërë ballë kohës dhe bashkëveprimi me nocionet e reja shkencore.[6]

Ndërsa fakti se intelektuali musliman duhet ta mësojë gjuhën arabe është diç që nuk diskutohet. Këtë të vërtetë e kuptuan rrënjësisht disa intelektualë perëndimorë, që e pranuan Islamin kohëve të fundit, si: Rozhe Garodi, Weiss Muhammad Asad Leopold, i cili njëherësh ka bërë edhe përkthimin e domethënieve të Kur’anit Fisnik. Kjo për arsye se feja është shpallur në gjuhën e arabëve dhe sipas botëkuptimeve të tyre. Rrëfehet se Imam Shafiu ka thënë: Allahu i Madhëruar iu është drejtuar arabëve me gjuhën e tyre dhe me kuptimet me të cilat ata janë familjarizuar. Shkurt, ata që duan ta kuptojnë Kur’anin, më parë duhet ta kenë mësuar gjuhën arabe[7].

Kur’ani është edhe më shumë i rëndësishëm për arabishten se që arabishtja është për të. Atij i takojnë meritat e ruajtjes së kësaj gjuhe nga shtrembërimet dhe devijimet nga një gjuhë letrare në një dialekt që sot ndoshta nuk do të kishte asnjë vlerë. Fati i saj do të ishte i ngjashëm me atë të dialektit kopt në Egjipt, atij nipt në Irak, dialektit aramit në Sham etj. Në komentimin e ajetit:

“Duke qenë Kur’ani arabisht që nuk ka kundërthënie, me qëllim që të ruhen prej rrugës së gabuar.“ (ez-Zumer, 28)

– …Hoxha i nderuar, Shenkiti, ka thënë: Për shpjegimin e kësaj kemi përmendur argumentet (ajetet) në fillim të komentimit të kaptinës el-Kehf, respektivisht në komentimin e ajeteve:

“Falënderimi i takon vetëm All-llahut që ia shpalli robit të vet Librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie.“ (el-Kehf, 1)

Kjo nuk i ndodh Kur’anit – vazhdon shpjegimin Shejh Shenkiti – për shkak se ai është shpallur në gjuhën arabe, siç ka thënë Allahu:

Ne dimë shumë mirë se ata thonë: “Atë (Muhammedin) është nga e mëson një njeri!” Mirëpo, gjuha e atij nga i cili anojnë (supozojnë) ata është joarabe (e paqartë), e kjo (e Kur’anit) është gjuhë arabe e stilit të lartë e të qartë.“ (en-Nahl, 103)

“Ne me të shpallur të këtij Kur’ani po të rrëfejmë ty (Muhammed) më të bukurin rrëfim, edhe pse para tij ishe nga të painformuarit.“ (Jusuf, 3)

“Kështu Ne e shpallëm këtë Kur’an arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (Kur’ani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.“ (Taha, 113)

“Sikur Ne ta bënim Kur’anin në gjuhë të huaj, ata do të thoshin: “Përse nuk janë ajetet e tij të kuptueshme (të shkoqitura), a është ai (Kur’ani) në gjuhë të huaj, kurse ai (pejgamberi) është arab?” Thuaj: “Ai është për besimtarët udhëzues e shërues. E ata që nuk besojnë, në veshët e tyre kanë shurdhim, dhe ai për ta është verbërim. Të tillët janë sikurse thirren prej një vendi të largët e nuk dëgjojnë“.“ (Fussilet, 44)

“E edhe ai (Kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve. 193. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili). 194. (E solli) Në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen (pejgamber). 195. (Të shpallëm) Me gjuhë të kulluar arabe.“ (esh-Shuara, 192-195)

“Prandaj, Ne të shpallëm ty Kur’anin arabisht që ta këshillosh kryefshatin

(Mekën) dhe ata përreth saj, dhe t’u tërheqësh vërejtjen për ditën e tubimit (kiametit), për të cilën nuk ka dyshim. Një grup për në xhenet, kurse një grup për në zjarr.“ (esh-Shura, 7)

“Dhe ashtu, Ne e shpallën atë (Kur’anin) kushtetutë në arabishte. E nëse ti pasi të kanë ardhur argumente të qarta shkon pas dëshirave të tyre, ti nuk ke prej Allllahut as ndihmë as mbrojtje.“ (err-Rr’ad, 37)

Këto dhe ajete të ngjashme flasin për vlerën e gjuhës arabe dhe madhështinë e saj, gjëra këto që vetëm një kryeneç mund t’i mohojë.

Kur’ani, në raport me gjuhën arabe, ka merita edhe për pasurimin e saj me fjalë dhe shprehje të papërdorura (panjohura) më parë. Po kështu, përhapja e saj në botë është bërë nëpërmjet përhapjes së Islamit, ngase adhurimi nuk lejohet ndryshe veçse me lexim në gjuhën arabe. Kjo i ka dhënë gjuhës arabe një lloj sfondi të shenjtë, madje nga selefitë (të parët) janë transmetuar thënie me këtë kuptim, si ajo që i atribuohet Omer Ibn Hattabit [Allahu qoftë i kënaqur me të!] dhe Imam Shafiut [Allahu e mëshiroftë!] se “po patët mundësi, mos komunikoni me gjuhë tjetër përveç asaj arabe.”

Ndonëse janë përpjekur shumë, armiqtë e fesë kanë dështuar që gjuhën letrare arabe ta shtrembërojnë apo të paktën t’ia humbin këtë ndikim të madh që ka.

 

2. KARAKTERISTIKAT E KULTURËS ISLAME

Kultura perëndimore shquhet për plotësimin e dëshirave të kësaj bote. Karakteristikë e kulturës arabe paraislame ishte mbizotërimi i xhinëve dhe astrologëve mbi jetën. Karakteristikë e kulturës greke dhe romake ishte dhënia pas epsheve dhe kënaqësive, ndërsa në Kulturën Islame, puna qëndron krejtësisht më ndryshe. Karakteristikat kryesore të Kulturës Islame janë:

  • Konstruktimi i mendjes dhe vetëdijes së shëndoshë.
  • Kultivimi i zemrës dhe shpirtit të pastër.
  • Mbjellja e besimit të pastër të bazuar në Njëshmëri.
  • Dallimi dhe veçimi i Ummetit me moralin, sjelljet dhe traditat e saj.
  • Krijimi i një rendi dhe rregulli në tokë.
  • Bashkëveprimi me jetën dhe qëndrueshmëria përballë sfidave.
  • Përkujtimi i sahabëve [Allahu qoftë i kënaqur me ta!] dhe trajtimi që i bën Kur’anit, si dhe respekti dhe pasimi që i bën të Dërguarit të Allahut [alejhis salatu ves selam].

Si dëshmi për këto karakteristika do të mund t’iu referoheshim disa ajeteve kur’anore, si:

“(Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. Allllahut i takon përfundimi i çështjeve.“ (el-Haxh-xh, 41)

“Ne e kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Lehvi Mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.“ (elEnbija, 105)

“Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që All-llahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj, Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj (pas vdekjes). Të gjitha (këto) janë në librin e njohur (Levhi Mahfudh).“ (Hud, 6)

“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.“ (Ali Imran, 110)

“Ata qenë të cilët pak flinin natën. 18. Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet.“ (edh-Dharijat, 17-18)

Po All-llahu nuk do t’i dënojë ata, derisa ti (Muhammed) je në mesin e tyre dhe All-llahu nuk do t’i dënojë, derisa ata kërkojnë falje (istigfarë).“ (el-Enfalë, 33)

 

Prof.Dr.Hfz Hajredin Hoxha: KULTURA E MUSLIMANIT BASHKËKOHOR

 

Bibliografia:

 

Buti, Muhammed Seid Ramadan. (1997) Kubra el-jekinijjat el-keunijjeh, f. 65.

Kardavi, Jusuf. (2010) Thekafetu-d-daijeh, f. 93-113.

Kardavi, Jusuf. (2005) Thekafetuna bejnel infitahi vel ingilak,  f. 19.

Xhunejdi, Abdullah Shakir. (2004) Muhadaratun fi-th-thekafeti-l-islamijjeh, f. 11-32.

Nevakis          fi-l-kitabetejni   el-ferensijjeti     ve-l-inkilizijjeeh.           Katar:             Ministria         e          vakëfit,            : http://www.islamweb.net/newlibrary/display_umma.php?lang=&BabId=7&ChapterId=7&Bo okId=269&CatId=201&startno

Ulvan, Abdullah Nasih. (2002) Esh-shebab el-muslim fi muvaxheheti-t-tehaddijat, f. 125-160.

Shatibi, Ebu Is’hak el-Garnati. (2004) El-muvafekat fi usuli-sh-Sheriah, f. 102-105.

Shenkiti, Muhammed Muhtar. (2007) Tefsiru advai-l-bejan. 6/361.

Salih Hindi dhe të tjerë. (2000) Eth-thekafetu el-islamijjeh, f. 83-85.