MEDITIMI I KUR’ANIT FISNIK – edukata dhe parimet

0
98

Koha në të cilën jetojmë është ndoshta etapa më e errët e Ummetit Islam përgjatë gjithë historisë së tij. Ummeti është nënshtruar, bijtë e tij kanë ngelur mbrapa në shkencë dhe dije, armiqtë i janë vërsulur nga çdo anë ndërsa shqyejnë thesarin e tij duke garuar se kush do të marrë më shumë prej tij, në ndërkohë që myslimanët këtë e perceptojnë si kulturë dhe prej tyre ka që ftojnë në përvetësimin e kulturës perëndimore si kulturë të veten.

Përfytyrimi i imazhit islam në sytë e perëndimorëve është i zbehur, i mjegullt, i paqartë, armiqësor, edhe pse në fakt janë perëndimorët ata që janë armiqësorë. Këtë e dëshmon më së miri fakti i luftërave të shumta kundër myslimanëve në Irak, Afganistan, Pakistan, Çeçeni, Ballkan (Bosnjë dhe Kosovë), Palestinë, që perëndimi dhe shtete joislame i ndërmorën kundër tyre. Ka qenë dashur që botëkuptimet e tyre për Islamin të jenë më të matura, të jenë nga këndvështrimi real dhe rrjedhimisht të jenë objektive.

Është vërtetuar se bota perëndimore (duke futur këtu të gjitha shtetet joislame), në fakt banorët e jo qeveritë dhe institucionet, kanë shumë pak njohuri për gjeografinë, historinë, fenë dhe çështjet e botës islame.

Ata janë viktima të studimeve orientalistike, si tash si në të kaluarën, sikur që janë viktima edhe të medieve dhe mjeteve të informimit sionist. Lindori dhe myslimani për ta janë njerëz të vrazhdë, të pasjellshëm, robër epshesh…

Kanë bindjen se nuk ka ndonjë interes a dobi në njohjen me gjendjen dhe rrethanat e këtyre popujve të prapambetur, siç i quajnë zakonisht. Lindja, për ta, është vatër magjie, besëtytnish, dobësish, çerdhe djajsh dhe fallxhorësh…Nëse ka zhvillim teknologjik, atëherë kjo, thonë, është në saje të zhvillimit perëndimor. Lindori në sytë e tyre është gjakatar, terrorist, fundamentalist, ekstremist…

Shkak i këtyre opinioneve dhe përceptimeve të shëmtuara për lindjen (botën islame) sigurisht se janë luftërat e kryqëzatave, roli dekonstruktiv i medieve, qëndrimi orientalist i devijuar qëllimshëm, etj. Kështu, bazuar në këtë që thamë, për të përmirësuar imazhin e shtrembëruar dhe për të larguar atë nyjën ideologjike që kanë ata, vjen ky punim si një përpjekje për të ofruar imazhin e vërtetë, dhe para së gjithash, për të ftuar ata që t’i kthehen Kur’anit Fisnik, respektivisht ta meditojnë atë dhe faktet e tij duke qenë, paraprakisht, të çliruar nga urrejtja dhe qëllimet e këqija.

Kjo, për arsye se Kur’ani është libri i të gjitha kohëve dhe i tërë njerëzimit, dhe se mesazhi i tij u dedikohet të gjithë atyre pa përjashtim. Sa mirë do të ishte sikur t’i kthehen Kur’anit për ta studiuar e, rrjedhimisht, për ta kursyer atë nga shpifjet dhe akuzat, si ndaj tij si ndaj Pejgamberit Muhammed [alejhis salatu ves selam]!

Sa mirë do të bëhej sikur ta lexonin ngadalë dhe qetë, të thelloheshin në kuptimet dhe në domethëniet e tij, të meditonin
dimensionet e dispozitave dhe urdhëresave fetare, e kështu të hynin grupe-grupe në Islam!

Ideja për këtë hulumtim ka ardhur si rezultat i disa shkaqeve:

  1.  Neglizhimi i meditimit të Kur’anit
  2.  Keqinterpretimi i mësimeve të Kur’ait nga muslimanët ose të tjerët
  3.  Demotivimi i njerëzve për ta studiuar, kuptuar, nxënë përmendësh si dhe praktikuar Kur’anin
  4.  Shfaqja e rrymave devijante në komentimin e Kur’anit
  5.  Trendet e reja politike, ideore dhe fetare
  6.  Sulmet e pareshtura të armiqve të Islamit
  7.  Marrja e njerëzve me çështje dhe temat të rrezikshme, si: tekfiri (apostazia- shpallja e njerëzve renegatë), tefsiku (gjykimi si të dalë nga tradita fetare), tebdië (shpallja e njerëzve si risimtarë, novatorë) si dhe komentimi me forma devijante i Kur’anit
  8.  Marrja e një grupi njerëzish me hulumtime filozofike shterpe Këto dhe shkaqe tjera më shtynë që të ndaja kohë të bëja një punim të veçantë rreth nevojës së njerëzve në përgjithësi dhe të hoxhallarëve në veçanti që t’i kthehen meditimit të Kur’anit sipas formës së duhur dhe të qëlluar.

Metodologjia që kam ndjekur në këtë punim është tredimensionale: induktive, deskriptive si dhe kritike.

Risi në këtë punim është hulumtim dhe mbledhja e thënieve të dijetarëve në të shkuarën dhe të tanishmen përkitazi me edukatën, etikën dhe mënyrën e meditimit të Kur’anit. Kam mbledhur thëniet, kam analizuar ato, kam bërë një radhitje tematike, i kam verifikuar, për t’i sjellë më pas në një formë të re, më të lehtë për t’u kuptuar dhe për t’u praktikuar.

Në fakt, ato i kam ndarë sipas tematikës në dy kapituj kryesorë:
1) Edukata dhe morali përkitazi me të medituarit
2 Për këtë, nëse do më shumë, shih video në: www.turntoislam.com ~ 10 ~
2) Bazat shkencore dhe rregullat metodike përkitazi me komentimin (tefsirin, ekzegjezën)

Këtë ndarje kësisoj nuk e kam hasur tek autorët klasikë dhe as tek këta bashkëkohor.
Në këtë punim, në fokus do ta kam etikën dhe moralin e meditimit.

Punimin e kam ndarë në:
1) Parathënie, ku kam shpjeguar shkaqet e përzgjedhjes së këtij punimi, rëndësinë e tij, metodologjinë time në të si dhe risinë që sjell ky punim.
2) Hyrje, ku kam bërë shpjegime terminologjike.
3) Tre kapituj, në të parin prej të cilëve kam folur për pozitën e Kur’anit tek njerëzit, raportet e tyre me të, që në një farë forme paraqet edhe një lloj diagnostifikimi të sëmundjes, obligimet tona karshi Kur’anit dhe nevojën shpirtërore për meditim si kurim i sëmundjes së përmendur.

Kapitullin e dytë ua kam dedikuar thënieve të dijetarëve klasikë dhe bashkëkohorë, ndërsa në kapitullin e tretë jam fokusuar kryesisht në etikën e meditimit, ku, kam bërë një përmbledhje të disa parimeve etike dhe morale për të përmendur më pas edhe qasjen e Imam Gazaliut për etikën në fjalë.

4) Dhe përfundimin bashkë me bibliografinë e veprave të konsultuara.
Me këtë rast, e ndiej si obligim moral, që të shpreh falënderimet e mia të sinqerta dhe respektin tim të madh për dy kolegët e mi, Prof. Dr. Seid Muhammed Ismail Savin dhe Prof. R. Mekki Aklajinehun, që të dy profesorë në UNISSA, Brunei Darussalam, për këshillat, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre shkencore, metodologjike dhe gjuhësore.

I falënderoj shumë dhe e lus Allahun e Madhëruar që t’i shpërblejë me të mirat e Tij në këtë dhe në botën tjetër!

 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
MEDITIMI I KUR’ANIT FISNIK -edukata dhe parimet