Lexues të nderuar,
Ndërsa hëna po venitet, e muaji po plotësohet, Bajrami i Fitrit veç trokiti në shtëpitë tona, andaj ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe admirimin e thellë për përkushtimin tuaj të palëkundur në këtë muaj, në namazet tuaja, në leximin e Kuranit, në bamirësinë, në lutjet e thelluara, e veçmas në kërkimin e dijes dhe ndriçimit shpirtëror.
Në këto momente të mbara e të veçanta, le të sodisim thelbin e Ramazanit, një muaj që rrënjos tek ne virtytet e durimit, ndjeshmërisë dhe vetëdisiplinës. Ndërsa i japim lamtumirën këtij muaji fisnik, le t’i çojmë përpara këto virtyte, duke u përpjekur të reformojmë zemrat dhe mendjet tona dhe duke rigjallëruar shpirtrat tanë në kërkimin tonë për mirëkuptim dhe afrim më të madh me të Plotfuqishmin.
Le të vazhdojnë përpjekjet tona të dijes për të ndriçuar rrugën e drejtësisë dhe për të nxitur një vlerësim më të thellë të urtësisë së përjetshme dhe shpalljeve hyjnore të përfshira në Kur’anin e Madhërishëm. Ndërsa përpiqemi të ringjallim frymën e Islamit dhe të përhapim paqen, harmoninë dhe unitetin, le të pranojmë gjithashtu vlerën e kuriozitetit intelektual dhe të ligjërimit të respektueshëm që na ndihmojnë në kultivimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm.
Në ndjekjen tonë kolektive të dijes, le të mbetemi të përkushtuar për të mbështetur parimet e modestisë, tolerancës dhe dhembshurisë, duke marrë frymëzim nga mësimet profetike dhe trashëgimia e shquar e paraardhësve tanë. Le të përpiqemi të jemi fener udhërrëfyes, duke mishëruar thelbin e vërtetë të Islamit dhe duke frymëzuar brezat që do të vijnë.
Allahu ju mbuloftë me bekimet e Tij të shumta, ju dhuroftë urtësi dhe mendjemprehtësi dhe i pranoftë të gjitha përpjekjet tuaja në shërbim të fesë së Tij.
Qoftë ky Bajram i Fitrit një kohë gëzimi, mirënjohjeje dhe angazhimi, qofshin energjitë dhe vullneti i juaj të ripërtërira për të vazhduar kërkimin e përsosmërisë shpirtërore dhe intelektuale.
Eid Mubarak!
Të falat më të ngrohta,
I juaji, Prof.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha