ÇËSHTJA E KONFLIKTIT IDEOLOGJIK NË SHOQËRINË SHQIPTARE GJATË SHEKULLIT XX

0
600

Zërat e parë të reformizmit shoqëror dhe fetar në trurin e shqiptarëve filluan të dëgjohen shumë më zhurmshëm në fillim të shek. XX, posaçërisht gjatë tre dekadave të para që ishin përplot lëvizje dhe ngjarje të shumta. Në këtë kohë, kishte filluar të përhapet e t’i përforcojë rrënjët edhe ideologjia komuniste në tërë territorin shqiptar, pastaj para Luftës së Dytë Botërore, gjendja ekonomike dhe politike ishte shumë e përkeqësuar, për shkak të polarizimit të situatës ideologjike dhe politike në mbarë Evropën. 

Të gjitha këto zhvillime dhe ndryshime në Evropë, kishin ndihmuar që njerëzit të humbnin shpresat, të mos ishin të qetë në aspektin psikik dhe të frikësoheshin nga ardhmëria. Krimet ishin përhapur shumë, ashtu siç ishte përhapur prostitucioni, egoizmi, tirania shoqërore, spiunimi dhe korrupsioni, dhe e gjithë kjo kishte ndihmuar që njerëzit të frikësoheshin nga njëri-tjetri, ngase secili spiunonte për çdo kënd. Prej asaj kohe e deri më sot, mjerisht, akoma vazhdojmë t’i përjetojmë pasojat e hidhura të fenomeneve të tilla që mbizotëronin në atë kohë.

Edhe ideja e ateizmit dhe mohimit të fesë, veçmë kishte filluar të shfaqet në shoqëri, duke i përhapur parimet e materializmit në shkolla, shoqata, organizata, etj. Ulematë dhe mendimtarët shqiptarë sakrifikonin çdo gjë për ta mbrojtur besimin islam dhe atdheun e tyre prej armiqve kolonialistë italianë e grekë. Ndër ulematë dhe hoxhallarët që qëndruan kundër rrymave ideologjike komuniste që vinin nga Evropa, konkretisht nga Rusia e që përhapeshin në këto treva, mund të përmendim shejhun, dijetarin dhe hoxhën Hafiz Ali Korça, i cili pa kurrfarë frike dhe me qëndrim kategorik reagonte dhe fliste të vërtetën, dhashë Zoti, ne përsëri, në këtë studim, do t’i kthehemi këtij personaliteti dhe do t’i analizojmë aktivitetet e tij që kishin të bënin me doktrinën e tij në interpretimet kur’anore, si shembull praktik i lëvizjes reformiste fetare, ndërsa këtu do të ndalemi në një çështje tjetër.

 

Nisur nga obligimi për mbrojtjen e fesë islame nga ideologjia shkatërruese dhe komunizmi i kuq, me fjalë dhe laps, hoxhë Hafiz Ali Korça, në vitin 1925 botoi një libër me titull “Bolshevizma a çkatërrim i njerëzimit”. Në këtë vepër ai kishte shkruar disa vargje me domethënie të madhe dhe shumë kuptimplote, si p.sh.:

     Bolshevizma s’pajton kurrë

     Me dinin e Muhamedit

     Çelët do ta kenë luftën

     Gjer ditën e Kiametit.

Hafiz Ali Korça (Zoti e mëshiroftë!) dallohej me tru dhe rezon të shëndoshë, me mendime origjinale dhe me shkathtësi të hatashme. Ai kishte kuptuar thellë lëvizjen komuniste dhe ua tërhiqte vërejtjen njerëzve nga dëmet e kësaj lëvizjeje. Para se t’i sqarojë dëmet materiale të komunizmit në këtë vepër, ai zbërthen disa parime të Kur’anit Fisnik ndaj pasurisë. Në këtë kontekst, ai përmend ajetin kur’anor:

“Sikur Allahu t’ua shumonte begatinë robërve të vet, ata do të kalonin kufijtë”.

Nga ky ajet nënkuptohet se Zoti i Madhërishëm ka caktuar që të ketë furnizime të llojllojshëm për të vazhduar jeta në tokë, për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe sikur të gjithë të kishin njësoj pasuri, atëherë jeta do të ishte ndalur, dhe për këtë shkak të gjithë duhet të kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme rizkun dhe furnizimin, në mënyrë që rrota e qytetërimit të ecë përpara, të përparojë, dhe se Zoti i Madhërishëm nuk na ka krijuar kot.

Dijetari Hafiz Ali Korça më tej vazhdon dhe sqaron rrënjët e kësaj ideje bolshevike komuniste ruse dhe thotë:

“Trungu i hidhët dhe i mallkuar bolshevik është mbjellë afro 70-80 vjet para Karl Marksit, pastaj është ujitur me ujin e Leninit dhe dëshirojmë t’i informojmë vëllezërit tanë për armiqësinë e fuqishme që e fshehin hebrenjtë në zemrat e tyre kundër muslimanëve. Në suren El Maide, Zoti i Madhëruar thotë: “Gjithqysh ti do të vëresh se hebrenjtë dhe ata që i përshkruan Zotit shok (idhujtarët), janë njerëzit me armiqësi më të fortë kundër besimtarëve (kundër muslimanëve)”.

Të gjitha katastrofat dhe vështirësitë që e kanë kapluar botën islame, që nga kohërat e lashta deri më sot janë nxitur nga hebrenjtë dhe idhujtarët, dhe shumë hebrenjë janë konvertuar në Islam, vetëm e vetëm për ta dëmtuar Islamin dhe muslimanët. Abdullah ibën Sebe’e ka përhapur ide dhe dyshime që kundërshtonin Islamin, duke thënë: “Aliu është Zot!” (Zoti është i pastër nga ajo që i përshkruajnë). Po ashtu edhe në betejën e Siffinit hebrenjtë kishin dorë të fshehtë, bile edhe ndërtimin e  Mesxhidu Dirarit- xhamia e sherit dhe e dëmit- në Medinë e kishin përkrahur hebrenjtë, me qëllim që të krijojnë dyshime dhe dëm. Në të kaluarën ata kanë vrarë pejgamberë e të dërguar të Zotit dhe kanë bërë shumë krime kundër njerëzimit”.

Hoxha po ashtu tërheq vërejtjen nga rreziku hebre në aspektin ekonomik. Ata kur dështuan me luftimet e tyre kundër të krishterëve dhe muslimanëve, u kthyen kah intrigat ekonomike dhe formimi i shoqatave masone, si p.sh.: Shoqata Masone Liberale- Free Masons, që kishin si parim dhe moto “Vëllazërimin dhe Bashkimin e të gjithëve”. Siç duket, hoxha ka qenë tërësisht i vetëdijshëm për idetë dhe doktrinat e kohës së tij që i përhapnin kundërshtarët e Islamit.

Pra, hoxha e kishte kuptuar fort mirë rrezikun nga ideja marksiste-hebraike, që e kishin trilluar në emër të qytetërimit dhe progresit, e që në esencë, nuk ishte asgjë tjetër pos luftë ndaj të gjitha feve dhe krijimin e problemeve dhe kaosit të pakufizuar në mes njerëzve.

Nga disa gjurmë negative që ishin pasojë e kësaj ideje marksiste, Hafiz Ali Korça citon një thënie të një dijetari të burgosur në Rusi: “Ai që beson në kiametin e madh, le të shikojë kiametin e vogël që ka ndodhur në Rusi dhe Çekosllovaki. Shumë njerëz të pafajshem u vranë, shumë xhami dhe faltore u prishën dhe u shkatërruan, shumë pasanikë u bënë të varfër dhe shumë njerëz nga elita e lartë u bënë të ulët, të nënçmuar dhe pavlerë, për shkak të aplikimit të socializmit në ngjyrë të komunizmit. Tufani i Nuhit a.s. ka qenë me ujë, ndërsa tufani i Marksit është vërtetë nga gjaku”. Them se ky përshkrim i saktë dhe i qëlluar na jep të nënkuptojmë në mënyrë precize pasojat dhe dëmet e sistemit komunist që u aplikua në Bashkimin Sovjetik dhe në shtetet e tjera që donin të aplikonin këtë sistem të dështuar.        

Hoxhë Hafiz Ali Korça (Zoti e mëshiroftë!) është koncentruar edhe në një çështje tjetër fetare me rëndësi të madhe, dhe s’do mend se ngjarjet vendore e ndërkombëtare kishin edhe ngjyrë fetare. Në këtë kontekst, ai thotë:

”Karl Marksi ishte hebre fanatik dhe përcillte mësimet e Talmudit në idetë dhe metodën e tij. Ai mendonte se patjetër duhet të ndodhë një revolucion i përgjithshëm i punëtorëve dhe të dobëtëve që njiheshin me emrin “proletarë”, ata duhet ta marrin pushtetin, kurse të gjitha parimet shpirtërore që kishin të bënin me fenë, respektin, nderin dhe turpin duhet braktisur dhe refuzuar. Vërtet Marksi ishte adhurues dhe ithtar i Teuratit dhe shërbyes i Talmudit!”

Siç duket, mësimet e Rusisë ateiste dhe revolucioni i Leninit, në vitin 1917, u përhapën me një shpejtësi të madhe, dhe hoxha i nderuar Hafiz Ali Korça e kishte kuptuar dëmin nga kjo ide që përhapej, po ashtu, shumë shpejt edhe në mesin e muslimanëve në Shqipëri. Ai mundohej t’ua sqarojë komunizmin marksist shqiptarëve muslimanë, që ta kuptojnë natyrën e vërtetë të tij nga vetë thëniet e dijetarëve dhe studiuesve të mëdhenj të tij.

Shejh Hafiz Ali Korça theksonte se bolshevikët (komunistët) ndaluan dhe mohuan të gjitha fetë dhe se shumë priftërinj e hoxhallarë u dogjën të gjallë. Xhemaludin Afgani ka theksuar në një libër të tij qysh para pesëdhjetë vjetësh se komunizmi do ta shkatërroj botën dhe njerëzimin thellë gjer në rrënjë.

Ky depërtim apo ky rrezik i kuq i dogji mus’hafët-kur’anat, biblat dhe librat shkencorë. Parimet e komunizmit përgjithësisht mohonin Zotin, fenë dhe pejgamberët. Sipas tyre, koha e librave të shenjta veçmë ka përfunduar dhe tani e tutje obligohemi të ndjekim kur’anin marksist!!! Ç’ide çmendurake, Zoti i mallkoftë!

Ata mohojnë agjërimin dhe namazin, ndërsa trumbetonin se lumturia e vërtetë vjen vetëm nga ateizmi!! Në shkollat shtetërore arsimtarët nxënësve ua mësonin parimin dhe idenë e mosekzistimit të Zotit. Ata dyshonin në martesë dhe mendonin se njeriu s’duhet të martohet apo të marrë përgjegjësinë e fëmijëve. Burri është burrë e femra femër, dhe kur gjinden fëmijët nuk ka përgjegjësi për ata. Gruaja është e lirë të zgjedh sa burra do dhe cilin e do, si dhe parime tjera destruktive e idiote, për të cilat edhe lapsit i vjen turp t’i shënojë. 

Metoda e Hoxhës ishte që gjatë bisedës dhe shqyrtimit të problemit, të mbështetet në argumente të shëndosha dhe të vërteta. Të dhënat statistikore, të cilat është vështirë të besohen, tregojnë se elementet e tilla e kanë dëmtuar shumë njerëzimin, ekonominë, fenë dhe bujqësinë.

Në fund të fjalës së këtij hoxhe rreth kësaj ideje, thuhet se mundësitë e përhapjes së kësaj ideje në botë janë të mëdha, ngase hebrenjtë dominojnë në të gjitha sferat e jetës. Hoxha ka vërejtur rrezikun prej tyre dhe ka thënë se feja islame nuk ka nevojë për këtë ide e as për këtë sistem të dështuar, ngase në vete i përmban demokracinë, vëllazërinë dhe barabarësinë e vërtetë dhe se Muhammedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nuk bënte dallim në mes shokëve të tij, pastaj institucioni i zeqatit dhe sadakatul-fitrit e garantojnë vëllazërinë dhe socializmin dhe solidaritetin e vërtetë fetar.

Po ashtu në mesin e atyre që refuzonin dhe luftonin këtë rrymë laike e ateiste në formë kategorike, ishte edhe Haxhi Vehbi Dibra-Agolli, (Allahu e mëshiroftë) i cili në këtë kontekst thotë:

“Për çudi!!! Të jetë ateizmi, afetaria dhe mohimi i Zotit, shërim i përçarjes dhe copëtimit në mes nesh! Këtë nuk e kemi ditur më parë! Për një popull si shqiptarët, ithtarë të fesë islame dhe të krishterimit (ortodoksë e katolikë), mjafton vetëm ndarja fetare dhe a dëshironi të formojmë edhe një përçarje e copëtim të ri dhe të shtojmë edhe një parti të re?! Feja s’mund t’u jepet njerëzve me forcë, por ne obligohemi që t’i thërrasim dhe ftojmë! Kushtetuta e shtetit garanton dhe lejon lirinë fetare dhe thirrjen në fe. S’ka dyshim se nëse pranojmë ide dhe drejtime të tilla ateiste e laike, do të përçaheshim edhe më shumë, do të dobësoheshim edhe më tepër, dhe nuk do të mund të përballeshim me armikun dhe, kështu do të shkatërrohej shteti ynë. Armiku largohet prej nesh dhe i mbyllën të gjitha dyert vetëm me një kusht, gjegjësisht vetëm nëse bashkohemi rreth një pike dhe rreth një qëllimi të lartë!”

Për të njohur më shumë të vërtetën e kësaj sfide dhe rezistencën që ia bënin muslimanët shqiptarë, duhet t’i shfletojmë ligjëratat, hutbet dhe mësimet shkencore që i kishin zhvilluar ulemaja e kohës. S’ka dyshim se hoxhallarët dhe ulematë e tillë e kuptonin realitetin e ummetit islamik shqiptar dhe jetën e tyre. Ata ligjëronin vazhdimisht çdo ditë gjatë muajit të Ramazanit nëpër xhami, mesxhide e qarqe të xhematit të rëndomtë ligjërata nga tefsiri, hadithi, sufizmi, etika, fikhul-ibadati dhe mu’amelati.

Ajo që tërhoqi vëmendjen time ishte ligjërata e hoxhës dhe dijetarit, Haxhi Vehbi Dibra. Për këtë personalitet të shquar, thuhej se shumë ishte thelluar në tefsirin e Kur’anit Fisnik, saqë vetëm tefsiri i sures “El-Fatiha” i ka zgjatur disa muaj, për shkak të kuptimeve të shumta që i ka kjo sure e bekuar, dhe për shkak të të kuptuarit të saktë e të thellë të hoxhës, si dhe të njohurive të gjera e të thella që i kishte nga literatura e tefsirit, gjuhës, sufizmit dhe fikhut.

Në revistën islame shkencore, që botohej nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë botoheshin artikuj dhe punime të hoxhë Vehbi Dibrës (Zoti e mëshiroftë!). Unë, në vijim, do të nxjerr disa pasuse nga tefsiri i tij i sures “El-Fatiha” që të shohim se si ua tërhiqte vërejtjen muslimanëve shqiptarë nga pasojat e laicizmit, ateizmit dhe doktrinave destruktive. Ai po ashtu sqaronte vlerat tolerante të Kur’anit Fisnik dhe ato të Sheriatit islamik:

“Kur’ai Fisnik ka caktuar elementet e qytetërimit dhe civilizimit, ka sqaruar drejtësinë, administrimin, mësimin, prodhimtarinë, tregtinë, ekonominë, vëllazërinë dhe moralin. Qytetërimi dhe civilizimi, në të cilin fton Kur’ani, garantojnë lumturi në të dy jetët, në këtë dhe në botën tjetër”.

Nga komentimi i tij që i bën ajetit kur’anor: 

“Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetet të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë mes njerëzve”, nënkuptohet se shoqëria shqiptare në atë kohë përjetonte korrupsion administrativ, shoqëror dhe ligjor, ndaj dhe në këtë kontekst ai thotë: “Obligohemi që të zgjedhim një person që meriton të ushtrojë ndonjë detyrë, pastaj ai obligohet të veprojë e të gjykojë me drejtësi. A nuk është kjo teori e rëndësishme, e vlefshme dhe e lartë fetare, filosofike? Jeta e çdo populli dhe progresi i tij kushtëzohen me dy kushte: Besnikëri dhe drejtësi, nëpunës të aftë e të sinqertë dhe gjykim me drejtësi…”

Në tefsirin e tij ai sqaronte përpjekjet e armiqve për të mbjellë dyshim në shpirtrat e muslimanëve. Ai deklaronte se nuk mjafton të mbështetemi vetëm në besimin që e kemi trashëguar nga prindërit tanë, sepse besimi i tillë është tradicional, por obligohemi që të kalojmë në shkallën e dytë, gjegjësisht në besimin induktiv që përfitohet nga studimet dhe hulumtimet shkencore të natyrës dhe në këtë mënyrë ta njohim Krijuesin e Madhërishëm.

Sa i përket çështjes kombëtare patriotike, mund të themi se ka qenë mjaft me prioritet për hoxhallarët e atëhershëm. Të gjithë hoxhallarët që jetonin në territoret etnike shqiptare, përkrahnin dhe ndihmonin idenë e Pavarësisë së Shqipërisë nga shteti osman, gjatë viteve të fundit të Perandorisë, d.t.th. para shkatërrimit, si dhe luanin rol shumë të rëndësishëm e aktiv me anëtarët e Lëvizjes së Zgjimit Kombëtar Shqiptar, ngase frikësoheshin nga shtetet kryqtare fqinjë që tentonin të okupojnë vilajetin e fundit shqiptar që kishte mbetur nga katër vilajetet.

Shteti osman gjatë ditëve të fundit, nuk kishte mundësi të mbronte as veten, e le më shqiptarët, dhe për këtë shkak shqiptarët ishin bashkuar rreth çështjes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe shpëtimit të saj nga okupimi kryqtar. Po ashtu, të gjithë dijetarët dhe ulematë përpiqeshin që të ndërpresin të gjitha lidhjet me Shejhul-Islamin e shtetit osman, dhe për këtë shkak fjalët e tyre mbi rëndësinë e vatanit, shtetit, pavarësisë, mos tradhtisë, mos spiunimit dhe mos kolaboracionit ishin fjalë që dëgjoheshin në çdo rast, në çdo ligjëratë dhe në çdo hutbe.

Doktrina dhe drejtimi i tefsirit shoqëror apo politik ishte fenomen që vërehej në fjalimet dhe hutbet e dijetarëve shqiptarë në kohën bashkëkohore. P.sh., në tefsirin e ajetit kur’anor: 

“Sunduesi i Ditës së Gjykimit ”, El Fatihatu:4, ai thotë: “Shikoni, vëllezër të nderuar dhe dinie se veprat tona i kontrollon Zoti i Madhërishëm dhe se do të japim llogari para Zotit të Madhërishëm për çdo vepër që e bëjmë. Dashuria ndaj atdheut në Islam ka vlerë të madhe dhe në këtë kontekst, në hadithin e Pejgamberit tonë (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thuhet se “Dashuria e vatanit është pjesë e imanit (besimit)”; dhe për këtë shkak kini kujdes nga tradhtia, ngase tradhtia ndaj vatanit mund të ndodhë lehtë, nëse muslimani nuk ka kujdes (lusim Zotin me na ruajtë nga kjo vepër), p.sh., vlerësimi i gjërave të importuara nga ndonjë shtet tjetër mbi gjërat e shtetit tënd konsiderohet tradhti ndaj shtetit, dhe nëse shtetit tonë i kërcënohet rrezik, nuk lejohet të heshtim e mos të lëvizim, ngase në të kundërtën, kjo çështje do të konsiderohet tradhti ndaj shtetit ”.

Doktrina shoqërore dhe politike në tefsir, qartë vërehet në komentimin e hoxhë Haxhi Vehbi Dibrës-Agollit, ashtu sikur që vërehet se ekzistonte në trurin e intelektualit shqiptar në kohën bashkëkohore, komentimi fetar në shërbim të interesave shoqërore dhe politike.

Krahas kësaj doktrine shoqërore, vërehej edhe një doktrinë tjetër fetare me karakter sufist në tefsiret e hoxhallarëve shqiptarë. Një doktrinë të tillë qartë e vërejmë në fjalët e hoxhë Vehbi Dibrës, i cili në tefsirin e tij të ajetit kur’anor:

 “Na udhëzo në rrugë të drejtë!”, El Fatiha: 6, ka bërë një koment të gjatë, duke shqyrtuar çështje sufiste që ekzistonin në kohën e tij. Ai (Zoti e mëshiroftë!), argumentonte në komentet e tij me fjalët e Shejhut dhe Mufes-sirit të njohur El-Kadi El-Bejdavi. Kur fillonte komentet sufiste, kërkonte prej atyre që ishin prezent të durojnë e të mos mërziten, ngase çështjet e tilla sufiste vështirë kuptohen dhe vërtet të mërzisin…

Ai ua shpjegonte çështjet e “mekamateve” (nocionet) dhe “keshfin” (zbulimin) nga aspekti sufist, pastaj ua sqaronte edhe epifaninë hyjnore, çështjen e Sheriatit, tarikatit, hakikatit dhe të ma’rifetit, si dhe botën e dukshme e të padukshme. I tërë ky koment doli nga fjala e Zotit të Madhërishëm: 

“Vetëm në ty mbështetem”.

Ky nivel intelektual që ekzistonte tek shqiptarët konfirmon se në atë kohë ekzistonin forma dhe mënyra të ndryshme të çështjeve fetare e intelektuale. Ngjyra sufiste në tefsire e komente të ajeteve, po ashtu, argumenton shumë qartë se ka ekzistuar edhe rryma dhe doktrina sufiste në studimet shqiptare të Kur’anit.

Dhe në fund, hoxhë Haxhi Vehbi Dibra u sqaronte muslimanëve se “Islami është fe mesatare, në mes të dy ekstremeve; që refuzon ateizmin dhe idhujtarinë, ajo është fe e monoteizmit që të shpie drejt Zotit të Madhërishëm, i Cili është pa rival, i Vetëm, që s’ka nevojë as për djalë e as për vajzë, është Një dhe i pa shoq”.

Në mesin e dijetarëve të rëndësishëm ishin edhe ithtarët e drejtimit shoqëror politik që kishin qëndrime të njohura rreth çështjeve dhe doktrinave ideologjike filosofike të kohës moderne, siç ishte edhe hoxhë Hafiz Ali Kraja. Në librin e tij të njohur me titull: “A duhet feja? A e pengon bashkimin kombëtar?”

Ai shqyrton çështje filosofike dhe etike, të cilat konfirmojnë qartë ekzistimin e lëvizjeve të tilla destruktive në atë kohë, si p.sh., çështja e nevojës së njerëzve për fe nga aspekti shpirtëror, etik, ligjor e shoqëror.  Hoxha zbërthente një çështje shumë të rëndësishme në historinë e njerëzimit për shqiptarët që përballeshin me ateizmin, duke u thënë: “Historia e njerëzimit asnjëherë nuk ka hasur në ndonjë popull pa ndjenja fetare, qofshin ato qiellore apo pozitive”. Sipas tij, “qëllimi i Sheriatit islamik është mbrojtja dhe siguria e interesave të kësaj bote për njerëzit”.

Hoxhë Hafiz Ali Kraja po ashtu sqaronte se bazë kryesore për vazhdimësinë e interesave të kësaj bote janë parimet e moralit dhe se popujt e egër nuk njohin parime të tilla, ngase në shoqëritë e tilla nuk ka moral, as vlera njerëzore e as vlera fetare, dhe një gjë të tillë e kanë vërtetuar ekspertët e etikës dhe filosofët.

Një shikim sipërfaqësor i përmbajtjes dhe temave të këtij libri, do të na konfirmojë rrezikun e lëvizjeve të tilla, me të cilat ballafaqoheshin ulematë tanë gjatë dekadave të para të shek. XX. Pas temave të lartpërmendura, hoxha po ashtu ka sqaruar edhe çështjen e të vërtetës së fesë islame, çështjen e Islamit dhe fanatizmit të urrejtur, çështjen e Islamit dhe ateizmit, dhe se Islami ndaj fesë së krishterë, gjegjësisht ndaj ortodoksëve dhe katolikëve është i drejtë dhe i sinqertë, ngase sipas Kur’anit Fisnik, të krishterët janë më afër nesh dhe më të mëshirshëm se ithtarët e feve të tjera. Në këtë kontekst, në ajetin kur’anor thuhet:

“Gjithqysh do të vëresh se hebrenjtë dhe ata që i përshkruan Zotit shok (idhujtarët) janë njerëzit me armiqësi më të fortë kundër besimtarëve (kundër muslimanëve). Ndërsa do të vëresh se më të afërmit si miq për besimtarët janë ata që thanë: “Ne jemi nesara-të krishterë”. 

 Po ashtu është transmetuar se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe sahabët e tij u shqetësuan dhe u mërzitën kur dëgjuan se bizantinët ( të krishterët ) kishin humbur betejën me persianët (mexhusite – adhuruesit e zjarrit ), ndaj për këtë arsye edhe zbriti ajeti kur’anor: 

“Elif, Lamë, Mimë. Bizantinët (rumët) u mundën në tokën afër (tokës së arabëve), po pas disfatës së tyre, ata do të ngadhnjejnë brenda pak viteve”. Pas këtij informimi kur’anor, u gëzuan zemrat e muslimanëve, dhe vërtetë bizantinët fituan kundër persianëve pas disa viteve (3-9), ashtu siç i informoi edhe Kur’ani Fisnik në ajetin e sipërpërmendur.

Hoxha po ashtu shqyrtoi edhe çështjen e orientimit të botës kah qytetërimi dhe progresi pas Luftës së Dytë Botërore. Ai shqyrtoi edhe çështjen e Islamit dhe laicizmit si dhe tematika filosofike me të cilat merreshin njerëzit dhe intelektualët.

Kontribut më të madh si institucion shkencor rreth lëvizjeve dhe sfidave ideologjike me të cilat ballafaqoheshin hoxhallarët në kohën e re, ka dhënë Këshilli i Lartë i Komunitetit Musliman në Shkodër, Shqipëri, i cili me rastin e 75-vjetorit të botimit të revistës “Zani i Naltë”, organizoi konferencë të madhe ndërkombëtare.

Hulumtuesi dhe hoxha Mr.Muhidin Ahmeti më ofroi një punim rreth përpjekjeve të kësaj reviste për të zbërthyer çështje dhe tema fetare e filosofike. Në këtë revistë reflektoheshin mendimet dhe idetë filosofike e fetare të dijetarëve dhe hulumtuesve, gjë që vërehet qartë edhe nga vetë hyrja e revistës “Zani i Naltë”, ku thuhet se “Kjo revistë hulumton çështje të mëdha intelektuale e shpirtërore dhe synon ngritjen e njeriut në pozita të përhershme të jetës…” Ky hulumtues po ashtu thekson se ndër dijetarët dhe hoxhallarët më të njohur që mbronin qëndrimet në këtë revistë nga kundërshtarët e tyre ishin: Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Qazim ef. Hoxha, Haki Sharofi, Sali Vuçitërna, Hafiz Ismet Dibra, etj.

Në këtë revistë botoheshin artikuj dhe punime shkencorë të rëndësishëm që kishin të bënin me filosofinë, fenë, etikën dhe sufizmin.

Në këtë periudhë të vështirë dhe përplot akuza dhe dyshime të hedhura kundër Islamit dhe Pejgamberit, kuptohet, të nxitura nga armiqtë e muslimanëve, që u përhapën në mbarë botën islame, padyshim që hoxhallarët dhe intelektualët e Shqipërisë, luajtën rol tejet të rëndësishëm në mbrojtjen e fesë. Para se ta përfundoj fjalën time, dëshiroj të potencoj edhe një çështje tjetër.

Në këtë periudhë, u botua edhe një revistë tjetër islame që quhej “Udha e së vërtetës”, botues i së cilës ishte hoxha, hulumtuesi dhe avokati shqiptar, Kadri Hoxha nga Prishtina. 

Hoxhë Kadri Prishtina dallohej me rezon të shkathtë, me tru të shëndoshë dhe hulumtime serioze, si dhe kishte vizion të qartë islam dhe politik. Në revistën e tij botoheshin artikuj rreth vlerës së institucionit të martesës në Islam dhe në shoqëri, rreth vlerave të Islamit dhe rreth korrigjimeve të botëkuptimeve të gabuara.

Ai po ashtu ftonte në reformimin e disa traditave dhe adeteve negative shqiptare, që kishin të bënin me martesën e vajzave pa vullnetin e tyre, si dhe të miturave, dhe ftonte në nivelin e barabartë në mes bashkëshortëve në rrjedhë, pasuri, moshë, mësim, me qëllim që të vazhdoj jeta martesore me sukses dhe pa probleme. Mosekzistimi i përputhshmërisë në mes të martuarve në moshë, pasuri, rrjedhë dhe arsim, në të ardhmen mund të krijojë problem martesor dhe shoqëror.

Nga çështjet që Hoxhë Kadri Prishtina i kritikonte në artikujt e tij ishte edhe çështja e spiunimit, tradhtisë dhe konvertimit në fenë krishtere. Sipas tij, pasi që Zoti na ka shpallur Kur’anin, në të cilin e ka ndarë të vërtetën nga e pavërteta, dhe meqë njeriu vetë është i aftë të ndajë të mirën prej së keqes, të dëmshmen dhe të padëmshmen, atëherë ai obligohet që ta zgjedhë më të mirën dhe s’ka nevojë të thërrasim në fe të re. Ai po ashtu shqyrtoi çështjen e llojllojshmërisë së feve dhe thoshte se Islami është fe e lirisë dhe barazisë.

Pra, siç duket, vërtetë ekzistonin çështje të rëndësishme dhe të rrezikshme, që zbërtheheshin e që nxitnin diskutime në tokat shqiptare para dhe pas periudhës së Pavarësisë. Këto ishin karakteristikat dhe ngjarjet që e dallonin periudhën historike të kohës bashkekohore kah fundi i shek. XIX dhe në fillim të shek. XX.

Dhe kështu, deri diku, lexuesve tanë të respektuar u përpoqëm t’ua pasqyrojmë situatën politike, shoqërore e fetare si hyrje të asaj që do të pasojë në analizat, shkrimet dhe studimet komentuese të Kur’anit Fisnik. Këtu dëshiroj të theksoj një të vërtetë të rëndësishme, gjegjësisht faktin se nuk mund të kuptohet mirë historia shqiptare islame dhe përpjekjet shkencore të dijetareve shqiptarë muslimanë, posaçërisht doktrinat dhe studimet e tyre komentuese kur’anore pa i lexuar kapitujt e mësipërm. Nuk pretendoj se kam theksuar çdo gjë rreth historisë shqiptare, përkundrazi, por kjo që shkrova më sipër, ishte vetëm një paraqitje e shkurtër e ngjarjeve më të rëndësishme historike, politike, shoqërore e fetare që kanë të bëjnë me temën e disertacionit tim.

Tani, do të shqyrtojmë dhe studiojmë një shembull nga doktrinat më të njohura shoqërore reformiste në kohën e re, në bazë të aplikimit praktik, të asaj që shqyrtuam në aspektin teorik në kapitullin paraprak. Pra, tani do të vazhdojmë me dijetarin e shquar shqiptar Hafiz Ali Korçën, Zoti e mëshiroftë!

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)