ALFABETI SHQIPTAR: FORMIMI DHE ZHVILLIMI

0
901

Erërat e doktrinës reformiste fetare frynin në të gjitha sferat e jetës fetare, kulturore dhe shkencore shqiptare. Ndër çështjet tridimensionale (shkencore, kulturore dhe fetare) ishte edhe çështja e vazhdimit të alfabetit arab ose zëvendësimi i tij me alfabetin latin. Dobësimi i shtetit osman arriti kulmin aty nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX. Krerët e rezistencës kundër shtetit osman filluan të paraqiten aty këtu nga vetë turqit dhe nga kombet e tjera. Historikisht është vërtetuar se mësimi dhe shkrimi i alfabetit shqip ishte i ndaluar shekuj me radhë nga shteti osman, përderisa ishte i lejuar për pakicat e tjera hebraike, serbe, greke, kurde, etj.

Ndoshta një gjë e tillë ka ndodhur nga arsyeja se shteti osman i konsideronte të gjithë muslimanët si një popull, edhe pse dalloheshin në gjuhë e komb, dhe se gjuha e tyre duhet të jetë vetëm gjuha e shtetit osman. Siç duket, në bazë të këtij opcioni, janë trajtuar shqiptarët dhe muslimanët e tjerë.

Gjuha shqipe u lejua pas revolucionit të xhonturqve, dhe deri në vitin 1908, shkollat në Shqipëri ishin të ndara sipas feve, gjegjësisht muslimanët, katolikët dhe ortodoksët kishin shkollat e tyre të posaçme.

Problemi i arsimit në Shqipëri filloi të zbërthehet kur doli vendimi i Ministrisë së Arsimit të shtetit osman, më të cilin shqiptarëve u lejohej shkollimi në shkolla “I’dadije” dhe “Rushdije”(fillore).

Çështja e përcaktimit përfundimtar të përdorimit të alfabetit u studiua shumë, si në të shkuarën, ashtu edhe sot. Sipas disa studiuesve, rruga e shkronjave dhe alfabetit shqiptar ka qenë shumë e vështirë dhe përplot viktima e sakrifica, gjersa e ka marrë formën e sotshme. Është harxhuar jashtëzakonisht mund i madh, dhe është derdhur shumë gjak për mbrojtjen e këtij alfabeti. Nuk ka dyshim se sakrifikimi i tillë konsiderohet ngjarje shumë e rëndësishme dhe e ndritshme në historinë e shqiptarëve, dhe pak çështje ekzistojnë në histori ashtu siç ekziston sakrifikimi këmbëngulës i shqiptarëve për hir të alfabetit. Përpjekjet e zbërthimit të këtij problemi shoqëror dhe edukativ në jetën dhe historinë e shqiptarëve ishin herë individuale e herë kolektive.

Kërkimi i një alfabeti të përbashkët për shqiptarët muslimanë dhe të tjerët, kishte marr hov të madh në shek. XIX. Ideja e tillë kishte lindur nga elita intelektuale shqiptare që jetonte në egzil për shkak të rrethanave politike dhe shoqërore të asaj kohe brenda pushtetit osman. Në rrethana të tilla, çdo popull kërkonte me plot kuptimin e fjalës të pavarësohej dhe të fitonte pavarësi të plotë. Para depërtimit të osmanlinjve në tokat shqiptare, gjuha shqipe shkruhej me shkronja latine, ngase ishte më afër gjuhës amë, dhe tokat shqiptare konsideroheshin pjesë e kontinentit evropian, dhe falë pozitës gjeografike që e ka duhet ta përdorë alfabetin latin. Këtë mendim e përkrahnin disa studiues. Në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX u ngjallën ndjenjat kombëtare fetare shqiptare dhe kjo vërehej qartë nga përkthimi i teksteve të shenjta të krishtera nga greqishtja e latinishtja në shqip.

Në atë kohë ekzistonin disa lloje të alfabetit që përdoreshin, si p.sh., alfabeti grek, alfabeti latin, alfabeti arab dhe alfabeti osman.

Në periudhën mes viteve 1831-1884 dolën në shesh disa përpjekje individuale rreth alfabetit shqiptar, dhe kjo periudhë, nga ana e hulumtuesve dhe shkrimtarëve njihet në histori si periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për shkak të disa zhvillimeve dhe ndryshimeve që ndodhën brenda kësaj periudhe. Qëllimi i kësaj Lëvizjeje ishte çlirimi dhe bashkimi i të gjitha tokave shqiptare dhe rezistenca kundër pushtetit osman në të gjitha mënyrat e mundshme.

Duke u nisur nga zgjimi i tillë i shqiptarëve, marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe osmanlinjve u keqësuan shumë, për shkak të rezistencës dhe kryengritjes së vazhdueshme të intelektualëve shqiptarë. Në vitin 1876 u tubuan një grup mendimtarësh shqiptarë rreth idesë së formimit të ndonjë organizate ose shoqate kulturore shqiptare në Stamboll. Kjo shoqatë kishte për detyrë të tubojë kontribute vullnetare financiare për botimin e librave shqiptare. 

Kulmi i kësaj rezistence arriti me formimin e Lidhjes Shqiptare në qytetin e Prizrenit, Kosovë në vitin 1878, ashtu siç theksuam edhe në kapitullin e parë. Qëllimi i kësaj Lidhje ishte i njëjtë me qëllimin e zgjimit kombëtar shqiptar. Në një atmosferë të tillë jostabile, ndodhi një ndryshim i madh në historinë e shqiptarëve. Mendimtarët shqiptarë, muslimanë dhe jomuslimanë, deklaronin se shqiptarët janë popull në vete dhe për këtë shkak duhet të kenë edhe flamurin e vet, dhe kështu u takuan përsëri në Stamboll dhe formuan një alfabet të posaçëm në vitin 1879.

Përpjekjet dhe mosmarrëveshjet rreth kësaj çështjeje zgjatën plot tri vjet, deri në konferencën e cila u mbajt në vitin 1908, në qytetin e Manastirit, që ishte kryeqendra e njërit nga katër vilajetet kryesore shqiptare (Vilajetit të Manastirit), qytet ky që sot ndodhet në Maqedoninë aktuale. Kjo konferencë u quajt “Kongresi i Manastirit”. 

 

Edhe letërsia shqiptare islame që shkruhej me alfabetin arab, filloi të merret me çështje kombëtare shqiptare, nëpërmjet tematikave që i shqyrtonte në poezi, prozë e ligjërata. Krahas kësaj, edhe lëvizja e përkthimit të Biblës dhe literaturës së shenjtë të krishterë në gjuhën shqipe ishte në vazhdim e sipër nga ana e priftërinjve, me pretekst të ruajtjes së gjuhës shqipe, ngase ajo është gjuha amë! U hapën disa shkolla në qytete e fshatra, dhe njerëzit filluan të mësojnë gjuhën shqipe me alfabet grek, përmes botimit të disa librave dhe shkrimeve shkencore që kishin të bënin me gramatikën e gjuhës, e që shkruheshin nga disa priftërinj ortodoksë të afërt me Greqinë.

Krahas kësaj lëvizjeje fetare të krishterë që merrej me përkthimin e teksteve të shenjta, lulëzuan edhe aktivitetet e dijetarëve muslimanë nëpërmes punimeve poetike, prozaike e divaneve sufiste shqiptare islame të shkruara me alfabet arab. Këta përkthenin literaturë të llojllojshme nga gjuha arabe, perse e turke. Dijetarët dhe hulumtuesit shqiptarë të kohës bashkëkohore ishin shumë të përqëndruar në këtë lulëzim fetar dhe letrar. Dijetarë dhe historianë shqiptarë nga Maqedonia Kosova e Shqipëria studiuan, hulumtuan dhe kritikuan shkrimet e tilla letrare të shkruara në gjuhën arabe, qofshin regjistrime (sixhilet), dokumentacion apo divane poetike e prozë, si p.sh., dijetari dhe orientalisti i njohur prof.Dr.Hasan Kaleshi, Osman Myderrizi, historiani i njohur prof.Dr.Muhamet Pirraku dhe letrari prof. Mahmud Hysa, pastaj, dy hulumtuesit letrarë dhe orientalistë shqiptarë prof. Dr. Ismail Ahmedi dhe prof. Dr. Mehdi Polisi, etj. Këta personalitete gëzojnë autoritet të lartë në kohën tonë për shkak të studimeve të tyre në fushën e letërsisë dhe historisë shqiptare.

Dijetarët dhe hulumtuesit e periudhës së zgjimit kombëtar ishin të ndarë në dy grupe:

1- Grupi letrar që shkruante në gjuhën shqipe me alfabet latin dhe grek, e që përbëhej nga të krishterët shqiptarë; dhe: 

2- Grupi tjetër që shkruante në shqip me alfabetin arab e që përbëhej nga muslimanët shqiptarë. 

Grup i shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë që shkruante në gjuhën shqipe me alfabetin arab, ishte përhapur në Vilajetin e Kosovës, të Manastirit, e në disa qytete tjera shqiptare dhe kishte ndikuar shumë në përparimin e letërsisë islame në vitin 1947 të shek. XX, madje disa historianë mendojnë se veprat nga letërsia shqipe me alfabet arab janë shkruar edhe në vitin 1970 të shek. XX në Kosovë. Nga grupi i tillë veçojmë shkrimtarin sufist Nezim Frakulla, dijetarin dhe hoxhën Muhamed Kyçyku-Çamin, hoxhë Tahir Efendi Boshnjakun, hoxhë Vesel Xheladin Gutën dhe shumë të tjerë.

Si rezultat i përpjekjeve të tilla individuale dhe kolektive, u formuan katër drejtime kryesore mbi alfabetin shqiptar:

  1. Grupi që dëshironte të pranonte alfabetin latin;
  2. Grupi që dëshironte të pranonte alfabetin grek;
  3. Grupi që dëshironte të krijojë një alfabet të ri që nuk u ngjanë alfabeteve paraprake; dhe:
  4. Grupi që tentonte përdorimin e alfabetit arabo-turk të trashëguar nga shteti osman.

Grupi i katërt argumentonte qëndrimin e vet dhe e mbronte me pretekst se Kur’ani Fisnik është shkruar në gjuhën arabe dhe për këtë shkak nuk duhet të zëvendësohet me gjuhën latine. Përveç kësaj, shkrimi nga e majta në të djathtë është imitim perëndimor dhe në këtë mënyrë njerëzit largohen nga Islami, kështu që zëvendësimi gjuhësor konsiderohet mëkat, gjynah. Krahas këtij qëndrimi konservativ, ekzistonte edhe një drejtim tjetër i dijetarëve reformistë dhe iluministë, që deklaronin se është gabim të mendohet se Kur’ani Fisnik na urdhëron ta përdorim vetëm gjuhën arabe, por, kjo çështje është alternativë dhe nuk jemi të obliguar t’i detyrojmë njerëzit që ta përdorin këtë alfabet. Ndër intelektualët shqiptarë iluministë që diskutonin rreth kësaj çështjeje ishin Naum Veqilharxhi, hoxhë Hasan Tahsini për te cilin do të flasim ma vonë, Sami Frashëri, etj.

 

Shqiptarë që jetonin në egzil, si p.sh., në Aleksandri, në Stamboll, në Bukuresht dhe në Sofje, ndjenin zbrazëtirë nga mungesa e një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët, dhe mendonin se kjo është edhe arsyeja se pse shqiptarët kanë mbetur të prapambetur dhe dekadent. Në këtë kontekst, mendimtari dhe letrari erudit shqiptar, Sami Frashëri, thotë: “Popujt dhe kombet jetojnë nëpërmes gjuhës së tyre, dhe nëse ndonjë popull nuk shkruan në gjuhën e vet, shpejt harrohet dhe zhduket…”

Pas diskutimeve të gjata dhe debateve të shumta, më në fund, arritën një marrëveshje për formimin e alfabetit të përbashkët shqip. Edhe pse aty kah viti 1879, kishte ca mosmarrëveshje të vogla rreth disa shkronjave, përsëri çështja e alfabetit, akoma nuk ishte mbyllur në mënyrë definitive.

Pas rënies së Sulltan Abdulhamidit të II, bota islame dhe arabe ra në krizë të papërshkruar, intelektualët shqiptarë e shfrytëzuan një kaos të tillë dhe formuan shumë shoqata kombëtare nacionale brenda dhe jashtë Shqipërisë, me qëllim të zhvillimit të arsimit dhe pavarësisë shqiptare. Kah fundi i periudhës së formimit të alfabetit, nga data 14. 11. 1908 gjer më 22. 11. 1908, u organizua një Kongresi i madh, ku u zhvillua një debat i gjerë rreth alfabetit. Në këtë Kongres u diskutua në mënyrë margjinale edhe qëndrimi i Sheriatit islam rreth shkrimit nga e majta në të djathtë, dhe rreth vështirësisë së mësimit të Kur’anit Fisnik.

Pra, si duket, kjo çështje ka pasur edhe ngjyrime fetare. Ndër rezultatet e hidhura dhe të ashpra që dolën nga ky kongres kombëtar, ishte shkarkimi i tetë hoxhallarëve dhe imamëve nga xhamitë e tyre dhe pengimi i tyre që ata në të ardhmen të merren me punë si imamë në disa komuna shqiptare, me arsyetimin se ata nuk dinin të lexonin në alfabetin e ri latin. Ata, po ashtu u obliguan që të sjellin vërtetime dhe diploma nga institucionet arsimore se vërtetë kishin prezantuar në mësimet dhe ligjëratat që zhvilloheshin rreth alfabetit të ri, se e kishin mësuar atë alfabet dhe se kishin mundësi të lexojnë e të shkruajnë në alfabetin e ri. Kjo ngjarje në historinë tonë është shumë e çuditshme!!! 

Mendoj se  ishte një mjerim për fenë islame dhe ithtarët e Islamit dhe turp për ata që kishin sjellë një vendim të tillë!!! Kjo ndodh atëherë kur nuk ka pushtet islam, ndaj këtë çështje ia lëmë të Madhit Zot dhe Atij i mbështetemi! Fill pas kësaj, jehuan reagime të ashpra nga muslimanët e tërë trojeve etnike shqiptare, posaçërisht nga Vilajeti i Kosovës dhe i Shkodrës, ngase mendonin se, alfabeti i ri, sipas tyre, ishte hap i suksesit për krishterizimin e muslimanëve.

Si rezultat i zhvillimeve dhe lëvizjeve të tilla kombëtare, shoqërore e fetare, u organizua edhe një kongres tjetër më 22.07.1909 në qytetin Dibra e Madhe, për të shqyrtuar çështjen e arsimit. Rezultatet e këtij kongresi ishin më të buta se ato të kongresit të Manastirit. Aty u vendos që të hapen shkolla fillore dhe të mesme në të gjitha viset e Shqipërisë, që arsimi të zhvillohet në gjuhën shqipe dhe në mënyrë të obligueshme të zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe nëpër shkolla dhe në administratë.

Ky kongres dallohet, ngase në të nuk kishte rëndësi se a do të përdoret alfabeti arab apo ai latin, por kryesore është që çdo njeri në Shqipëri të mësojë shkrimin dhe leximin në cilindo alfabet qoftë. Shkaku që shteti osman nuk i kishte miratuar kërkesat e shqiptarëve rreth çështjes së alfabetit, ishte frika nga kryengritja dhe rebelimi i tyre, sepse pas kërkesave të tyre fshihej synimi për pavarësi të plotë dhe përfundimtar nga shteti osman. 

Kjo frikë dhe droje e kishte shtyrë Shejhul-Islamin që më 22.03.1910, të del me një fetva të prerë, ku kategorikisht ndalonte përdorimin e alfabetit latin. Fetvaja e tij u distribua në çdo qendër islame të qyteteve shqiptare. Përveç kësaj, shteti osman kishte filluar të përdorë fuqinë dhe dhunën për t’i mbyllur të gjitha shoqatat dhe qendrat shqiptare që merreshin me këtë çështje. Pas kalimit të një periudhe prej tetë muajsh nga përdorimi i dhunës dhe forcës, në një situatë kaotike të sigurisë brenda vendit.

Shteti osman dështoi në ngulfatjen e lëvizjeve të tilla, dhe vërejmë se Ministria e Punëve të Brendshme e shtetit osman papritur, lëshoi një vendim të befasishëm, me të cilin lejohej hapja e të gjitha shkollave që ishin mbyllur, madje lejohej edhe hapja e shkollave të reja. Në një nen të këtij vendimi potencohej e drejta e popullit shqiptar për të mësuar gjuhën shqipe me alfabetin e saj, ndërsa Kur’ani obligohej të mësohej vetëm në alfabetin arab.

Dhe kështu, pas daljes së vendimit të ri, kjo grindje shoqërore përfundoi, dhe ndoshta një hap i tillë, ishte edhe hyrje në Pavarësinë e Shqipërisë në vitin që do të pasonte, përkatësisht më 28 nëntor të vitit 1912.

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)