Faktorët më kryesorë që kanë ndikuar në dekadencën dhe kolapsin e Perandorisë Osmane

0
160

 

Rëndësia e këtij nënkapitulli në punimin tonë qëndron në faktin se çështja e shqiptarëve, siç kemi thënë edhe më herët, ka qenë e lidhur ngushtë me Perandorinë Osmane. Historikisht dihet se një numër i madh i figurave të shquara shqiptare kanë mbajtur poste të sadriazemave dhe vezirëve të mëdhenj në qeverinë e Perandorisë Osmane.

Prandaj forcimi i qeverisë osmane ka qenë edhe përforcim për ta, po edhe dobësia e qeverise osmane ka qenë de  fakto, dobësim për ta, në të gjitha aspektet, qoftë ai politik, ekonomik apo shoqëror.

Ky nënkapitull, është i rëndësishëm për arsye se rezistencat dhe rebelimet e shqiptarëve, me në krye disa klerikë fetarë, kanë marrë hov të madh në këtë periudhë të dobësisë së Perandorisë Osmane para shteteve të mëdha evropiane.

Gjendja, ekzistenca dhe identiteti etnik i shqiptarëve gjithmonë shkonte drejt rrezikut më të madh dhe drejt asimilimit të tyre. Shtetet fqinje, me ndihmën e shteteve të mëdha, luftonin secila për identitetin e tyre dhe për lirinë nacionale të tyre.

Po ashtu, kjo periudhë ishte edhe periudhë e revolucioneve të ndryshme evropiane. Prandaj edhe vlera e këtij nënkapitulli qëndron në faktin se ai ofron mundësi për t’i kuptuar reagimet e shqiptarëve ndaj marrëveshjeve të shumta të shteteve fqinje me shtetet e mëdha, të cilat gjithmonë shkonin në dëm të shqiptarëve dhe mbi kurrizin e tyre, që t’i zhduknin gjeografikisht, politikisht, etnikisht, dhe po ashtu së fundi t’i asimilonin nga pikëpamja religjioze, si vulë përfundimtare.

Faktorët që kanë ndikuar në shembjen dhe zhdukjen e kësaj perandorie të madhe, kësaj superfuqie islamike, janë të shumtë. Çdo studiues i historikut të Perandorisë Osmane ka nxjerrë një varg faktorësh, që sipas mendimit të tij, kanë ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte në dekadencën dhe kolapsin e kësaj superfuqie islamike.

Këta faktorë mund të radhiten si vijon:

  • Disa studiues mendojnë se pjesëmarrja margjinale e Perandorisë Osmane në fushën e shkencës, të industrisë dhe avancimit ushtarak, ka qenë një prej faktorëve më kryesore të dobësisë dhe zhdukjes së saj.[1]
  • Nacionalizmi dhe rebelimi i popujve të ndryshëm të krishterë, të cilët filluan të ndiejnë një lloj superioriteti mbi qeveritarët muslimanë, dukuri kjo që filloi me revolucionin grek më 1821.[2]
  • Ekspansioni militar, politik dhe fetar rus, apo lëvizja pansllaviste ruso-ortodokse, për t’i shpëtuar të krishterët e Ballkanit dhe ata që ishin nën sundimin e osmanlinjve.[3]
  • Përhapja dhe përdorimi në përmasa të mëdha i ryshfetit dhe korrupsioni i valinjve-guvernatorëve lokalë.[4]
  • Humbja e moralit islam dhe mospraktikimi i ligjeve të Allahut xh.sh. nga sulltanët e vonshëm. Dihet se vetëm 10 sulltanët e parë të Perandorisë Osmane ishin burra shteti me kuptimin e plotë të fjalës, dhe kishin gjithmonë synim xhihadin islam.[5]
  • Luftërat e njëpasnjëshme dhe zgjerimi i Perandorisë Osmane në tri kontinente: Evropë, Azi, Afrikë i kushtoi shumë asaj në çdo aspekt: militar, ekonomik dhe politik. Dihet prej historikut të saj pesëshekullor se vetëm 28 vite nuk ka pasur luftëra.[6]
  • Pjesëmarrja e grave të sulltanëve në qeveri (parlament) dhe ky faktor sipas disave ka qenë më i rrezikshmi që ka ndikuar në shkatërrimin e Perandorisë, për arsye se ato tentonin ta siguronin fronin e sulltanit për fëmijët e tyre, pa marrë parasysh se a e meritonin atë apo jo.[7]
  • Imitimi i çoroditur i stilit të jetës perëndimore nga disa sulltanë në jetën e tyre të përditshme, në ndërtimin e pallateve etj., gjë që e zhyti Perandorinë Osmane në borxhe të rënda. Kështu Perandoria u detyrua të shpallte falimentimin ekonomik gjatë sundimit të sulltan Abdylmexhidit.[8]
  • Po ashtu, edhe vdekja e sulltan Sulejman Kanunit (të Madhërishëm), më 1566, është konsideruar nga disa studiues si fillimi i rënies së Perandorisë Osmane.[9]
  • Neglizhenca e xhihadit dhe angazhimi i sulltanëve me aktivitete të tjera personale dëfryese, si: me gjueti, kaligrafi, pikturë, poezi, kalorësi etj., po ashtu parazitizmi në administratë, parazitizmi në rrethin dhe korpusin e ulemave islamë etj.[10]
  • Për mendimin tim edhe reformat administrative (Tanzimati), për të cilat do të flasim gjerësisht më poshtë, ku Perandoria Osmane filloi ta imitojë Perëndimin dhe stilin evropian, ka qenë një ndër shkaqet kryesore të shembjes së saj. Me këto reforma filloi edhe keqësimi i marrëdhënieve në mes shqiptarëve dhe Portës së Lartë.[11]
  • Poashtu edhe aspiratat e mëdha të Perandorisë Osmane për ekspansionin e saj politik, gjeografik, ekonomik dhe fetar, kanë qenë prej faktorëve kryesorë që ajo ta humbasë kontrollin e saj mbi të tjerët. Është dashur që ajo të pushojë pak, t’i studiojë gjerë e gjatë rrethanat politike, shoqërore dhe gjeografike të atyre shteteve apo viseve, e pastaj t’ia mësynte për çlirimin e atyre vendeve për ta pëhapur mesazhin Kur’anor dhe atë profetik, por mjerisht dhe për fat të keq kjo si po shihet nuk ndodhi.

Dhashtë Allahu Fuqiplotë që Perandoria Islame në krye me liderë të denjë dhe të sinqertë ( pa marë parasysh se kush do ta ket fatin) të riaktivizohet sërisht për ta shpëtuar njerëzinë nga këto mjerimet dhe vuajtjet politike, ekonomike, sociale dhe edukativo-arsimore.

Këta ishin disa nga faktorët më kryesore që kemi hasur gjatë studimit dhe analizës sonë. Pa dyshim, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë, mirëpo natyra  këtij studimi nuk lejon që të thellohemi më shumë.

 

Doc.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Vështrim islam rreth faktorit fetar në historinë shqiptare moderne dhe antike


[1] Justin McCarthy, Death and Exile, f. 5-6; Hough Poullton, Muslim Identity and the Ballkan State, f. 15.

[2] Po aty.

[3] Po aty, f. 13-18

[4] J. Swire, Albania the Rise of a Kingdom, f.17; Elez Biberaj, Albania a Socialist Maverick, f. 13.

[5] Mehmet Maksudoglu,Ottoman History based mainly on Ottoman sources, f. 340-346.

[6] Hysamedin Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 68-77.

[7] Po aty, f. 341-342.

[8] Po aty.

[9] Georges Castellan, Histori e Ballkanit, shek. XIV-XX, f. 176.

[10] Po aty, f. 217-218; Po ashtu shih: Nexhip P.Alpan-Nesim Kaci, Shqiptarët në Perandorinë Osmane, f. 22-23.

[11] H. Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 68-77.