Konfliktet dhe luftërat që përjetoi Gadishulli Ballkanik, në përgjithësi, dhe tokat boshnjake dhe ato shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, në veçanti, ngjallën interesimin e hulumtuesve muslimanë dhe jomuslimanë nga Perëndimi dhe Lindja. Muhammed Mufak Arnauti[1] thotë: Duket se interesimi arab për Gadishullin Ballkanik ka filluar të rritet vetëm në dekadën e fundit të shek. XX-të, respektivisht nga luftërat dhe fatkeqësitë që goditën ish-republikat jugosllave[2] në periudhën 1991-1999.
Kështu, nëpërmjet transmetimit në media, sidomos në TV dhe kanalet satelitore, të atyre pamjeve trishtuese të luftërave në Ballkan, interesimi i arabëve për këto vise u shtua dhe kështu u zbuluan popuj dhe kultura të këtyre viseve që nuk kishin qenë shumë të njohura për ta. Si shembull, për ilustrim, do të doja të përmendja faktin se, vetëm gjatë viteve të 90-ta, për Bosnjën u shkruan hiç më pak se 30 vepra, ndërsa në 30 vitet e kaluara
(para viteve të 90-ta) nuk qe botuar as edhe një libër i vetëm[3]. E për rëndësinë që kanë këto lloj punimesh dhe studimesh për bibliotekën dhe lexuesin arab, Arnauti shton:
“E bazuar në këtë, shihet se ka ardhur koha e themelimit të një reference të re njohurish në gjuhën arabe, përkitazi me shtetet dhe popujt e Ballkanit si dhe me raportet e tyre me regjionet përreth, me theks të veçantë me regjionin arab, që nuk mund të thuhet se është tërësisht i ri (panjohur) për këtë regjion….Raportet ndërmjet tyre kanë shënuar një pikë kthese të re gjatë shekujve të VI-të dhe VII-të, atëherë kur Islami u shfaq dhe u përhap në Gadishullin Arabik dhe në shtetet e Shamit, Irak, Egjipt, Afrikë Veriore (në njërën anë) dhe ardhja dhe përhapja e sllavëve në Gadishullin Ballkanik, ku faktikisht edhe u bënë shumicë e atyre popujve (në anën tjetër).” [4]
Ndërsa për fillimin e lidhjeve sllave ballkanase me arabët, para periudhës osmane dhe gjatë saj, Arnauti shton: Këto marrëdhënie në fillim ishin të shprehura në luftëra dhe beteja, ndërmjet bizantinëve dhe muslimanëve, e më pastaj morën formë në kuadër të subjekteve të reja (të krijuara nga shpërbërja) në Ballkan (Bullgaria, Serbia, etj) dhe në rajonin arab (Shteti i Fatimijëve, Shteti i Memlukëve etj.), për t’u zgjeruar më vonë kur të dy palët do të hynin në kuadër të një kornize të vetme, atë të Shtetit Osman.
Nuk ka dyshim se bashkëjetesa e gjatë, përmbi 400 vite, paraqet shtrirjen më të gjatë dhe më të pasur ndërmjet dy palëve. Rol të madh gjithsesi në këtë drejtim ka luajtur edhe faktori fetar, i cili tek disa popuj u bë fe e shumicës, siç ishte rasti me shqiptarët dhe boshnjakët, apo fe e pakicave, sikur ishte rasti në Bullgari, Serbi, Kroaci dhe Greqi. Kështu, të gjendur në këtë situatë, ku afërsisht gjysma e banorëve të Ballkanit ishin muslimanë dhe ku mbi 100 qytete morën një sfond lindor (islam), nuk kishte si të mos shtrihej ndikimi lindor, aq sa veriu i Ballkanit, apo më saktësisht, Beogradi, quhej ‘Porta e lindjes.’ Kjo ngase evropianët me të hyrë në Beograd krijonin përshtypjen se kaluan kufirin ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes[5].
Ndërsa përkitazi me folklorin, kulturën popullore ballkanase dhe specifikat e saj, Profesor Mufaku shton: Folklori i tyre, e në veçanti ai bullgar, jugosllav dhe shqiptar, shquhet për praninë e elementeve arabe, gjë që ka për pasojë edhe diskutimet e shumta rreth natyrës mitologjikohistorike të kësaj pranie. Studiues dhe orientalistë të shumtë kanë trajtuar në punimet e tyre këtë tematikë, si:
- Rade Bogovic, në tezën e doktoratës, ‘Arabi në këngët gojore të popullit në gjuhën serbokroate’,
- Egjiptiani Dr. Xhemaluddin Sejjid Muhammed, po kështu në një tezë doktorate me titull ‘Arabët dhe frazat arabe në novelat në gjuhën serbokroate’,
- Autori i këtij punimi, në një pjesë të doktoratës, ku trajtoi ‘Lidhjet letrare shqipo-arabe…’
Toleranca e shtetit osman me vendet e Ballkanit është një fakt që dëshmohet nga shumica absolute[6]. Pavarësisht etnisë dhe përkatësisë fetare, të gjithë kanë jetuar së bashku në paqe dhe siguri: shqiptarët, serbët, boshnjakët, bullgarët, turqit, kurdët, arabët, armenët, sllavët, muslimanët, të krishterët, çifutët, fraksionet e ndryshme nga të gjitha fetë. Historia nuk ka shënuar ndonjë incident fetar gjatë kohës së sundimit osman[7].
Shteti pati përvetësuar një sistem qeverisës ku nuk shkeleshin të drejtat. Ishte sistemi i quajtur ‘Nidham el-mil-leh[8]’, i cili i nxirrte dispozitat duke u mbështetur në të drejtat e dhimmijëve (jomuslimanëve që jetonin në shtetin islam) dhe që nuk mbështetej në ide nacionaliste turko-turane[9]. Ndoshta kjo dëshmi historike mjafton për këtë të vërtetë. Në lidhje me këtë, prof. dr. Muhammed Arnauti shton: Për herë të parë, historiani Muxhiruddin
Hanbeliu, në vitin 1496, në librin e tij ‘El-Unsu-l-xhelil bi-tarihi-l-Kudsi ve-lHalil’, në kuadër të portave të Kudsit, përmend portën e serbëve ‘Bab dijeri-s-serb’, gjë të cilën shekuj më vonë, respektivisht në vitin 1701, e përmend edhe Shejh Abdul Gani Nabulsi në veprën e tij ‘El-hadretul-
unsijjeh bi-rr-rrihleti-l-kudsijjeh.’ Ajo që na intereson neve është se bëhet fjalë për shtëpi dhe vakëfe serbe gjatë shekullit të parë të sundimit otoman (1516-1616)[10].
Kësisoj, bazuar në rëndësinë që ka ruajtja e raporteve kulturore në jetën tonë publike dhe private, Islami na ka urdhëruar që të bashkëbisedojmë, ta kuptojmë njëri-tjetrin, të njihemi ndërmjet vete dhe të ndihmohemi në të mbara, pavarësisht dallimeve që kemi. Jemi urdhëruar të mbajmë lidhje njerëzore dhe t’i thërrasim në fenë tonë me dialog, diskutime, polemika, etj.
Analistët, duke pasur parasysh rëndësinë e dialogut për jetën shoqërore dhe politike, kanë thënë se (dialogu) ‘me të gjitha format, emërtimet, termat, bëhet një prej gjërave të domosdoshme të jetës dhe garantuese e vazhdimit të saj (në tokë)…’[11] Nëse janë mjeshtër të prezantimit, dialogut, argumentimit dhe sqarimit, atëherë me këtë do të lehtësohej në mënyrë të dukshme zgjidhja e problemeve dhe, praktikisht, do të ishim një hap para…[12]
Disa të tjerë e kanë konceptuar këtë përafrim si ‘marrëveshje për modusin më të madh të përbashkët, tek i cili edhe takohen.’; ‘nisje nga pikat ku pajtohemi, jo nga ato ku kemi kundërthënie, nisje nga objektivat, jo nga mjetet.’ Por, Dr. AbduRrezzak el-Mukri sqaron se pajtim të plotë nuk ka, nuk mundet (të ndodhë realisht)[13].
Për të realizuar në praktikë frytet e një bashkëpunimi të tillë, ka njerëz që besojnë se duhet funksionalizuar roli i dijetarëve dhe hulumtuesve në udhëheqjen e shtetit, rolin e OJQ-ve dhe instituteve kulturore e shkencore, (duhet funksionalizuar çështja e) të diskutuarit për interesat e përgjithshme si temë në vete dhe se dialogu, nëse ndërtohet mbi respektin reciprok, diskutimin dhe frymën shkencore, pa pasuar epshin apo pa shfaqur fanatizëm, atëherë kjo, me lejen e Allahut, do të ketë efekte pozitive[14].
Ndryshe, fanatizmat, grupimet, imitimet e verbra, denigrimi, partizimi janë gjëra që e detyrojnë ummetin ta rishikojë veten, të planifikojë strategji dhe programe për t’u rikthyer tek vetja, për të dialoguar me veten, për të shtrirë urat ndërmjet rrënjëve dhe ëndrrave të tij të shpërndara (realizimin e të cilave e dëshiron).
Këtu ka dhe një çështje tjetër, konsideroj shumë të rëndësishme, të cilën duam ta shtjellojmë. Fjala është për të startuar në dialogun tonë me tjetrin nga njohuritë tona për të, për elementet që përbëjnë kulturën e tij, dhe jo nga ajo që ne duam dhe shpresojmë të jetë ai. Dialogu me tjetrin nuk mund të paramendohet përderisa ne nuk e kemi pranuar atë, ndërsa kjo, pra pranimi se ai ekziston dhe se ka bindjet dhe idetë e tij, nuk nënkupton se ne i miratojmë dhe pajtohemi me to.
Kushdo që shfleton historinë pejgamberike do të gjejë shembuj të shumtë dhe të shkëlqyer të dialogut të pejgamberit Muhammed [alejhis salatu ves selam] me armiqtë e tij. Madje, nëpërmjet negociatave dhe diskutimeve, janë arritur edhe një sërë marrëveshjesh, kartash dhe pikash të përbashkëta të rëndësishme. Karta e Medinës, në lidhje me banorët e saj, ndër të cilët kishte dhe çifutë, ‘Marrëveshja e Hudejbijes’ me idhujtarët[15] dhe shumë të tjera, nuk janë tjetër veçse dëshmi për pranimin e këtij realiteti, i cili nuk ka ngelur në formalitet porse është jetësuar edhe në praktikë, në kuptimin e dialogut të përbashkët[16]. Por, këto ura nuk do të shtrihen kuturu, ashtu siç kanë bërë disa muslimanë në disa vende arabe, në Magrib (Marok) p.sh., ku kanë bashkëpunuar me koret muzikore të misioneve të krishtera amerikane, me pretekstin se muzika është gjuha e dialogut për të gjitha fraksionet fetare, pa përjashtim[17].
Sa shumë i përshtatet mentalitetit serbo-ortodoks thënia: “Ithtarët e vizioneve të mbyllura, trashëgimia dhe vlerat e të cilëve nuk posedojnë edhe hapësirën për diversitet, janë të paaftë kulturalisht për të organizuar dialog, edhe nëse pretendojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo, ngase ata mendojnë se konflikti është mënyra e vetme e heqjes qafe të tjetrit, zbutjes dhe nënshtrimit ndaj zotërisë së pushtetshëm.”19 Ata qenë mashtruar nga ballafaqimi me boshnjakët dhe shqiptarët duke menduar se filozofia e tyre së shpejti do t’i jepte frytet, por harruan se pas këtij ballafaqimi fshiheshin pasoja të rënda, ndërsa ‘mësimi merret nga përfundimet (rezultatet).’
Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
BARRIERAT E DIALOGUT DHE SHKAQET E DËSHTIMIT TË TIJ NË KOHËN BASHKËKOHORE(përvoja e Kosovës me serbët si shembull)
[1] Muhammed Mufak Arnauti është me origjine shqiptare. Ka lindur në Damask, në një familje të shpërngulur nga Kosova. Studimet i kreu në Universitetin e Damaskut, në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe. Kreu magjistraturën në histori, ndërsa doktoratën e mbaroi në Universitetin e Prishtinës, në letërsinë krahasimtare. Një kohë ka punuar në Departamentin e Orientalistikës në UP. Është autor i shumë studimeve dhe hulumtimeve përkitazi me çështje arabe jugosllave, si: Muhtarat min’esh-shi’ri’-l- albanijjil-muasir (Përzgjedhje nga poezitë bashkëkohore shqipe); Dirasat el-Islam fi’-l-balkan (Studimet islame në Ballkan). Aktualisht punon në Institutin Bejtu’l hikmeh në Universitetin Al el-Bejt, në Amman, Jordani. Disa prej punimeve më të rëndësishme të tij: Eth-thekafetu-l-albanijjetu fi’l-ebxhedijjeti-l-arabijjeh (Kultura shqiptare në abecenë arabe), Kuvajt, 1983; Tarihu Belgrad el-Islamijjeh (Historia islame e Beogradit), Kuvajt, 1987; Melamih arabijjeh islamijjeh fi-l-edebi-l-albanijj (Tipare arabo-islame në letërsinë shqipe), Damask, 1990; El-Islami fi Juguslafija min Belgrad ila Sarajefu (Islami në Jugosllavi, nga Beogradi e deri ne Sarajevë), Amman, 1993; Dirasat fi’t-tarihi-l-hadarijj lil-Islam fi-lBalkan (Studime në historinë kulturore të Islamit në Ballkan), Tunis – Dubai, 1996; Kusufu – Kusufa bu’retu=n-nizai-l-albanijji-s-serbijj fi-l-karni-l-ishrine (Kosovo – Kosova fokus i konfliktit shqiptaro-serb në shek. XX), Kajro, 1998.
[2] Ismajtsh, Abdullah, Es-Sirau fi Juguslafija ve mustakbelu-l-muslimine, Ma’hed ed-dirasat es-sijasijjeh, përktheu: Saib Alavi, (Islamabad, ed.1), f. 10-60.
[3] Arnauti, Muhammed Mufak, Mudahalat arabijjeh – balkanijjeh fi’t-tarihi-l-vesit ve-l-hadith, Ittihadu-l-kitabi-l-arab, ed.1, 2000, Damask, f. 5.
[4] Ibid, f. 6.
[5] Ibid, f. 6.
[6] Mbreti i Francës ia kishte vënë Sulltan Sulejman Kanuniut, për hir të tolerancës së tij, epitetin ‘Mbrojtësi i katolikëve në trojet islame.’ Shih: Beni el-Merxheh, Muveffak. (1999) Sahvetu-rr-rrexhuli-l-merid – es-Sultan Abdul Hamid II ve-l-hilafetu-l-islamijjeh. Bejrut: Muessesetu-rr-rrejjan – Daru-l-bejarak. Ndërsa për njohuri më të shumta rreth temës në fjalë shih: Salabi, Ali Muhammed. (2001) Ed-Devletu el-uthmanijjetu – avamil en-nuhud ve esbab es-sukut. Kajro…; Beg Halim, Ibrahim. Tarihu-d-devleti-l-uthmanijjeti-l-alijjeh. Bejrut: Muessesetul kutub eth-thekafijjeh; Harb, Muhammed. (1999) El-Uthmanijjune fi-t-tarih ve-l-hadareh. Damask: Darul kalem. Ajo që ia vlen të theksohet këtu është se autori përmend tolerancën si një prej shkaqeve të rënies së perandorisë osmane, kuptohet për shkak të keqpërdorimit (tradhtisë) së të krishterëve dhe komploteve të tyre ndaj shtetit islam.
[7] Ibid.
[8] Për përpjekjet e misionarëve të krishterë dhe orientalistëve për shkatërrimin e këtij nidhami, shih referencën paraprake, f. 165-176.
[9] Harb, Muhammed. Sulltan Abdul Hamid II – ahiru-s-selatin el-uthmanijjine el-kibar. F. 110-111.
[10] Arnauti, Muhammed. Mudahalat arabijjeh balkanijjeh. F. 19-38.
[11] . Shih: El-Hivar, edh-dhat, el-ahar të Dr. Abdu-s-Settar Ibrahim Hitit, libër i nxjerrë në kuadër të serisë Kitabul Ummeh nga Ministria e Fesë në Shtetin e Katarit.
[12] Ibid. Shih edhe: Selman Aude, Edebu-l-hivar, ku autori përmend tri rregulla të rëndësishme sa i përket dialogut: 1. Përcaktimin e temës së dialogut 2. Diskutimin për çështjet kyçe, jo ato sekondare, 3. Pajtimin për një bazë, të cilës i referohet (dialogut). Për më shumë shih: www.islamtoday.net
[13] Ibid.
[14] Këtë gjë e diskutuan edhe liderët e gjashtë vendeve të Evropës Juglindore (Bosnja, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bullgaria) në një Samit të përbashkët të organizuar në Tiranë nga UNESCO. Pjesëmarrës, përveç liderëve ishin edhe më shumë se njëqind diplomatë të huaj, gazetarë dhe analistë. Që të gjithë u dakorduan për nevojën e dialogut, si çelës i vetëm i përmirësimit të raporteve ndërmjet popujve ballkanikë. Shih: www.albnet.gr/alba/11dhjetor.htm
[15] Dr. Mustafa As-Sibaa’ie, The life of prophet Muhammad – Highlights and Lessons, International Publishing House, 1st edition, 2004, Riyadh, Saudi Arabia, 68-70.
[16] Ibid. Shih edhe: A building Bridges between Islam and the West, The Wilton Park Seminar, Wilton Park, West Sussex, december 13, 1996. www.bbcworld.com. Po kështu shih edhe këtë artikull të rëndësishëm: Building bridges between christianity and ther religions. www.intervarsity.or/ism/article/105
[17] Shih: Building a brige between faiths in highly muslim kation, www.cbn.com 19 Kjo është ajo që bënë serbët me shqiptarët muslimanë në shek. e XX-të. Këtë qëndrim dëshpërues të Evropës karshi muslimanëve ballkanas, dhe në veçanti karshi atyre shqiptarë, do të mundohemi ta vërtetojmë në pjesë tjera të këtij punimi. Shih: El-Hivar, edh-dhat, el-ahar të Dr. Abdu-s-Settar Ibrahim Hitit, libër i nxjerrë në kuadër të serisë Kitabul Ummeh nga Ministria e Fesë në Shtetin e Katarit.