MESATARJA, EKUILIBRI DHE MATURIA SI HAPAT MË TË DUHUR TË TRAJTIMIT TË TERRORIZMIT

0
171

 

Për ta luftuar dukurinë e shëmtuar të terrorizmit, të rinjve tanë dhe të gjitha instituteve akademike dhe shkencore, ua ofrojmë “mesataren, ekuilibrin dhe maturinë” si ilaç dhe bar konkret. Në fakt, ne i ftojmë ata që të përvetësojnë parimin e mesatares në besim, adhurim, sjellje, raporte, mendime dhe në të gjitha gjërat që kanë të bëjnë dhe lidhen me ta, sikur që iu propozojmë t’i shmangen tërësisht radikalizmit, ekstremizmit dhe vrazhdësisë, me të gjitha format dhe ngjyrat që kanë.

E se ç’rëndësi ka ky ilaç shërues dhe se ç’pozitë ka në jetën dhe besimin tonë e mësuam pak më parë nga fjalët e Shejhul Islam Ibni Tejmijes, sikurse që nga libri i Tij el-Vesijjetu-l-Kubra mësuam për atë se si Islami shquhet për ruajtjen e mesatares në të gjitha ligjet dhe normat e tij. Ndërsa në vijim do të vazhdojmë me metodologjinë pejgamberike përkitazi me mesataren dhe prezencën e saj në të gjitha poret e jetës, në mënyrë që të jemi të vetëdijshëm për veprimet tona.

 

PEJGAMBERI (ALEJHI’S SELAM) NA FTON NË METODOLOGJI MESATARE DHE TË MODERUAR

Shprehjet dhe frazat, të cilat Pejgamberi (alejhi’s selam) dhe dijetarët e gjeneratave të para të selefive, i kanë përdorur për të shprehur nevojën e mbajtjes së parimit të mesatares janë të ndryshme dhe të shumta. Në sunnet ne gjejmë raste dhe forma të ndryshme. P.sh.

…të butë, të lehtë[1]”,

…por mëtojeni të qëlluarën dhe afrohuni (mos shfaqni ekstravagancë në adhurim) [2]”,… [3]

Rrugën e mesme (maturinë) [4]”,

Përmbajuni një udhëzimi (qëndrimi fetar) të matur! [5]”,

…ngase atij që i thyhet udha, as rrugën s’e mbaron dhe as kafsha (udhëtuese) nuk i mbetet gjallë (ngordh nga lodhja)[6]”,

Janë shkatërruar ekstremistët (e tha tri herë)! [7]”,

…faluni sa ta ndieni veten se keni vullnet dhe jeni aktivë[8]”,

Nuk do ta sfidojë askush fenë e të mos sfidohet[9]”,

por unë agjëroj dhe ha[10]”,

…e hadithe të tjera të shumta që janë thënë në kontekst të zbatimit të mesatares  dhe maturisë në fjalë dhe vepra.

Ndërsa nga ato që kanë përmendur të parët tanë, selefitë, e që kanë të bëjnë me ruajtjen e mesatares, veçojmë:

Nuk ka tejkalim kufijsh të asnjërës anë (as në veprim dhe as në neglizhencë)”,

Ideja e ekzagjeruar”,

Zemërmirë dhe i butë (sjellshëm)”,

Maturi në adhurim”,

Largimi i vështirësisë nga ky ummet”,

Baraspeshimi dhe maturia”,

…e fraza të tjera të ndryshme që inspirojnë për nevojën e zbatimit të parimit të mesatares dhe maturisë në adhurim dhe në marrëdhëniet (raportet) me njerëzit.

Imam Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre se Pejgamberi (alejhi’s selam) ka thënë:

Pastaj, feja është e lehtë dhe askush nuk do ta sfidojë atë (të mundohet të bëjë shumë adhurim) e të mos sfidohet, por ju mbajuni të vërtetës, (pa tejkalim kufijsh[11]), (e nëse nuk mundeni ta bëni atë më të mirën,) atëherë – të paktën – mundohuni të jeni afër saj. Dhe përgëzohuni![12]

Bejhekiu, në Sunenin e tij, përmend një hadith tjetër nga Xhabir Ibn Abdullahu, ku thuhet se Pejgamberi (alejhi’s selam) ka thënë se:

…Pastaj, kjo fe është e fortë, andaj hyj në të me butësi, dhe mos ia bëj të urryer vetes adhurimin për Zotin, ngase atij që i thyhet udha, as udhën s’e përfundon dhe as kafsha s’i shpëton. [13]

Domethënia e: “ولن يشادَّ الدينَ أحدٌ askush nuk do ta sfidojë këtë fe” ka kuptimin: nuk ndodh që dikush të krijojë marrëdhënie me fenë me të fortë e të mos e mundë feja atë (ai të mos mundet t’ia dalë adhurimit në fund). Përfundimisht, domethënia e hadithit është: Askush të mos i tejkalojë kufijtë e normales dhe të mos dalë nga suazat e maturisë! [14]

Sahabët e Resulullahit (alejhi’s selam) tërhoqën vërejtjen për ekstremizmin

Imam Hejthemiu, në Mexhmeu’z Zevaid, përmend se Abdullah Ibni Mes’udi ka thënë: “Pasha Atë, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër, nuk kam parë dikë më të ashpër ndaj ekstremistëve sesa Pejgamberi (alejhi’s selam). Pas tij, nuk kam parë dikë më të ashpër ndaj tyre sesa Ebu Bekri dhe unë mendoj se Omeri ka qenë njeriu që ka pasur më së shumti frikë për ta në sipërfaqen e dheut.” [15]

Pejgamberi (alejhi’s selam) na tërheq vërejtjen që të ruhemi nga ekstremizmi dhe vrazhdësia si dhe na ofron modelin mesatar:

Fundi i ekstremistit është shkatërrimi

Imam Muslimi transmeton në Sahihun e tij se Pejgamberi (alejhi’s selam) ka thënë:

Janë shkatërruar mutenettiunët (ekstremistët, ata që kalojnë kufijtë) – duke e përsëritur tri herë këtë gjë.” [16]

Edhe Ebu Davudi shënon ngjashëm në Sunenin e tij:

Vini re! Janë shkatërruar mutenettiunët (ekstremistët, ata që kalojnë kufijtë) –  tri herë (e përsëriti këtë gjë).” [17]

Imam Neveviu, në komentin e këtij hadithi, ka thënë: Shprehja “Vini re!” është për vigjilencë, për të tërhequr vëmendjen, ndërsa “mutenettiune” nënkupton ekstremistët, ata që i kalojnë suazat e normales në fjalët dhe veprat e tyre.

Mesatarja në çështjet e adhurimit

Imam Buhariu, në Sahihun e tij, sjell rrëfimin e Zejnebes (Allahu i Madhëruar qoftë i kënaqur me të), të transmetuar nga Enes Ibn Malik, i cili thotë:

…Pastaj Pejgamberi (alejhis selam) hyri në xhami, kur ja një litar i shtrirë ndërmjet dy shtyllave. Si është puna e këtij litari?!- pyeti me habi. Është litari i Zejnebes, e cila kur përgjumet lidhet (mbahet) pas tij. Jo, zgjidheni! – urdhëroi Pejgamberi, alejhis elam, (ngase kjo nuk kërkohet, por) le të falet ndonjëri prej jush për aq kohë sa ndien gjallëri, është aktiv, e kur të përgjumet, le të ulet (të mos falet.)[18].

Imam Buhariu, po kështu, transmeton edhe hadithin e Hisham Ibn Urve-s, i cili e ka dëgjuar atë nga babai i tij, e ky i fundit e ka dëgjuar Aishen të thotë:

…Ishte tek unë një grua nga fisi Beni Esed. Kur erdhi Pejgamberi (alejhis selam) dhe e pa, pyeti për të. I thashë: Filania, nuk fle gjatë natës dhe namazi i saj përmendet. Pejgamberi (alejhis selam) tha: Le të heqë dorë nga kjo formë adhurimi! Kryeni ato punë që mundeni, ngase Allahu nuk lodhet (ndien monotoni[19]) derisa ju të lodheni (ndieni monotoni) nga adhurimi….”[20]

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

MANIFESTIMET E MESATARES NË AJETET KUR’ANORE DHE HADITHET PEJGAMBERIKE SI DHE NDIKIMI I TYRE NË REALIZIMIN E INTEGRIMIT DHE UNITETIT TË UMMETIT

 


[1]  Buhariu, pj. 5, f. 2373.

[2] Për më shumë shih kuptimin e këtij hadithi në fusnotën 43 në këtë punim. Përkthyesi.

[3]  Buhariu, pj. 1, f. 23.

[4]  Buhariu, pj. 5, f. 2373.

[5]  Sunen Ibni Maxheh, pj.1, f. 240, nr. i hadithit: 3348.

[6]  Buhariu, pj. 3, f. 377.

[7]  Muslimi, pj. 4, f. 2055, nr. i hadithit: 2670.

[8]  Buhariu, pj. 1, f. 386, nr. i hadithit: 1099.

[9]  Buhariu, pj. 1, f. 23.

[10]  Buhariu, pj. 5, f. 1949, nr. i hadithit: 4776.

[11]  Këtë domethënie e kanë aluduar edhe ajetet kur’anore: el-Hazab, 70 & en-Nisa, 9.

[12]  Buhariu, pj. 1, f. 23.

[13]  Buhariu, pj. 3, f. 377.

[14]  Fet’hu-l-Bari sherhu Sahihi-l-Buhari, pj. 8, f. 122.

[15]  Hethemiu, Mexhmeu-z-zevaid ve menbeu-l-fevaid. Bajrut: Daru-l-kitabi-l-arabijj. Pj. 10, f. 251.

[16]  Muslimi, pj. 4, f. 2055, nr. i hadithit: 2670.

[17]  Sunen Ebi Davud, pj. 4, f. 201, nr. i hadithit: 4608.

[18]  Buhariu, pj. 1, f. 386, nr. i hadithit: 1099.

[19] Në koment të këtij hadithi dijetarët kanë tërhequr vërejtjen se ai është tekst që vërteton këtë cilësi të Allahut, por asnjëherë dhe me asnjë kuptim a domethënie të krijesave. Ajo nuk është cilësi që shpreh mangësi, të metë; ajo është ashtu siç i ka hije Madhërisë së Allahut Fuqiplotë. Përkthyesi. (http://www.islamqa.com/ar/ref/136566)

[20]  Buhariu, nr. i hadithit: 1100.