NATYRA E DYSHIMEVE TË GOLDZIHERIT NDAJ KIRAETEVE DHE LEXUESIT TË KUR’ANIT

0
383

 

Për kohë të gjatë jemi marrë me dyshimet e Goldziherit, të cilat i ka parashtruar për kiraetet e Kur’anit në dy kapitujt e librit të tij Doktrinat e interpretimit të Islamit, përkatësisht në faqet 3-72.

Pas shqyrtimit dhe analizimit të tyre në detaje dhe pas përfshirjes së një pjese të tyre në kuadër të planprogrameve të studimeve master[1], kemi ardhur në përfundim se klasifikimi i tyre mund të bëhet si më poshtë:

  • Dyshime mbi besueshmërinë e revelatës kur’anore të shpallur me kiraete të ndryshme, krahasimin e tyre me tekstet e dhiatës së vjetër dhe mbështetjen në burime hebreje[2].
  • Kritikë e akuza përkitazi me besueshmërinë e elementit historik, përkatësisht periudhës historike të shpalljes, tubimit dhe shumëzimit të Kur’anit[3].
  • Kritika dhe akuza përkitazi me shokët e Pejgamberit ﷺ dhe besueshmërinë e tyre në përcjelljen e Kur’anit. Tre nga Sahabet e apostrofuar prej tij janë: Ubej bin Ka’bi r.a., Abdullah bin Mes’udi r.a., dhe Zejd bin Thabiti r.a.[4]
  • Dyshime përkitazi me çështje të kredos islame[5] dhe provokimin e debateve ndërmjet Ehlu Sunnetit dhe disa grupeve fetare, si mu’tezilitët, shiitët[6], etj.
  • Dyshime përkitazi me aspekte gjuhësore dhe gramatikore, nëpërmjet shpalosjes së dallimeve ndërmjet basrasëve dhe kufasëve[7].
  • Dyshime përkitazi me çështje të fikhut, si: lejimi i martesës mut’ah, justifikimi i mes’hit të këmbëve në abdes[8].
  • Mbështetja në kiraete të refuzuara, të cilat nuk përputhen me resmin uthman[9] dhe nuk janë mutavatire.
  • Mbështetja në transmetime ahad dhe shadh të cilat ndeshen me transmetimet tevatur [10].
  • Mbështetja në disa tekste të rralla të disa dijetarëve myslimanë, veçmas në tefsiret e Taberiut dhe Zemahsheriut, pastaj thirrja në Kadi Shurejhun, Dahhakun, Seid bin Musejjibin[11].
  • Mbështetja në interpretimet personale të disa Sahabëve, të cilat i kishin shkruar në kopjet personale të Kur’anit për ta pasur të qartë kuptimin e ajetit. Goldziheri këto interpretime i ka marrë si kiraete të Sahabëve.[12]
  • Dyshime përkitazi me hadithet e Pejgamberit ﷺ duke i përshkruar si të papërputhshme dhe kontradiktore ndërmjet vete, madje gjithnjë sipas tij, edhe më kontradiktore se Kur’ani. Po ashtu edhe mbështetja te disa prej qëndrimeve të Pejgamberit ﷺ, si p.sh., mërzia për humbjen e romakëve të krishterë përballë persianëve zjarrputistë. Këtë e ka bërë duke iu referuar një kiraeti ahad, i cili i atribuohet Aliut r.a. dhe Ebu Seid Hudriut r.a., dhe sipas të cilit, ajetet 2 dhe 3 nga kaptina Rrum lexohen: “غَلَبَتِ الرومُ”- “Kanë triumfuar bizantinët!” dhe“وهم من بعد غَلَبهم سيُغْلَبون” – “por ata pas thyerjes së tyre, me siguri do të munden”[13]. Për ta dokumentuar kinse qëndrimin e tij, ka hulumtuar për kiraete shadhe, si këto që i përmendëm, pas të cilave ka dalë me konstatimin e tij të marrë: “…dy lexime dhe dy interpretime të një fjalie të vetme nga fjalët e Zotit (Kur’ani), e të cilat janë kundërthënëse në mes vete sa s’bën[14].
  • Përpjekje e dështuar për t’i mbrojtur dhe justifikuar sektet dhe grupet devijante dhe idetë e qëndrimet e tyre. Këtë e ka bërë me pretekstin se në librin e tij, çdokush mund ta gjejë atë që kërkon. Këtë e ka bërë duke ngre paralele ngjashmërie ndërmjet dallimeve në kiraete me dallimet e sekteve hebreje dhe të krishtera me tekstet e librave të tyre të shtrembëruar (versionet e shumta të Biblës). Shih për këtë qëllim edhe e ka hapur librin e tij me një thënie të një teologu të krishterë, Peter Werenfels[15], e madje ka shkuar aq larg saqë konsideron se përkthimet e Dhiatës së Vjetër janë më cilësore gjuhësisht dhe metodikisht se kiraetet kur’anore[16].
  • Thirrja e padenjë dhe larg kritereve shkencore e akademike në dijetarët myslimanë. Këtë mund ta gjejmë tek thirrja e tij, në mendimet dhe qasjet e Imam Sujutit, Allahu e pastë mëshiruar![17]
  • Mbështetja në referenca dytësore dhe jo të besueshme, si fjala vjen librin El-hajevan të Xhahidhit[18], pastaj kërkimit dhe hulumtimit për transmetime dhe rrëfime të çuditshme e të refuzuara në disa referenca historike dhe gjeografike, si libri Mu’xhem el-buldan të Jakut Hameviut, Itkan të Sujutit, Tedhkiretu el-Hufadh të Dhehebiut, etj. Goldziheri i referohet disa rrëfimeve fyese dhe përbuzëse që i bëhen Kur’anit dhe leximeve të tij, si p.sh., rrëfimi për një përqeshës e fyes të Kur’anit nga radhët e kurdëve në Irak, i cili ajetin kur’anor: “الأعراب أشد كفراً ونفاقاً” –“Beduinët janë mohuesit dhe hipokritët më të mëdhenj (se tjerët)…[19] e lexon duke e ndërruar fjalën -arab me -kurd: “الأكراد أشد كفراً ونفاقاً” -–“Kurdët janë mohuesit dhe hipokritët më të mëdhenj (se tjerët)…” Kur ky tallës e përqeshës qe ndaluar nga ky veprim i gabuar, kishte thënë: Allahu nuk ka shkuar në Sharizor (vendbanimin e tij) që ta dijë gjendjen e kurdëve atje![20]

I pastër nga të metat është Allahu!

Sa fjalë të rëndë që ka thënë!

Padyshim, një fjalë e tillë konsiderohet mëkat i madh, që njeriut ia humb përkatësinë islame. Pra, i tillë konsiderohet të ketë dezertuar nga feja, sepse kështu gjykohet tallja me fenë dhe mësimet e saj.

  • Fokusimi tek rastet e kurrave apo lexuesve të njohur për lexime të refuzuara nga komuniteti mysliman. Goldziheri i është referuar Ibën Shenbudhit[21] dhe Ibën Mukle Ebi Bekir Attarit[22], të cilët për leximet e tyre të gabuara janë ndëshkuar e madje publikisht janë penduar dhe kanë shpallur se nuk i mbrojnë më ato lexime. Leximet e tyre në fakt nuk kanë qenë as shadhe sepse nuk kanë pasur asnjë transmetim, kanë qenë thjeshtë shpifje e sajime[23].
  • Akuzimin e qeverive dhe pushtetarëve të asaj kohe se, duke mos lejuar leximet e gabuara, ata kinse po penguakan të drejtat e njerëzve (për t’u shprehur) [24].
  • Në metodologjinë e Goldziherit vërehet çekuilibër i madh. Njëherë e gjen tek hedh dyshime e akuza duke u shërbyer me transmetime të pasakta, siç do të shohim në pjesën në vazhdim kur të flasim për vokabularin e tij dyshues, e herën tjetër e gjejmë tek ngrit në qiell metodologjinë e dijetarëve myslimanë, veçmas lexuesve të dalluar për mjeshtërinë dhe profesionalizmin e të cilëve nuk ngurron të flet në shkallën superiore. Vërtetë, shumë kundërthënës! Ja disa prej frazave dhe shprehjeve që ka përdorur për lexuesit e njohur të Kur’anit: “lexues të besueshëm”; “të pranuar”; “lexues ekspertë”; “leximet e lexuesve në të cilat mbështetet [25]; “Kur’ani ofron kriter të saktë të përdorimit arab dhe jo anasjelltas [26]”; “e ka lexuar një grup prej lexuesve të besueshëm[27]; “lejimi i vërtetimit të ndonjë tefsirin / interpretimi në mus’hafe edhe nëse nuk e beson për Kur’an[28]; “nuk ka pajtuar askush prej lexuesve të besueshëm[29], etj.
  • Goldziheri ka dhe një problem tjetër. Ofiqet dhe titujt që iu jepen dijetarëve të pranuar, i përdorë edhe për lexuesit, të cilët nuk janë të pranuar dhe madje as të njohur. P.sh., i referohet Dahhak bin Muzahimit për një lexim duke e cituar si një prej lexuesve të besueshëm[30] dhe të pranuar ndërsa ai as nuk është i njohur dhe aq më pak të jetë lexues i besueshëm e i pranuar.
  • Mbështetje e parezervë e të gjithë atyre që kanë kundërshtuar Ehlu Sunnetin dhe kanë ndjekur rrugë tjetër në fushat fetare e politike. Qasja e tij plot dhembshuri karshi dijetarëve që kanë përvetësuar qasje të ndryshme ose thënë më mirë të refuzuara duke u shfaqur si prind i dhembshur, si vendstrehim dhe çerdhe e ngrohtë për ta, dhe këtë pavarësisht se prej cilave fusha shkencore kanë ardhur. Kur u bë ujku i mëshirshëm me kopenë?! Kushdo që e shfleton historinë e kupton se këtu prapa këtij imazhi të dhembshurisë fshihet ujku i vërtetë. A nuk janë kolonizuesit francezë, britanikë e amerikanë, ata që me pretekste të këtilla të dhembshurisë e ndërhyrjes kinse në emër të vlerave e humanizmit kanë pushtuar vendet islame! A nuk janë ata që me parimin djallëzor “përçaj e sundo” vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë edhe sot e kësaj dite. Goldziheri ka përdorur këtë metodologji për ta mbjellë farën e përçarjes në mesin e myslimanëve dhe për të hedhur dyshime në burimet e tyre kryesore, Kur’an dhe Sunnet, dhe këtë gjatë tërë jetës dhe në të gjitha veprat e veta[31].
  • Justifikimin dhe arsyetimin e leximeve të dobëta dhe të papranuara, duke iu referuar aspekteve gjuhësore dhe retorike e duke injoruar me apo pa qëllim[32] mënyrat dhe metodat e retorikës kur’anore. P.sh., duke iu referuar ajetit 9 nga kaptina Huxhurat: “وَإِن طَائِفَتَانِ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ اقْتَتَلُوا فَأَصْلِحُوا بَيْنَهُمَا”, ai mundohet ta dokumentojë kinse shpërputhjen që ekziston ndërmjet rregullave të gramatikës së arabishtes dhe ajeteve kur’anore. Më saktë, fjalën iktetelu, që ka ardhur në shumës, e lexojnë ndryshe, gjegjësisht ikteteleta (اقتتلتا) sipas Ibën Ebi Ables ose iktetela (اقتتلا) sipas leximit të Ubejd bin Umejrit, për faktin se, gjithnjë sipas tij, përemri i shumësit në fjalën iktetelu është në gjininë mashkullore, përderisa bëhet fjalë për taifetani që është në gjininë femërore duhet të jetë shumës i gjinisë femërore, pra kështu siç e kanë lexuar Ibën Ebi Able apo Ubejd bin Umejri[33].
  • Tallja me leximet kur’anore duke i konsideruar se janë material zbavitës. Goldziheri i referohet disa rrëfimeve fantastike në shkresën e poetit Ebu el-Ala el-Mearri drejtuar shokut të vet, Ibën Mensurit: “Xheneti dhe xhehenemi sikur janë dy shokë, që ecin në xhennet dhe bisedojnë me njëri-tjetrin duke u çuditur e pyetur për fatin e poetëve në ferr (shumica e të cilëve janë në xhehenem)…. Pastaj se si ata kishin parë në Firdeus, poetë nga periudha paraislamike, poetë idhujtarë, të cilët dëfreheshin me të mirat e Xhenetit, ngase Zoti i kishte falur për vargjet që kishin thurur për moralin e mirë dhe fenë e pastër. Ndërsa bisedonin dhe shëtisnin, dy shokët arrijnë tek një kopsht i bukur në të cilin shohin gjarpërinj që bisedonin me gaz e hare…!! Xhinët, në formë të gjarpërinjve, paskëshin prezentuar në mësimet e disa dijetarëve. Pas vdekjes së Hasan Basriut, ata shkuan në shtëpitë e lexuesve të Kur’anit, përkatësisht në shtëpitë e Ebu Omer bin Alaut dhe Hamza bin Habibit, prej të cilëve mësuan detaje interesante dhe të çuditshme të kirateve.”

Sigurisht, qëllimi i tij ishte të tallej e përqeshej me kiraetet dhe kuratë[34].

Në fund të këtij klasifikimi të dyshimeve më duhet të shtoj diçka. Allahu i mëshiroftë dhe i faltë dijetarët tanë të mëdhenj si Taberiu, Zehmasheriun, Jakut Hameviu, Xhahidhi, Sujuti, e të tjerë, të cilët hapën derën e transmetimeve shadhe, qoftë në fushën e kiraeteve qoftë në fusha tjera, të cilët, me gjithë qëllimin e mirë që kishin, ofruan material helmues për armiqtë dhe dashakëqijtë e Kur’anit, Sunetit dhe historisë e civilizimit islam.

Mundi dhe angazhimi i tyre është keqpërdorur nga këta dashakëqij për ta sulmuar fenë dhe për t’i përbaltua mësimet e saja. Do të kishte qenë shumë me e rrugës sikur mos t’i përmendnin fare këto transmetime të pavlera, edhe nëse kanë ekzistuar praktikisht, sepse jo çdo gjë që dihet thuhet, dhe se kështu sikur po tërhiqe një paralele krahasimi e ngjashmërie ndërmjet tyre dhe ndërmjet transmetuesve të rrëfimeve të rremë e israilijateve.

 

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

KIRAETET E KUR’ANIT (ndërmjet pikëpamjes hebreje dhe islame) Abdul Fettah el Kadi dhe Ignaz Goldziheri sy më sy

 


[1] Në Fakultetin e Studimeve Islame, në Universitetin Hamad bin Halife, në Katar, si profesor vizitor, në vjeshtën e vitit 2017.

[2] Shih librin e tij Medhahib et-tefsir el-islamij, f. 12; 32; 36; 53, ku edhe pretendon se shtatë hurufet janë të ngjashme me gjuhët e Teuratit, i cili sipas tij është shpallur në shumë gjuhë.

[3] Po aty, f. 46, 47.

[4] Po aty, f. 18, 19, 45.

[5] Shih: Medhahib et-tefsir el-islamij, f. 22, 23.

[6] Po aty, f. 14, 44.

[7] Po aty, f. 41, 42, 43, 46, 47.

[8] Po aty, f. 14, 23.

[9] Resmi Uthman është forma dhe mënyra e përvetësuar nga halifeja Uthman bin Affani r.a., dhe e miratuar nga Sahabet për shkrimin e fjalëve të Kur’anit dhe përshkrimin e germave të tij në mus’hafet të cilat i dërgoi gjithandej botës së atëhershme islame. Përkthyesi.

[10] Po aty, f. 22, 23, 58.

[11] Po aty, f. 27, 28, 29.

[12] Po aty, f. 37, 38, 39.

[13] Ndërsa sipas leximit mutevatir është: “وَهُم مِّن بَعْدِ غَلَبِهِمْ سَيَغْلِبُونَ” – “…por ata pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë.” Dr. Abdul Fettah Kadiu ka shpjeguar se leximi i lartëpermendur nuk është i pranueshëm nga dhjetë Imamët, e madje nuk është as nga leximet shadhe që i atribuohen katër Imamëve tjerë, dhe rrjedhimisht refuzohet. Shih: El-kira’at fi nadhari el-musteshrikine, f. 122.

[14] Po aty, f. 30, 31, 44.

[15] Po aty, f. 1, 31.

[16] Shih këtë në librin Medhahib et-tefsir, f. 5-72.

[17] Po aty, f. 32.

[18] Po aty, f. 62.

[19] Kur’ani: Teube: 97.

[20] Medhahib et-tefsir, f. 63.

[21] Ibën Shenbudhi ka qenë Imam i irakianëve në kiraet. Ka vdekur në vitin 328 h. Ai nuk ka ndjekur linjën tevatur në kiraet, prandaj leximet e tij janë shadhe dhe të papranueshme.

[22] Attari është pjesë e shkollës së Ibën Shenbudhit. Ka vdekur në vitin 354 h. Shih: El-kira’at fi nadhari el-muesteshrikine, f. 180.

[23] Medhahib et-tefsir, f. 65, 66, 67.

[24] Po aty, f. 64, 65.

[25] Medhahib et-tefsir, f. 64, 66.

[26] Po aty, f. 6.

[27] Po aty, f. 68.

[28] Po aty, f. 10.

[29] Po aty, f. 37.

[30] Po aty, f. 47.

[31] Medhahib et-tefsir, f. 37.

[32] Po aty, f. 65, 66, 67. Ka justifikuar dhe mbrojtur madje ata që njiheshin për kiraete shadhe, si Ubejd bin Umejrin, Ibën Ebi Ablen, Ibën Shenbudhin, etj.

[33] Dijetarët dhe mufessirët e mëdhenj kanë shpjeguar se sekreti i këtij përdorimi qëndron në kuptimet madhështore që fshihen në këto shprehje, por edhe në vet aspektin tekstual të tyre. Më qartë, është thënë se kur grupet përplasen ndërmjet vete është e vështirë t’i dallosh, prandaj edhe janë përmendur në shumës, përderisa në rastet kur bëjnë paqe, dallojnë andaj edhe është përmendur në dysi. Shih: El-kiraat fi nadhari el-musteshrikine, f. 199. Kështu ka thënë edhe Alusi: “Iu është referuar në shumës për shkak se secili grup në vete janë shumë, dhe, se kur fjalosen a kacafyten, përzihen, kështu që iu drejtohet të gjithëve në shumës ndërsa kur bëjnë paqe, dallohen, andaj ndahen në dy grupe dhe iu është referuar në dysi.” Shih: Tefsir Alusi, vëll. 26.

[34] Medhahib et-tefsir, f. 70, 71, 72.