NJË PREJ MËNYRAVE TË MIRËSISË NDAJ PRINDËRVE 

0
446

 

Muhamedi a.s. ka thënë: “Është mirësi që njeriu të sillet mirë me shokët e babait të tij edhe mbas vdekjes së tij.” [Transmeton Imam Muslimi, Tirmidhiu dhe Ebu Davudi nga hadithi i Ibni Ymerit.] 

Në këtë hadith Muhamedi a.s. na sqaron se një prej mirësive më të dukshme të fëmijës ndaj babait të tij është që ai të vazhdojë t’i nderojë shokët e babait të tij kur ai ishte gjallë, t’i vizitojë ata, të sillet mirë ndaj tyre dhe t’i ripërtërijë sjelljet e babait të tij me ta.

Pa dyshim, sipas mendimit të të gjithë dijetarëve islamë, kjo vepër konsiderohet si një prej ibadeteve më të mira tek Allahu xh.sh. Kjo mirësi, për të cilën fton Muhamedi a.s., ka efekt të lartë shoqëror. Ndoshta pjesa dërmuese nuk mundet ta hetojë këtë efekt pa e lexuar këtë hadith të Muhamedit a.s. Ne mund të hymë dhe të komentojmë më gjerësisht për detajet e këtij problemi: 

Prej detyrave më të rëndësishme, që Allahu xh.sh. ua ka ngarkuar robërve të Tij, është që ata të jenë të udhëzuar dhe të afruar në mes vete dhe t’i largojnë shkaqet e ndarjes dhe të hidhërimit. Më i miri në këtë jetë konsiderohet ai i cili largohet nga hidhërimi dhe ndarja, ndërsa më i keqi konsiderohet ai i cili, mbas vdekjes së tij, i lë gjurmët e fitnes dhe të fesadit. Fëmijë i mirë (besimtar) është ai i cili kërkon kënaqësinë e Allahut xh.sh. duke u sjellë mirë me prindërit e tij dhe, për këtë arsye, Allahu xh.sh. e ka bërë atë si zëvendësuesin e parë të besueshëm, i cili mundohet t’i realizojë të gjitha kërkesat e prindit, si gjatë jetës së tij ashtu edhe pas vdekjes së tij. Fëmija konsiderohet si vazhdim i mirësisë që e kanë lënë trashëgimi prindërit i tij mbas vdekjes. 

Prej mirësisë që ka lënë babai mbas vdekjes së tij është edhe vazhdimi, nga ana e djalit të tij, i marrëdhënieve njerëzore që ai i ka pasur me vëllezërit dhe  shokët e tij, duke iu ndihmuar atyre, duke i këshilluar ata dhe duke i forcuar lidhjet  vëllazërore në emër të Allahut xh.sh.

Bashkimi i disa vëllezërve muslimanë, në emër të Allahut xh.sh., konsiderohet si një vepër madhështore për ngritjen e vëllazërimit islam në mes robërve të Allahut xh.sh. mbi tokë. Mbas vdekjes së prindit, fëmija i tij trashëgon një ndërtesë të mirë e të bukur. Ai është i mirë, i sjellshëm dhe besnik ndaj kësaj ndërtese, prandaj për hir të prindërve të tij, atij i takon ta vazhdojë shoqërinë e prindërve dhe ta ruajë që të mos shkëputet e të humbasë.

Në këtë mënyrë zhvillohen, rriten, zgjerohen dhe përforcohen rrënjët e dashurisë dhe mirëkuptimit në mes njerëzve. Gjenerata e fundit e ruan atë që ka themeluar gjenerata e parë, e kështu gjeneratë pas gjenerate, derisa të gjithë ta praktikojnë këtë porosi të Muhamedit a.s. 

Ekzistojnë shumë lidhje njerëzore, të ndryshme në mes vete, të cilat personat i kanë ruajtur derisa kanë qenë gjallë, mirëpo mbas vdekjes së tyre këto lidhje janë shkëputur dhe janë copëtuar në mes vete, për arsye se mbas tyre nuk ka pasur kush t’i trashëgojë ato sjellje. Ligjet njerëzore njohin vetëm një lloje trashëgimie të fëmijës nga prindërit e vet, trashëgiminë e pasurisë, pra atë të të hollave, të tokës dhe shtëpisë së tij.

Mirëpo sheriati i Allahut xh.sh kësaj trashëgimie i ka bashkangjitur një lloj trashëgimie edhe më interesante dhe më kryesore. Ajo është trashëgimia e cilësive dhe vetive të mira të prindit të tij, përveç asaj pasurisë.

Kjo trashëgimi njerëzore nuk bën të këputet me vdekjen e pronarit të parë, por duhet bërë çmos që ajo të mbetet gjallë. Ky ligj i Allahut xh.sh., për të cilin na apelon Muhamedi a.s., nuk do të thotë që fëmija t’i ruajë dhe t’i nderojë shokët e prindërve edhe nëse ata janë jashtë binarit islam – fjalës së Kuranit dhe Muhamedit a.s., mirëpo qëllimi i hadithit është që mirësjellja jonë ndaj shokëve të prindërve të jetë përderisa ata janë me parime islame. Ai i cili trashëgon nga prindi i tij diçka jo të drejtë, për sa i përket moralit, apo pasurisë, apo nëse ai i ka hyrë dikujt në hak, atëherë është obligim i fëmijës që të gjitha këto t’ia nënshtrojë fjalës së Allahut xh.sh. dhe t’i trasojë në udhën e saktë.

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE