NJOFTIM ME LIBRIN DHE KRITIKAT E SHKENCËTARIT TË MADH MAHMUD SHAKIRIT PËR TË – ZHVLEFTËSIM I IDESË SË ‘TË PARËT NUK IU KANË LËNË TË PASMËVE ASGJË’

0
184

 

Libri ka gjithsej 11 vëllime të formatit të madh, ndërsa çdo vëllim ka mbi 600 faqe. Kësisoj, libri i bie të ketë mbi 6.000 faqe. Është botuar nga Daru-l-hadith – el-Merkez el-Islamijj në Aleksandri, Egjipt, pa vit botimi.

Libri fillon me një parathënie të recensentit, dijetarit të mirënjohur, Mahmud Muhammed Shakir-it [Allahu e mëshiroftë!], i cili qysh në fillim thur disa fjalë miradije për kontributin e vyer që autori ka dhënë për Ummetin Islam, kontribut që mund ta japin vetëm ata që janë mjeshtër të penës, sikurse autori:

Çfarë mund të thuhet për këtë angazhim, për të cilin do të thuheshin fjalë miradije për kohë të gjata edhe sikur të kryhej nga një ekip, e lërë më nga një individ. Me modesti, kjo punë meriton të quhet Fjalor gramatikor – morfologjik i Kur’anit Fisnik.

Pastaj, profesor Mahmudi vazhdon e thotë:

Shumica e fjalorëve, siç është e ditur, mbështeten në metodën e (për)kufizimit dhe radhitjes (ar. el-hasru ve-t-tertib) ndërsa në këtë fjalor, hasri dhe tertibi janë vetëm një imazh organizimi i mbështetur në të (gjatë punës), përndryshe, rregull madhështor mbi të cilin mbështet ai është dija enciklopedike, e cila përfshin dhe imtësi dhe detaje përkitazi me sintaksën, morfologjinë, shkencën për metodologjitë dhe stilet e ndryshme gjuhësore… ”

Profesor Mahmudi përmend dhe një detaj tjetër interesant të kësaj vepre, atë të kohës së punimit të saj. Shejh Abdul Halik ‘Udejmeh kishte kaluar plot 25 vjet për punimin e saj dhe, sigurisht, kjo periudhë ka qenë para se ta shkruante në tërësi librin, gjë që mund të kuptohet edhe nga fjalët përmbyllëse të autorit. Ta citojmë autorin për hir të korrektësisë:

Ja, pas 33 viteve punë intensive dhe hulumtim shkencor të palodhur, me lejen e Allahut, ky libër po e sheh dritën (e botimit). Punimi, përfundimisht, është në njëmbëdhjetë pjesë të mëdha, e para prej të cilave përfshin tri (nën)pjesë, e dyta katër, dhe e treta po kështu katër. Kisha frikë se do më vinte vdekja para përmbylljes, por falënderuar qoftë Allahu i Cili më dha jetë dhe e pashë botimin e tij. Konsideroj bindshëm se këto studime i kanë pasuruar me vlera të rralla dhe të çmuara studimet sintaksore, për shkak të larmisë së referencave dhe burimeve të shumta me të cilat jam konsultuar. Për leximet (kiraetet) nuk jam përkufizuar vetëm në librat e Tefsirit, por i kam studiuar ato edhe nga libra të tjerë, ndërkohë që jam mbështetur në metodën induktive të stilit kur’anor dhe leximeve të ndryshme të tij… ”

Profesor Mahmudi e sheh autorin si të parin që i është qasur kësaj pune dhe ai nuk e njeh ndokënd që ka bërë diç të tillë individualisht, për shkak të vështirësisë, durimit, besnikërisë, referimit të shumtë që iu duhet bërë librave, citimit preciz etj., gjëra që i kërkon një vepër si kjo.

Pjesa e parë e këtij libri trajton, siç shton profesor Mahmudi, njërën nga çështjet më të komplikuara, atë të pjesëzave semantike (ar. huruf el-meani[1]), për shkak se janë të shumta dhe me kuptime të ndërthurura, e që pothuajse nuk ka ajet pa një të tillë. Shejh Abdul Halik ‘Udejmeh e ka mbuluar atë boshllëkun që e kanë lënë të parët, duke filluar nga Sibevejhi e deri tek Ibni Hishami, dhe kjo nuk nënkupton assesi zhvleftësimin e kontributit të tyre, porse një përkufizim i tillë kaq preciz nuk ka qenë pjesë e punimeve të tyre. Ndoshta Shejh ‘Udejmeh e ka pasur punën më të lehtë, për shkak të teknologjisë bashkëkohore dhe lehtësisë së shtypjes së librave, për dallim nga e kaluara.

Profesor Mahmudi bën apel për një punë ekipore për kryerjen e një pune të tillë edhe në poezi, pra për evidentimin dhe studimit e këtyre pjesëzave, ashtu siç e bëri Shejh ‘Udejmeh në Kur’anin Fisnik.

Në fund, profesor Mahmudi nuk mund ta përmbajë veten nga mahnitja prej këtij libri dhe madhështisë së tij, andaj edhe thotë:

Shejhu – Allahu e ruajt! – nuk ka lënë vend për të plotësuar në këtë vepër madhështore. Tërë ato fjalë miradije që mund t’i them për këtë vepër janë fjalë që dalin nga puna që e lëvdon veten!

 

Assoc.Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA –STUDIME TË METODOLOGJISË STILISTIKE KURA’NORE TË SHEJH MUHAMMED ABDUL HALIK ‘UDEJMEH-ut


[1] ‘Hurufu-l-meani’ janë karaktere ose semi-karaktere që kanë funksion sintaksor, morfologjik ose zëror, me rëndësi të veçantë. Shih: Sherif, Muhammed Hasen. Mu’xhem huruf el-meani fi-l-Kur’ani-l-Kerim – mefhumun shamil mea tahdidi-l-edevat. Vëll.1, f. 22.