PERIUDHA E INJORANCËS – PËRMBLEDHJE E SHKURTËR RRETH GJENDJES FETARE NË SHEK. VI GREGORIAN

0
527

 

Studiuesit dhe hulumtuesit e kanë të qartë se fetë e mëparshme, librat dhe ligjet e tyre, kanë rënë pre e shtrembërimeve të injorantëve, mashtruesve dhe shtrembëruesve. Sikur të bënim një hulumtim në historinë e njerëzimit nga aspekti i besimit në Allahun e Madhëruar dhe takimin me Të, do të gjenim se kjo botë i ngjan një të dehuri, që më shumë rri i dehur sesa i kthjelltë, apo (i ngjan) një të sëmuri nga ethet, të cilit i ka humbur vetëdija nga sëmundja e flet jerm duke mos ditur fare…

Vetëm Zoti e di sa kohë ka kaluar që nga fillimi i dynjasë e deri tek Muhammedi [alejhis salatu ves selam] dhe sa civilizimi e kultura janë shuar. Civilizimi i lashtë egjiptian, grek, indian, kinez, persian e romak kanë mbetur vetëm në histori…

Pastaj edhe nga aspekti logjik dhe emocional, idhujtaria kishte bërë të vetën. Njeriu i qe nënshtruar gjërave më të pavlera. Adhuroheshin lopët, drurët, gurët, ndërsa për çudi shumë popuj i kishin përvetësuar kolektivisht këto besime. Idhujtaria është dobësi që vjen nga brendësia e shpirtit e jo nga elementet jashtë jetës.

Ashtu sikurse i dëshpëruari që supozon se depresioni i tij shkaktohet nga gjërat që janë rreth tij, ashtu sikurse i frikësuari që i imagjinon trupat statikë si lugetër, po kështu edhe njeriu i deformuar (shpirtërisht) supozon se dobësinë shpirtërore dhe paaftësinë mendore i ka nga ambienti në të cilin jeton, prej të cilit adhuron dhe glorifikon gjëra që i do, (qofshin këto) nga bota inorganike dhe shtazore… Shekulli i VI-të gregorian i gjeti të fikur pishtarët e udhëzimit në Lindje dhe Perëndim… Zjarrputizmi (adhuruesit e zjarrit) në Persi ishte si patrullë e vrazhdë e politeizmit fashist në Indi, Kinë, vendet arabe dhe në të gjitha qarqet e tjera injorante… (Poeti thotë:)

Erdha ndërsa njerëzit ishin të shthurur

Nuk kaloje pranë ndonjërit  vetëm se duke adhuruar idhullin e gjeje

Mbreti romak shtypte popullin e tij

Ndërsa mbreti persian nga mendjemadhësia është bërë i shurdhër dhe i verbër.   

  1. Feja çifute

Feja çifute në fakt emërton një mori ritualesh dhe zakonesh që nuk kanë shpirt, nuk kanë mision për botën dhe ftesë (thirrje) për ummetin. Feja çifute është mishëruar me besimet dhe bindjet e popujve që jetonin përreth apo ishin në sundim të saj, gjë të cilën e dëshmojnë të gjithë sikurse që e dëshmojnë edhe librat e tyre…. Ata pranuan bindje të shtrembëruara apo edhe politeiste dhe vetë Talmudi është dëshmia më e mirë se si idhujtaria ka luajtur një rol tërheqës të veçantë për çifutët…  

Madje vetë Talmudi, që është libër i shenjtë tek çifutët dhe që ishte në qarkullim në shek. e VI-të, ishte përplot gjëra të çuditshme, të cilat jo vetëm që një mendje e shëndoshë nuk mund t’i pranonte, porse ato ishin dhe një guxim për të kryer mëkate ndaj Allahut, për të shtrembëruar të vërtetat, për të luajtur me fenë dhe mendjen, gjëra këto që dëshmojnë për rënien e mentalitetit (edhe ashtu të ulët) dhe prishjen e shijes (kuptimit) fetar…  

  1. Krishterimi

Edhe Krishterimi pati të njëjtin fat të shtrembërimit. Ai ra pré e shtrembërimeve të radikalistëve, komentimit të injorantëve, idhujtarisë së romakëve të krishterizuar që nga koha e parë. Ndërsa sa i përket trinitetit dhe depërtimit të tij si dogmë fetare në shek. e IV-të, ai erdhi si ide dhe besim se Zoti i vetëm përbëhet nga tri persona… U përhap në çerekun fundit të shekullit të IV-të, ndërsa vazhdoi së ekzistuari si pjesë e kredos së krishtere e pranuar në të gjitha anët e botës së krishtere…  

Krishterimi, më pas, përjetoi edhe ndryshime të tjera rrënjësore. Kësaj radhe u mishëruan me bindje dhe besime politeiste… (Si pasojë) Ata (idhujtarët e hyrë në Krishterizëm) morën një prej dëshmorëve (dhe sipas besimeve të tyre politeiste) i dhanë atribute hyjnore. Pastaj punuan edhe statuja për ta dhe kësisoj politeizmi dhe adhurimi i putave depërtoi në fenë e krishtere… Ky shekull nuk mbaroi pa u përhapur gjithandej në botën e krishtere adhurimi i evliave dhe dëshmorëve, si hap për bindjen dhe besimin e formuar më vonë se evliatë bartin atribute hyjnore dhe se ata bashkërisht me shenjtorët janë ndërmjetësues ndërmjet Allahut dhe njerëzve…

Ndërsa shekulli i VI-të do ta gjente të përçarë botën e krishtere. Të krishterët e Shamit, Irakut dhe Egjiptit do të hasnin në shumë kundërthënie për të vërtetën mbi Isain [alejhis salatu ves selam], kundërthënie këto që do të merrnin edhe karakter të ashpër, kur jo vetëm që do ta shpallnin njëri-tjetrin renegatë porse edhe do të luftonin ndërmjet vete

  1. Zjarrputistët

Ata, qysh nga lashtësia, janë të njohur për adhurimin e elementeve natyrore, me theks të veçantë zjarrit, për të cilin edhe ndërtuan tempuj dhe faltore. Krahas adhurimit të zjarrit, ata madhëruan dhe shenjtëruan edhe diellin, kështu që feja tek ata u bë diç që nënkuptonte një mori ritualesh dhe zakonesh që ata i kryenin në vendet e tyre të posaçme. Ata e kishin për obligim që ta adhuronin diellin katër herë në ditë, e bashkë me të edhe hënën, zjarrin dhe ujin… Iranianët, gjatë lutjeve të tyre, drejtoheshin nga zjarri. Njëherë kishte ndodhur që mbreti i fundit i sasanidëve, Yazdegerd, ishte betuar për diellin dhe kishte thënë: Betohem për diellin që është zoti më i madh! Pastaj, ata besuan në dualizëm dhe kjo gjë u bë moto e tyre. Ata besuan në dy zota, zotin e të mirës apo dritën dhe zotin e të keqes apo errësirës. Të parin e quajtën Ahurmezda, ndërsa të dytin e quajtën Yezdan

  1. Budizmi

Budizmi është i përhapur në Azinë e Mesme dhe në Indi. Ata i bartin me vete idhujt ngado që shkojnë. Ndërtojnë tempuj dhe faltore në të cilat vendosin statujat e Budës. Dijetarët dyshojnë që ithtarët e kësaj feje besojnë te Zoti që krijoi qiejt, tokën, njeriun, ngase nuk kanë dëshmi që e vërtetojnë një gjë të tillë.

Ndërsa Berhemizmi (hinduizmi) është feja bazë e Indisë, e cila dallohet për faltore dhe zota të shumtë. Zotat e tyre, sipas llogaritjeve të bëra, në shekullin e VI-të ishin 330 milionë. Për ta çdo gjë e mirë dhe e dobishme ishte zot që adhurohej. Në këtë kohë gdhendja e statujave ishte profesioni që kishte arritur kulmin e zhvillimit. Padyshim se idhujtaria ishte e përhapur në tërë botën dhe pothuajse se të gjitha fetë: e krishtere, semite, budiste, garonin se kush do t’i shenjtëronte më shumë idhujt…

  1. Arabët

Arabët, që besuan në fenë e Ibrahimit [alejhis salatu ves selam] dhe qëndruan në tokën e Shtëpisë së Allahut (Mekë), për shkak të distancës kohore të madhe nga koha e pejgamberisë dhe izolimit në gadishullin e tyre, kohët e fundit qenë sprovuar me një lloj idhujtarie, e ngjashme me atë të hinduizmit. Ata i përshkuan Allahut shok dhe krahas Tij adhuruan edhe zota të tjerë, për të cilët besuan se kanë ndikim në gjithësi, se mund të bëjnë mirë dhe keq, se mund të krijojnë dhe vdesin… Aq shumë u përhap idhujtaria saqë qe e pamundur të gjeje familje, fis apo qytet pa idhujt e tyre të veçantë. Në brendësi të Qabesë, të cilën e ndërtoi Ibrahimi [alejhis salatu ves selam], ishin jo më pak se 360 idhuj. Ata adhuronin gurët, ndërsa për zota merrnin melekët, xhinët, yjet… Ata besonin se melekët ishin vajza të Allahut, ndërsa xhinët ishin ortakë të Tij…

  1. Arabët në kohën e shpalljes së Islamit

Koha kur u shpall Islami i gjeti arabët të zhytur në injorancë, epshe, shthurje dhe degjenerim. Ata konsumonin rakinë, luanin bixhoz, ndërsa shpirtligësia e tyre kishte arritur deri në atë shkallë saqë i varrosnin vajzat të gjalla. Plaçkitnin karvanët, ndërsa e nënvlerësonin gruan aq shumë saqë e trashëgonin ashtu siç trashëgohen gjësendet. Ata bënin dallime edhe në ushqime. Disa prej ushqimeve ishin të veçanta vetëm për burrat. Këtij të fundit bile i lejohej që të merrte gra sa donte, pa shifër të caktuar… Disa prej tyre i mbysnin fëmijët duke qenë ende të vegjël nga frika e varfërisë.  

Fanatizmi fisnor ishte i madh, ndërsa dashuria për luftën ishte diç e mishëruar me shpirtrat e tyre. Luftërat ndërmjet fiseve vazhdonin me dekada, ndërsa viktimat llogariteshin të ishin me mijëra….

Banorët e Mekës ishin shumë të dhënë pas epsheve kështu që nuk logjikonin shumë. Zaten, edhe këto të dyja nuk shkojnë bashkë. Mund të vëresh se si njerëzit që nuk kuptojnë as gjërat më elementare, shtyhen dhe garojnë ndërmjet vete se kush do të grumbullojë më tepër pasuri. Kjo mendjelehtësi ka ekzistuar përgjatë gjithë historisë së njerëzimit… Mekasit e mohonin Allahun dhe nuk e besonin Ditën e Llogarisë, ndërsa ishin shumë të dhënë pas kënaqësive të kësaj bote…

Ekzistonte një dëshirë e madhe për të sunduar dhe udhëhequr… Fanatizëm degjenerues… Luftohej dhe bëhej paqe vetëm për hir të tij… Në Mekë kishte të atillë madje që ia kalonin edhe Faraonit për nga kryeneçësia. Amr Ibn Hishami duke arsyetuar refuzimin që ia bënte fesë së Muhammedit [alejhis salatu ves selam] thoshte: Benu Abdu Menafët na kanë shpallë rivalitet në nder… Thanë se kanë pejgamber që i shpallet… Për Zotin nuk kemi për ta besuar përderisa edhe ne nuk kemi një të tillë që i shpallet. Ndërsa Velib Ibn Mugire i kishte thënë Muhammedit [alejhis salatu ves selam]: Sikur pejgamberësia të ishte e vërtetë, unë do të kisha pasur më shumë të drejtë në të se ti, ngase jam më i moshuar dhe kam më shumë pasuri…

Pikërisht në këtë ambient, me shembuj të tillë devijimi dhe fanatizmi dhe qindra të tjerë të ngjashëm, Islami filloi të përhapet dalëngadalë dhe t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, nga fanatizmi në tolerancë dhe transparencë, nga humbja në udhëzim, madje edhe i bëri pishtarë dhe kandila udhëzues… Islami i ngriti popujt nga humnera në majat e nderit, moralit, krenarisë dhe dijes…

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)