Se Tefsiri i Sejjid Kutubit, i shkruar me ngjyrë dhe gjak, shquhet nga tefsirët e tjerë për dimensionet kulturore, shoqërore, politike, morale dhe ekonomike, është çështje që nuk e vë në pikëpyetje askush. Ishte metodologji e Rahmetliut që ajetet t’i klasifikonte sipas tematikave dhe mësimeve të përfituara, për ta lehtësuar më pas kështu kuptimin dhe praktikimin e tyre.
Fakti se autori është bashkëkohor dhe ka përjetuar zhvillimet e hovshme teknologjike, por edhe ka përcjellë nga afër komplotet që i bëheshin Ummetit Islam nga armiqtë e tij në të gjitha sferat: shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, morale, e që në fakt viktimë e këtyre komploteve ishte edhe vetë, pasi i pagoi me jetë qëndrimet e tij fetare, i mundësuan atij të kuptojë thellësisht dhe në detaje të vërtetën përkitazi me to, e rrjedhimisht, edhe të marrë qëndrim dhe të vihet në ballë të frontit kundër tyre. Për këtë arsye, ne do të ndajmë kohë dhe hapësirë më shumë për Sejjid Kutubin se për mufessirët e tjerë bashkëkohorë, në mënyrë që t’i japim lexuesit mundësinë të kontaktojë drejtpërdrejt me tekstin e tij për këtë çështje, studimin e të cilës jemi duke e bërë këtu. Arsyeja pse unë kam vendosur të veproj kështu është që ta mbroj drejtpërdrejt personalitetin e tij nga akuzat që i janë bërë nga hulumtues muslimanë dhe jomuslimanë, se kinse ai e ka fajin për nxitje të dhunës dhe shkëputjes së marrëdhënieve me jomuslimanët. Autori (S.K.) është i pastër nga këto akuza.
Përkundrazi. Ai, për çështjen në fjalë, ka bërë studimin më origjinal, studim të cilin e ka mbështetur në Kur’an, Sunnet dhe në ngjarje të sakta historike. Mendimin e tij ai na e shpreh në komentimin që iu bën ajeteve të kaptinës el-Enfalë, në të cilën ajetet janë të lidhura tematikisht me njëra-tjetrën dhe kanë një kontekst të përgjithshëm.
Ato thuajse sikur trajtojnë vetëm një temë, andaj edhe komentimi i tyre është i përbashkët (i lidhur me pjesët e para dhe të pasme të ajeteve në fjalë). Në fillim të komentimit, Kutubi përmend disa dispozita juridike dhe mësimet e urtësitë që nxirren dhe përfitohen prej kaptinës, për të cituar më pas Ibnu-l-Kajjimin dhe klasifikimin e njerëzve sipas qëndrimeve të tyre karshi Thirrjes Islame që nga dërgimi i Muhammedit [alejhis salatu ves selam] e deri në vdekjen e tij.
Nuk do të donim që tani, paraprakisht, të japim vlerësimin tonë për atë se ia ka dalë apo jo që të komentojë shkencërisht dhe në përputhje me ajetet dhe hadithet apo jo. Këtë gjë do t’ia lëmë lexuesit të nderuar që ta bëjë vetë, pasi që më parë do të ketë mundësinë të përjetojë flladin e domethënieve dhe kuptimeve të këtyre ajeteve. Në fakt, ajo që dua të sqaroj tani ka të bëjë me mospajtimin tim për përdorimin e disa shprehjeve nga Sejjid Kutubi, të cilat sikur reflektojnë botëkuptime dhune, force, vrazhdësie, si: ‘Organizata e Ndaluar Ushtarake’, ‘Kampi Islam’, ‘Liga Muslimane’ etj, për shkak se terma si këto mund të jenë shkak i debateve të nxehta në qarqe politike për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalojnë muslimanët. Mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur Profesor Kutubi të përdorte shprehje të tjera, si ‘Shteti Islam’, ‘Shteti Musliman’, ‘Muslimanët e Parë’, ‘Vatra Islame’ etj.
Në të vërtetë, Prof. Kutbi termin ‘Vatër Islame’ e përdor në shkrime të tjera, por nuk di pse jo edhe këtu, për të mos i hapur gojën kritikëve dhe kundërshtarëve për ta akuzuar vazhdimisht. Ku ta dimë, ndoshta qëndrimi i tij për një kohë të gjatë në Amerikë, atje ku edhe kreu studimet postdiplomike dhe ku pa komplotet që organizoheshin kundër Islamit dhe muslimanëve, sikurse edhe aftësia e tij oratorike dhe letrare, kanë bërë që ai t’i përdorë ato në vend të shprehjeve tjera?!
Profesor Kutbi [Allahu e mëshiroftë!] sqaron se disa nga dispozitat e përmendura në këtë kaptinë, janë periodike dhe se forma e prerë e tyre është shpallur në kaptinën et-Teube. Kushdo – sqaron profesori – që përcjell ngjarjet e historisë islame dhe ndodhitë e zbritjes së ajeteve, do ta kuptojë lehtë këtë të vërtetë. Kësisoj, deshëm apo jo, për të nxjerrë mësime, urtësi dhe dispozita të prera kur’anore përkitazi me atë se çfarë nënkupton përgatitja e forcës dhe lidhja e marrëveshjeve (armëpushimeve) me armiqtë, duhet të studiojmë ngjarjet historike për të gjetur nëse përputhen apo jo, apo se njërës i duhet dhënë përparësi, si më e saktë, ndaj tjetrës (duhet bërë teufik ose terxhih).
Në komentin e ajeteve 55-62 nga kaptina el-Enfal:
Krijesat më të dëmshme tek All-llahu janë ata që mohuan, nuk pritet që ata të besojnë;
56. Këta janë ata prej të cilëve ti pate marrë premtimin (se nuk do t’i ndihmojnë idhujtarët), e të cilin ata nuk e ruajtën por si çdo herë e thyejnë premtimin e tyre. 57. Po nëse i ndesh (i zë) ata në luftë, atëherë ti me ta (me shkatërrimin e tyre) shpartallo ata që të marrin mësim.
58. Nëse ti e heton tradhtinë e një populli (ndaj marrëveshjes), atëherë edhe ti ua hidh atyre (marrëveshjen) në mënyrë të njëjtë, sepse All-llahu nuk i do ata që tradhtojnë (fshehurazi).
59. Dhe ata që mohuan, mos të mendojnë kurrsesi se shpëtuan (se na ikën). Ata nuk mund ta bëjnë të paaftë Atë (Zotin) që i ndjek.
60. E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të (me përgatitje), ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. Çfarëdo që shpenzoni në rrugë të All-llahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë.
61. Në qoftë se ata anojnë nga paqja, ano edhe ti nga ajo e mbështetu tek All-llahu. Ai është që dëgjon dhe di.
62. Po nëse duan të mashtrojnë me të (me paqen), ty të mjafton All-llahu. Ai është që të fuqizojë ty me ndihmën e Vet dhe me besimtarët.”
…Sejjid Kutubi jep këto shpjegime: Ky mësimi i fundit nga kaptina el-Enfalë përmban shumë rregulla:
- si duhet të sillemi me kampe të ndryshme gjatë paqes dhe luftës;
- organizatat e brendshme të shoqërisë muslimane dhe raportet e tyre me ato të huajat;
- qëndrimi islam përkitazi me marrëveshjet dhe konventat në fusha të ndryshme:
- qëndrimi islam përkitazi me lidhjet e gjakut, gjinisë dhe tokës dhe lidhjet e besimit.
Nga këtu kuptohet se disa prej dispozitave kanë karakter përfundimtar, ndërsa të tjerat, për shkak të rrethanave, kanë qenë të përkohshme. Në fakt, ato kanë përjetuar disa ndryshime në kaptinën et-Teube, me çka kanë marrë karakter përfundimtar. Ja disa nga këto dispozita, siç kanë ardhur në kontekstin kur’anor:
- Ata që njëherë lidhin armëpushim me Kampin Islam ndërsa më pas e thyejnë atë, ata janë krijesat më të shëmtuara, ata janë (njerëz) që duhen edukuar frikshëm, në mënyrë që të tremben dhe llahtarisen ata dhe gjithë të tjerët që mendojnë sikur ata (ta thyejnë marrëveshjen) apo kanë në mendje ta sulmojnë Kampin Islam.
- Në rast se Udhëheqja parasheh mundësinë që pala me të cilën është lidhur marrëveshja mund të tradhtojë apo ta thyejë marrëveshjen, atëherë ata kanë të drejtë ta prishin të parët marrëveshjen dhe ta lajmërojnë palën tjetër për anulimin e saj, për të krijuar më pas mundësinë e luftimit të tyre por edhe të edukimit dhe frikësimit të tyre dhe të tjerëve që mendojnë sikur ata.
- Kampi Islam duhet të jetë në kulminacion të përgatitjes dhe përherë i gatshëm, në mënyrë që ‘Forca Udhëzuese’ (Islami) të jetë forca më e madhe në tokë, të cilës do t’ia kenë frikën të gjitha forcat e së keqes:
- Duke mos pasur guximin për ta sulmuar Vatrën Islame, fillimisht,
- Pastaj, duke iu nënshtruar pushtetit të Allahut dhe duke mos penguar Thirrësin Islam në tokat e veta
- Po kështu, duke mos penguar askënd nga vendet e tyre t’i përgjigjet Thirrjes Islame,
- Duke mos guxuar të pretendojnë të drejtën e sundimit dhe nënshtrimit të njerëzve, dhe
- Në mënyrë që feja të jetë e tëra për Allahun!
Ajo që mund të vërejmë nga shpjegimet e Profesor Kutubit është përgjithësimi i forcës dhe fuqisë, pra ai nuk flet për lloj të caktuar fuqie apo mjetesh, ashtu siç ka ardhur në Kur’an, sikurse që nuk e shohim të japë detaje rreth të vërtetës përkitazi me të dhe domethënien e saj, siç kanë bërë komentues të tjerë. Ai –citoj– thotë: “…përgatitja ushtarake duhet të jetë e përhershme dhe në kulminacion, në mënyrë që Forca Udhëzuese të jetë ajo më e larta në tokë.”
Ndoshta Profesor Kutubi këtë nuk e ka bërë pa ndonjë qëllim të caktuar. Ai mbase ka aplikuar metodologjinë kur’anore për të heshtur ndaj disa gjërave, në mënyrë që detajet për to të përcaktohen varësisht nga koha dhe rrethanat, si: mjetet me të cilat përcaktohet forma e organizimit të Mexhlisi Shura-së (Parlamentit), Gjykatave Islame, zgjedhjes së Presidentit etj. Mjetet e realizimit të këtyre gjërave, feja i ka lënë në dispozicion të përcaktimit në përputhje me kohën dhe vendin. Zoti e di më së miri!
- Në rast se një grup jomuslimanësh anojnë nga paqja me Kampin Musliman, atëherë marrëveshja pranohet dhe lidhet me ta, edhe nëse ata nuk janë të sinqertë, përveç në rastet kur kjo vërehet ashiqare. Në të kundërtën, çështja e tyre i lihet Allahut. Ai iu mjafton besimtarëve kundër të ligave të tradhtarëve!
- Xhihadi, pavarësisht se sa më i madh mund të jetë numri i kundërshtarëve, është obligim (farz). Ata janë të përkrahur dhe të ndihmuar nga Allahu dhe çdonjëri prej tyre mund të krahasohet me dhjetë nga pala armike. Kjo nënkupton se obligimi i Xhihadit nuk pret plotësimin e barazisë ndërmjet besimtarëve dhe armiqve të tyre. Muslimanët le të përgatisin atë që kanë, le të mbështeten tek Allahu, le të qëndrojnë të ngulitur në fushëbetejë dhe të durojnë, ndërsa për pjesën tjetër do të kujdeset Allahu. Kjo për shkak se ata janë të përkrahur edhe me forca të tjera jomateriale, që nuk mund t’i shohë syri i njeriut.
- Kampi Musliman, apriori, do të duhej ta ketë qëllim zhdukjen dhe çrrënjosjen e forcës së tiranëve dhe despotëve, duke shkatërruar çdo shkak force. E, nëse zënia rob dhe lirimi me shpagim i tyre nuk do t’i kontribuonte këtij ideali (kësaj objektive), atëherë një gjë e tillë nuk do të merret si opsion. Kjo për shkak se të Dërguarit [alejhimu-s-selam] dhe pasuesit e tyre nuk duhet të kenë robër përderisa të mos kenë shkatërruar forcat kundërshtare dhe të mos kenë mbizotëruar në tokë. Kështu, në rast se Kampi Musliman ka mbizotëruar, atëherë ata mund të kenë robër, ndryshe, vrasja në beteja është më parësore dhe më e dobishme… [1]
- Ashtu siç është e lejuar marrja e pasurisë për shpagimin material të të zënëve robër, kuptohet pasi që besimtarët të kenë ngadhënjyer dhe t’ia kenë këputur kokën të keqes, po kështu lejohet edhe marrja e presë së luftës.
- Të zënëve robër në Kampin Musliman duhet t’iu ofrohet Islami dhe duhet të nxiten për ta pranuar atë, ngase premtimi i Allahut me shpërblim për këtë (pranimin e Islamit nëpërmjet duarve tona) është më me rëndësi se sa të merret preja ose shpagimi material prej tyre. Gjithsesi duhet t’iu tërhiqet vërejtja për tradhtinë e mundshme.
Këto janë, përgjithësisht, disa nga parimet dhe rregullat që përmban ky mësim: ato, në fakt, paraqesin një korpus rregullash me vlerë të sistemit të brendshëm dhe të jashtëm islam. Në vijim po paraqesim diç nga këto rregulla:
- Këto ajete kanë trajtuar praktikisht jetën shoqërore në Medinë, jetën e komunitetit musliman dhe kanë pajisur elitën udhëheqëse me norma dhe parime se si t’i qasen kësaj gjendjeje dhe situate. Ato paraqesin edhe një nga konceptet e para zhvillimit të marrëdhënieve të jashtme ndërmjet kampit musliman dhe kampeve të huaja, që nga pikëpamja përmbajtjesore nuk kanë ndryshuar as më vonë. Janë bërë kryesisht ndryshime plotësuese, por, në esencë, ka mbetur si rregull themelor në marrëdhëniet ndërkombëtare në Islam.
- Ajetet konfirmojnë mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve ndërmjet kampeve të ndryshme, me kusht që ato të ruhen nga prishja dhe shkelja e tyre. Paqja e lidhur duhet të respektohet, por nëse pala tjetër lidhjen e paqes e merr vetëm si mundësi për të tradhtuar dhe mashtruar, atëherë palës islame i takon ta prishë këtë marrëveshje duke e informuar palën tjetër për prishjen e saj. Tashmë është në dorën e palës islame ta sulmojë kur të dojë palën tjetër dhe të shfaqë ashpërsi në mënyrë që t’i frikësojë të gjithë ata që ia duan të keqen shoqërisë islame, qoftë nëse e shprehin apo e fshehin këtë. Ndryshe, me të tjerët, të cilët sipërfaqësisht shihen se nuk kanë prapavijë, marrëveshja me ta ruhet dhe respektohet…. [2]
Pas përmendjes së këtyre rregullave fetare në parathënien e komentimit të kaptinës el-Enfalë, Kutubi përshkruan situatën dhe gjendjen në të cilën u shpallën këto ajete si dhe qëndrimet e njerëzve karshi Thirrjes Islame. Në fakt, ai flet për periudhën e parë të elitës komanduese muslimane në Medinë, fill pas hixhretit, për çka citon dijetarë duke filluar me Ibnul Kajjimin [Allahu e mëshiroftë!], i cili thotë: Kur Muhammedi [alejhis salatu ves selam] erdhi në Medinë, jobesimtarët, në raport me të, morën këto tri pozicione:
- Një grup pranoi të lidhte marrëveshje me të, me kusht që të mos e luftonin, të mos ngriheshin kundër tij dhe të mos përkrahnin armiqtë e tij, ndërkohë që do të mbeteshin të sigurt në besimin, gjakun dhe pasurinë e tyre.
- Një grup e luftuan dhe morën qëndrim armiqësor.
- Grupi i tretë as nuk lidhi paqe me të por as nuk e luftoi. Ata prisnin se në anën e kujt do të ishte fitorja që të shkonin me të. Prej tyre kishte individë që dëshironin ngadhënjimin e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], por kishte edhe të tjerë, që donin fitoren e armiqve. Këta ishin hipokritët. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] u soll me secilin grup ashtu siç e urdhëroi dhe mësoi Allahu i Madhëruar.
Prej atyre me të cilët lidhi paqe ishin fiset çifute rreth Medinës, si: Benu Kajnukaë, Benu Nadiri, Benu Kurejdha, sikurse që në mesin e tyre kishte edhe fise idhujtare që jetonin përreth Medinës. Ajo që shihet është se këto rrethana kanë qenë të përkohshme dhe janë ballafaquar me situatën aktuale. Ato norma nuk kanë qenë përfundimtare në marrëdhëniet islame ndërkombëtare, përkundrazi, kanë ndryshuar në vazhdimësi, derisa kanë zbritur ajetet në kaptinën el-Berae (et-Teube)… [3]
Ajo që vërejmë tek Profesor Kutubi është edhe interesimi i madh për historinë dhe Siren Pejgamberike, pasi që shpesh ai i referohet thënieve të dijetarëve nga gjeneratat e para – selefitë për të induktuar historinë e vërtetë, për të përfunduar më pas tek zhvillimi i Thirrjes Islame dhe pikat ku ka arritur në fund të çështjes.
Kjo padyshim është metodologji shkencore dhe e qëndrueshme e Profesor Kutubit në komentimin e Kur’anit. Kjo ngase, kur bëhet fjalë për trajtimin e ngjarjeve dhe ndodhive pejgamberike, respektivisht përfitimin e normave periodike dhe të atyre të formës së prerë që kanë të bëjnë me luftimin dhe lidhjen e marrëveshjes (paqes) me armiqtë, ne e gjejmë prapë Profesor Kutubin t’i referohet Ibnul Kajjimit, ku tekstualisht thotë:
Për periudhat nëpër të cilat kanë kaluar këto marrëdhënie (lidhje) kemi folur në pjesën e nëntë, në të cilën kemi sjellë rezymenë e asaj çfarë ka thënë Ibnul Kajjimi në (librin e tij) Zadul Mead, përsëritjen e së cilës e shohim këtu si të dobishme:
Kapitull mbi radhitjen e kontekstit të udhëzimit të të Dërguarit të Allahut [Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!], përkitazi me raportet me mosbesimtarët dhe hipokritët nga dërgimi e deri në vdekjen e tij… Citatet e para që iu shpallën nga Zoti i tij janë:
Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).“ (el-Alek, 1)
Kjo, sigurisht, në fillim të pejgamberisë së tij. Allahu e urdhëron që ta lexojë atë në vete dhe jo ta kumtojë. Pastaj, i shpallen citatet:
O ti i mbuluar! 2. Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur).“ (el-Muddeththir, 1-2)
Kësisoj, e lajmëroi me “Lexo!” (ar. Ikre!) ndërsa e dërgoi me “O ti i mbuluar!” (ar. Ja ejjuhel muddeththir!), për ta urdhëruar më pas për t’i ftuar familjen dhe të afërmit, e për të vazhduar më pas me popullin e tij, pastaj arabët që i kishte përreth, arabët në përgjithësi, për të mbaruar krejt në fund me gjithë njerëzimin.
Për më shumë se dhjetë vite vazhdoi të kumtonte pa aplikuar luftën apo xhizjen. Urdhërohej për vetëpërmbajtje, durim, falje… Pastaj u urdhërua ta bënte hixhretin, si dhe iu lejua lufta. Pastaj u urdhërua të luftonte ata që e luftonin dhe t’i shmangte ata që nuk e luftonin. Pastaj u urdhërua t’i luftonte idhujtarët derisa feja të ishte vetëm e Zotit.
Klasifikimi i jobesimtarëve, pas marrjes së urdhrit për xhihad, ishte:
- Palë, me të cilët kishte lidhur paqe dhe marrëveshje
- Armiq lufte
- Ehlu dhimmeh (jomuslimanë nën protektoratin e shtetit islam).
Me ata që kishte lidhur marrëveshje, u urdhërua ta plotësonte atë, përderisa ata vetë nuk e prishnin. Në rast se i frikësohej tradhtisë së tyre, mund ta prishte marrëveshjen, por jo domosdo edhe t’i luftonte ata, përderisa nuk i lajmëronte për prishjen e saj (marrëveshjes.) Ndërsa ata që e prishnin marrëveshjen, u urdhërua t’i luftojë. Kur zbriti kaptina et-Teube, atëherë u sqaruan edhe normat përkatëse për këto tri grupe:
- E urdhëroi t’i luftonte armiqtë, nga radhët e Ithtarëve të Librit, derisa ta jepnin xhizjen ose ta pranonin Islamin.
- E urdhëroi t’i luftonte jobesimtarët dhe hipokritët, si dhe të tregohej i ashpër ndaj tyre. Jobesimtarët t’i luftonte me shpatë, ndërsa hipokritët me argumente.
- E urdhëroi t’i prishte marrëveshjet, ndërsa trajtimin e atyre me të cilët kishte marrëveshje e kategorizoi në tri pjesë:
- Një grup, që e kishin thyer marrëveshjen dhe nuk i kishin qëndruar besnikë, – e urdhëroi t’i luftonte. Kështu, ai i luftoi dhe triumfoi mbi ta.
- Një grup tjetër, të cilët kishin një marrëveshje të përkohshme, por që nuk e kishin thyer atë, – e urdhëroi ta ruante marrëveshjen me ta deri në afatin e skadimit.
- Grupi me të cilin kishte marrëveshje dhe që nuk e kishte luftuar atë, ose që kishin marrëveshje të përhershme, – e urdhëroi t’i afatizonte katër muaj, pas të cilëve, më pas, do t’i luftonte.[4]
Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
VERSETET KUR’ANORE PËRKITAZI ME PAQEN DHE LUFTËN – krahasim ndërmjet komentimeve klasike dhe bashkëkohore të Kur’anit –
[1] Kutb, Sejjid. Fi dhilali-l-Kur’an. 3/425-428.
[2] Kutb, Sejjid. Fi dhilali-l-Kur’an, 3/427-428.
[3] Kutb, Sejjid. Fi dhilali-l-Kur’an, 3/427-428.
[4] Kutb, Sejjid. Fi dhilali-l-Kur’an, 3/425; 428; 430.