Pj.1. MESATARJA, BARASPESHIMI DHE MATURIA

0
202

 

Zgjidhja dhe opsioni, të cilin do t’ia ofrojmë (propozojmë) të rinjve dhe shoqatave tona shkencore, përmblidhet në përvetësimin e parimit të mesatares dhe maturisë në besimin, adhurimin, sjelljet, mendimet dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ne, në njërën anë dhe largimin nga radikalizmi, ekstremizmi dhe ashpërsia me të gjitha format dhe llojet e tyre, në anën tjetër.

E për vlerën dhe rëndësinë e këtij opsioni apo kësaj alternative të ofruar për jetën dhe besimin tonë, dhe për atë se feja jonë është në mes të dy ekstremeve, flet më së miri Shejhu-l-Islam Ibni Tejmije, Allahu e mëshiroftë, në El Vesijjetu-l-Kubra, i cili në fakt sjell para nesh ajkën e kësaj të vërtete të madhe, rezymeja e së cilës – si parafrazim – do të shprehej kështu: “…dhe kjo palë e shpëtuar është Ehlu Sunneti, që ndjek mesataren ndërmjet sekteve dhe feve; muslimanët janë mesatarë në çështjen me të dërguarit e Allahut, ngase nuk i tejkalojnë kufijtë në lëvdata siç bënë të krishterët, të cilët Isanë (alejhis selam), priftërinjtë dhe murgjit i morën për zota, ndërsa ishin urdhëruar ta adhuronin vetëm një Zot. Po kështu nuk ndoqën as ekstremizmin tjetër të çifutëve, të cilët, nga mosrespektimi ndaj të dërguarve, disa i vranë e të tjerët i përgënjeshtruan. Muslimanët ndoqën mesataren përkitazi me Isanë (alejhis selam) ngase nuk e quajtën zot, as bir të Zotit dhe as trini, por as nuk e mohuan; ata thanë se Isai, alejhis selam është rob dhe i dërguar i Allahut, fjalë e Tij e hedhur në Merjemen e virgjër dhe shpirt prej Tij…

Muslimanët po kështu janë mesatarë edhe në ligjet e fesë së Zotit, kështu që ata nuk e kanë mohuar mundësinë që Allahu të anulojë ato ligje të fesë që Ai do dhe të lërë apo vërtetojë ato që do, ashtu siç bënë çifutët. Po kështu, ata nuk ia dhanë të drejtën askujt prej dijetarëve dhe fetarëve të tyre të mëdhenj që të bëjnë ndryshime në ligjet e Allahut, ashtu siç vepruan të krishterët.

Muslimanët shfaqen mesatarë edhe në lidhje me cilësitë dhe atributet e Allahut. Nëse çifutët ia përshkruan Zotit atributet e dobëta të krijesave, e përshkruan me mangësi dhe të meta, se kinse Ai është i varfër ndërsa çifutët janë të pasur, se kinse Zoti është dorështrënguar dhe se Ai është lodhur nga krijimi, kështu që e mori pushim ditën e shtunë, atëherë të krishterët iu dhanë krijesave veçori që janë ekskluzive vetëm për Krijuesin. Ata thanë se krijesa (Jezusi) krijon, furnizon, fal, mëshiron, e pranon pendimin, shpërblen dhe ndëshkon…. Ndërsa muslimanët e besuan Allahun ashtu siç shpalli Ai, se nuk ka adash (emnak), të ngjashëm, të njëjtë, askush nuk është sikurse Ai, Ai është Zoti dhe Krijuesi i qiejve dhe tokës, ndërsa të gjithë të tjerët janë krijesa të Tij dhe rrjedhimisht kanë nevojë për Të…

Ehlu-s-Sunneti nuk janë mesatarë vetëm në raport me fetë e tjera, por edhe me fraksionet brendapërbrenda Islamit. Përkitazi me emrat dhe cilësitë e Allahut ata janë ndërmjet Ehlu Ta’tilit, që e zhveshin Zotin nga cilësitë e Tij dhe përshkrimet që Ai ia bëri Vetes dhe e ngjasojnë me diç inekzistente apo të vdekur, dhe ndërmjet Ehlu Temthilit që sjellin shembuj dhe e ngjasojnë Allahun me krijesat. Ehlu-s-Sunneti besojnë në atë që Allahu e përshkroi Veten apo në atë që i Dërguari i Tij e përshkroi Atë, pa shtrembërime, zhvleftësime, ngjasime a shëmbëllime…

Po kështu, ata janë mesatarë edhe në çështjet e krijimit dhe urdhërimit ndërmjet atyre që e përgënjeshtrojnë fuqinë dhe forcën e Allahut dhe ndërmjet atyre që e zhveshin robin nga vullneti, fuqia dhe vepra, me çka i zhvleftësojnë urdhëresat, ndalesat, shpërblimin dhe ndëshkimin e Allahut, duke marrë trajtën e idhujtarëve, të cilët thanë se po të kishte dashur Allahu ne nuk do të bënim shirk (idhujtari)…

Edhe në çështjet e premtimit dhe kërcënimit (el va’du ve-l-veidu) ata janë mesatarë ndërmjet veidijjeve (kërcënuesve), që mëkatarët e mëdhenj prej muslimanëve i përshkruajnë si mosbesimtarë dhe rrjedhimisht pozitën e tyre si të përhershme në zjarr, duke mohuar kështu edhe ndërmjetësimin e Muhammedit (alejhis selam) dhe murxhive, të cilët ndajnë një mendim ekstremist të kundërt, duke e krahasuar besimin e mëkatarëve me atë të pejgamberëve, për çka veprat e mira nuk i shohin si pjese të fesë dhe besimit. Këta e përgënjeshtrojnë kërcënimin dhe ndëshkimin. Ehlu-s-Sunneti besojnë se mëkatarët e kanë bazën e besimit, por asnjëherë nuk janë të një niveli me besimtarët e sinqertë,  e lëre më me pejgamberët. Ata nuk e kanë atë pjesë të besimit që ua mundëson hyrjen në xhenet, por, në anën tjetër, nuk do të jenë përherë në zjarr…

Ehu-s-Sunneti janë mesatarë edhe në vlerësimin e shokëve të Pejgamberit (alejhis selam). Ata nuk shfaqin fanatizëm për Aliun dhe nuk e vlerësojnë atë ndaj Ebu Bekrit dhe Omerit, por nuk pajtohen as me ata që i cilësojnë si heretikë dhe të dalë nga feja, jo vetëm Aliun por edhe Othmanin…

Ehlu-s-Sunneti janë mesatarë në të gjitha çështjet e fesë, ngase ata i përmbahen rreptë Librit të Allahut, Kur’anit dhe Sunnetit të të Dërguarit të Allahut, si dhe nuk i ndahen traditës së të parëve nga muhaxhirët dhe ensarët (mekasit dhe medinasit).” [1]

Pikërisht kjo mesatare do të jetë në fokusin tonë në këtë punim.

Kjo veçori islame ka një ndikim jashtëzakonisht të madh dhe të padiskutueshëm kur bëhet fjalë për ruajtjen e rinisë islame nga devijimi dhe konfuzioni ndërmjet lëvizjeve të humbura dhe lajthitura në këtë kohë[2]. Qasjet materialiste kanë shfaqur përkushtim dhe interesim vetëm për aspektin material të jetës duke anashkaluar tërësisht aspektin shpirtëror, apo i janë përkushtuar individit ndërsa e kanë neglizhuar kolektivin.

Baraspeshimi, mesatarja dhe maturia në qasje dhe ide, baraspeshimi ndërmjet të drejtave dhe obligimeve, baraspeshimi ndërmjet kërkesave të shpirtit dhe trupit, nuk është diçka e lehtë, ngase njeriu, nga vetë natyra e tij, është i prirë që të veprojë gjithnjë diçka në llogari (dëm) të diçkaje tjetër, gjë kjo që ka si pasojë kaosin dhe shkatërrimin, si për individin po ashtu dhe për shoqërinë. Muslimanit nuk i lejohet kurrë që të anojë ndaj ndonjë aspekti në dëm të aspektit tjetër.

Islami, si një fe e natyrshmërisë, ka ardhur për ta ruajtur këtë balancim në të gjitha poret e jetës, në adhurim dhe në çdo gjë tjetër. Edhe pse jemi urdhëruar të adhurojmë Allahun, prapë feja na porosit të gjejmë vend dhe kohë edhe për familjet, fëmijët dhe veten tonë. Puna për ahiret dhe përgatitja për të nuk nënkuptojnë se duhet ta braktisim totalisht botën në të cilën jetojmë. Ne na janë ndaluar ushqimet e dëmshme por jo edhe ato të mirat e të dobishme. Po kështu, e kemi të ndaluar edhe shmangien nga martesa me pretekstin e adhurimit. Dhe të gjitha këto sipas një metodologjie dhe programi edukativ të përsosur[3].

Le të meditojmë dhe t’i analizojmë pak ajetet kur’anore, në të cilat Allahu i Madhëruar i qorton ‘ithtarët e Librit’ dhe i ndalon ata nga ekstremizmi.

“O ithtarët e librit, mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu, Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i All-llahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojeni pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah; larg qoftë asaj që Ai të ketë fëmijë. Ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që All-llahu është planifikues i pavarur.” (Kur’ani: en-Nisa, 171.)

Ndërsa nëse lexojmë shkrimet e ‘shenjta’ të çifutëve, në të pesë librat aktualë të Teuratit[4] (Dhiatës së Vjetër), nuk do të mund të gjejmë gjurmë të shpirtërores dhe as vend ku përmendet ahireti, madje edhe premtimi dhe kërcënimi (shpërblimi dhe ndëshkimi) janë të lidhura kryesisht me këtë botë.

Ndryshe nga Teurati, në Ungjill hasim në një ftesë të fuqishme për të braktisur të gjitha vlerat e kësaj bote. Njeriu duhet të arratiset nga kjo botë, pasi shpëtimi është vetëm në botën tjetër. Thuajse njeriut nuk i ka mbetur vend dhe hise në dunja. Të mirat e saj nuk janë për të, trupi nuk ka të drejta, ndërtimi i botës nuk është punë e tij. Në Ungjill, Mesihu citohet t’i ketë thënë një të riu: “Nëse dëshiron të jesh i kompletuar (përsosur), atëherë shko dhe shite tërë atë që posedon, e pastaj eja dhe më paso mua!” Ndërsa, një ditë, nxënësve të tij iu pati thënë: “Mos kërkoni ushqim dhe pije dhe mos u interesoni fare për to, ngase vetëm ata që nuk janë besimtarë interesohen për to![5]

Ndërsa ata që, në emër të fesë, ndërmarrin sulme terroriste ndaj muslimanëve apo jomuslimanëve, janë njerëz që vuajnë nga probleme dhe që kanë defekte në besimin dhe sistemin e tyre nervor. Ata janë njerëz që përjetojnë kriza mentale dhe probleme kulturore. Kjo, për shkak se ata i janë shmangur rrugës së qëlluar, e kanë injoruar rrugën e drejtë, të cilën Kur’ani e përmend në shumë vende. Ajo rrugë në fakt është rruga e mesatares, maturisë, drejtpeshimit dhe të qëlluarës.

Në Kur’an e gjejmë shumë qartë aludimin për këtë botëkuptim të cilin po synojmë, pra çështjen e mesatares. Por cili është qëllimi i saj? Cilat janë dimensionet e domethënieve dhe kuptimeve të kësaj shprehje? Le te shohim disa ajete kur’anore dhe komente përkatëse, për të zbuluar sa madhështor është Kur’ani dhe sa i suksesshëm është ai në aspektin të cilin po e diskutojmë.

 “A doni ta pyetni Të dërguarin tuaj sikurse u pyet më parë Musai. Ai që e ndërron besimin me mosbesim, ai tanimë e ka humbur rrugën e drejtë.” (Kur’ani: el-Bekare, 108.)  

“Në të vërtetë All-llahu pat marrë zotimin e beni israilëve. Dhe prej tyre dërguam (caktuam) dymbëdhjetë prijës. All-llahu tha: “Unë jam (mbrojtës) me ju!” Në qoftë se falni namazin, e jepni zeqatin, u besoni të dërguarve të Mi dhe u ndihmoni atyre, huazoni për hir të All-llahut hua të mirë, Ai patjetër do t’ua shlyejë mëkatet tuaja dhe do t’ju shtie në xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj. E kush kundërshton pas këtij (zotimi) prej jush, ai e ka humbur rrugën e drejtë.” (Kur’ani: el- Maide, 12.)

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

MANIFESTIMET E MESATARES NË AJETET KUR’ANORE DHE HADITHET PEJGAMBERIKE SI DHE NDIKIMI I TYRE NË REALIZIMIN E INTEGRIMIT DHE UNITETIT TË UMMETIT


[1] Ibni Tejmije, Mexhmuu-l-fetava, kap: El-Vesijjetu-l-kubra, pj.32, f. 363. Shih edhe: Hurmetu=l-guluvvi fi-d-din ve tekfiri-l-muslimine, f. 73-83.

[2]  Për më shumë rreth rrezikut të qasjeve dhe ideve të devijuara për rininë shih: Gafili, Fehd b. Abdu-l-Aziz, Hivarun meal irhab, f. 115-123.

[3]  Shih edhe punimin e Dr. Muhammed Seid Ramadan el-Buti, Nahve menhexhin terbevijjin ferid,1988. Damask: Daru-l-fikr.

[4]  Për më shumë shih: Fetah, Irfan Abdu-l-Hamid, El jehudijjetu – ardun tarihijjun – ve-l-harekat el haditheh fi-l-jehudijjeh, 2002, Amman: Daru Ammar. F. 135-168.

[5]  Ibid. Shih edhe: Bazat e bibles për myslimanet, Surrey CR2 0ZA-ENGLAND-2004.