Perandoria Osmane dhe persekutimi i disa liderëve bektashi

0
419

 

Më 1826 Sulltan Mahmudi II i shpërbëri trupat jeniçere dhe nisi persekutimin e tarikatit bektashi: veprimtaritë e tij u ndaluan, krerët e tarikatit (Dede-baba, Çelebi dhe Dede, që ishte lider dervishë beqarë) u ekzekutuan, teqetë e reja u shkatërruan (në kryeqytet u shkatërruan edhe të vjetrat), vakëfet, tokat dhe ndërtesat e tarikatit u konfiskuan, shumë shehlerë dhe pjesëtarë të thjeshtë të tarikatit u internuan, dhe teqetë lokale iu dhanë tarikatit nakshbendi.

Këto persekutime nxitën mërgimin e pjesëtarëve të tarikatit bektashi në Ballkan, sidomos në Shqipëri ku teqe të reja të rëndësishme u ngritën në Tiranë dhe Akçe Hisara; tërë bashkësitë e vendasve atje u bënë pjesëtarë të këtij tarikati, duke protestuar kundër Islamit sunni të pushtuesve turq. Por gjatë sundimit të Sulltan Abdul-Mexhidit (1839-61) tarikati u ringjall dhe i rifitoi qendrat e tija të humbura.

Gjatë udhëheqjes së Ahmed Xhelal ed-din Çelebiut ndodhi konflikti përfundimtar mes çelebive e baballarëve. Tarikati u nda jozyrtarisht në tri degë: bektashitë, dedetë (armiqtë e tyre i quanin kaxharë, d.m.th banditë) dhe çelebitë (të quajtur murtedë – apostatë nga grupi i parë).

Më 1925 qeveria republikane e Turqisë i ndaloi të gjitha tarikatet, përfshi bektashinjtë. Ka të dhëna se bektashinjtë kanë qenë aktivë në Shqipëri edhe më 1967. Mirëpo sipas burimeve të tjera që janë zbuluar, tarikati bektashi ishte shkëputur dhe pavarësuar plotësisht nga Stambolli qysh më 1922, ndërsa më 1929, anëtarët e tarikatit bektashi mbajtën kongresin e tretë ku deklaruan publikisht pavarësinë nga qeveria turke, dhe ishin nën bashkësinë islame sunnite në Shqipëri. (Shih: Zhvillimi i Kulturës Islame te Shqiptarët në shekullin XX, f. 12, A.I.I.C.T, Tiranë: 1998).

Tarikati Bektashi është aktiv edhe në ish Jugosllavi. Deri më 1965 ka pasur një teqe shqiptare në Kajro. Në Turqi (1952) kanë ekzistuar rreth 30000 anëtarë të tarikatit bektashi. Më 1953-4 ata nisën veprimtari të forta politike në Stamboll, që nxitën shtypjen qeveritare.

Në periudhën e tyre formuese, bektashinjtë ishin të lidhur ngushtë me lëvizjen e gazive që bënë shumëçka për fitoren e osmanëve. Kjo rrethanë i dha tarikatit reputacionin e vëllazërisë sunnite, zinxhiri (silsile) i të cilit kthehet deri te kalifi i drejtë Ebu Bekr (vd. 635). Por me kalimin e kohës, doktrina e tarikatit u bë objekt ndikimesh të fuqishme trendesh asketo-mistiko-ezoterike (sikurse kalenderitë e melemetitë, shih The Sufi Orders in Islam, f. 393 për dallimin mes këtyre dy grupeve).

Si shumë dervishë me prejardhje të njëjtë, Haxhi Bektashi ishte edhe zëdhënës i mjerimeve shoqërore të turkmenëve, që shfrytëzoheshin nga sundimtarët. Dihet gjithashtu se ai u përfshi në kryengritje shoqërore kundër sundimtarëve selxhukë të drejtuar nga Baba Iljasi (~ 1240). Më vonë ai dhe Baba Is’haku u rebeluan nga tarikati kalenderi siç përmendëm, dhe ai ngriti tarikatin e tij të quajtur bektashi.

Ndikimi i Haxhi Bektashit u institucionalizua fuqimisht nëpërmjet identifikimit të tij me një organizatë fetare sufiste, mistike, pra tarikatin bektashi. Ky tarikat kishte si mision t’i bënte muslimanë më të mirë ato grupe për të cilët Islami ishte akoma formal dhe jo i rrënjosur në zemër, të cilat fshihnin shumë praktika heterodokse.

Megjithatë, ai e mori formën përfundimtare në shekullin XVI në kohën e udhëheqjes së Balim Sulltanit. Përdorimi i fjalës “sulltan” këtu është thjesht tregues i prestigjit dhe ndikimit. Bektashinjtë kishin nisur tashmë të merrnin përsipër patronazhin fetar të një formacioni të ri ushtarak osman, jeniçerët në stadin e tyre të hershëm. Ata ishin trupa elitare të sulltanit osman. Kjo organizatë u mëkëmb plotësisht në kohën e Muradit II (1446-51). (Shih: Turkiye Diyanet Vakfi  Islam Ansiklopedisi. Vol. 2, f. 461).

Sistemi i jeniçerëve u themelua mbi bazën e rekrutimit të djemve të rinj të aftë nga familje të krishtera, të cilët konvertoheshin më vonë në Islam dhe integroheshin në shoqërinë osmane, nga një jetë e afërt me familjet turke. Ato integroheshin edhe më tej në sistemin politiko-ushtarak osman nga stërvitja që merrnin në garnizone. Përvoja e hershme e integrimit të mësimeve në drejtbesimin qendror i përgatiste bektashinjtë për këtë detyrë shtesë dhe paskëtaj ata u bënë një vegël më e përgjithshme për qeverinë osmane në promovimin e drejtbesimit në perandorinë osmane që po lindej. (Ibid)

Lidhja mes jeniçerëve dhe bektashive si mbrojtës dhe kujdestarë vazhdoi deri në fillim të shekullit XIX. Mosbindja në rritje e jeniçerëve dhe përfshirja e tyre në konfliktet politike ndërkohë që një sërë sulltanësh po përpiqeshin të krijonin ushtri të disiplinuar sipas modelit perëndimor i bëri ata gjithnjë e më jopopullorë te sulltanët osmanë dhe reformatorët e shtetit. Këta të fundit gjithashtu preferonin një Islam mesatar besimdrejtë si ideologji që do përdorej për mobilizimin dhe njësimin e të nënshtruarve të tyre muslimanë. Përfundimisht, Sulltan Mahmudi II i shfarosi jeniçerët duke përdor topa për të shkatërruar barakat e tyre (1826).

Trupat jeniçere u ndaluan dhe tarikati bektashi u nxor jashtë ligjit. Prona e tyre iu transferua tarikatit rival nakshbendi. Megjithatë kjo nuk duket se i ndaloi veprimtaritë në ilegalitet të bektashive gjatë shekullit XIX. (Islam Ansiklopedisi, vol. 5,  f. 374-5, botimi i ri)

Ironikisht, ndërkohë që aleanca e trupave jeniçere me bektashinjtë punoi në një drejtim anti-reformist, idetë e bektashinjve – në vetvete dhe për shkak të përmbajtjes së tyre heterodokse – kishin pikë puqjeje me mendimin liberal të filozofëve të shekullit XVIII në Francë, çka nënkuptonte se bektashinjtë mund të vendosnin kontakte të lirshme me një prej rrjeteve që mbartën idetë e filozofëve të shekullit XVIII, gjegjësisht masonët e lirë. Mesa duket kjo lidhje mund të ndiqet në erën që pasoi vendosjen zyrtare të një periudhe reformash shoqërore, ekonomike dhe politike më 1839, e cila njihet në historinë turke si Tanzimat. (Për më gjerë rreth tanzimatit, shih: The Bosniaks and the Challenges of Modernity: Late Ottoman and Hapsburg time nga Fikret Karcic, Sarajevë: El-Kalem, 1998)

Në të dyja shtetet e rëndësishme reformuese figurat reformuese shfaqen si masonë gjatë shekullit XIX, kur masonët francezë dhe anglezë hapën degë në Stamboll. Kjo anëtarësi u rrit në vitet e fundit të shekullit XIX dhe në mesin e kundërshtarëve të Sulltan Abdulhamidit II (s. 1876-1909), të njohur si Xhonturqë. (Të shihet edhe: English translation by Prof. Evgeny Torchenov of “Bektashiya” from “Russian Encyclopedic Dictionary of Islam” (Moskë: Nauka, 1991, ff. 39-41, nga O. Akimushkin).

Republika turke i ndaloi të gjitha tarikatet, por ato vazhdojnë të funksionojnë në ilegalitet në Turqinë bashkëkohore.

Ja ligji i qeverisë turke që i ndaloi asokohe të gjitha tarikatet.

Ligji 677: Që ndalon dhe anulon profesionin e varr-mbajtësit, dhënien e emrave mistikë, dhe mbyll teqetë, zavijet dhe tyrbet. 13 Dhjetor 1925 (1341 H.)

Neni 1. Të gjitha teqetë dhe zavijet në Republikën turke, qofshin në formën e vakëfit ose nën pronësinë personale të shehlerëve përkatës ose të ngritura tjetërsoj, mbyllen. E drejta e pronës dhe zotërimit të pronarëve të tyre vazhdon. Ato që janë përdorur si xhami dhe mesxhide mund të mbahen si të tilla.

Të gjitha tarikatet që përdorin përshkrime si shejh, dervish, myhib, dede, çelebi, sejjid, baba, emir, nakib, halife, fallxhi, byjyxhyllëk (magji), yfrykçyllyk (person që pretendon se shëron me anë të frymës), falli, dhe shkrimi i hajmalive për të realizuar dëshirat e dikujt: pretendimi i të gjithë këtyre titujve dhe veshja e kostumit dervish ndalohen. Varret e sulltanëve, varrezat e teqeve mbyllen, dhe profesioni i varr-mbajtësit hiqet. Ata që hapin teqe, zavije, ose tyrbe, dhe ata që i ringrenë ato, ose ata që u japin vende të përkohshme tarikateve ose njerëzve që quhen me cilindo prej emrave mistikë të përmendur më lart ose u shërbejnë atyre, do të dënohen me të paktën tre muaj burg dhe do të gjobiten të paktën 50 lira turke.

Neni 2. Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.

Neni 3. Kabineti ngarkohet me zbatimin. (Të shihet versioni në linjë i Alevi-Bektashism: The Past and The Present of A Disappearing Turkish Culture, Gökhan Percin, Stanford University Press. Shih edhe: English translation by Prof.  Evgueny Torchenov of “Bektashiya” from Russian “Encyclopedic Dictionary of Islam” (Moscow: Nauka, 1991, ff. 39-41) nga Akimushkin; Islam Ansiklopedisi,Vol. 5, p. 374, botimi i ri. Rreth ndalimit të të gjitha tarikateve dhe shkaqeve të kësaj, shih: The Bektashi Order of Dervishes, p: 83).

                                                                                                                               

 

Prof.Dr.Hfz.  Hajredin Hoxha 

Tarikati bektashian (Hyrje në historinë dhe bindjet e tij) Sipas burimeve bektashiane