REKOMANDIMET DHE LIGJET APLIKIMI I TË CILAVE KËRKOHET SI KUSHT PËR GARANTIMIN E TË DREJTAVE TË PAKICAVE MUSLIMANE

 

Për kapërcimin e kësaj krize dhe këtyre sfidave ideore, fetare dhe shoqërore, para botës islame dhe asaj perëndimore, pakicat islame në shoqëritë perëndimore duhet të ndërmarrin këto hapa:

  • Shtimi i përpjekjeve të liderëve fetarë për përforcimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore nëpërmjet dialogut mes komuniteteve të ndryshme, luftimit të fanatizmit, unifikimit të përpjekjeve për luftimin e së keqes dhe të gjitha sjelljeve devijuese, sundimit të rendit dhe ligjit. Këto janë fusha në të cilat mund të bashkëpunohet me ithtarët e librit (çifutët dhe të krishterët)[1].
  • Që problemeve shoqërore të muslimanëve t’iu kushtohet më shumë rëndësi nga organet politike perëndimore si dhe të punohet në drejtim të trajtimit të çështjeve të tyre dhe të ngritjes së ankesave dhe kërkesave deri tek organet përgjegjëse, perëndimi doemos duhet ta pranojë se botës islame dhe muslimanëve iu ka borxh shkencor dhe kulturor.
  • Të njihet e drejta e muslimanëve për shkollim fillor, të mesëm dhe universitar si dhe të punohet në drejtim të zhdukjes së idesë famëkeqe për kinse fundamentalizëm islam. Kjo do të arrihej duke caktuar shkolla të veçanta dhe anekse të tjera arsimore, mu ashtu siç bëri Holanda, nën kujdesin e shtuar të së cilës janë gjashtë shkolla të veçanta dhe ashtu siç kanë çifutët dhe të krishterët shkollat e tyre të veçanta.
  • Trajtimi i barabartë i muslimanëve dhe ikja nga miratimi i çfarëdo ligji që do të prekte Islamin apo parimet e shenjta të tij. Ministri i Edukimit dhe Arsimit në Francë kohë më parë pati detyruar 600 vajza muslimane të hiqnin shaminë, pasi përndryshe do të përjashtoheshin nga shkolla.
  • Që ‘Rizgjimi islam’ në rritje, – i cili shprehet dhe manifestohet tek muslimanët e rinj, meshkuj e femra, në mbajtjen më të theksuar të parimeve fetare, në veshjen e hixhabit (shamisë), në frekuentimin e xhamive, në organizimin e takimeve fetare, për aq kohë sa manifestohen në përputhje me rregullat dhe të drejtat e garantuara, – të mos i ekspozohet ndonjë formë jotransparente, intolerante a dhune.
  • Që muslimanëve t’iu garantohet ushtrimi i lirshëm i të drejtës politike, të drejtës zgjedhore, të drejtës për të qenë deputet parlamenti, në mënyrë që problemet e tyre të diskutohen në këto forume të larta shtetërore dhe rrjedhimisht të dalin nga ky izolim politik dhe shoqëror.
  • Pakicat islame patjetër se duhet të rreshtohen pas një organi udhëheqës. Doemos duhet të kenë përgjegjës të cilët do të ngrenë zërin dhe kërkesat e tyre tek organet përgjegjëse. Vetëm kështu do të kenë zë të dëgjuar tek organet qeveritare përkatëse.
  • Dijetarët dhe udhëheqësit shpirtërorë duhet të bashkëveprojnë me aktualitetin në të cilin ndodhen. Ata janë në perëndim dhe përderisa janë pakicë, atëherë duhet ta kuptojnë se janë të obliguar që të respektojnë ligjet e shteteve në të cilat jetojnë dhe assesi të mos i kundërshtojnë ato. Nuk do të duhej pasuar modeli i atyre prijësve fetarë që lëshuan dekrete (fetva) për ndalimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale për shkak se ata kinse nuk kanë nënshtetësi holandeze dhe se kandidatët e propozuar nuk ishin muslimanë.
  • Perëndimorët vuajnë nga injoranca në raport me Islamin, kështu që atyre iu duhet ofruar Islami origjinal, pa shtrembëruar parimet dhe botëkuptimet e tij. Iu duhet ofruar imazhi i vërtetë i tij dhe i të Dërguarit, Muhammedit, alejhis selam, si dhe iu duhet shpjeguar se cilat janë veçoritë dhe karakteristikat e Islamit.
  • Paralel me këtë vetëdijesim të perëndimorëve për Islamin, duhen vetëdijesuar edhe pakicat islame për filozofinë perëndimore dhe shumëllojshmërinë e saj etnike, kulturore dhe fetare. Po kështu, atyre iu duhet shpjeguar se ideja e Samuel Huntingtonit për përplasje ndërmjet qytetërimeve nuk qëndron dhe nuk pranohet, përkundrazi, ndërmjet muslimanëve dhe të krishterëve, siç thotë Brian Beedham[2], do të ketë bashkëpunim më të madh në të ardhmen.
  • Të gjithë muslimanët, si ata që jetojnë në vendet e tyre, po ashtu edhe ata që janë në mërgim, duhet të luajnë një rol më të fuqishëm për përputhjen e Islamit me shkencat bashkëkohore dhe zhvillimin teknologjik dhe industrial, në mënyrë që kjo përputhje dhe pajtueshmëri të ndikojë dhe në ruajtjen e identitetit fetar dhe etnik të tyre në ambiente të paqëndrueshme shkencërisht, kulturalisht, teknologjikisht dhe industrialisht.
  • Kjo pajtueshmëri dhe përputhshmëri nuk mund të arrihet nëse nuk hapet paraprakisht dera e ixhtihadit dhe nuk ripërtërihet diskursi fetar[3], sidomos tash, e me theks të veçantë në perëndim, ngase kësisoj do të tejkaloheshin sfidat dhe barrierat bashkëkohore. Nuk guxojmë assesi të mjaftohemi me ixhtihadin e qindra vjetëve më parë.
  • Muslimanët vetëm tani kanë arritur të kuptojnë se komentimet klasike të Kur’anit, ato të përpiluara shekuj më parë, janë përgatitur për një mentalitet dhe ambient me shumicë muslimane. Ndërsa sot, doemos se duhet të kemi komentime të veçanta për pakicat islame, pra në rastin kur muslimanët nuk janë faktor, gjë kjo që nuk do të mund të realizohej pa kontributin e dijetarëve dhe mendimtarëve të mëdhenj ose pa ixhtihad të ri[4].
  • Perëndimi duhet të bëjë ndryshime në planprogramet mësimore në të cilat imazhi i Islamit paraqitet i shtrembëruar.
  • Parandalimi i kontingjenteve të urrejtjes, të cilat ftojnë në armiqësi kulturore dhe civilizuese.
  • Aprovimi i ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare që do të dënonin çdokënd që cenon të drejtat fetare.
  • Që hidhërimi mbarëbotëror islam të stopohet, paraprakisht perëndimi duhet ta frenojë veten nga padrejtësitë dhe dhuna ndaj muslimanëve.
  • Palët e interesuara për paqe, nga muslimanët dhe të tjerët, duhet ta vënë veten në shërbim të gjetjes së mënyrave për lidhje dhe dashuri ndërmjet njerëzve në vend të urrejtjes dhe armiqësisë ndërmjet tyre[5].
  • Themelimi i faqeve islame shumëgjuhëshe në internet, të cilat do të merreshin vetëm me prezantimin e Islamit dhe personalitetit të Muhammedit, alejhis selam.
  • Mbjellja e të vërtetave islame tek perëndimorët dhe pakicat islame se Islami është një fe që e shikon njerëzimin si një familje shumetnike dhe shumëgjuhëshe, të cilët duhet të jetojnë në paqe, duhet ta pranojnë njëri-tjetrin, duhet të dialogojnë ndërmjet vete dhe se ata janë vëllezër nga ky aspekt, pra i krijimit dhe llojit. Allahu ka thënë:

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.(Kur’ani: el-Huxhurat, 13.)

 

  • Mbjellja e parimit islam tek perëndimorët dhe pakicat tona se Islami është fe e tolerancës, faljes, mëshirës, dhe se shembull për këtë kemi Kur’anin, mësimet e të cilit vazhdojnë të shndrisin botën, dhe Sunnetin e të Dërguarit të Allahut, Muhammedit, alejhis selam, i cili në vazhdimësi reflekton paqen, mirësinë, butësinë, tolerancën, mirësjelljen…
  • Mbjellja e idesë islame në shpirtrat e perëndimorëve dhe pakicave islame se kjo fe e ndalon sharjen dhe ofendimit e tjetrit, nënçmimin dhe poshtërimin e tij, mu ashtu siç thotë Allahu:

Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij). Kështu Ne ia kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai i shpërblen për atë që vepruan.” (Kur’ani: el-En’amë, 108.)

  • Fitneja (përçarja) duhet izoluar, zjarri i saj duhet shuar, gjë kjo që pa një mund të përbashkët dhe dialog ndërmjet vete nuk do të mund të realizohej.
  • Bashkëpunimi i pakicave islame me perëndimorët për të përhapur moralin e mirë njerëzor dhe vlera të tilla si: sinqeriteti, besnikëria, nderi, krenaria, pozitivizmi, liria. Po kështu, do të duhej të ishin tok edhe për luftimin e sjelljeve devijuese dhe moralit të keq, si: gënjeshtra, mashtrimi, vjedhja, prostitucioni, lëndët narkotike. Këto janë fusha në të cila do të mund të bashkëvepronin pakicat islame dhe perëndimorët.
  • Gjë tjetër që do t’i bashkonte palët është edhe shkëmbimi i ndërsjellë material, kulturor, shkencor, tregtar etj[6].
  • Përkrahja dhe ndihma për personalitetin dhe figurën e Muhammedit, alejhis selam, assesi nuk guxojnë të përkthehen në përpjekje të dhunshme për të demoluar, djegur dhe shkatërruar pronat e të tjerëve. Ne i dënojmë sulmet e fundit ndaj ambasadave holandeze dhe norvegjeze në Bejrut dhe Damask. Alternativë janë mjetet e informimit dhe mjetet e tjera ligjore që prodhojnë efekte të dëshiruara dhe që, në radhë të parë, nuk ndeshen me rregullat, normat dhe parimet fetare.
  • Për të zbutur disi dhimbjen dhe pikëllimin e muslimanëve dhe lëndimin e ndjenjave të tyre, shteti holandez por edhe shtetet e tjera perëndimore duhet të jenë sa më shumë pozitive dhe më realiste në trajtimin e kësaj krize aktuale. Nuk mjafton vetëm dënimi i rasteve por gjithsesi duhen ndërmarrë edhe hapat konkretë për të ndëshkuar ata që prishën rendin dhe sigurinë, të paktën për të kërkuar falje publikisht, përndryshe dënimet e tyre do të duhej të ishin shumë të rënda[7].
  • T’u shpjegohet perëndimorëve dhe pakicave islame se feja islame, me të gjitha rregullat dhe parimet e saj, përshtatet me natyrën dhe kërkesat e njeriut. Ajo ka ardhur për të ruajtur dhe garantuar të drejtat e njeriut, çfarëdo që qoftë feja apo drejtimi i tyre. Këtë transparencë nuk e gjen dot në asnjë fe tjetër[8].
  • T’u themi perëndimorëve: “Mos i shqetësoni muslimanët dhe mos keni frikë nga Islami!” ngase Islami i vërtetë nuk paraqet rrezik për ju dhe as për kulturën tuaj. Islami, në fakt, është ilaçi që ruan kulturën tuaj nga shkatërrimi dhe garanton shërimin e saj nga sëmundjet…
  • O ju perëndimorë! Rreziku i vërtetë për ju dhe kulturën tuaj është degjenerimi dhe çoroditja, të cilat u mishëruan edhe me perandorinë romake dhe e shkatërruan atë. Në raportet tuaja me kozmosin (gjithësinë) i jeni kthyer tërësisht aspektit lëndor, materiales, teknikes, ndërsa keni harruar se këto janë vetëm mjete në shfrytëzimin tuaj dhe jo se meritojnë adhurimin Shkenca faktikisht merret, në radhë të parë, me vetë njeriun:
  1. Kush është ai?
  2. Prej nga vjen?
  3. Si është fundi i tij?
  4. Ç’ushqim duhet t’i ofrojë shpirtit?
  5. Ç’rëndësi ka morali për të?

Kjo fatkeqësi është ajo që birit të kulturës perëndimore i ka dhuruar një boshllëk në të menduarit, ndjenjat, ndërgjegjen, raportet me gjithësinë… Me gjithë këto boshllëqe dhe mungesë ndjenjash shpirtërore, disa prej tyre prapë i sheh tek merren shumë me shkencë, politikë, probleme shoqërore, derisa të tjerët, që vuajnë nga kjo mungesë ndjenjash dhe që nuk i pranojnë, i sheh të ikin nga ky realitet dhe mundohen ta harrojnë atë duke konsumuar alkool, lëndë narkotike, duke bërë jetë të shthurur ideore, seksuale, krime, e çka jo tjetër?! 40% e shkollave fillore në Amerikë praktikojnë dhënien e dozave të lëndëve narkotike për nxënësit e tyre dhe këtë nën përkujdesjen e mjekëve specialistë për të arritur atë nivelin apo balancimin intelektual të nevojshëm tek ta. Ky është rreziku që kërcënon kulturën perëndimore dhe jo Islami. Po shtrohet pyetja: si është shërimi?

  • Shërimi konsiston me interesimin më të madh të perëndimit për njeriun si tërësi dhe për njohjen me kërkesat e tij shpirtërore dhe kërkesat e tjera të domosdoshme, si dhe angazhimin serioz për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të parashtruara më parë, nëpërmjet një metodologjie të thuktë shkencore larg çdo miti dhe iluzioni. Ose thënë më shkurt dhe më qartë, ai që garanton shërimin dhe shpëtimin tuaj është vetëm Islami.
  • Ne nuk iu thërrasim që ta përqafoni Islamin verbërisht. Ne ju thërrasim që të njiheni me Islamin larg çdo miti a ideje të huaj, ngase kështu vetvetiu do të bindeni për atë se mësimet e tij përputhen me të arriturat tuaja shkencore dhe rrjedhimisht edhe do të gjeni prehjen shpirtërore tek ai.
  • Ajo që duhet apriori të bëni është zhveshja dhe çlirimi nga ato bindjet dhe iluzionet se kinse Islami paraqet rrezik permanent për ju. Atë duhet ta merrni si mik të sinqertë, si strehim shpirtëror, duhet ta studioni mirë e pastaj ta përqafoni pa dhunë, presion a imponim.
  • Islami është shpëtim për pleqërinë e kulturës perëndimore para se atë ta zërë vdekja…[9]
  • Pakicat islame kanë obligime karshi shoqërisë në të cilën jetojnë. Parimi i mirësjelljes dhe përmbushjes së obligimeve parasheh që të ketë shkëmbime ndërmjet tyre dhe shoqërisë në të cilat jetojnë. Nëse perëndimi iu ka ofruar atyre shkencë, teknikë dhe gjëra të tjera, atëherë ata duhet t’i ofrojnë perëndimit bazamentet e kulturës islame, që i mungon perëndimit dhe për të cilat ai ka nevojë më së shumti.
  • Nëse muslimanët vuajnë nga mungesa e të mirave materiale, atëherë perëndimorët vuajnë nga problemet shpirtërore dhe shoqërore, nga perceptimet e gabuara në ide dhe besim, dhe po kështu edhe nga problemet në shëndetin psikik – nervor. Tërë kjo nënkupton se për muslimanët ka ardhur koha që ta ushtrojnë rolin e tyre për të shpëtuar shoqërinë njerëzore në përgjithësi dhe atë perëndimore në veçanti nga humnera dhe degjenerimi dhe të gjitha sëmundjet dhe problemet e tjera, shifrat e të cilat rriten nga dita në ditë në perëndim….[10]
  • Muslimani duhet të jetë shëmbëlltyrë për rrethin ku jeton. Ai duhet të ofrojë një imazh të vërtetë dhe impozant të Islamit, si dhe jetësojë në praktikë mësimet e tij. Kësisoj, ai do t’i ofrojë shoqërisë perëndimore një model të një muslimani të vërtetë që do të kishte si rezultat edhe shkëmbimin ndërkulturor dhe dialogët përkatës. Kjo, siç po shohim, vërteton faktin se nuk guxojmë që në thirrjen tonë të mjaftohemi vetëm me fjalë apo me shkrime.
  • Pakicave islame në perëndim iu mbetet për obligim që të jenë pikë referimi për familjarizimin me rrethin dhe ambientin, jo për shkrirje, asimilim dhe humbje të identitetit, por për moralin dhe edukatën brilante e cila këtyre pakicave do t’iu japë pozitë nderi dhe respekti në mesin e këtyre shoqërive perëndimore.
  • Pakicat islame duhet të respektojnë ligjet në fuqi të shoqërive në të cilat jetojnë, për aq kohë sa ato janë hartuar për të respektuar qenien njerëzore dhe për të siguruar rendin, sigurinë dhe stabilitetin shoqëror. Kjo është pikë e përbashkët e parimeve islame dhe ligjeve në fjalë.
  • Kjo nënkupton se pakicat islame duhet të jenë ambasadorë të sinqertë të fesë së tyre, gjë të cilën nuk do të mund ta realizojnë kurrë nëse Islami, mësimet dhe morali i tij nuk janë të mëshiruara në personalitetin  e tyre. Vetëm kështu do të mund të ndikojnë në shoqëritë perëndimore dhe të gjejnë respektin e duhur për ta.
  • Fajin për shtrembërimin e imazhit islam në perëndim të tjerët ia hedhin pikërisht pakicave islame, për shkak se ata nuk e përfaqësojnë denjësisht Islamin. Fjalët dhe veprat e tyre janë larg njëra-tjetrës sikur lindja dhe perëndimi. Ata bartin emrin e Islamit, ndërsa në fakt sjelljet dhe veprat e tyre janë në kundërshtim të plotë me të[11].

A thua vallë do të shpëtojë shoqëria njerëzore prapë nëpërmjet duarve të muslimanëve?

A do të jenë muslimanët shkak për lumturinë njerëzore dhe shpëtimin e saj të sërishëm?

Le të shpresojmë se po dhe ta lusim Allahun për një gjë të tillë, sikurse që e lusim edhe në fund të këtij punimi dhe shprehim të gjitha falënderimet dhe lëvdatat tona për Të!

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

PAKICAT ISLAME NË EVROPËN PERËNDIMORE DHE LINDORE– aktualiteti dhe shpresa-

 


[1] Për me shume këshilla dhe rekomandime përkatëse referoju: www.qaradawi.net

[2] Këtë mendim e mbështeste edhe Alija Izetbegoviçi.

[3] Për më shumë rreth kësaj shih: Texhdid el hitab ed dinijj, përgatitur nga: Lexhnetu el buhuth fi Merkez ed dirasat el islamijjeh në Damask, i prezantuar në Seminarin Texhdid el hitab ed dinijj të organizuar nga Universiteti i Damaskut, 2004 (www.altajdeed.org). Po kështu shih edhe: El Islam bejnet texhdidil matlub vet tebdilil mefrud të Dr. Butit në www.bouti.com

[4] Për hollësi të jetës së muslimanëve në perëndim shih punimin e Zeki Bedevit në revistën Afak el Islam: The reality of the situation of muslims in the West, f. 32-43, 2 mars 1995.

[5] Për zgjidhje dhe propozime adekuate kthehu tek www.amrkhaled.net

[6] Për më shumë referoju www.amrkhaled.org

[7] Për më shumë rreth trajtimit të kësaj krize ktheju: www.islamtoday.net

[8] Për më shumë shih intervistën e Dr. Vehbe Zuhajlit në gazetën Al Vatan, www.zuhayli.net

[9] Pjesë të shkëputura nga një artikull i gjatë me titull: “Nesihati ilel garbijjine el eldhine jetehavvefune el jevme minel Islam” të Dr. Muhammed Seid Ramadan el Butit, të publikuar  në faqen personale të tij në internet: www.bouti.com

[10] Shih artikullin “El xhalijat el islamijjeh fil garb ve mesulijjetuha tuxhahel muxhtemeil garbijj” të publikuar në www.islammemo.cc Artikulli sjell shifra tmerruese të rasteve të shkurorëzimit, vetëvrasjes, dhunës familjare, mbytjes së grave, SIDA-s, e sëmundjeve dhe problemeve tjera në shoqërinë perëndimore.

[11]  Ibid.

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments