Sa ndikon sipas mendimit tuaj roli edukativ i bashkëshortes në forcimin e karakterit social dhe atë shpirtërorë të bashkëshortit?

0
637

 

Përgjigjja e kësaj pyetje ka lidhshmëri të fortë me pyetjet dhe përgjigjet paraprake. Normal që roli i shoqes së edukuar ka për të ndikuar pozitivisht në karakterin personal, shpirtëror por edhe profesional dhe social  të bashkëshortit.

Nëse ajo nanë, shoqe, bashkëshorte është me karakter fetar, edukativo-arsimor të mirë, moral, social të shëndoshë, s’do mend që ajo do të luaj rolin pozitiv psiqikisht dhe moralisht të shëndoshë në përforcimin e personalitetit të bashkëshortit të saj dhe suksesit të tij. Këtu kuptohet mençuria dhe sekreti i kriterirt të moralit që pejgamberi a.s, e ka përmend para 14 shekujve në prag të përzgjedhjes së bashkëshortit/bashkëshortes.

Çfarë po shohim sot te gjeneratat e reja dhe sjelljet e tyre jo edukative është tmerr e zi!! Si në botën arabe ashtu edhe në trojet tona shqiptare dhe gjetiu ku disa çifte nuk janë të ujdisura me njeri tjetrin, nuk përputhet ADN-ja dhe  kimia e gjakut të tyre dhe si pasojë nuk kanë muhabet e respekt, dhe kështu vjen situata gjer te ndarja apo shkatërrimi i kësaj strofulle që feja islame e ka kërkuar ruajtjen e saj me çdo kusht dhe e ka konsideruar një ndër prioritetet islame të mëdha.

Para furtunave të modernizmit global, para kulturës perëndimore dhe amerikane, para të zezave mediatike në emër të globalizmit dhe të emancipimit post-modern, roli i bashkëshortes me parime dhe etika njerëzore pozitive në përforcimin e karakterit social, shpirtëror dhe profesional ka qenë shumë i madh dhe i fortë, për arsye të përkufizimit kulturor të saj ku shembull konkret i kemi nanat tona dhe kulturën e tyre të pastër e të sinqertë.

Ajo nuk ka qenë e ekspozuar për media aktuale, ajo vetë personalisht nuk ka pas qasje me kulturat e huaja, dhe kjo traditë konzervative ka qenë e mirëseardhur dhe kemi qenë dhe jemi krenar me këso lloje apo tipa të bashkëshorteve, nanave dhe motrave tona.

Ilustrimi me konkret për rolin pozitiv që mundet me e luajtë gruaja/ shoqja/ bashkëshortja/ e kemi në rastin dhe shembullin e hazreti Hatixhës me pejgamberin tonë Muhamedin a.s. kur ai u kthehej në shtëpi i zhgënjyer, i lodhur, i mërzitur, i ofenduar, i luftuar nga populli dhe fisi kureshit në Mekke në fillim të davetit të periudhës islame, ai u kthente në prehër të bashkëshortes së tij  Hatixhës r.a. dhe ajo e qetësonte, e këshillonte, e përkdhelte, i jepte kurajo, ia lehtësonte brengat e tij duke i thënë:

Allahu nuk ka për të humbur..Allahu nuk ka për të poshtëruar..ti i ndihmon të varfërve, i ushqen musafirët dhe je bujar etj etj…dhe kështu Muhamedi a.s. përforcohej dhe freskohej sërish për misionin e tij të shenjtë.

Kemi edhe raste tjera por hapësira e përgjigjeve është e limituar, dhe Allahu xh.sh. e di më mirë.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha,

PËRGJIGJE AKADEMIKE DHE FETARE PËR PYETJET E PARASHTRUARA NGA STUDENTËT E NIVELIT MASTER PRANË FAKULTETIT TË STUDIMEVE ISLAME NË PRISHTINË