SHQYRTIMI ANALITIK I FUNKSIONALIZIMIT TË SHKENCAVE TË KUR’ANIT NË DA’VET

0
213

 

Falënderimi i takon Zotit të botëve! Salavatet dhe selami qofshin mbi Pejgamberin e pejgamberëve dhe të dërguarve, mbi Pejgamberin tonë, Muhammedin a.s., mbi familjen e tij, mbi sahabët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin rrugës së tyre deri në Ditën e Gjykimit!
Kur’ani Famëlartë është gjëja më e madhëruar që meriton t’i kushtohet shumë kohë dhe që t’i përkushtohet një studim jetësor. Zoti i Madhëruar e nderoi ummetin islamik me dërgimin e Pejgamberit prej mesit të tyre, që ua lexon ajetet e Tij, i pastron ata dhe ua mëson atyre Kur’anin e urtësinë. Zoti i Madhëruar thotë:
“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” (Ali Imran, 164)
Ai (xh.sh.) po ashtu ka bërë njerëz më të mirë, sepse urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja:
“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija…” (Ali Imran, 110)
Zoti i Madhëruar, po ashtu, e ka bërë Kur’anin si udhërrëfyes në atë që është më e fuqishme:
“Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (El-Isra, 9).
Ai e bëri atë dritë dhe argument për botët:
“O ju njerëz, juve ju erdhi nga Zoti juaj argument dhe Ne ju zbritëm dritë të qartë.” (Nisa, 174).
Zoti i Madhëruar iu premtoi besimtarëve fitoren, përkrahjen, fuqinë dhe mundësinë me kusht që ta përcjellin Kur’anin, t’i ndihmojnë fesë islame, t’i përkulen Zotit të Madhëruar, t’i nënshtrohen Pejgamberit a.s., t’i respektojnë urdhrat dhe të largohen nga të ndaluarat e Tij, t’i zbatojnë parimet, të lejojnë atë që Ai e ka bërë hallall dhe të ndalojnë atë që Ai e ka bërë haram:
“O besimtarë, nëse ju ndihmoni (fenë) All-llahun, Ai ju ndihmon juve dhe u forcon këmbët tuaja.” (Muhamed, 7)
“Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit.” (Nur, 55)
Synimi primar i zbritjes së Kur’anit Famëlartë është udhëzimi i njerëzve në rrugën e drejtë e të vërtetë:
“Udhëzim dhe përgëzim për besimtarët.” (Neml, 2)
“Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.” (Bekare, 2)
“Zbritja e Kur’anit është padyshim nga Zoti i botëve.” (Sexhde, 2)
Synimi i tillë i lartë dhe primar nuk kundërshtohet me Kur’anin Famëlartë në sferën e tregimeve dhe të disa shkencave humane e sociale. Në shumë ajete të Kur’anit Famëlartë theksohen të dhëna nga astronomia, kimia, fizika, matematika, inxhinieria, gjeologjia, shkencat detare, embriologjia, medicina, ekonomia dhe shkenca e arte të tjera, të cilat ishin të dobishme për disa dijetarë të famshëm, që thoshin se Kur’ani Famëlartë i përmban shkencat e të parëve dhe të mëvonshmëve.

Ndër mënyrat e mbrojtjes së Kur’anit Famëlartë nga Zoti i Madhëruar është ajo e mësimit përmendsh të çdo rreshti, leximi i shpeshtë, komentimi nëpër libra, mbrojtja nëpër librari, shkolla e universitete si dhe shënimi i të gjitha shkencave dhe arteve me shembuj konkretë. Po ashtu, ekzistojnë shumë hulumtime e studime, si p.sh., shkenca e ajeteve mekase e medinase, të përgjithshme dhe të përveçme, absolute dhe konkrete, shkenca e leximeve dhe e shtatë shkronjave, ndarjet dhe shembujt, rrëfimet kur’anore, stilistika, mrekullia, leximi reprezentatues i Kur’anit, abrogimi dhe derogimi, të qartë e të paqartë etj.

I pastër nga të metat është Ai që ka mbjellë në zemrat e robërve të Tij të
sinqertë dashurinë ndaj Kur’anit Famëlartë, i cili, si libër i fundit, konsiderohet mrekulli hyjnore për të gjitha gjeneratat në çdo kohë dhe në çdo vend. Ky libër vlen, po ashtu, për të gjitha kohërat dhe për të gjithë njerëzit deri në Ditën e Gjykimit.
Dijetarët klasikë dhe bashkëkohorë janë unanimë rreth mendimit se shkencat më të respektuara janë ato që kanë të bëjnë me librin e Zotit të Madhëruar dhe që janë në shërbim të tij. Ata, po ashtu, janë unanimë se forma, shkrimi, ajetet, suret, fjalët e fjalitë si dhe përmbajtja e Kur’anit Famëlartë, duke përfshirë edhe ligjet, parimet e rregullat, janë mrekulli hyjnore që vlejnë për të gjitha kohërat dhe për të gjitha vendet si dhe janë të paarritshme për të gjithë njerëzit, të cilët as që mund të sjellin diçka të tillë.
Në bazë të kësaj që u theksua, dëshiroj të përmend një çështje shumë të rëndësishme, gjegjësisht faktin se çdo shkencë i shërben Kur’anit Famëlartë dhe në një farë mënyre gjithashtu konsiderohet mrekulli, sepse ka të bëjë me Librin që është mrekulli. Format e mrekullisë së shkencës së tillë dalin në pah kur zbërthehen në suaza të shkencave që kanë të bëjnë me Kur’anin Famëlartë, dhe gjërat e tilla janë të shumta në lëndën e shkencës së Kur’anit.

Çështjet e tilla janë të ndërlidhura po ashtu edhe me shkencat tjera që mund të aplikohen e të realizohen.
Thënë shkurt, përmes këtij studimi ftoj në një metodologji të re për t’u ndërlidhur me shkencat e Kur’anit, gjegjësisht funksionalizimin pozitiv të shkencave të tilla që kanë të bëjnë me Kur’anin Famëlartë në jetën tonë të përgjithshme dhe private, si individ, shoqëri e ummet, qoftë nga aspektet edukative, të da’vetit, akademike ose etike.
Ndoshta kjo orvatje personale është një hap i parë që do të pranohet dhe, më pas, gjatë studimeve të mëtejshme të Kur’anit Famëlartë, do të zhvillohet nga hulumtuesit e studiuesit e tjerë.
Në këtë punim shkencor dëshiroj të shqyrtoj dy çështje, gjegjësisht njërën prej tyre nëse ma mundëson punimi në fjalë, dhe këto dy çështje kanë të bëjnë me shkencat e bekuara të Kur’anit, konkretisht me shkencën e ajeteve mekase dhe medinase si dhe me shkencën e zbritjes së njëpasnjëshme të ajeteve të Kur’anit, për të kuptuar mënyrën e funksionalizimit të këtyre dy shkencave dhe mënyrën e përfitimit të dobive prej tyre në sferat e sipërpërmendura.

Besoj se me këtë metodologji të re, – në bashkëpunim me shkencat e Kur’anit (ose me shkencat e tefsirit), madje edhe me shkencat e sunnetit, ose me rregullat usuliste ose juridike dhe me funksionalizimin e tyre në realitetin tonë bashkëkohor, – do të dalim në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bota e teorive e ideve në botën e rezultateve dhe në aplikimet bashkëkohore të parimeve dhe rregullave islame. Ky është fryti i vërtetë i shkencave dhe i njohurive të sheriatit ose jo të sheriatit. Po ashtu do të mbështetemi në marrjen kualitative të shkencave që janë në shërbim të Kur’ani Famëlartë si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen, bile edhe në të ardhmen, inshaallah!

Një orvatje e tillë e përpunimit të shkencave të Kur’anit ose të shkencave të tefsirit është thjesht personale, dhe ekzistojnë dy arsye që ndikuan dukshëm që t’i qasem kësaj çështjeje. Arsyeja e parë ka të bëjë direkt me jetën, aktivitetin dhe punën time në profesionin e da’vetit, imamatit dhe ligjëratave në vendlindjen time në Kosovë, e në disa shtete perëndimore dhe aziatike, si p.sh., në Gjermani, Zvicër e Malajzi, pastaj puna ime konkrete në da’vet dhe kontakti im i drejtpërdrejtë me ftuesit në fe (da’vetçinjtë), me dijetarët arabë dhe joarabë, shqiptarë, turq, boshnjakë, malajzianë, indonezianë, brunejanë, kinezë, indianë, palestinezë, saudianë, katarianë, irakianë, sirianë, jemenas, egjiptianë, sudanezë, algjerianë, marokenë, maritaniasë dhe disa dijetarë nga Afrika.

Arsyeja e dytë ka të bëjë edhe me eksperiencën time akademike në ligjërimin e lëndës së “shkencave të Kur’anit, të tefsirit, të mrekullisë së Kur’anit, të drejtimeve bashkëkohore në tefsir, hyrjen në Kur’an e sunnet, metodat e komentuesve dhe të lëndëve të tjera për studentë e studente në gjuhën arabe e angleze në baçelor dhe studime të larta si dhe në mentorimin e mbrojtjen e disa disertacioneve shkencore në magjistratura. E kam ushtruara profesionin e arsimit, madje ende e ushtroj të njëjtën punë, afro dy dekada në universitete të ndryshme, dhe për këtë e falënderoj Zotin e Madhëruar.

Prof.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha
SHQYRTIMI ANALITIK I FUNKSIONALIZIMIT TË SHKENCAVE TË KUR’ANIT NË DA’VET (Shembull konkret – shkenca e ajeteve mekase dhe medinase)