Autori, qysh në parathënie, tërheq vërejtjen për disa lëshime të gjuhëtarëve të parë, si Sibevejhi, që nuk argumentonte me Kur’an aq sa argumentonte me poezi. Nuhhasi në Sherhu-sh-shevahid përmend se argumentimi me poezi, sipas versionit të botuar, është 1061 herë, ndërsa Kur’anit i është referuar vetëm 373 herë. Metodologji të tillë ndoqi edhe Muberredi në veprën e tij el-Muktedab.
Gjuhëtarët patën vënë rregulla, për të cilat nuk ishin mbështetur në metodën dhe stilin kur’anor, andaj ndaluan shumë forma, shembujt e të cilave kishin ardhur në Kur’an. Shih – si shembull – diskutimin për “كل”(ar. kul-lu), e cila vjen si pjesëz e varur para një emri të pashquar por që pason (ndjek) shkaqet apo (ar.) avamilët .
Autori, po kështu, ka diktuar edhe lëshimet që janë bërë nga disa komentues, të cilët kanë thënë se nuk ka mundësi që el-istithna el-muferreg të vijë pas ‘ma zale dhe simotrave të saj’ (ما زال وأخواتها). Shejhu ka argumentuar se folja e kohës së shkuar ka ardhur pas pjesëzës ‘il-la’ (إلا) ndërsa ato nuk janë dy kushtet që i ka përmendur Redijji . Shejhu, në studimin e vet, ka provuar se në Kur’an folja e kohës së shkuar ka ardhur 18 herë pas pjesëzës ‘il-la’ (إلا), ndërsa asnjëherë nuk kanë qenë evidente kushtet e përmendura më parë .
Shejhu ka reaguar ashpër edhe kundër akuzave, që ai i quan të pabaza, të disa gjuhëtarëve arabë që kanë thënë se Kur’anit i mungojnë disa metoda gjuhësore, akuzë të cilën ai e mohon me shembuj adekuatë dhe argumente konkrete. Gjuhëtarët janë fajtorë edhe për – siç e quan Shejhu – fushatën mëkatare kundër transmetuesve, për kinse transmetim në mospërputhje me rregullat dhe parametrat gjuhësore.
Ata akuzohen për solecizëm apo transmetime të kiraeteve me gabime gramatikore (ar. lahn) , madje edhe në kiraetet mutevatire. Ata, në fakt, kanë harruar parimin të cilin Shatibiu e sjell në librin e tij: “Analogjia nuk ka vend në kiraete!” Kiraetet vërtetohen vetëm me shpallje, marrje (nxënësi nga mësuesi) dhe gojarisht. Në vijim, Shejhu flet se si librat e këtyre gjuhëtarëve kanë përfshirë akuza të rënda për këta lexues të shtatë kirateve, duke cituar gjuhëtarët si Zemahsheriun, Ibni Kutejben, Ebu Uthman Maznin, Ibni Mutarrifin dhe thëniet e tyre përkitazi me mungesën e korrektësisë tek lexuesit në fjalë.
Si hulumtues dhe studiues i veprës në fjalë, konsideroj se do të kishte qenë mirë sikur këta gjuhëtarë të përmbaheshin nga të folurit për lexuesit e nderuar dhe besnikë, të cilët e morën Kur’anin brez pas brezi gojarisht dhe e përcollën deri në ditët tona. E vërteta është se ata nuk kanë pasur gisht në transmetime, kështu që akuzimi i tyre nënkupton akuzim edhe të Librit tonë të shenjtë.
Sa shumë do të ndaheshin të kënaqur orientalistët sikur të hasnin në akuza të tilla, ngase do ta kishin shumë të lehtë t’i përhapnin idetë e tyre të helmuara për shkak se do t’iu referoheshin këtyre gjuhëtarë të përmendur më parë. Nuk gabohem nëse them se, për shumë akuza, orientalistët kanë pasur si burim pikërisht punimet e këtyre gjuhëtarëve.
MËNYRA E PREZANTIMIT TË DETAJEVE TË STUDIMIT SIPAS METODËS PYETJE – PËRGJIGJE SI DHE DISA VËREJTJE METODOLOGJIKE
1) Para studimit të çdo pjesëze (harfi), autori sjell në formë të përmbledhur pikat e shtjellimit, gjë të cilën ai e quan ‘Vështrim rreth studimit’, për të pasuar më pas me detajet e tij. Metoda e tij, sikurse në fillimin e studimit me këtë përmbledhje, i ngjan metodës së dhënies së lajmeve, të cilat në fillim sjellin titujt kryesorë e më pas detajet.
2) Këtë studim ua ka ofruar lexuesve, pavarësisht dallimit në nivele dijesh dhe kulturash.
3) Kjo metodologji i ka mundësuar autorit që të citojë tekste të shumta në pjesën ku ai ndalet për t’i shtjelluar në mënyrë të detajuar çështjet. Me këtë, ai ka kursyer nga mundi shumë studiues, ngase ata gjejnë aty referenca të shumta dhe të ndryshme gjuhësore, të cilat i ka përdorur Shejhu.
4) Referencat e tij kryesore kanë qenë librat e tefsirit dhe sintaksës, si: El-bahru-l-muhit i Ebu Hajjanit, Kesh-shafi i Zemahsheriut etj. Shejhu shpeshherë ka polemizuar me Ebu Hajjanin, i cili ndonëse i gjente vërejtje Zemahsheriut, prapë e citonte atë në veprën e tij.
Metodë e Shejhut ishte edhe parashtrimi i diskutimit në formë pyetje – përgjigje, prej së cilës, sa për ilustrim, hulumtuesi do të sjellë një shembull.
Pyetja: Libri ‘Mugni-l-lebib an kutubi-l-earib’ i Ibni Hishamit a mjafton për studimin e pjesëzave aq sa të mos ketë nevojë për këtë libër?
Përgjigja: Ibni Hishami ka folur për pjesëzën përjashtuese ‘il-la’ (إلا) në jo më shumë se 60 rreshta, ndërsa unë për të njëjtën çështje kam folur në 153 faqe ose 3000 (tremijë) rreshta.
Metodologjia e Shejh Abdul Halik Idmeh-ut është klasike. Ai nuk e ka përpiluar librin ashtu siç përpilohen librat sot: në kapituj, nënkapituj, pjesë, e kështu me radhë, por ka ndjekur metodologjinë e autorëve klasikë, ani pse dallon pak prej tyre.
Assoc.Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA –STUDIME TË METODOLOGJISË STILISTIKE KURA’NORE TË SHEJH MUHAMMED ABDUL HALIK ‘UDEJMEH-ut