Hyrje në analizimin e sistemit japonez të Edukimit dhe vlerësimit të përvojave

0
479

Falënderimet i takojnë Allahut, i Cili ia mësoi njeriut të shkruarit dhe atë që nuk e dinte. Falënderimet i takojnë Atij që në Librin Famëlartë thotë:

…Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” (ez-Zumer: 9)

Përshëndetjet qofshin për zotërinë e njerëzimit, Muhammedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!

Krahas fushës se interesimeve të mia në tefsir dhe studime kur’anore, si ekspert dhe specialist fetar, Allahu i Madhëruar më pajisi edhe me dashurinë për t’u interesuar për aspektin edukativo-arsimor nëpër shkolla dhe universitete. Gjatë kohës që qëndrova në Azinë Juglindore, në Malajzi, [1]përgatita një punim për shkollat e sistemit të avancuar në Malajzi dhe ndikimin e tyre të madh në nxjerrjen e gjeneratave të suksesshme, punim ky që zgjoi interesim nga disa lexues. E pastaj dallgët e jetës më çuan në një universitet arab, ku për një kohë të gjatë ligjërova disa nga lëndët islame profesionale dhe të tjera. Prej këtyre të fundit, më ra të ligjëroj lëndën e Kulturës Islame (eth thekafetu-l-islamijjeh) në të dy nivelet e saj. Planprogrami i paraparë përfshinte tema bashkëkohore, si: “Mesatarja – e vërteta përkitazi me të, nevoja dhe vlera e saj”, “Ekstremizmi dhe terrorizmi dhe ndikimet negative në jetën e të rinjve muslimanë” etj. Falë ndihmës së Allahut, kohë më parë përgatita një punim rreth radikalizmit dhe terrorizmit dhe trajtimit adekuat nga perspektiva kur’anore dhe pejgamberike, të cilin e publikoi revista shkencore el-Hikmeh. Në punimin në fjalë[2], trajtova edhe tekstet që kanë të bëjnë me mesataren dhe moderimin.

Gjatë kohës që shërbeva në universitet vërejtja se institucionet arsimore në botën arabe janë jashtëzakonisht të përkushtuara për zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë arsimore, në mënyrë që objektivat edukative të çdo vendi

arab të realizohen dhe të nxirren gjenerata produktive dhe të prosperuara për të qenë të afta për të bashkëvepruar me kohën dhe zhvillimet e saj, për të përfituar nga të mirat e saj dhe për t’u përballuar me sfidat e saja, nën hijen e parimeve dhe vlerave islame.

Për të gjetur një model konkret me perspektivë dhe sukses të dëshmuar hulumtova shumë në institucionet edukativo-arsimore, në mjetet shkencore, kulturën dhe edukatën, me qëllim që të ngrihet edhe shkalla dhe cilësia e mësimit tek nxënësit dhe studentët arabë. Fillimisht u ndala tek institucionet evropiane dhe, thënë nga pozita ime si hulumtues evropian, nuk gjeta apo nuk hasa në diç që do t’ia vlente të mbështetej në të. Gjermania ishte ajo që deri diku më la mbresa dhe vetëm më vonë kuptova se Japonia, pas Luftës së II Botërore, ishte ajo që kishte përfituar nga sistemet arsimore të Gjermanisë dhe Francës.

Hulumtimin e vazhdova edhe atëherë kur kalova nga Lindja e Mesme në Lindjen e Largët, respektivisht në Brunei për të ligjëruar në Universitetin Islam Sulltan Sherif Ali. Hulumtova në institucionet arsimore të disa shteteve të zhvilluara aziatike, si Singapori, Koreja Jugore etj, por në fund e gjeta atë që kërkoja tek sistemi arsimor i Japonisë, i cili ishte në epërsi dhe më i zhvilluar se çdo sistem tjetër arsimor i shteteve përreth.

Me gjithë angazhimin e madh akademik e luta Allahun që të më ndihmonte t’i qasesha studimit të këtij sistemi efektiv arsimor dhe të më shpërblente për mundin që kam dhënë! Konsideroj se kam dhënë një mund modest dhe kam ofruar një model, vlerësimin dhe kritikat për të cilin i pres nga ju.

 

Në vendet komuniste arsimimi është rreptësisht i indoktrinuar, i dirigjuar dhe i nënshtruar ndaj interesave të ideologjisë sunduese dhe sistemit politik. Në vendet kapitaliste arsimimi në masën më të madhe i përshtatet kërkesave të ekonomisë dhe është në shërbim të sistemit industrial. Në të dy rastet arsimimi është në funksion, në shërbim të sistemit

Alija Izetbegoviç

Islami ndërmjet lindjes dhe perëndimit, f. 56.

 

Shërbyesi i Kur’anit dhe Sunnetit

Dr. Hajredin Hoxha

Brunei Darussalam

BURIMI:
MUNGESA E BOTËKUPTIMEVE TË MODERIMIT NË UNIVERSITETET ARABE
Lexim mbi përvojën edukative japoneze dhe mbi interesimin e Mbretërisë Saudite për të


 

[1] Studimet postdiplomike, magjistraturë dhe doktoratë, në Universitetin Islam Ndërkombëtar të Malajzisë, 1997-2004. www.iiu.edu.my

[2] Punimi në fjalë është publikuar nga revista el-Hikmeh, e cila publikohet në Manchester – Angli dhe në Medine Munevvere – Arabi Saudite, në numrin 37, f. 399-463. Po kështu është përkthyer në shqip nga Sedat Islami dhe është botuar në Takvim 2008.