Përmbledhje e përvojës edukative japoneze me interes të Mbretërisë Saudite

0
391

Autenticiteti është i nevojshëm për çdo popull, e në veçanti për popujt muslimanë. Autenticiteti bazohet në Kur’an, Sunnet dhe jetëpërshkrimet e paraardhësve tanë të sinqertë (selefu-s-salih) ndërsa nënkupton kthimin e ummetit tek rrënja, tek zanafilla, ngase ummeti shquhet për misionin, rolin dhe rëndësinë që ka.

Kështu, autenticiteti synon të njoftojë bijtë e ummetit me fenë e tyre, sikurse që i vë vetes për obligim t’i ruajë ata nga sulmet e armiqve. Ummeti – falë ndihmës së Allahut – shquhet për fenë, metodologjitë, rregullat dhe dispozitat; ai është ummet mesatar dhe dëshmitar për ummetet e tjera. Megjithëkëtë, autenticiteti – siç kanë pohuar njëzëri dijetarët – nuk nënkupton apriori refuzimin e tërësishëm të të tjerëve. Në të vërtetë, qëndrimi i muslimanit, karshi kulturave dhe përvojave të të tjerëve, mund të specifikohet ndërmjet pranimit dhe refuzimit në këto katër rastet në vijim:

  1. Pranimi i tërësishëm ose qëndrimi i pranimit dhe shkrirjes,
  2. Refuzimi i tërësishëm ose qëndrimi i refuzimit dhe shkëputjes,
  3. Pranimi i të dëmshmes dhe refuzimi i të mirës ose qëndrimi i shkëputjes, tjetërsimit dhe rënies në humnerë, dhe
  4. Pranimi i së mirës dhe refuzimi i të dëmshmes ose qëndrimi i veçimit dhe përfitimit.

Sigurisht se qëndrimi më i qëlluar është ky i fundit, dhe kjo është ajo për të cilën shquhet ummeti. Në fakt, ky qëndrim mesatar dhe i matur e ka bërë këtë ummet misionar dhe udhëzues, ummet këshillues dhe prijatar, ummet vlerësues dhe dëshmues…

Dijetarët kanë përmendur shumë domethënie të mesatares (el vesatijjeh), si: ‘baraspeshim dhe barazi; program integrues; argument humanizmi dhe imazh nderi dhe veçimi; siguri dhe largim nga rreziqet; argument dhe qendër force; qendër unifikimi dhe pikë bashkimi…’

Konsideroj se nuk ka gjë të keqe nëse mesatares i shtojmë, në këtë kontekst, edhe disa kuptime apo domethënie të ngjashme apo përafërta me këto që përmendëm, si: ‘përsosmëri, shpikje dhe zbulim.’  Që të jesh i fortë, i dalluar dhe udhëzues për të mirën te të tjerët gjithsesi se duhet t’i kryesh punët me përsosmëri, duhet të kesh ide origjinale dhe aftësi për prodhimin e tyre.

Aplikimi i këtyre domethënieve të mesatares sigurisht se do të jepte rezultate në të gjitha nivelet e ummetit: shkencor, edukativ, arsimor, moral, ekonomik, politik, kulturor, teknologjik, por, për fat të keq, ummeti ka dështuar në realizimin e këtyre botëkuptimeve të mesatares dhe objektivave të saj, kështu që nevoja për një rishikim, vetëkritikë dhe përfitim nga eksperienca e universiteteve botërore mbetet si nevojë imediate e tij për të ruajtur veten dhe studentët nga rrjedhat që mund të kenë epilog tragjik dhe pasoja të mëdha.

Ky punim mëton të hedh dritë mbi përvojën edukative arsimore të Japonisë, për të zbuluar sekretin e këtij suksesi dhe kësaj epërsie të studentëve dhe profesorëve në shkollat dhe universitet e tyre. Po ashtu, punimi pretendon të zbulojë edhe raportet e kësaj eksperience me këto botëkuptime të zhdukura të mesatares. Punimi sjell krahasime të shkurtra edhe me përvojën amerikane për të qartësuar përfundimisht gjendjen e shkollave dhe universiteteve arabe.

 

Autor: Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

BURIMI: MUNGESA E BOTËKUPTIMEVE TË MODERIMIT NË UNIVERSITETET ARABE
Lexim mbi përvojën edukative japoneze dhe mbi interesimin e Mbretërisë Saudite për të