VOKABULARI DYSHUES DHE VLERËSIMI I PERSONALITETIT TË GOLDZIHERIT

0
489

 

Kushdo që e shfleton librin e Goldziherit, Doktrinat e interpretimit të Islamit, do të gjejë se shprehjet dhe fjalori që ka përdorur për të ngjallë dyshime, përkitazi me të vërteta islame e kur’anore dallojnë sipas tekstit kur’anor. Disa prej shprehjeve që ka përdorur:

e vëmë re në formulimet e tij të ndryshme…”;

nuk është unik në detajet e tij…”;

transmetimi i fjalës së Zotit në forma të ndryshme…”;

përdoret në farzet e adhurimit sipas një sistemi jo uniform”;

kiraete që dallojnë goxha shumë, dallim ky që nuk është i parëndësishëm…”;

anohet kah tolerimi në dallimin e kiraeteve…[1]

Përgjatë hulumtimit kam vënë re, se ai nuk ka mjaftuar thjeshtë me shprehjet që përmendëm më lartë, porse ka përdorur edhe të tjera, si:

“…angazhimi në ndreqjen e tekstit[2]”;

“…kishte një lloj lirie konsekuente që pothuajse arrinte në limitin e lirisë individuale…”;

“…liri sikur kjo nuk nxit dhe as nuk motivon besimin e fuqishëm në ruajtjen e tekstit hyjnor…”;

“…ndërkohë që parregullsitë e shumta të tekstit kur’anor…”;

“…lindi nevoja për ta vënë një pengesë të hekurt para lirisë që ekzistonte në trajtimin e tekstit hyjnor…”;

“…në çështjen e tekstit kur’anor ka ndodhur po kështu një lloj kompromisi dhe marrëveshje ndërmjet lirisë individuale dhe kërkesave për ujdisje ndërmjet kiraeteve të ndryshme…”;

“…përkufizimi në shtatë hurufe ka synuar që të ta stopojë këtë lirinë e leximit individual të Kur’anit që shkonte duke u zgjeruar…”;

“…pra, këto janë dy lexime dhe dy interpretime të ndryshme të një fjale të Zotit, kundërthënëse ndërmjet vete sa nuk bën…”;

“…ky përcaktim është absolutisht risi e gjeneratave të mëvonshme që nuk ka asfare lidhje në transmetimin e hershëm…”;

“…u njohëm me dy shokët (e Pejgamberit Muhammed ﷺ), Abdullah bin Mes’udin dhe Ubej bin Ka’bin, të cilët janë burimi i ndryshimeve më të mëdha që kanë depërtuar në tekstin kur’anor…”;

“…kërkesa që kiraetet të përputhen me rregullat e gjuhës arabe është masa e thellë e kufizimit të lirisë dhe është kusht që në fakt nuk përkon me leximet e dy imamëve (Ibën Mes’udit dhe Ibën Ka’bit)…”;

“…gjithnjë ka pasur emra që kanë qenë të pavarur në mendim…” [3];

“…këtu, ai sunniti, kundërshtar i Zemahsheriut, solli dëshmi të mbledhura nga poezitë…”[4];

“…qarkullon një formë e këtillë e parregullsisë dhe paqëndrueshmërisë siç e gjejmë në tekstin kur’anor…”;

animi për ta unifikuar tekstin bazë është diçka e huaj për Islamin apo të paktën është gjë e parëndësishme…”;

“…nuk ka tekst të unifikuar të Kur’anit…”;

“…është pasion për unifikim i cili mund të jetë i pranuar…”;

“…në një tekst i cili parimisht nuk ka qenë i pikëzuar[5] dhe as që është bërë përpjekje për saktësi e korrektësi në pikëzim apo vokalizim……”;

“…ajo që figuron në Eksod (kapitull në Bibël), 32/27, e që është burim i fjalëve të Kur’anit…[6];

“…me një ndryshim të thjeshtë të vokaleve, përemrin e vetës së parë e kanë shndërruar në vetën e dytë…” [7];

“…kjo vrazhdësi dhe pagdhendësi ka fshirë leximin e Kesaiut në kaptinën Jusuf, ajeti 81: إنّ ابنَك سُرِّق [8]”;

“…në ndërkohë që këta dy Sahabe nuk janë të vetmit, të cilët përmendën për futjen e shtesave në tekstin e njohur të Kur’anit …”;

“…edhe pse tekstet profetike qysh në fillim dallohen për parregullsi më të madhe se teksti kur’anor…[9];

“…synon ndreqjen e tekstit bazë të cilin e kanë prishur (gabuar) shumëzuesit[10]…shumëzuesi jovigjilent…[11]

Siç mund të shohim, gjithçka për çka bëhet fjalë është gënjeshtër, sajesë, shpifje dhe trillim, gjëra këto që do të marrin përgjigjet konkrete nga hoxha dhe eksperti i kiraeteve, dr. Abdul Fettah Kadiu, Allahu e pastë mëshiruar!

VLERËSIMI I PERSONALITETIT TË GOLDZIHERIT SIPAS KRITEREVE SHKENCORE DHE AKADEMIKE

Për çudi, për Goldziherin që ka qëndruar vetëm disa muaj në tokat arabe (Palestinë, Siri dhe Kajro), thuhet se është arabolog i rryer. Në fakt, kjo e dhënë është ajo që vë në pikëpyetje dhe dyshim kompetencën dhe kapacitetin e tij për arabishten, veçmas për thellimin në shkenca të cilat kërkojnë njohuri të thella në arabishte dhe shkenca tjera, siç është Shkenca e Kiraeteve objekt studimi në këtë punim.

Në këtë përfundim kemi ardhur, derisa i kemi parasysh gjërat në vazhdim:

  1. Tradita dhe zakoni.

Sipas disa burimeve që e kanë hiperbolizuar figurën e Goldziherit, ai për vetëm disa muaj – 8 muaj –  kishte arritur ta përvetësonte arabishten në nivele shumë të larta. Kjo çështje, vështruar sipas asaj që është e njohur në tokat tona, në Evropën Juglindore, është e pamundur të arrihet për një periudhë kaq të shkurtër.

Dikush mund të pyet: përse nuk është e mundur një gjë e tillë?

Përgjigjia jonë është se, duke qenë se edhe ne, autor i këtij punimi, vijmë nga Ballkani, dhe e njohim mirë historikun e popujve të Ballkanit dhe karakteristikat e tyre, dhe duke marrë parasysh përvojat e shumë dijetarëve, hoxhallarëve e intelektualëve që kanë mbaruar studimet gjithandej nëpër vendet arabe e islame, themi se ne nuk kemi ndëgjuar për raste të tilla, dhe është e pamundur që për një periudhë të tillë dikush të shndërrohet në referencë të gjuhës arabe, ashtu siç e konsiderojnë Goldziherin në Evropë.

Pastaj përvoja e autorit të këtij punimi që ka kaluar tri dekada të tëra në tokat arabe, gjashtë vite në Siri e katra tjera në Medinën e Resulullahit ﷺ, e pastaj edhe vite tjera si mësimdhënës universitar në Medinë, Katar dhe në vende tjera, në Azinë Juglindore, Malajzi, Brunei, them se kjo është e pamundur sepse, pavarësisht kësaj kohe të kaluar duke nxënë e duke dhënë dije, themi se ende gjejmë vështirësi për ta përsosur gjuhën arabe dhe për ta zotëruar deri në nivele mjeshtërie, e si mundet ai që për 8 muaj të jetë arabolog i madh!!

  1. Goldziheri është figurë shkencore e hiperbolizuar.

Pyetje që lind vetvetiu në këtë kontekst:

Si pati mundësi që Goldziheri t’i shkruajë të gjitha ato vepra në gjermanisht, përveç një numri të vogël të tyre, dhe çfarë i dha atij aq kompetencë shkencore, që të hedh dyshime deri në këtë masë përkitazi me të vërtetat kur’anore dhe profetike?

Përgjigjia: pas shqyrtimit dhe analizimit kritik e shkencor, kemi ardhur në përfundim se kjo mund të ketë ndodhur për njërin prej dy shkaqeve, që nuk kanë të tretë:

  • Goldziheri ka jetuar, është edukuar dhe formuar duke iu referuar veprave të orientalistëve të mëhershëm gjermanë, si: Heinrich Leberecht Fleischer (1801 – 1888), Julius Wellhausen (1844 – 1918), Theodor Noldeke (1836 – 1930) të cilin e quante si mësues të madh në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me kiraetet[12] dhe të cilin e kishte referencë të parë dhe të fundit në citimin e meseleve të diskutueshme, William Muir (1819 -1905).

Goldziheri po ashtu ka jetuar dhe është formuar duke iu referuar veprave të bashkëkohësve të tij gjermanë, si: Joseph Schacht  (1902-1969), Carl Brockelmann  (1868 – 1956), Regis Blachere ( 1900 -1973).

  • Këto dyshime dhe kritika janë bërë në përputhje me një metodologji dhe sistem të programuar, të mbështetur materialisht e të monitoruar nga qarqe shtetërore e qeveritare, ndryshe është e pamundur që deri në detaje të këtilla të trajtohen këto çështje nga një njeri i vetëm. Puna e Goldziherit në këtë rast mund të ketë qenë ripërshkrimi i tyre, sipas një modeli dhe formulimi të ri të pranuar për ta. Kjo edhe mund ta ketë bërë të famshëm në mesin e tyre[13]. Ka qenë e rrugës që të mos e bënte këtë, por ta ndiqte të vërtetën dhe ta pasonte atë por jo, ai zgjodhi rrugën e mosmirënjohjes ndaj dijes, refuzimit të të vërtetave, mohimit të qëllimshëm të tyre, që t’i shërbente kështu një kauze aspak shkencore dhe aq më pak humane.

Para se t’i trajtojmë shkencërisht dyshimet dhe kritikat e Goldziherit, e shohim të rrugës të ofrojmë disa shpjegime me rëndësi të veçantë për disa prej koncepteve dhe botëkuptimeve, që kanë të bëjnë me kiraetet si shkencë, llojet e tyre, lexuesit më të njohur dhe transmetuesit e tyre.

 

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

KIRAETET E KUR’ANIT (ndërmjet pikëpamjes hebreje dhe islame) Abdul Fettah el Kadi dhe Ignaz Goldziheri sy më sy

 


[1] Shih: Xhebel, Err-rredu ala el-musteshriki el-jehudij Goldziher fi metainihi ala el-kiraat el-kur’anijeh, f. 12-70.

[2] Pasi që ai konsideronte se teksti kur’anor karakterizohej për nga parregullsia. Këtë shpjegim e jep Xhebeli në punimin e vet kushtuar kiraeteve, f.15. Përkthyesi.

[3] Shih librin e Goldziherit Doktrinat e interpretimit të Islamit.

[4] Goldziheri, Medhahib et-tefsir el-islamij, f. 69; Tavili, Fi ulum mel-kiraat – med’hal ve dirasetun, f.19-85.

[5] Në gjuhën arabe germat dallojnë ndonjëherë dhe sipas pikave që kanë sipër ose poshtë, p.sh., germa n (ن) ka pikën sipër, përderisa germa b (ب) ka pikën poshtë. Përkthyesi.

[6] Referenca paraprake, f. 4-10.

[7] Për qëllim është ajeti 12 nga kaptina safat.

[8] Përkthehet: “Biri yt është vjedhur…”. Në leximin e pranuar është: “إِنَّ ابْنَكَ سَرَقَ” –“…biri yt ka vjedhur…”. Përkthyesi.

[9] Referenca paraprake, f. 44.

[10] Kopjet e Kur’anit janë shumëzuar me dorë, pra janë shkuar nga njerëz të përzgjedhur për këtë punë. Janë këta pikërisht që sulmohen nga Goldziheri. Përkthyesi.

[11] Referenca paraprake, f. 46.

[12] Goldziheri, Medhahib et-tefsir el-islamij, f. 7.

[13] Se Goldziheri ka gabuar dhe nuk ka qenë i saktë në përshkrimin e referencave të kërkuara, flet edhe Mustafa Sibai i cili në Holandë qe takuar me Shahtin, me të cilin kishte diskutuar gjatë përkitazi me atë se si Goldziheri kishte gabuar qëllimisht në shtrembërimin e teksteve, të cilat i merrte prej burimeve islame. Fillimisht Shahti e kishte mohuar një gjë të tillë, por pas dëshmive përkatëse e kishte pranuar se Goldziheri e kishte bërë një gjë të tillë…Shih: Vezan, El-istishrak ve-l-musteshrikune, f. 96-97.