ETIKA E SHITJES DHE E BLERJES

0
409

 

Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thotë: 

Masën mbusheni kur matni (me enë) dhe peshoni me peshojë të drejtë (precize). Kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë”. [El Isra, 35.]

Allahu xh.sh., me këtë ajet madhështor, na urdhëron që të realizojmë një formë nga format më të dukshme të drejtësisë, e ajo është saktësia në peshojë në mes dy palëve gjatë shitjes dhe blerjes. Ky urdhër kur’anor përsëritet disa herë në Kur’an dhe Allahu xh.sh iu kërcënohet atyre të cilëve nuk i nënshtrohen këtij urdhri të Tij. Këtë e potencon edhe vetë Allahu xh.sh. në Kur’an, në një ajet tjetër, ku thotë:

 “Të mjerët ata që mangut masin e peshojnë. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, e kur u matin ose u peshojnë të tjerëve, u lënë mangut.” [Mutaf-fifijn, 1-3.]

Në ajetin e parë Allahu xh.sh. urdhëron që të jemi të drejtë dhe të sinqertë gjatë shitjes dhe na rikujton se kjo drejtësi është më e mirëseardhur dhe më e dobishme në të ardhmen, dhe kurrsesi mos gaboni që të mashtroheni me një fitim të shpejtë të kësaj jete gjatë mashtrimit të të tjerëve. 

Kjo vepër është e urryer. Ky fitim, nga ky mashtrim dhe manipulim i popullit, shndërrohet në humbje dhe ngatërresa të rënda, dhe mu këtu shihet një pjesë e arsyes dhe e mençurisë së këtij urdhri kur’anor.

Allahu xh.sh., me këtë ajet kur’anor, na bën të ditur se padrejtësia në fillim duket e këndshme dhe fitimprurëse, e kjo e bën personin në fjalë që ai ta vazhdojë dhe të zhytet më shumë në këtë padrejtësi dhe në këtë vjedhje, derisa të bëhet i njohur në treg për këtë gjest të pamoralshëm dhe ta humbasë autoritetin dhe besimin e tij në masë, për arsye se është i bërë i njohur për vjedhje dhe kështu, gradualisht, ai humbet totalisht. 

Ky përfundim i keq vjen si rezultat i fitimit nga mashtrimi i popullit në fillim të tregtisë. Ja pra ky ishte komentimi i ajetit në fjalë “kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë.”

Ndërsa arsyeja dhe mençuria tjetër e këtij urdhri kur’anor qëndron në faktin se marrëdhëniet e sinqerta dhe të drejta në mes muslimanëve shpien në përforcimin e dashurisë dhe të sigurisë në mes tyre, dhe se dashuria në mesin e tyre forcohet aq sa ata janë të drejtë dhe të saktë në marrëdhëniet e tyre në mes vete.

Po edhe anasjelltas, mungesa e sinqeritetit dhe e drejtësisë në mes tyre, përhapja e korrupsionit dhe e vjedhjes në mesin e tyre, është shkaku më i madh dhe më kryesor për përçarjen, ndarjen, hidhërimin, xhelozinë dhe urrejtjen e muslimanëve në mes vete.

Ajeti i lartpërmendur vë në shënjestër këtë mashtrim dhe këtë vjedhje të thjeshtë dhe të vogël në peshojë, duke mos u futur në detajet e metodave të tjera të mashtrimit, dhe e ndalon rreptësisht këtë vjedhje edhe pse është ndoshta e thjeshtë dhe nuk mund të vërehet gjatë shitjes apo blerjes, sepse çdo vepër e keqe dhe e ndaluar në fillim praktikohet ngadalë, duke mos i kushtuar rëndësi rrezikut të saj. Në këtë mënyrë, personi vazhdon të  zhytet në haram dhe, dalëngadalë, më vonë, ky person zbulon metoda të reja të vjedhjes dhe të mashtrimit dhe, kështu, tregtia e tij që ishte hallall shndërrohet në haram, për arsye se ai po e merr pasurinë e të tjerëve në mënyrë joligjore.

Kjo është një metodë dhe një stil i lartë i Kur’anit, me të cilin ai veçohet nga çdo libër tjetër. Kur ai e ndalon ndonjë vepër të keqe, gjithmonë e ndalon me qëllim që njeriu të mos zhytet në haram qysh në shkallën e parë. Po ashtu, Kur’ani i ndalon shkaqet paraprake që shpien në haram, dhe, në të shumtën e rasteve, ai nuk i tregon pasojat e veprave të këqija. Gjithmonë, në fillim, Kur’ani i kushton rëndësi faktit që të mos i mashtrojmë të tjerët, sepse mënyra e vetme që të shpëtojmë nga harami është që të mos i trasojmë gjurmët e haramit dhe të mos ecim shtigjeve të tij.

E kur njeriu i futet rrugës së haramit dhe arrin në mes, atëherë e ka shumë vështirë të kthehet prapa. Janë shumë të paktë ata të cilët kanë shpëtuar dhe janë kthyer prapa.

Mu për këtë arsye, Allahu xh.sh. na ndalon gjithmonë që mos t’i afrohemi haramit apo shkatërrimit. Allahu xh.sh. thotë:

 “Dhe mos iu afroni të këqijave çka janë të dukshme dhe të padukshme apo të fshehta.” [El En’am: 151] 

Dhe përsëri Allahu xh.sh. thotë:

 “Dhe mos iu afroni mallit të jetimit për ta ngrënë në mënyrë të padrejtë pasurinë e tij.” [El En’am: 152] 

 Po ashtu, Allahu xh.sh. thotë:

 “Dhe mos iu afroni zinasë (prostitucionit), se me të vërtetë ajo është vepër e keqe dhe rrugë e shëmtuar dhe e urryer.” [El Isra:32]

 

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE