Disa analistë kanë vënë re se një vështrim objektiv dhe global i marrëdhënieve të perëndimit me Islamin zbulon se në perëndim në fakt janë dy islama e jo një, siç do të duhej të ishte. I pari është Islami për të cilin hulumtojnë orientalistët në qendrat dhe universitetet e tyre, dhe këtë për qëllime politike, shoqërore, fetare dhe kolonialiste. Ndërsa i dyti është Islami ashtu siç i paraqitet audiencës nga mediat, e që s’do mend se ai paraqitet i djallëzuar dhe fajtor për të gjitha problemet që ndodhin sot në botë. Fatkeqësisht, ky mendim për Islamin mbizotëron në perëndim[1] dhe këtu qëndron shkaku i vuajtjeve të muslimanëve perëndimorë.
Analistët po kështu kanë tërhequr vërejtjen se në perëndim sot diskutohet mbi mundësinë e ndarjes së Islamit në rrafshe të tjera, respektivisht në:
- Islam në Evropë, dhe
- Islam evropian[2].
Ndarja e parë (Islami në Evropë) nënkupton refugjatët dhe emigrantët muslimanë që shkojnë në Evropë, e që në të shumtën e rasteve vendosën nëpër kantone, ku janë të izoluar nga rrethi dhe shoqëria e atij vendi. Ndërsa ndarja e dyte (islami evropian) nënkupton se Evropa ka një pozitë gjeografike ndryshe nga gjeografia arabe apo islame, kështu që ka të drejtën e formimit të një Islami që i përshtatet realitetit, ambientit dhe rrethanave të saj shoqërore dhe racore. Autori mendon se nuk ka diç të keqe në këtë ndarjen e dytë, ngase realiteti islam ndërkombëtar e dëshmon këtë gjë praktikisht, siç është p.sh. islami indonezian, malajzian, turk, boshnjak, kosovar[3], egjiptian, emiratin, sudanez, sirian etj[4].
Disa studime dhe hulumtime tregojnë se muslimanët janë cak dhe synohen nga e djathta ekstremiste në perëndim, ndërsa është gjë më se e vërtetë se “lufta” është duke u zhvilluar ndërmjet të djathtës evropiane dhe muslimanëve të saj. Në Francë, lideri i partisë së frontit kombëtar është i njohur për armiqësinë e tij ndaj arabëve dhe refuzimin në vazhdimësi të lejimit të ndërtimit të xhamive për ta. Madje ka një moto: “Franca është e francezëve dhe jo e arabëve dhe muslimanëve!”
Kjo parti konsiderohet si parti amë e grupeve radikale, siç janë p.sh. nazistët e rinj (neo-nazistët).
Kësaj urrejtjeje nuk i shpëtuan as muslimanët e Belgjikës, të cilët pas ngjarjeve të 11 shtatorit u kërcënuan me vrasje, djegie të shtëpive dhe pronave dhe me internim të dhunshëm[5]. Të gjithë mbetën të shtangur kur në muret e xhamisë në Bruksel panë mbishkrimet e dhunshme që thërrisnin për urrejtje ndaj arabëve dhe largimin e muslimanëve nga Belgjika, me gjithë faktin që kushtetuta e kësaj të fundit parasheh transparencë në lirinë fetare dhe atë të shprehjes së individit.
Disa analistë mendojnë se këto veprime kanë qenë individuale nga pjesëtarë të rrymave djathtiste ekstreme dhe se ngjarjet e 11 shtatorit kanë shkaktuar reagime negative ndaj pakicave islame për shkak të pretendimit amerikano-sionist se prapa këtyre veprimeve qëndrojnë muslimanët. Ky qëndrim sikur i motivoi shtetet evropiane për një trajtim më të ashpër të muslimanëve dhe për një kontroll më të rreptë ndaj aktiviteteve të tyre, si dhe për t’i ngrirë llogaritë bankare të tyre, gjë që padyshim iu shkaktoi një humbje të madhe muslimanëve në Evropë dhe Amerikë, e në veçanti shoqatave bamirëse që ndihmonin skamnorët muslimanë.
Shifra e xhamive dhe faltoreve në Belgjikë është diku 290, ndërsa shifra në total e muslimanëve në Bashkimin Evropian është jo më pak se 25 milionë. Kësisoj, muslimanët përbëjnë komunitetin e dytë më të madh fetar në Belgjikë, duke e tejkaluar kështu atë çifut dhe protestant. Belgjika ka aplikuar mësimin e lëndës fetare islame krahas feve të tjera që nga viti 1975, ndërsa mësues fetarë muslimanë janë afër 700, të cilët japin mësim, në të gjitha anët e vendit, nga dy orë në javë lëndën për fenë islame. Vlen të theksohet se është shteti ai që siguron të ardhurat mujore për të shtatëqind mësuesit dhe mësueset e sipërpërmendura[6].
Ndërsa sa i përket gjendjes së muslimanëve në Amerikë, sipas revistës “US NEWS AND WORLD REPORT”, qeveria amerikane ka nën vëzhgim të rreptë 120 xhami dhe qendra të frekuentuara nga muslimanët dhe këtë, sipas asaj që parafrazon apo paragjykon qeveria amerikane, për të kërkuar për “bombat të mundshme nukleare.”
Revista në fjalë nënvizon se qeveria amerikane ka vëzhguar nga afër xhami, shtëpi, qendra tregtare dhe qendra të tjera të ngjashme, të cilat janë frekuentuar nga muslimanët amerikanë në Uashington dhe në pesë shtete të tjera të mëdha, dhe këtë me pretekst të preventivit të ndonjë operacioni terrorist të mundshëm. Analistët muslimanë e shohin këtë paksa të tepërt për faktin se qeveria amerikane nuk ka as dëshminë më të vogël që do ta bënte të dyshonte te muslimanët amerikanë. Ata –siç theksojnë analistët në fjalë- janë pjesë përbërëse e popullit amerikan, duke shtuar se kjo do të reflektojë keq në raportet ndërmjet pakicave muslimane dhe administratës amerikane dhe se për sa kohë liria dhe të drejtat e amerikanëve muslimanë mohohen brenda SHBA-ve, atëherë kjo do të jetë një krizë për Uashingtonin që të përfitojë mendjet dhe zemrat e muslimanëve anembanë botës.
Liderët e pakicave muslimane kanë kërkuar prej Kongresit që t’iu japë sqarime dhe garanci nëse është shkelur kushtetuta përkitazi me procedurat e aplikuara për të ekzekutuar ligjin që njihet si “USA patriot act”, e i cili nuk legjitimon për vëzhgim dhe monitorim të vendeve të veçanta[7].
Ndërsa gjendja e muslimanëve në Francë qëndron shumë më keq. Kjo për shkak se fobia ndaj Islamit në këtë vend është e theksuar më shumë pothuajse kudo tjetër dhe se, sipas tyre, çdo musliman patjetër se është terrorist kështu që duhet larguar me njërën apo tjetrën mënyrë. Ndërsa për xhamitë mendojnë se duhen pastruar nga promotorët e terrorizmit (hoxhallarët) dhe se shtetet evropiane nuk duhet t’i lejojnë hoxhallarët e jashtëm që vijnë nga shtetet islame. Në vend të kësaj, si alternativë, kanë përmendur themelimin e instituteve të veçanta për përgatitjen profesionale të imamëve dhe ligjëruesve muslimanë. Është për t’u çuditur se si muslimanëve, me gjithë faktin se janë afër 4 milionë në Francë, nuk iu dëgjohet zëri në kohën kur çifutëve, që nuk janë hiç më shumë se 600.000, jo vetëm që iu dëgjohet zëri, por edhe kanë ndikim, madje e ngrenë tërë botën në këmbë…[8]
Holanda ka aplikuar një mënyrë tjetër të kontrollit ndaj muslimanëve. Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar një dekret ku urdhëron që të gjithë imamët dhe ligjëruesit muslimanë ta mësojnë gjuhën e vendit, në mënyrë që ligjëratat e së premtes, për të cilat –me sugjerime nga jashtë- kishin frikë se nxisin për dhunë dhe terror, të mbahen jo në arabishte por në gjuhën holandeze, për ta pasur më të lehtë kështu kontrollin mbi aktivitetet e tyre.
Fatbardhësisht, këto ndasi nuk mund t’i gjesh në Zvicër. Muslimanët në Zvicër shfrytëzojnë mundësitë që ua jep liria, kështu që kërkojnë nga shteti që ta pranojë fenë e tyre zyrtarisht sikurse që kërkojnë lehtësimin e regjimit të pajisjes me nënshtetësi zvicerane. Prej më shumë se dy dekadave në Zvicër jetojnë jo më pak se gjysmë milioni muslimanë, të përbërë nga shqiptarë (shumica), turq, boshnjakë, arabë dhe aziatikë. Jeta dhe gjendja e tyre është më e mirë se kudo tjetër në vendet perëndimore.
Ndoshta shkaku kryesor i kësaj mirësjellje zvicerane është fakti se Zvicra kurrë nuk ka qenë kolonizatore. Analistët muslimanë thonë se asnjë musliman nuk mund të ankohet në Zvicër; ne jetojmë paqësisht dhe disponojmë të drejta, liri dhe drejtësi, gjëra këto që ndoshta nuk i kemi as në vendet tona. Pushteti zviceran, për dallim nga shumë qeveri perëndimore, i trajton me transparencë, lehtësi dhe drejtësi pakicat islame, duke mos i fajësuar kolektivisht për fajet e disave prej tyre[9].
Stabilitetin dhe prehjen shpirtërore dhe ideore të muslimanëve zviceranë shumë analistë e komentojnë me faktin se refugjatët muslimanë me një bagazh dije dhe kulture nuk kanë menduar dhe vepruar me mentalitetin e një vizitori apo të huaji por me atë të një qytetari zviceran të barabartë me të tjerët. Me gjithë këto, për shkak të dezinformatave dhe propagandës mediatike, populli zviceran mbështet idenë e konflikteve kulturore dhe përplasjeve të qytetërimeve.[10]
Ndërsa në Spanjë janë regjistruar disa raste raciste ndaj arabëve dhe muslimanëve, duke i dëmtuar madje materialisht pronat dhe veturat e tyre. Shkaku i kësaj fshihet në urrejtjen që ata kanë ndaj “luftëtarëve” – siç i quajnë muslimanët- për çka kërkojnë me këmbëngulësi largimin e tyre nga Spanja.
Analistët kanë zbuluar se mbase ekziston një ide e promovuar nga shumë shtete perëndimore për t’i zhveshur muslimanët nga çfarëdo roli, në mënyrë që kjo t’i mbajë ata larg njëri tjetrit.
Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
PAKICAT ISLAME NË EVROPËN PERËNDIMORE DHE LINDORE– aktualiteti dhe shpresa-
[1] Për të kuptuar më shumë rolin famëkeq të orientalistëve në shtrembërimin e imazhit islam, shih punimin në dorëshkrim të autorit (H.H): Devru-l-musteshrikine fi teshvihi sureti-l-Islam (Roli i orientalistëve në shtrembërimin e imazhit islam).
[2] Rreth kësaj çështjeje shkencore kanë diskutuar një numër hulumtuesish bashkëkohorë, e ndër më të mirët që kanë shkruar në këtë drejtim është Dr. Tarik Ramadan, me origjinë arabe por me edukim perëndimor, i cili ka shkruar librin “How to be a European Muslim.”
[3] www.islammemo.cc, artikull i ish-presidentit boshnjak, Alija Izetbegoviç: Ru’jetu Alija Izetbegovic li ved’i-l-muslimine fi Urubba.
[4] Rreth gjendjes së muslimanëve në Evropën perëndimorë, Bosnjë, Kosovë dhe Evropën lindore, kthehu tek: www.islammemo.cc, respektivisht artikulli i presidentit të ndjerë boshnjak, Alija Izetbegoviç, “Ru’jetu Alija Izzet Begovic le ved’i-l-muslimine fi Urubba” (Gjendja e muslimanëve në Evropë nga këndvështrimi i Alija Izetbegoviçit).
[5] Shih: En-Nahvi, Adnan Ali Rida, El muslimune bejne-l-vakii ve-l-emel, b1, 2003.Daru-n-Nahvijj li-n-neshri ve-t-tevzië.
[6] Shih: “El muslimune fi Belgjika” në www.islammemo.cc
[7] Shih: “Kul-lu muslimi-Amerika tahte-rr-rrekabeh” në www.islammemo.cc
[8] Shih: “Kejfe jendhuru el-Garbu ile-l Islam”, në www.islammemo.cc
[9] Shih: “El muslimune fi Svisra”, në www.islammemo.cc
[10] Ibid.