VITI I DËSHPËRIMIT

0
308

 

Në vitin e dhjetë të pejgamberisë kaloi në amshim gruaja e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], Hatixheja [Allahu qoftë i kënaqur me të]. Po kështu, në këtë vit, një muaj e pesë ditë pas vdekjes së Hatixhes, – siç nënvizon Ibni Sa’di në Tabekatet e tij, – vdiq edhe xhaxhai i tij, Ebu Talibi.

Hatixheja [Allahu qoftë i kënaqur me të], siç shënon Ibni Hishami, ishte ministre e së vërtetës (vezire sidkin), këshilltare e së mirës. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ankohej tek ajo, ndërsa ajo i ofronte shoqëri dhe mirësi. Ndërsa Ebu Talibi ishte mbështetësi dhe mbrojtësi i tij tek populli.  Ibni Hishami thotë: Kur vdiq Ebu Talibi, kurejshët e torturuan Muhammedin [alejhis salatu ves selam] me gjëra që sa ishte gjallë ai as që guxonin t’i bënin. Një kurejsh mendjelehtë i hodhi dhé në kokë Muhammedit [alejhis salatu ves selam]. Ai shkoi në shtëpi i pluhurosur, ndërsa njëra nga vajzat e tij u ngrit dhe ia shkundi atë duke qarë. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] e qetësonte atë duke i thënë: “Mos qaj oj bija ime, se Allahu ka për ta mbrojtur babanë tënd!

Për shkak të vështirësive me të cilat u ballafaqua këtë vit, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] e quajti atë ‘Viti i Dëshpërimit!

Mësimet, këshillat dhe urtësitë

Ç’urtësi mund të ketë përshpejtimi i caktimit të Zotit për vdekjen e Ebu Talibit para se muslimanët të fuqizoheshin në Mekë, kur dihet se ai e mbronte Muhammedin [alejhis salatu ves selam] nga të ligat e kurejshëve?

Ç’urtësi fshihet në vdekjen e Hatixhes [Allahu qoftë i kënaqur me të], kur dihet se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] gjente prehje tek ajo?

Përgjigjen e këtyre pyetjeve do të mundohemi ta japim në pikat në vijim:

  1. Sikur Ebu Talibi të ishte gjallë derisa të themelohej shteti islam në Medinë, do të mund të kuptohej sikur pas kësaj qëndronte vetë ai, dhe se ai, edhe pse nuk e kishte deklaruar besimin, ishte protagonisti i kësaj feje.
  2. Në të gjallë të Ebu Talibit, Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ishte i sigurt, por jo edhe të tjerët, ndërsa me vdekjen e tij dhe të Hatixhes [Allahu qoftë i kënaqur me të], u zbardhën dy gjëra të rëndësishme të Islamit:
  3. Mbrojtja dhe siguria janë prej Allahut të madhëruar. Ai e ka marrë në mbrojtje të Dërguarin e Tij dhe, pavarësisht se ka njerëz që e mbrojnë apo jo, ai do të jetë i sigurt nga të këqijat e idhujtarëve dhe se feja e tij do të korrë suksese.
  4. Mbrojtja dhe ruajtja nga ana e Allahut[1] nuk nënkuptojnë edhe mbrojtjen nga shqetësimet, torturat dhe persekutimet. Ato kanë kuptimin se nuk do t’i rrezikohej jeta, se nuk do të vritej, se nuk do të vdiste nga të këqijat e tyre dhe se ata nuk do të mund ta ndalnin fenë e tij, sado shumë që të përpiqeshin për një gjë të tillë.

Ka qenë caktim dhe urtësi e Allahut që shumë pejgamberë të sprovohen dhe të përjetojnë dhunë dhe terror të madh të ushtruar ndaj tyre, dhe kjo prapë nuk bie ndesh me mbrojtjen e Allahut. Allahu Fuqiplotë iu drejtua Muhammedit [alejhis salatu ves selam]:

Të cilët All-llahut i kundërvënë zot tjetër, e më vonë ata do ta kuptojnë (prapavijën e tyre). 97. Ne dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata. 98. Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur).” (el-Hixhr: 96-98)

  1. Përjetimi i këtyre sprovave nga Muhammedi [alejhis salatu ves selam] është që edhe thirrësit pas tij të mësojnë se si duhet t’i përballojnë vështirësitë. Pra, për të qenë shembull për ta edhe në këtë aspekt. Sikur Muhammedit [alejhis salatu ves selam] mos t’i ndodhte gjë, atëherë edhe thirrësit pas tij do të shpresonin një jetë dhe mision të tillë pa sprova dhe vështirësi.
  2. Këto ndjenja ua lehtësojnë muslimanëve rrugën e tyre fetare, për shkak se ata mund të vuajnë ashtu siç vuajti krijesa më e zgjedhur, mund të torturohen ashtu siç u torturua Muhammedi [alejhis salatu ves selam]… Sado që të nënçmohen a të përqeshen, ata prapë e dinë se Muhammedit [alejhis salatu ves selam] iu hodh rërë në fytyrë. Një mbështetje shpirtërore për këtë mund ta marrin edhe nga udhëtimi i Muhammedit [alejhis salatu ves selam] në Taif, siç do ta sqarojmë në ligjëratën vijuese.
  3. Disa e marrin vitin e dëshpërimit, në kuptimin sipërfaqësor, si vitin në të cilin Muhammedit [alejhis salatu ves selam] i vdiqën xhaxhai dhe gruaja, duke arsyetuar kështu mbajtjen e zisë për të vdekurit e tyre për një kohë të gjatë. Ky mbase është një keqkuptim i madh, ngase viti i dëshpërimit nuk ka këtë kuptim. Përkundrazi, ai nënkupton:
  4. Arsyeja pse Muhammedi [alejhis salatu ves selam] e quajti atë si vit të dëshpërimit nuk është thjesht për vdekjen e xhaxhait dhe të gruas, por për shkak se daves apo misionit të tij iu mbyllën shumë rrugë. Siç e dini, xhaxhai i tij ishte shkak për hapjen e shumë rrugëve dhe mundësive për përhapjen e fesë së Allahut, gjëra këto që me vdekjen e tij morën fund. Për shkak se njerëzit nuk e besonin atë dhe nuk i përgjigjeshin ftesës së Allahut, Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ndihej shumë keq dhe për këtë edhe e quajti atë vit si vit dëshpërimi. Konsideroj – e Zoti e di më së miri – se duke u nisur nga natyra njerëzore e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], ai, krahas këtij fakti, mërzitej edhe për vdekjen e xhaxhait dhe gruas së tij. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ishte njeri si të gjithë ne.
  5. Ajetet në vijim zbardhin për ne këtë të vërtetë historike:

Ne dimë se ty të brengos ajo që thonë, e ata nuk të gënjejnë ty, por ata mizorë mohojnë argumentet e All-llahut. 34. Janë përgënjeshtruar të dërguar para teje, duruan atë gënjeshtër dhe u torturuan përderisa u erdhi ndihma Jonë, prandaj s’ka kush që ndryshon fjalët (premtimet) e All-llahut. E ti je i njohur me disa nga ngjarjet e të dërguarve (edhe ti do të ndihmohesh sikurse ata). 35. Por, nëse refuzimi i tyre të është bërë brengë e madhe, ti kërkoje, nëse ke mundësi, ndonjë vrimë në tokë ose shkallë në qiell e t’u sjellësh atyre ndonjë argument (po ti s’mund ta bësh këtë). Të kishte dashur All-llahu i kishte tubuar në rrugë të drejtë; po ti mos u bën nga të padijshmit (dhe mos u brengos).” (el-En’amë: 33-35)

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)


[1] Shih: El-Maide: 67.