FILLIMI I PROJEKTIT, PARATHËNIA E AUTORIT, METODOLOGJIA, BURIMET DHE STUDIMET

0
150

Autori, siç e do tradita islame, e fillon punimin me falënderim dhe lavdërim ndaj Allahut të Madhëruar si dhe me selame dhe përshëndetje për Muhammedin [alejhis salatu ves selam]. Që në fillim përmend se vepra e tij është produkt i një angazhimi të madh dhe të gjatë, dhe këtë me qëllim të përpilimit të një Fjalori Sintaksor Morfologjik, i cili do të ishte referencë në këtë fushë. Këtë, – shton autori, – e kam bërë edhe për t’u njohur me stilin dhe metodat kur’anore si dhe për t’u njohur me leximet jo të rregullta – të papranuara (ar. shadh-dheh) dhe ato të pranuarat apo mutevatir, siç quhen transmetimet më të sakta në fe.

Autori, në parathënien e tij, përmend një çështje të rëndësishme, atë të të qenit të Kur’anit me leximet e tij mutevatire dhe të tjera si argument në gjuhën arabe, siç është dhe në sheriat – fe. Leximi shadh-dh, që ka humbur tiparet e një leximi të pranuar (tevatur), nuk është më i parëndësishëm se  frazat – shprehjet arabe të transmetuara në formën më të dokumentuar. Dijetarët janë pajtuar për atë se transmetimi i gjuhës mund të bëhet edhe nëpërmjet rrugëve të (transmetimit të) vetme – rralla (ar. el-ahad). Autori nënvizon se leximet kanë qenë një thesar gjuhësor dhe sintaksor, që doemos duhej të studiohej, për t’u ruajtur kështu edhe gjuha dhe sintaksa.

Këtë punë voluminoze autori e ka filluar në Mekën e Nderuar, respektivisht në janar të vitit 1947, punë e cila vërtet doli të jetë voluminoze, ngase, përfundimisht, vepra u përmbyll me vëllime ku pothuajse asnjëri nuk ishte me më pak se 1000 (njëmijë) faqe.

Ndërsa sa i përket metodologjisë së tij, autori na shpjegon:

Ata që përpilonin indekse apo katalogë kur’anorë (ar. el-fehrist) zakonisht përfshinin në punimet e tyre shprehjet e foljeve, disa emra, numëronin ajetet, ndërsa e kishin lënë numërimin e pjesëzave, përemrave, përemrave dëftorë, përemrave lidhës, si dhe ndajfoljeve të shumta, si ‘idh (إذ)’, ‘idha (إذا)’, etj.  ”

Kështu, Shejhu filloi me evidentimin e pjesëzave semantike (ar. huruf el-meani) dhe grumbullimin e ajeteve të tyre nga burimet në vijim:

  • El-mu’xhem el-mufehres li elfadhi-l-Kur’an të Prof. Muhammed Abdul Bakiut
  • El-murshid ila ajati-l-Kur’ani ve kelimatihi të Prof. Muhammed Faris Berekatit
  • Fet’hu-rr-Rrahman li talibi alati-l-Kur’an të Prof. Fejdullah el-Ilmijj-it etj.

Shejhu nënvizon se, përveç këtyre librave, si pikë reference ka pasur edhe një libër tjetër të quajtur Misbahu-l-ihvan li teharr-rrijati-l-Kur’an të Jahja Ibn Husejn Kastamunit. Autori nuk i ka përmendur ajetet por vetëm numrat e ajeteve, gjë për të cilën ka paqartësi dhe për të cilën autori ka kërkuar ndjesë në parathënien e librit në turqisht. Për shkak se, siç thotë ai, nuk kishte pasur ndonjë mus’haf të numëruar – listuar. Ky numërim i merr autorit një vëllim të tërë dhe të madh.

Autori, Dr. ‘Udejmeh, është konsultuar edhe me libra që janë marrë me lakimin apo analizën gramatikore të ajeteve të Kur’anit, si:

  • El-Bahru-l-muhit të Ebu Hajjanit
  • El-kesh-shaf të Zemahsheriut
  • Hashijetu-l-xhumel
  • El-bejan të Enbariut etj.,

….të cilat ai i redukton, ose thënë më mirë, prej të cilave nxjerr një rezyme, të cilën më pas e radhit sipas kapitujve të sintaksës dhe morfologjisë, punë që i ka marrë jo më pak se dy vëllime.

Dr. ‘Udejmeh është konsultuar edhe me librat që merren me shtatë llojet e leximit dhe të tjera që trajtojnë dhjetë llojet shadh-dheh (të papranuara), e që në fakt janë komentues të veprës Esh-shatibijjeh, si:

  • Gajthu-n-nef’i fi-l-kiraat es-seb’i
  • En-neshru të Ibni Xhezrijj-it
  • It’hafu fudalai-l-besher të Bennas
  • El-muhtesib të Ibn Xheniut
  • Shevadh el-Kur’an të Ibn Halivejhit,

…duke ia shtuar këtyre edhe leximet e marra nga el-Bahru-l-muhit, për të bërë më pas një rezyme të radhitur në kapituj sintaksorë dhe morfologjikë, dhe këtë jo më pak se në tri vëllime.

Dr. ‘Udejmeh kishte vërejtur dhe një tjetër lëshim sa i përket librave që trajtonin indekse të Kur’anit. Ai kishte parë se shprehjet kur’anore nuk ishin të radhitura sipas kapitujve të sintaksës dhe morfologjisë, andaj ai e kishte bërë këtë në dy vëllime të mëdha. Kështu, shifra e vëllimeve të shkruara arriti në tetë.

Këta janë hapat e parë në këtë vepër dhe, siç shihet, çështja sillet rreth një periudhe të vetme, asaj të mbledhjes dhe përgatitjes. Autori na ka njoftuar për këta hapa si dhe ka regjistruar disa prej këtyre imazheve gjuhësore në Kur’anin Famëlartë, në disa prej artikujve të botuar në revistën e Az’harit, duke filluar nga janari 1960. Por, autori, pas një kohe, nuk shkruan më, për shkak të, siç thotë ai, pamundësisë së mbarimit.

III. METODOLOGJIA E TIJ NË REGJISTRIMIN E DUKURIVE GJUHËSORE DHE KRITIKA DREJTUAR GJUHËTARËVE TË MËHERSHËM

  • Për studimin e pjesëzave semantike, autori mbështetej në mendimet e dhëna më parë. Në fakt, ai i mblidhte të gjitha mendimet e thëna më parë për shkronjën në fjalë, duke filluar nga Sibevejhi e deri te Ibni Hishami.
  • Konsultimi me tefsiret dhe librat që trajtojnë analizat gramatikore të ajeteve, dhe këtë për secilën pjesëz, ajet pas ajeti.
  • Meditimi rreth ajeteve kur’anore dhe shikimi i çdo harfi (pjesëze) apo leximi.
  • Regjistrimi i dukurive gjuhësore të evidentuara nga materiali që kishte mbledhur.

 

Assoc.Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA –STUDIME TË METODOLOGJISË STILISTIKE KURA’NORE TË SHEJH MUHAMMED ABDUL HALIK ‘UDEJMEH-ut