SHEMBUJ TË AKUZAVE TË GJUHËTARËVE NDAJ SHTATË LEXUESVE TË KUR’ANIT PËR KINSE TRANSMETIM ME GABIME GJUHËSORE SI DHE ZHVLEFTËSIMI I TYRE

0
194

 

1) Mbështetja në rregullat e vëna prej tyre dhe moskuptimi i udhëzimit të leximit dhe domethënies së tij. P.sh. ajetin:
E ajo, në shtëpinë e së cilës ishte Jusufi, i bëri lajka atij dhe ia mbylli dyert e i tha: “Eja!”. Ai (Jusufi) tha: “All-llahu më ruajt, ai zotëriu im (e burri yt) më nderoi me vendosje të mirë (si mund t’i bëj hile në familje)?”. S’ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses.” (Jusuf, 23)
…respektivisht, fjalën “hejte leke” e kanë lexuar “hite leke”. Farisiu nuk e ka kuptuar se ajo fjalë ka një kuptim, andaj edhe e ka akuzuar lexuesin për dobësi. Kjo ngase po ta shtjellonte atë, do të gjente se kuptimi i saj është: “çështja jote të jetë në dorën time.”

2) Ndonjëherë disa nga këta gjuhëtarë merren vetëm me domethëniet që janë të njohura, ndërsa i anashkalojnë ato që janë më pak të përdorshme por që ekzistojnë.

3) Disa prej tyre kanë thënë se kanë përvetësuar format dhe llojet e leximeve arabe dhe se – sipas tyre – disa prej kiraeteve janë të zhveshura nga disa forma të gjuhës arabe, kështu që edhe i cilësojnë si të dobëta.

4) Por gjuhëtarët dinë të mos i përmbahen rregullit. Megjithëse i kushtëzojnë këto gjëra, ata, prapë, si për inat, kiraetet i cilësojnë të gabuara, madje edhe kur pajtohen me rregullat e tyre, siç qëndron p.sh. në ajetin:
…atëherë luftoni krerët e mohuesve…” (et-Teube, 12), ku hemzeja në fjalën ‘eimmeh’ shndërrohet në j-a.

Autori ka arritur që t’i zhvleftësojë këto gjykime të gabuara të gjuhëtarëve, kështu që ka mbledhur rastet për të cilat gjuhëtarët kanë konstatuar se kinse po u ndeshkan me rregullat e gjuhës arabe dhe ka konstatuar gabimet e tyre. Këtu do të doja të ndaj me lexuesin edhe një sekret të cilin e kam mësuar gjatë studimit të kësaj vepre.

Gjuhëtarët kanë qenë aq jokorrektë me Leximet dhe Lexuesit, saqë në disa raste i kanë mohuar ato vetëm për shkak të shijes së tyre personale. Këtë e hasim shumë qartë në veprat e tyre. P.sh. thuhet: “e ka mohuar Nuhhasi, …Ebu Ubejdi, …Ebu Hatimi, duke thënë se leximi pa zanore është dobësi dhe gabim i Lexuesve. Autori e ka shkruar derisa ka qenë i kotur. Nuk më pëlqejnë këto lexime.”

Pra shihet se kemi të bëjmë me gjëra që nuk ngrihen në asnjë mënyrë në pozitën e argumentit.
Autori, më pas, ka përmendur ata që kanë dhënë kritika për Leximet, si:
1) Nga sahabët: Aisheja, Ibni Abbasi [Allahu qoftë i kënaqur me ta!]
2) Nga tabiinët: Shurejh el-Kadi.
3) Nga gjuhëtarët: Ebu Amr el-Ala, Kesaiu, Ferau, Ebu Uthman Mazni, Ebul Hasen Ahfeshi, Sibevejhi.
4) Nga komentuesit e Kur’anit: Taberiu, gjë që autori e sheh si pikë të zezë tek ai.
5) Nga autorët në fushën e kiraeteve: Ebu Bekr ibn Muxhahid, Asim el-Xhahderi, etj.

 

VËREJTJE DHE PËRMIRËSIM NGA HULUMTUESI

Autori, duke folur për pjesëzën ‘enna’ (ar. أنى), citon Sibevejhin të ketë thënë se kjo pjesëz ka dy kuptime, të cilat janë: si? (ar. kejfe) dhe ku? (ar. ejne). Ebu Hajjani, në veprën e tij ‘el-Bahr’ (2/156), përmend se kjo pjesëz mund të ketë edhe kuptimin ‘kur’ (ar. meta), por ai nuk e ka aplikuar këtë në asnjë ajet. Autori është mjaftuar vetëm me domethëniet si dhe ku.

Se pjesëza në fjalë mund të përdoret edhe me kuptimin ‘kur’ ka folur edhe Redijji, madje ai sjell si shembull ajetin:
“Gratë tuaja janë vendmbjellje e juaj, afrohuni vendmbjelljes suaj si të dëshironi,…” (el-Bekare, 223), ku kjo pjesëz mund të përdoret me kuptim të ‘kur’ (ar. meta) .

Sigurisht, ky përgjithësim në shpjegimet e autorit, për shkak të mundësisë së keqinterpretimit nga epshorët për dispozitën e marrëdhënieve intime me gruan, është i rrezikshëm. Ata mund të bazohen në të dhe të kryejnë një prej mëkateve të mëdha. Allahu na ruajt!

Autori do të duhej të jepte shënime të rastit këtu për përjashtimet që bëhen nga ajeti, për shkak se, siç është vërtetuar, disa shiitë injorantë, duke u bazuar në kuptimin ‘ejne’ (si) të pjesëzës ‘enna’ në ajetin e cituar sipër, kanë lejuar marrëdhëniet në vrimën anale me gruan. Kjo domethënie e çoroditur nuk i përshtatet ajetit, përkundrazi, është shtrembërim i qëllimit të tij.

Në fakt, autori ka dhënë shpjegime për këtë gjë, porse jo në vendin e caktuar. Ai e bën këtë vetëm në fund, kur flet për rastet e pjesëzës ‘enna’ nën nr. 6, por që për shkak të distancës me rastin ku do të duhej të diskutohej, ajo e humb efektin e vet, sidomos kur lexuesi mund të fitojë ndonjë përshtypje apo edhe mbase të nxjerrë ndonjë dispozitë të gabuar nga shpjegimi jo i plotë i tij.

 

 

Assoc.Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA –STUDIME TË METODOLOGJISË STILISTIKE KURA’NORE TË SHEJH MUHAMMED ABDUL HALIK ‘UDEJMEH-ut