Sejjid Kutubi: Lindja, rritja, mendimet, vepra dhe rënia shehid

0
312

 

1. Lindja

Sejjidi është ibn Kutub ibn Ibrahim ibn Hasan Esh-Shadhilij. U lind më 09.10.1906 në fshatin Musha, komuna e Asjut-it. Ishte i biri i parë pas motrës së tij që ishte tre vjet më e madhe se ai. Ai poashtu kishte edhe një vëlla nga babai, i cili ishte shumë më i moshuar se ai. Nëna e tij u gëzua shumë me lindjen e tij për shkak se siguroi vazhdimësinë e jetës së saj martesore, posaçërisht kur dihet fakti se ajo ishte vetëm një grua e babait të tij, i cili i përkiste shoqërisë fshatare sa’idiane, e cila meshkujt i konsideronte pasuri, mburrje e shumim…

Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) u lind në një shoqëri fshatare sa’idiane që përjetonte kohë të vështira, varfëri e skamje, injorancë, sëmundje, agrikulturë të dobët dhe pushtetarë të këqinj, ndërsa në jetën e tyre mbizotëronin legjendat tradicionale dhe besimet inovative apo risitë (bid’atet), të cilët i shfrytëzonit vjedhësit dhe intrigantët.

I ati i tij kishte gjendje të mirë ekonomike, ishte bujar, jetonte nga toka që ishte përafërsisht e madhe dhe sado-kudo ia siguronte të gjitha nevojat e tij, ndaj dhe për shkak të harxhimeve të tij të mëdhaja, shiste pjesë të tokës së tij, me qëllim që t’i pastronte borxhet.

Babai i tij (Zoti e mëshiroftë!) ishte i shkathtë dhe i mençur, ndaj bashkëpunonte në një gazetë të përditshme dhe ishte anëtarë i Komitetit të Partisë Nacionale, dhe si dhe përgjegjës i familjes së tij, gëzonte autoritet të madh në fshat, ndaj dhe e kishte obligim mbrojtjen e një autoriteti të tillë. Aiishte njeri i vendosur, stabil, emocional, energjik dhe nuk iu ngjante atyre që ishin të pasur e që kishin familje të pasura nëpër fshatra

I biri i tij (profesor Sejjid Kutubi) më së miri e përshkruan babain e tij, në një libër të tij me fjalët: “E mbolle në mua, qysh kur isha fëmijë i vogël, frikën nga Dita e Gjykimit! Ti nuk më këshilloje dhe nuk më nxisje, por jetoje para meje gjithnjë duke pasur kujdes nga Dita e Gjykimit, të cilën e përkujtoje në ndjenja dhe me fjalë. Ti ishe i kujdesshëm në atë që e veproje dhe ishe tolerant nga frika prej Ditës së Gjykimit nëse ndokush të dëmtonte edhe pse kishe mundësi t’ia rikthesh, ti e falje, për të fituar shpërblim në Ditën e Kijametit. Fotografia jote është e thelluar në mendjen time, dhe akoma më kujtohet leximi yt i sures “El-Fatiha” që e bëje në darkë, për çdo mbrëmje dhe lutjen nga leximi i kësaj sureje ia dhuroje shpirtit të babait tënd që ndodhej në botën e Ahiretit. Ne ishim fëmijë të vegjël, përsëritnim atë që e thoje ti edhe pse nuk mund ta mbanin tërësishtë në mend!”

2. Rritja dhe zhvillimi i tij

Sejjid Kutubi kishte një fëmijëri që dallohej dhe karakterizohej nga fëmijëria e të tjerëve. Ai u rrit në një familje fisnike fetare e intelektuale dhe në gjendje të mirë financiare. ”…dhe doli nga shtëpia fëmijë i dalluar, poet në ndjenja për ta zhvilluar këtë dallim dhe këto ndjenja në mesin e të afërmëve dhe shokëve të tij në rrugë e në shkollë”.

Në shkollë, kujdestari i klasës tregonte interesim të posaçëm për të, ndaj dhe i jepte mësim gjysëmprivat në klasë, dhe kështu, në këtë mënyrë u rrit në fshat Sejjid Kutubi, dhe me të u zhvilluan dy gjëra: “Ndjenja në vetvete dhe shpresa të cilën ia kishte ngritur nëna e tij që kur ishte lindur…” Në elegjinë kushtuar nënës së tij, në vitin 1940, ai, mes tjerash, thotë:

“E parafytyroj vetveten time si një përbërje unikate që kur isha fëmijë në djep, më ofroje shpresë që nga lindja ime dhe në mendjen time u binda se jam i madh, dhe se unë do t’i lypi obligimet që dalin nga kjo madhëri që s’do mend se ishte fryt i ëndrrave tua dhe buronte nga frymëzimi i instiktit tënd!”

Nuk ka kurrfarë fije dyshimi se pikërisht kështu duhet të jetë qëndrimi i fëmijëve të mirë dhe mirëbërës ndaj prindërve të tyre: të njohin të bukurën dhe të mos mohojnë begatinë e vlerën. Pra, kështu duhet të veprojnë nënat e sotshme në edukimin e fëmijëve të tyre. 3.

Karakteristikat e fëmijërisë së tij

Fëmijëria e Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!) dallohet me disa karakteristika:

1. Persiatjet e tij rreth teksteve dhe shembujve kur’anor, vetë Sejjid Kutubi kur flet për veten e tij, rreth kësaj çështjeje, thotë:

“Kur isha fëmijë i vogël e lexoja Kur’anin dhe nuk i kuptoja kuptimet e tij, e as që i kuptoja qëllimet e tij, por në vete ndjeja diçka… Iluzioni im naiv (këtë profesori shehid e thotë nga modestia, vërejtje e H. Hoxhës) parafytyronte forma konkrete gjatë rrëfimit të Kur’anit. Kjo ishte formë e thjeshtë, por ma kënaqte shpirtin dhe më ushqente trurin. Nga format që i parafytyroja gjatë leximit të Kur’anit ishte leximi i ajetit kur’anor:

“Ka nga njerëzit që adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm) nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet me të, po nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai i ka humbur këtë dhe jetën tjetër, e ky ishte ai dështimi i qartë.” (El Haxh, 11). Këtu parafytyroja një njeri që qëndronte në një vend të lartë në një luginë të pjerrtë dhe falej, por i cili nuk mund të qëndronte drejtë dhe luhatej për të rënë. Nga lëvizjet e tij ndjeja kënaqësi dhe lumturi të çuditshme…”

2. Dëshira e tij e madhe për leximin dhe studimin e librave, si p.sh.
leximin e librave mbi kerametet e evlijave dhe të devotshmëve si dhe literaturë
tjetër shkencore e kulturore.

3. Kritika e tij e ashpër kundër zhvillimit dhe zullumqarëve, urrejtja e tij ndaj anglezëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që ndikonin haptazi në varfërinë dhe regresin social e kulturor dhe korrupcionin e ligjeve. Sa herë që i kujtohej kjo gjë, turpërohej ngase nuk kishte reaguar ndaj kësaj të keqe që e kishte kapluar popullin e tij.

4.Udhetimi i tij dhe aktiviteti shkencor

Për sa i përket mësimit të tij, Sejjid Kutubi e mësoi hifzin e Kur’anit Fisnik që në moshën dhjetëvjeçare vetvetiu, për të arsyetuar qëndrimin e tij në shkollën që e donte dhe prej të cilës ishin larguar pjesa dërmuese e fëmijëve të fshatit, për shkak se në mesin e popullatës ishte përhapur thashetheme se ai nuk interesohet më për mësimin përmendësh (hifzin) e Kur’anit…

Më pas, Sejjidi vendosi të vazhdojë shkollimin. Në moshën katërmbëdhjetë vjeçare braktisi fshatin dhe vajti në Kajro. Ç’është e vërteta, ai vajti te daja i tij, i cili punonte në arsim dhe gazetari, kurse Sejjidi aspironte me të madhe të bëhej i emancipuar si dajallarët e tij. Sejjid Kutubi arriti në Kajro në vitet e njëzeta me qëllim konkret, dhe kështu u regjistrua në një shkollë të mësuesisë që quhej “Shkolla Abdulaziz” dhe aty u përqendrua tërësisht për ta realizuar synimin e tij final, duke ua tejkaluar të tjerëve në mësime dhe kësisoji e fitoi diplomën për mësim fillor. Në vitin 1929 hyri në fakultetin e mësuesisë “Darul-Ulum” ku edhe pas katër viteve diplomoi, gjegjësisht në vitin 1933.

Pastaj u caktua mësues në të njëjtin fakultet, meqë ishte student shembullor. Ai poashtu u punësua edhe nga Ministra e Arsimit si mësues i shkollës fillore, rroga e tij ishte 6 paundë egjiptianë.

Gjatë prezencës së tij në shkollë e në fakultet u takua me letrarin dhe profesorin e mirënjohur Abbas Mahmud El-Akkad26 (Zoti e mëshiroftë!), i cili ishte udhëheqësi i reformave letrare në Egjipt, e përcolli me vëmendje dhe u bë nxënësi i tij i sinqertë. Ai u habit nga shkathtësia, aftësia dhe kultura e tij. Profesor Sejjid Kutubi vetë tregon për këtë takim, duke thënë:

“Akkadi është personaliteti që la përshtypje më të madhe te ne, dhe në të kemi shpresë për rregullimin e kësaj hutie letrare individuale, bile edhe për çrregullimin nga rrëmujat shoqërore që rrezikojnë këtë shoqëri. Ne e llogarisim si njeri që qëndron në mënyrë stoike përballë rrethanave dhe vështirësive me të cilat ballafaqohej gjatë jetës së tij individuale dhe aktiviteteve të tij të përgjithshme në jetë!”

Në fillim të viteve të dyzeta, gjegjësisht më 01.03.1940 Sejjid Kutubi hyri në Inspektoratin e Përgjithshëm të Kulturës në Ministrinë e Shkencës për të punuar si redaktor i gjuhës arabe, pastaj edhe në Drejtorinë e Përkthimit dhe Statistikës më 17.04.1940. Më vonë, që nga data 01.07.1944 punoi si inspektor i arsimit fillor. Në prill të vitit 1945 u kthye nga Inspektorati në Drejtorinë e Përgjithshme dhe prej kësaj kohe fillojnë hapat e tij në kritikën letrare dhe më vonë u dallua me metodën e tij të posaçme letrare, dhe si rezultat i gjithë kësaj veprimtarie, ai shkroi dy vepra kritike që titulloheshin: “Kutub ve shahsijjat”, dhe “En-nakdul-edebij, usuluhu ve menahixhuhu”, por, nga kritika letrare ai përfitoi armiq e kundërshtarqë që ndihmuan karierën e tij…

Nga ajo që u theksua më sipër, qartë vërehet se Sejjid Kutubi kishte pavarësi intelektuale dhe mbështetej në veten e vet dhe në fuqinë e tij racionale e letrare, ngase, në bazë të burimeve ai ka qenë kritik i fortë dhe kishte gjuhë thumbuese, gjë që ndikoi të humbas shumë shokë e dashamirë për shkak të mosdakordimit me idetë e tyre.

Thuhet madje se edhe profesori i tij Abbas Akkadi u largua prej tij, duke mos fol asnjë fjalë miradie për shkrimet e tij kritike. Me datën 03.11.1948 Sejjid Kutubi udhëtoi në Amerikë në një delegacion shkencor ministror për t’u specializuar në pedagogji dhe në parimet e metodave amerikane. Siç duket, shkaku i dërgimit të profesor Sejjid Kutubit në Amerikë ishte fakti se shteti veçmë kishte filluar të kuptojë rrezikun prej këtij njeriu për shkak të shkrimeve dhe kritikave të tij, dhe kështu filluan të mendojnë se si t’ia ndërronin mendjen këtij njeriu dhe si ta largonin nga mendimet e tilla islame dhe kështu e vetmja mundësi për ta realizuar qëllimin e tyre ishte dhe mbetej: largimi i tij nga vendi në një vend tjetër, gjegjësisht në Amerikë për t’ia ndryshuar mendjen dhe konceptet dhe po të njëjtat t’ia zëvendësonin me ide dhe koncepte amerikane.

“Ata bënin plane e Allahu i asgjësonte, se Allahu është më i Miri që asgjëson (dredhitë).” (El Enfalë, 30).31 Mirëpo, udhëtimi i profesor Sejjid Kutubit në Amerikë ndryshoi diametralisht mendimet e tij, por në të kundërtën e asaj që e pritnin pushtetarët, ngase ky njeri forcoi edhe më shumë besimin dhe bindjen e tij se sa që e kishte më parë… Ai u bind se besimi islam, metoda dhe sistemi islam në jetë janë e vërtetë, ndërsa atë që e kanë dhe posedojnë të tjerët është e pavlefshme dhe hiçgjë. Kur u kthye Sejjid Kutubi nga Amerika, shkroi librin e tij “Amerika el-leti re’ejtu”, dhe kështu filloi të ndiejë në vete përgjegjësinë si thirrës dhe mendimtar. Pritej që pas kthimit të profesor Sejjid Kutubit nga Amerika të bëhej përkrahës i shtetit egjiptian… Por njerëzit dëshirojnë diçka tjetër, përderisa Zoti dëshiron dhe ndodhë vetëm ajo që dëshiron Ai…

Ky është ligji hyjnor por shumica e njerëzve nuk e dijnë. Profesor Sejji dKutubi u bë kundërshtar i madh i shtetit sipas konceptit të tyre, dhe pikërisht mu për shkak të ideve të tilla e pagoi me vetë jetën e vet!

5. Bashkangjitja e Sejjid Kutubit me Vëllezërit Muslimanë

Udhëheqësi dhe themeluesi i Vëllezërve Muslimanë Shejh Imam Hasan El-Benna34 (Zoti e mëshiroftë!) me personalitetin e tij islamik dhe kulturën e tij të shkëlqyer ndikoi dukshëm në përgatitjen e Vëllezërve për të thirrë në rrugën e Zotit. Ai e kishte balancuar shpirtin, diturinë e lëvizjen në njërën anë dhe shkollat e posaçme islame, si sufiste, selefiste e doktrinore në anën tjetër, si dhe në strukturën organizative të shoqërisë. Kjo strukturë dallohej ngase ishte vepër kolektive në formë të partisë islame.

Disa burime të tjera theksojnë se profesor Sejjid Kutubi, para udhëtimit të tij në Amerikë e shkroi librin e tij të njohur “El-adaletul-ixhtima’ije filIslam”,” Drejtesia Sociale në Islam”. dhe një kopje të këtij libri ua kishte dhuruar Vëllezërve Muslimanë. Unë jam i mendimit se pikërisht ky gjest i profesor Sejjid Kutubit, pra dhurimi i librit të tij Vëllezërve Muslimanë, njëherit ishte edhe fillim i marrëdhënieve të tij të mëtutjeshme me Vëllezërit.

Dy ngjarje ndikuan dhe ishin vendimtare që profesor Sejjid Kutubi t’iu bashkangjitet Vëllezërve Muslimanë, madje këtë edhe vetë ai e thekson.

Ngjarja e parë ndodhi kur ai ishte në Amerikë. Më 12.02.1948, ditën kur në Kajro u vra Shejh Imam Hasan El-Benna, udhëheqësi i Vëllezërve Muslimanë, ai në SHBA çuditërisht kishte vërejtur gëzim të madh, si asnjëherë më parë…; dhe:

Ngjarja e dytë kishte të bëjë me një agjent të fshehtë britanik që quhej James Heyworthe Dunne, i cili ishte përqendruar në Sejjid Kutubin dhe vazhdimisht përsëriste se sipas tij, “Vëllezërit ishin pengesa kryesore e depërtimit të qytetërimit perëndimor në Lindje…”

Këto dy ngjarje i lëvizën ndjenjat e Sejjid Kutubit për të studiuar idetë e Imam Hasan El-Bennasë me thellësi dhe seriozitet të madh, si dhe dukshëm ndikuan që të tregojë interes për lëvizjen e Vëllezërve si organizatë dhe për nevojën obligative për ta mbrojtur Islamin.

Kur Sejjid Kutubi u kthye nga Amerika, ai u prit nga një delegacion i madh i Vëllezërve Muslimanë me mikpritje të ngrohtë39, dhe kjo ngjarje la gjurmë të madhe në ndjenjat e tij ndaj Vëllezërve, edhe pse ai akoma në mënyrë zyrtare nuk i ishte bashkangjitur lëvizjes. Ky afrim me Vëllezërit u rrit edhe më shumë kur Sejjid Kutubi filloi të shkruajë në revistën e tyre “Da’ve”, nga shkurti i vitit 1951, derisa në fillim të vitit 1953 u ftua që të formoj Departamentin e Thirrjes brenda lëvizjes së Vëllezërve e që njëherit ishte një nga qendrat kryesore të Vëllezërve Muslimanë në Kajro.

Në vitin 1953 profesor Sejjid Kutubi u caktua kryeredaktor i revistës javore të Vëllezërve Muslimanë, e cila revistë në vitin 1954 u ndalua nga botimi.

6. Veprimtaria dhe literatura e tij

Profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) ka lënë pas vetes një bibliotekë të pasur librash të botuara dhe të pabotuara, si dhe qindra artikuj të pabotuar nëpër gazeta e revista të ndryshme. Pra, trashëgimia e tij konsiderohet një bibliotekë e madhe për gjeneratat e ardhshme. Kjo pasuri e madhe, njëherit paraqet edhe argumentin më të madh mbi diturinë dhe kulturën e tij të gjerë. Në bazë të periudhave dhe zhvillimeve intelektuale në të cilat kaloi ky dijetar i famshëm, këtë pasuri të vlefshme shkencore mund ta ndajmë në dy periudha:

a. Veprimtaria dhe literatura para anëtarësimit të tij në lëvizjen Vëllezërit Muslimanë, apo para punimeve të tij islame; dhe:

b. Veprimtaria dhe literatura pas anëtarësimit në lëvizjen Vëllezërit Muslimanë, apo pas përqendrimit të tij plotë në përpilimin e literaturës islame. Në realitet kjo çështje është shumë e rëndësishme, ngase njohuria kronologjike e veprimtarisë së tij në bazë të periudhave që i ka përjetuar në jetë ka rëndësi të madhe, sepse në këtë mënyrë do të vërehet zhvillimi intelektual i autorit dhe vetëm kështu do të kuptohet qartë se ai ka përjetuar periudha të ndryshme në jetë…

Ata që shkruajnë për profesor Sejjid Kutubin i mbyllin sytë ndaj këtij aspekti historik të jetës së tij (Zoti e mëshiroftë!) dhe pastaj i komentojnë gabimisht idetë e profesor Sejjid Kutubit.

Kjo çështje, gjithashtu ka raport të pjesërishëm edhe me temën e disertacionit, ndaj dhe për këtë shkak ishte e domosdoshme që t’i qasem kësaj çështjeje. Më duhet të theksoj se këtë çështje më së miri e ka shqyrtuar Prof. Dr. Salah Abdul-Fetah El-Halidi në shkrimet e tij mbi profesor Sejjid Kutubin. Zoti e shpërbleftë për këtë vepër të madhe që e ofroi për shoqërinë islame dhe për gjeneratat e ardhshme.

Prof. dr. Salah Abdul-Fetah El-Halidi (Zoti e ruajtë!) thotë: “U lodha shumë gjatë rregullimit të saj në këtë formë dhe shfrytëzoj rastin që të them se ribotimet e shumta të këtyre librave (në mënyrë zyrtare apo jozyrtare) kanë bërë një gabim shumë të madh, ngase nuk kanë theksuar kohën e botimit të parë pas ribotimit, me qëllim që lexuesi i nderuar të kuptoj drejt e të mos bie në kurth, ngase mendimet e autorit janë në evoluim e sipër, dhe një mendim që ka thënë në botimin e parë mund ta anulojë në ribotimin tjetër, pra mendimet e tij evoluojnë. Një evoluim i tillë është shumë evident në mendimet e Sejjid Kutubit dhe kjo do të kuptohet vetëm nëse i radhit veprat e tij në këtë kronologji. E këshilloj secilin që merret me zhvillimin e mendimeve të Sejjid Kutubit t’i sistematizojë veprat e tij në bazë të viteve të botimit të tyre!”40

Veprat e periudhës së parë fillojnë nga viti 1933 deri në vitin 1948, ndaj dhe unë po filloj me radhitjen që e ka bërë prof. Halidi sipas viteve të botimit të tyre:

1. “Muhimmetush-sha’ir fil-hajat ve shi’rul-xhijlil-hadir, në realitet kjo është një ligjëratë e mbajtur në fakultetin Darul-Ulum dhe është botuar në vitin 1933;

2. “Esh-shati’ul mexhhul” është divani i tij i parë dhe i fundit, është botuar në vitin 1935;

3.“Nakdu kitabi Mustakbalith-thekafeti fi Misre” (kritikë ndaj opinionit dhe mendimeve të dr. Taha Husejnit). Ky libër u botua në vitin 1937, dhe shkaktoi një huti të madhe, ngase dr. Husejni ishte i mendimit se Egjipti është pjesë e qytetërimit perëndimor, ndërsa Sejjid Kutubi në këtë vepër i kritikoi mendimet dhe opinionet e Taha Husejnit në mënyrë bindëse dhe me argumente nga aspekti edukativ dhe arsimor;

4. “Et-tasvirul-fennij fil-Kur’an”, është vepra e parë e tij islame, flet për Kur’anin dhe ilustrimin artistik në të, dhe konsiderohet bazë e bibliotekës kur’anore. Sikur të mos ishte ky libër nuk do të dinim zhvillimin e rrugës së ardhshme të Sejjid Kutubit. Botimi i parë doli në vitin 1945;

5. “El-Etjaf el-erbe’atu” e përpiloi së bashku me të vëllain dhe me motrën e tij. U botua për herë të parë në vitin 1945 në kuadër të botimeve universitare;

6. “Tiflun fil-karjeti” është një rrëfim për fëmijërinë e Sejjid Kutubit. Këtë vepër e botoi komiteti për botime universitare në vitin 1946. Këtë libër ia ka dedikuar dr. Taha Husejnit, autorit të romanit “Ditët”, ngase ai (Sejjid Kutubi, vërej. e përkth.) ishte tejet i impresionuar nga ky libër i dr. Taha Husejnit, ashtu siç ishte i impresionuar edhe me librin e Teufik Hakimit “Jaumijjat Na’ib fil-erjaf” dhe në këtë formë e përpiloi edhe librin e tij;

7. “El-Medine el-mes-hure”, e shkroi në vitin 1946 dhe është rrëfim iluzor simbolik në formë të librit “Një mijë e një net”;

8. “Kutub ve shahsijjat”. Ky është libri i tretë i botuar në vitin 1946, pas dy librave “Tiflun fil-karjeti” dhe “El-Medine el-mes-hure”. Këtë libër ua ka kushtuar letrarëve, poetëve, tregimtarëve dhe hulumtuesëve, të cilëve ua kishte kritikuar veprat;

9. “Eshvak” – edhe ky është një tregim romantik dashurie. U botua në maj të vitit 1947, dhe aty vërehet qartë aftësia e tij si letrar, tregimtar që rrëfen për një ngjarje romantike-dashurie të vërtetë, në mes tij dhe një vajze të bukur nga Kajroja;por profesori Sejjid Kutub nuk u martua me atë vajzë për disa shkaqe dhe per fat të keq nuk la trashigimtar pas tij;

10. “Meshahidul-kijameti fil-Kur’an” u botua për herë të parë në prill të vitit 1947 dhe ky është libri i dytë nga biblioteka e Kur’anit, libër ky i përpiluar në bazë të metodës së librit “El-tasvirul-fenij fil-Kur’an.”; .

11.“Raudatul-tifli” – është një seri e Sejjid Kutubit në bashkëpunim me Emine Es-Sa’id dhe Jusuf Murad. Këtë e botoi në Shtëpinë Botuese “Darul-Me’arif” në Egjipt;

12. “El-Kasas Ed-dinij” – është një seri e veprave fetare për fëmijë në bashkëpunim me Abdulhamid Xheude;

13. “El-Xhedid fil-lugatil-arabijjeti”, në bashkëpunim me autorë të tjerë dhe siç duket Ministria e Arsimit e Egjiptit këtë vepër e kishte caktuar si literaturë obligative shkollore për lëndën e gjuhës arabe;

14. “El-Xhedid fil-Mahfudhat” – e përpiloi me disa autorë të tjerë, e cila gjithashtu ishte literaturë shkollore didaktike, por prof. Halidi, për fat të keq, nuk pati mundësi t’i gjejë këto katër libra dhe të njihet me tematikat e tyre…;

15. “En-Nakdul-edebijju-Usuluhu ve Menahixhuhu” e botoi në qershor të vitit 1948 dhe ky është libri i tij i katërt kritik dhe njëherit edhe i fundit;

16. “El-Adaletul-ixhtima’ijjetu” – vepër këtë, të cilën e shkroi para udhëtimit të tij në Amerikë. Profesor Sejjid Kutubi para se të udhëtoj për në Amerikë, i obligoi dy vëllezërit e tij që ta botonin këtë vepër. Botimi i parë doli në prill të vitit 1949 dhe njëherit është edhe libri i tij i parë në lëmin e mendimit islamik. Ky libër përjetoi edhe disa botime tjera të korrektuara nga vetë Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!). Këtu duhet të theksojmë edhe atë që të dy librat e tij të mëparshëm: “Et-tasvirul-fennij fil-Kur’an” dhe “Meshahidul-Kijameti fil-Kur’an” – janë vepra letrare ngase aty e shqyrton metodën ekspresive të Kur’anit dhe karakteristikat e metodës së tij;

17. “Ma’reketul-Islam ver-re’smalijje”. Këtë libër e shkroi në shkurt të vitit 1951, sepse Sejjid Kutubi për dy vjet të tëra u ndal nga të shkruarit, kjo për shkak të udhëtimit të tij në Amerikë dhe gjendjes politike të keqe që mbretëronte në Egjipt, e cila jashtëzakonisht ishte përkeqësuar, kjo kohë njëherit konsiston edhe me njohjen dhe bashkëngjitjen e tij radhëve të lëvizjes së Vëllezërve Muslimanë;

18. “Es-Selamul-alemij vel-Islam” u botua në tetor të vitit 1951 nga Shtëpia Botuese “Darul-Kitabil-Arabij” në Kajro;

19. “Fi dhilâlil-Kur’an”. Kur profesor Sejjid Kutubi e shkroi librin e tij “Et-tasvirul-fennij fil-Kur’an” në vitin 1945, ai shprehi dëshirë që tërë Kur’anin ta elaborojë në këtë mënyrë, çdo sure dhe çdo ajet. Kjo dëshirë vazhdoi të qëndrojë në brendinë e tij një kohë bukur të gjatë, gjersa në dhjetor të vitit 1951 Se’id Ramadani e botoi revistën “El-Muslimun” që ishte revistë mujore intelektuale. Se’id Ramadani kërkoi prej profesor shehid Sejid Kutubit që të bashkëpunoj dhe të shkruaj artikuj për këtë revistë mujore. Profesor Sejjid Kutubi me kënaqësi e pranoi ofertën e tij. Kështu, Sejjid Kutubi filloi të komentojë Kur’anin nën titullin “Fi dhilâlil-Kur’an”, dhe më pas, e ndërpreu shkrimin, ngase u kishte premtuar lexuesve që do të përpilojë një tefsir të posaçëm në tridhjetë vëllime dhe vërtetë doli vëllimi i parë i tefsirit “Edh-dhilâl” në tetor të vitit 1952.;41

20. “Dirasat Islamijje” u botua për herë të parë nga libraria e Komitetit të Rinisë Islame në vitin 1953 dhe përmban artikuj të ndryshëm që i ka shkruar dhe botuar profesor Sejjid Kutubi në revista të ndryshme;

21. “Hadhed-din”. Pas burgosjes së pjestarëve të Vëllezërve Muslimanë në burgjet e presidentit egjiptian, diktatorit dhe kriminelit Xhamal Abdul-Naser, si rrjedhojë e maltretimit dhe vuajtjeve nga më çnjerëzoret, disa pjestarë, së pari e humbën besimin në vetveten e tyre, dhe më pas edhe në këtë fê dhe në fuqinë e saj për t’u përballur me injorancën;

Së dyti, profesor Sejjid Kutubi menjëherë e kuptoi këtë gjë, ngase ai ishte udhëheqës që ndiente vuajtjet e vëllezërve të tij dhe për këtë shkak, iu rrek shkruarjes së këtij libri, me qëllim që t’i sqaroj karakteristikat e kësaj feje, e cila njëherit është edhe rrugë për njerëzit dhe se Zoti po të dëshiroj mund t’ju ndihmojë me engjëjt e Tij, mirëpo për shkak të shumë urtësive, Zoti dëshiron që njerëzit të ndihmohen përmes njerëzve. Ky libër konsiderohet periudhë e re ideologjike e Sejjid Kutubit dhe e metodës së tij dhe njëherit ky është fillimi i drejtimit të tij islamik-dinamik;

22. “El-Mustakbel li hadhed-din”. Ky libër plotëson misionin e librit të parë “Hadhed-din”. Pasiqë ky libër e rikthen besimin e tyre në vetvete, në këtë libër sqaroi se ardhmëria i takon kësaj feje, ngase është metodë e plotë, e përkryer universale dhe i plotëson të gjitha nevojat njerëzore. S’ka fe tjetër që e kryen këtë mision!;

23.“Hasaisut-tesav-vuril-Islami ve mukav-vimatuhu”. Këtu, në këtë libër, profesor Sejjid Kutubi flet për besimin islam dhe për karakteristikat e tij. Libri ndahet në dy pjesë, edhe këtu Sejjid Kutubi kaloi kohë të gjatë studimesh e hulumtimesh derisa e përfundoi këtë libër. Këtë libër e shkroi nga viti 1951 deri në vitin 1961.

24. “El-Islam ve mushkilatul-hadareti”. Sejjid Kutubi këtë vepër e shkroi me qëllim që njerëzve t’ua jep ilaçin efektiv për t’i shëruar dhe njëherit ata (njerëzit) ta pranojnë Islamin si çelësin e vetëm për t’i zbërthyer dhe zgjidhur të gjitha problemet e tyre; dhe:

25. “Me’alim fit-tarik” – (Shenja në Rrugë)është libri i fundit i tij i botuar, ngase Sejjid Kutubi dhe Vëllezërit e tij (fjala është për pjestarët e lëvizjes Vëllezërit Muslimanë, vërej e përkth.) pas botimit të këtij libri burgosen, ndërsa autori i kësaj vepre Sejjid Kutubi menjëherë u dënua me vdekje. Tiranët kërkonin prej të burgosurve që të largohen nga leximi i këtij libri. Këtë libër, Sejjid Kutubi e shkroi me një stil dhe metodë avangarderevolucionare. Këtu në këtë vepër, ai ishte tejet i guximshëm dhe shumë i drejtpërdrejt në mendimet e tij. Ky libër ka të bëjë me besimin, sistematizimin, organizimin, mendimin dhe lëvizjen. Në këtë libër vërehet qartë pjekuria intelektuale dhe përvoja e tij e madhe jetësore. Në fund të këtij libri, prof. dr. Salah Abdul-Fetah El-Halidi thotë: “Këto janë të njëzetepesë librat që i botoi Sejjid Kutubi gjatë jetës së tij.”

Ka disa libra që janë botuar pas rënies së tij shehid dhe lexuesit mendonin se ishin të Sejjid Kutubit dhe se ai i kishte nxjerrë në atë formë, por nuk është ashtu, ngase këto libra janë përmbledhje e mendimeve të profesor Sejjid Kutubit gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Amerikë, prej vitit 1949 deri në vitin 1951, të cilat i ka shënuar në letrat që ia ka dërguar vëllait, motrës dhe shokëve të tij në Egjipt dhe në vende tjera. Një pjesë prej tyre janë artikuj që i ka botuar në revista të ndryshme, të cilat më pas janë botuar me tituj të ndryshëm.

Librat e tillë janë:

1. “Efrahur-ruh”;

2. “Nahve muxhteme’in islamijjin”; dhe:

3. “Fit-tarihi-fikretun ve minhaxh”.

Nga librat që janë nxjerrë nga tefsiri “Fi dhilâlil-Kur’an” me tituj të ndryshëm për shkaqe tregtie e profitabile do t’i theksojmë:

1. “Ma’reketuna me’al-jehud”;

2. “Tefsiru suretish-shura”;

3. “Tefsiru ajatir-riba”;

4. “Kissatu ajatid-da’veti”;

5. “Islamun eu la Islame”;

6. “Ila el-mutethakiline anil-xhihad”; dhe:

7. “Risaletus-salat”.

Nga hulumtimet dhe artikujt e pabotuar theksojmë:

1. “Muhimmetush-sha’ir fil-hajat”;

2. “Dirasetun an Sheuki”;

3. “El-Murahekatu, atharuha ve ilaxhuha”;

4. “El-Mer’etu legzun besit”;

5. “El-Mer’etu fi kasasi Teufik El-Hakim”;

6. “Es-da’uz-zemen”;

7. “El-Ke’sul-mesmumetu”;

8. “Kafiletur-rekik”;

9. “Hilmul-fexhri”;

10. “El-Kitat ed-dal-letu”;

11. “Min a’makil-vadij”;

12. “El-Medhahib el-fennijjetu el-mu’asire”;

13. “Es-suver, vedh-dhilâl fish-shi’ril-arabijj”;

14. “El Kis-satu fil-edeb”;

15. “Shu’ara’u sh-shebab”;

16. “El-Kissatul-hadithetu”;

17. “Arabijun-elmuftera alejhi”;

18. “Esh-Sherif Er-Radij”;

19. “Lahadhat me’al-halidin”; dhe:

20. “Amerika el-leti re’ejtu”;

Në këtë kontekst prof. dr. Halidi thotë se Sejjid Kutubi dëshironte ta botojë këtë libër, ngase kur ishte burgosur në vitin 1954 e kishte fshehur dorëshkrimin te një mik i tij, gjersa të qetësohej situata dhe të përfundonte kriza, mirëpo miku i tij e kishte djegur dorëshkrimin kur ishin shtuar me të madhe përndjekjet dhe burgosjet e Vëllezërve Muslimanë.

1. “El-Kissatu bejnet-Teurati vel-Inxhili”;

2. “En-Nemadhixh el-insanijjetu fil-Kur’an”;

3. “El-Mentikul-vuxhdaniju fil-Kur’an”;

4. “El-Esalibul-fennijje fil-Kur’an”;

5. “Me’alim fil-tarik” (kodeksi i dytë);

6. “Fi dhilalis-sireti”;

7. “Fi Meukibil-Iman”;

8. “Mukav-vimatut-tesav-vuril-islamijj”;

9. “Ev-vlevijjat fi hadhed-din”;

10. “Hadhel-Kur’an”;

11. “Tesvibat fil-fikril-islamij el-el muasir”; dhe:

12. “Nahve muxhteme’in islamijjin”.

 

7. Rënia e tij shehid (mbytja e tij)

Profesor Sejjid Kutubi qartë e kuptoi se shoqëria e Vëllezërve Muslimanë është një grup me parime dhe elemente të fuqishme që kishin për qëllim përhapjen e Ligjit dhe Sheriatit të Zotit në tërë botën dhe për këtë shkak e pa se ndiente obligim që t’ju bashkohej atyre. Pas rënies shehid të themeluesit të parë Shejh Imam Hasan El-Bennasë (Zoti e mëshiroftë!), Sejjid Kutubi u bë udhëheqës i njohur i mendimit islamik në Egjipt dhe në vendet tjera islame e botërore.

Sejjid Kutubi i përjetoi të gjitha sprovat dhe vështirësitë që i përjetuan edhe Vëllezërit Muslimanë, të cilat sprova dhe vështirësi filluan qysh nga viti 1954, e vazhduan derisa u dënua me vdekje në vitin 1966. Fundja, a nuk ishin pikërisht mu pejgamberët dhe të dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta!) ata që më së shumti se çdokush tjetër në faqe të dheut u sprovuan me plot vuajtje e vështirësi…

Ky është ligj i Zotit në Tokën e Tij për njerëzit e Tij të zgjedhur, në këtë kontekst, Zoti i Madhërishëm thotë: “Ky është ligj i Tij edhe me të dërguarit që i dërgoi para teje. E në ligjin Tonë ti nuk gjen ndryshim.” (Israë, 77).

Sejjid Kutubi shpeshherë e ka përsëritur thënien në tefsirin dhe në veprat e tij se rruga e davetit (thirrjes) nuk është e shtruar me lule e trëndafila, përkundrazi… Pushteti egjiptian i akuzonte Vëllezërit Muslimanë si terroristë për shkak të pjesëmarrjes së tyre në kryengritjen48e korrikut në të cilën morën pjesë oficerë dhe ushtarakë. Konflikti filloi për shkak të një vendimi të datës 13.01.1954 të nxjerrë nga Qeveria dhe kështu, pushteti i diktatorit, kriminelit Xhamal Abdul-Naser filloi me të madhe t’i burgosë Vëllezërit nëpër burgjet egjiptiane. Në fillim, menjëherë burgosi 1000 pjestarë prej tyre dhe me procedurë të përshpejtuar disa prej tyre u dënuan me vdekje. Në mesin e tyre ishin edhe dy figura eminente dijetarësh: Prof. Hasan El-Hudajbi dhe prof. Abdulkadir Audeh (Zoti i mëshiroftë!).

Të tjerët u dënuan me vdekje, kurse prof. El-Hudejbi u dënua me burg të rëndë dhe të përjetshëm. Në mesin e shumë të burgosurve ndodhej edhe profesor Sejjid Kutubi, i cili akuzohej si pjesëmarrës në lëvizjen për grushtet, ndaj dhe për këtë shkak, në vitin 1954 e dënuan me pesëmbëdhjetë vjet burgim. Gjatë viteve të burgimit, ai përjetoi shumë maltretime dhe vuajtje të mëdha, por megjithatë, edhe përkundër vuajtjeve dhe mynxyrave, arriti të shkruaj disa punime islame brenda në burg dhe as edhe për një çast të vetëm nuk e ndërpreu thirrjen (da’vetin) e as shkrimin aty brenda.

Nga punimet e tij të shkruara në burg, janë: “Hadhed-din”; “El-Mustakbil li hadhed-din”; si dhe plotësoi tefsirin e tij “Fi dhilâlil-Kur’an”, duke bërë korrektimin e vëllimeve që ishin botuar para rënies së tij në burg.

Pas amnestisë së tij, në maj të vitit 1964, për shkaqe shëndetësore dhe pas intervenimit të Presidentit irakian Abdus-Selam Arif për lirimin e tij, Sejjid Kutubi përsëri u rikthye në burg, ngase shkroi një letër kundër sigurimit të shtetit pas burgosjes së vëllait të tij Muhamed Kutub më 30.07.1965, dhe kështu, gjykata e dënoi me vdekje, bashkë me shtatë Vëllezër të tij. Ai u ekzekutua në mëngjesin e ditës së hënë më 29.08.1966 (Xhemadel-ula, 1386 hixhri).

Pas vendimit të gjykatës, profesor Sejjid Kutubi e shprehu fjalën e tij të njohur: “Falënderoj Allahun! Pesëmbëdhjetë vjet punova për të rënë dëshmor!”54 Dhe kështu, në këtë mënyrë u shua një yll nga yjet e ndritur e të shkëlqyeshëm nga jeta, ndërsa bota islame humbi një dijetar, një thirrës të famshëm dhe një mendimtar më të spikatur për shkak se tha: “Allahu është Zoti Ynë!

Duhet të aplikojmë metodën e Tij, duhet të praktikojmë Sheriatin e Tij dhe duhet të marrim pushtetin nga njerëzit dhe t’ia mbështesim Zotit të njerëzve për të ecur me fjalët e Zotit të Madhërishëm: “A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull të bindshëm që beson, a ka gjykim më i mirë se ai i Allahut?” (El-Maide, 50).

Zoti e përfshiu me Mëshirën e Tij të Madhe dhe e bëri banor të Xhennetit të Tij të gjerë! Zoti na bëftë si ai dhe prej atyre të cilët nuk i frikohen askujt përveç Zotit dhe na mbroftë nga dëmtimi i të keqit! Amin! Zoti padyshim që këtë vlerë ia jep atij që dëshiron dhe Ai ka vlerë të madhe! Mendoj se këto të dhëna mjaftojnë rreth profesor Sejjid Kutubit, ngase nuk kemi hapësirë të mjaftueshme për t’u zgjeruar më shumë.

Lus Zotin e Madhërishëm që autorin e këtyre veprave ta shpërblejë me shpërblime të mira, duke uruar: Zoti na bëftë sikur ai dhe të na bekojë në jetën tonë dhe në kohërat tona dhe të na bëjë prej atyre që i shërbejnë kësaj feje si materialisht ashtu edhe me ide! Amin!

 

Asoc.Prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Rruga e Da’wetit në Allahun xh.sh. nën hijen e Sures El En’am (Direktiva te arta për hoxhallarë dhe studentë sipas Tefsirit të prof.Sejid Kutub )