DISPOZITA E STOLISJES ME AR

0
546

 

Nga Adullah Ibën Abasi r.anhuma transmetohet se: ‘I dërguari i Allahut xh.sh. pa një unazë ari në dorën (gishtin) e një njeriu. Muhamedi a.s. ia nxori atë prej gishtit, e hodhi (në tokë) dhe tha: A guxon dikush nga ju që ta mbajë në dorën e tij një gacë nga zjarri i xhehenemit? Pastaj (të tjerët) i thanë atij njeriu: Merre unazën (dhe shite apo bëj diçka tjetër). Ai iu tha: Vallahi jo, nuk e marr atë unazë të cilën e hodhi Muhamedi a.s.’ [Transmetim i Imam Muslimit]. 

Hadithi i lartpërmendur është një prej shumë haditheve të vërteta të cilat tregojnë se stolisja me ar është haram për burrin. Edhe pse hadithi në fjalë ka të bëjë me të barturit e unazës (stolisjen e gishtit me ar), kjo nuk do të thotë kurrsesi se bartja e zinxhirit apo hallkave prej ari, etj. janë të lejuara. Dallimi në vendin e bartjes nuk merret fare në konsiderim. Sa i përket femrës, pjesa dërmuese e dijetarëve, dhe mes tyre edhe imamët e katër medhhebeve, mendojnë se stolisja me ar është e lejuar, nëse ajo nuk e tejkalon URFIN e vendit – traditën e zakonshme të vendit të vet (që do të thotë se ajo nuk ka diçka më tepër nga shoqet e saj). Në këtë rast, dijetarët islamë ndahen në disa mendime. 

Imam Termidhiu dhe Nesaiu transmetojnë se Muhamedi a.s. ka thënë: “Ari dhe mëndafshi janë të lejuara për femrat e umetit tim dhe janë të ndaluara për meshkujt”.

Termidhiu ka thënë se hadithi është i mirë dhe i vërtetë.

Me këtë rast nuk kemi për qëllim që t’i diskutojmë argumentet fetare përkitazi me temën, por na intereson të dimë shkakun dhe urtësinë e këtij ligji islam madhështor.

Për çfarë arsye është ndaluar ari për burrat dhe nuk është ndaluar ndonjë stoli tjetër, që mund të jetë akoma më e shtrenjtë?

Përgjigjja është se Allahu xh.sh. e ka bërë arin si një bazë vlere për gjërat e tjera të vlefshme, në çdo kohë dhe në çdo vend. Sado që të ndryshojnë formalisht çmimet e gjërave të tjera, është e domosdoshme që ky ndryshim të kthehet në çmimin e arit. Allahu xh.sh. e ka krijuar këtë metal të vlefshëm që njerëzit ta përdorin dhe të jetë një vlerësues i drejtë në mes pasurive të tjera. Allahu xh.sh. e ka bërë këtë metal që të jetë vetë i çmueshëm, prandaj popujt angazhohen të gjithë që ta përfitojnë këtë thesar të çmueshëm, duke e paraqitur secili në treg pasurinë e tij, në mënyrë që të lehtësohet zhvillimi i jetës në tokë. Mu për këtë arsye nuk bën që të pakësohet përdorimi i arit, sepse vështirësohet jeta e njerëzve. Me përdorimin e arit për stolisje dhe zbukurime bëhet një lloj konsumimi i tij dhe, në këtë mënyrë, jeta vështirësohet.  

Një dëm dhe mëkat akoma më i madh, nga ai që u tha më lart, është kur të varfrit i shohin copat e arit dhe argjendit nëpër banesat e pasurve. Dikush prej tyre i vendos si stoli, kur në vend të tyre mund të kishte vendosur edhe stoli prej porcelani apo diçka tjetër. Dikush prej tyre përdor edhe enë prej ari dhe argjendi. Të varfërve iu thyhen zemrat kur i shohin këto, pasi ata mundohen me mish dhe me shpirt që të sigurojnë një sasi tejet të vogël të vlerës së arit, për të siguruar kafshatën e gojës apo një jetë mesatare të tyre.

Nga kjo pikëpamje shihet dhe kuptohet se metalet e tjera të çmueshme, si: inxhitë, elmazi, platini etj., nuk janë të rrezikshme e të ndaluara si ari dhe argjendi, për arsye se këto thesare (stoli) nuk janë, në esencë, bazë për çmimet e tjera dhe përdorimi i këtyre nuk shkakton thyerjen e zemrave të të varfërve.

Imam Gazaliu, për temën në fjalë, përmend edhe ajetin kur’anor prej sures Et Teube, ku Allahu xh.sh. thotë: “...Edhe ata të cilët konservojnë ar edhe argjend dhe nuk e japin atë në emër të Allahut xh.sh., përgëzoi ata me një dënim të dhembshëm.” Imami ndërhyn dhe thotë: ‘Të gjithë ata të cilët, nga pasuria e tyre, kanë blerë enë prej ari dhe prej argjendi janë më të këqij se ata të cilët e grumbullojnë arin dhe argjendin…’

Nga ky aspekt shihet se përdorimi i arit, si për burra ashtu edhe për gra, ndalohet, mirëpo mbasi që është në natyrën e gruas që të hijeshohet që burri i saj të kënaqet, atëherë nuk ka pengesë që ajo të stoliset me një sasi ari, me qëllim që asaj t’i shtohet bukuria mbi bukuri, ndërsa për burrin përdorimi i arit nuk lejohet në asnjë aspekt.

E nëse gruaja e tejkalon kufirin e stolisjes me ar dhe dallohet nga shoqet e saj, atëherë, si për gruan ashtu edhe për burrin, përdorimi i arit është haram.

 

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE