MIGRIMI I PARË NË ISLAM

0
315

Torturat ndaj muslimanëve kanë filluar në gjysmën ose në fund të vitit të katërt të pejgamberisë. Torturimi, edhe pse i rëndë, ende nuk kishte karakter të përgjithshëm. Në vitin e pestë të pejgam­be­risë, tortu­rat, dhunimet, nga dita në ditë, nga muaji në muaj, bëhe­shin më të më­dha dhe më të ashpra[1].

Kjo zgjati deri në gjysmën e këtij viti, kur muslimanëve u nda­lohej banimi në Mekë. Muslimanët këshilloheshin që të gjenin ndonjë mënyrë për të shpëtuar disi  nga ky zullum i madh. Në këtë çast ven­dimtar për muslimanët, Allahu shpalli suren “El-Kehf-Shpella” si përgjigje ndaj mush­ri­këve në pyetjet që i bënin Resulullahut. Ndër­kaq, kjo sure përmban tri rrëfime kur’anore, në të cilat Allahu u ofron muslimanëve këshilla me përmbajtje të pasur dhe të rëndësishme.

Resulullahu ishte njoftuar se Nexhashiu – Negusi, mbreti i Abi­si­nisë, ishte njeri i drejtë dhe se në vendin e tij të gjithë nje­rë­zit trajtoheshin njësoj, pa marrë parasysh racën, përka­tësi­në kombëtare dhe atë klasore. Askush nuk ishte i nënshtruar në atë vend. Për këtë arsye i urdhë­roi muslimanët që të shpërnguleshin në Abisini dhe ta ruanin besimin e vet nga turbullirat.

Në muajin rexheb, të vitit të pestë të pejgamberisë, grupi i pa­rë i as’habëve u shpërngul në Abisini. Grupi përbëhej prej dymbë­dhjetë mesh­kujsh dhe katër grash dhe udhëhiqej nga Uthman b. Affani me bashkë­shor­ten e tij Rukijen, vajzën e Resulullahut. Për këta dy, Pejgamberi ka thënë: “Këta të dy janë familja e parë që e kanë bërë Hixhretin – shpër­nguljen në rrugën e Zotit, pas Ibrahimit dhe Lutit.”[2]

Në rrugë u nisën natën vonë, me qëllim që të mos i shihnin dhe të mos i pengonin kurejshët. Vajtën në bregun e Detit të Kuq dhe nga porti Shu’ajbet, me dy anije tregtare, kaluan detin dhe mbërritën në Abi­sini. Kurejshët nuk mund të qetësoheshin as­sesi për këtë mash­trim, andaj u nisën gjurmëve të tyre, por kur arritën në bre­gun e Detit të Kuq, muslimanët ta­nimë e kishin kaluar atë. Në Abisini u pranuan si mysafirë të mirëseardhur.[3]

Një ditë, në muajin ramazan të të njëjtit vit, Resulullahu shkoi në Harem të Ka’bes. Aty takoi një grup të madh kurejshësh, të për­bërë nga paria dhe zotërinjtë. Ai u ndal para tyre dhe filloi të recitonte suren En-Nexhm. Kjo gjë i befasoi të gjithë ata, sepse gjer atëherë nuk i kishin dëgjuar kurrë fjalët e Allahut. Mënyra e tyre e të folurit ka qenë e përditshme, komunikimi recip­rok dhe këshillimi bëhej me fjalët:

Mos e dëgjoni këtë Kur’an, por flisni me zë të lartë për ta mun­dur atë!.” (Fussilet: 26)

Pasi recitimi melodik i kësaj sureje dhe fjala e Allahut me domethënie madhësh­tore i befasoi shqisat e dëgjimit të tyre, ata harruan plotësisht se në çfarë situate gjendeshin. Të gjithë ishin kthyer nga Muhammedi [alejhis salatu ves selam] dhe e dëgjonin me vëmen­dje. Mendja e tyre ishte e përqendruar tërësisht në atë që dëgjonin, gjersa Muhammedi [alejhis salatu ves selam] erdhi në fund të sures me fjalët që i hapin zemrat:

“Pra, bëni sexhde për Allahun dhe adhuroni (Atë)!” (En-Nexhm: 62).

Pastaj bëri sexhde.

Gjatë tërë kohës askush nuk luajti nga vendi. Në realitet, bu­kuria e së vërtetës e kishte zbutur inatin në shpir­trat e përqe­shës­ve kryelartë, prandaj nuk mundën të rezistonin, por edhe ata i bënë sexhde Allahut.[4] Kur kuptuan se madhështia e fjalës së Allahut bëri që zotërillëku dhe paria e tyre të binin me fytyrë përtokë, ata u penduan. Me këtë gjest do t’u shkonte huq i tërë mundi që kishin bërë gjatë një viti e gjysmë, andaj i kaploi frika nga njerëzit që e kishin parë këtë, por edhe prej atyre që do ta dëgjonin.

Kritikat filluan të arrinin nga të gjitha anët. Ata nuk mund të dilnin para bashkëmendimtarëve të vet për­veçse me gënjeshtra të reja. Gënjyen përsëri, por kësaj radhe në një mënyrë tje­tër. Gënjyen se Resulullahu ishte i mëshirshëm ndaj zotave të tyre dhe se i ka lavdëruar ata duke thënë:

“Ata janë zota të mëdhenj dhe duhet të shpresohet në shef’atin e tyre” (ndërmjetësimi për njerëzit në Ditën e Gjykimit). Ata thanë një gënjeshtër të madhe për Resulullahun, në mënyrë që të justifikoheshin për sexhden që i bënë Allahut e që e kishin bërë së bash­ku me Resulullahun. Jo, kjo assesi nuk është për t’u çuditur, sepse kjo pritet prej një populli i cili është autor i të gjitha gë­njesh­trave.[5]

Lajmi për këtë ngjarje arriti te muhaxhirët në Abisini, por me një petk krejt tjetër nga ajo e vërteta. Ata kujtuan se kurejshët e kanë pranuar Islamin, andaj u përgatitën për kthim dhe në muajin shevval të po atij viti u nisën për në Mekë. Një orë larg Mekës e kup­tuan të vërtetën e kësaj ngjarjeje, andaj disa prej tyre përsëri u kthyen në Abisini, e të tjerët hy­në në Mekë fshehtazi, apo nën mbroj­tjen e dikujt.[6]

Numri i muslimanëve rritej gradualisht, por gjithashtu rriteshin edhe trysnitë e kurejshëve. Këtyre u erdhi shumë rëndë kur dë­gjuan se Ne­xha­shiu i kishte marrë muslimanët nën mbrojtjen e vet. Pezmi rritej në zem­rat e tyre gjithnjë e më tepër, prandaj Resulullahu nuk pati tjetër zgjidh­je, por u propozoi shokëve të vet që muslimanët e porsa trans­formuar të shkonin në Abisini.

Hixhreti i dytë ka qenë shumë më i vështirë sesa ai i pari. Tani kurejshët ishin shumë më të kujdesshëm, prandaj vendosën t’i pen­gonin muslimanët, por muslimanët përsëri qenë më të shpejtë se ata. Allahu ua lehtësoi rrugën dhe kaluan në Abisini, në vendin e mbretit Ne­xhashi, para se t’i arrinin kurejshët. Kësaj ra­dhe u shpërngulën 83 mesh­kuj dhe 18 ose 19 gra,[7] nëse me ta ka qenë Amri, sepse kjo nuk dihet sak­tësisht, ndërsa numrin e parë e ka pranuar dijetari i madh Muhammed Sulejman El-Mensur Fevri.[8]

Komploti i kurejshëve kundër emigrantëve në Abisini

Kurejshëve u erdhi shumë rëndë që muhaxhirët gjetën strehim të sigurt për vete dhe për fenë e tyre. Për këtë arsye zgjodhën dy njerëz të aftë dhe mendjemprehtë, të cilët i dërguan pas tyre. Këta ishin Amër b. El-Asi dhe Abdullah b. Ebi Rebia. Me ta i dërguan shumë dhurata të vlef­shme Nexhashiut dhe patrikëve të tij. Pasi ua dorëzuan këto dhurata, ata u treguan patrikëve se muhaxhirët janë mbartës të një feje të re, e cila nesër mund të rrezikonte edhe vetë Abisininë. Patrikët vendosën të shkoj­në te Nexhashiu e të kërkojnë nga ai dorëzimin e muhaxhirëve këtyre të dy­ve. Por këta të fundit arritën te Nexhashiu para patrikëve dhe i thanë:

“O sundimtar, në atdheun tënd ka ardhur një grup të rinjsh, të cilët e braktisën fenë e popullit të vet, por nuk pranuan as fenë tënde. Erdhën me një fe të re, të cilën nuk e njohim as ne, e as ti. Ne na dërguan magnatët tanë dhe të tyre, mes të cilëve janë ba­ballarët, xhaxhallarët dhe të afërmit e tyre, që të na i dorëzosh e t’ua dërgojmë, sepse ata e njohin më mirë marrëzinë e tyre për çka edhe i kanë qortuar.”

Patrikët, tanimë kishin arritur te Nexhashiu dhe dëgjuan fjali­min e këtyre dyve, dhe klithën: “Të vërtetën flasin, o mbreti ynë, dorëzojua këtyre të dyve e le t’ua kthejnë popullit të vet në ven­din e vet.”

Por, Nexhashiu ishte më i mençur sesa mendonin ata. Ai e kon­si­deroi të domosdoshme të dëgjonte edhe palën tjetër, kështu që si­tuata të ishte krejtësisht e qartë. Andaj i thirri muslimanët që të dilnin para tij. Ata erdhën. Nexhashiu i pyeti: “Për çfarë feje e braktisët popullin tuaj, vatrat tuaja dhe të afërmit tuaj? Me sa di unë, as fenë time – Krishterimin nuk e pranuat, e as fenë e ndonjë populli tjetër.”

Xha’fer b. Ebu Talibi doli para muslimanëve, e tha: “O sundimtar, i takonim një populli që jetonte në injorancë dhe në lajthitje. Adhuronim idhujt, hanim mishin e kafshëve të ngordhura, bënim gjëra të ndaluara, i shqetësonim fqinjët. Më i fuqishmi prej nesh shtyp­te më të dobëtin. Ja, kështu jetonim, derisa Allahu na dërgoi Pej­gam­berin.  Ai është nga populli ynë dhe ia dimë brezin dhe origjinën. E dimë se është i sinqertë, besnik dhe i drejtë. Ai na ftoi që t’i besojmë vetëm një Zoti dhe që vetëm Atij t’i nënshtrohemi. Na mësoi që të brak­tisim besëtytninë që manifestonim ne dhe etërit tanë, si dhe besimin në shumë idhuj. Na udhëzoi të flasim vetëm të vërtetën, të jemi njerëz bes­nikë dhe ta mbajmë fjalën, t’i respektojmë dhe t’i vizitojmë të afërmit tanë, të sillemi mirë me fqinjët. Na urdhëroi që t’i ndër­pre­sim veprat e këqija, të mos gënjejmë, të mos shpenzojmë pa­su­ri­në e bonja­kut, që të mos bëjmë shpifje dhe mos t’i përgo­jojmë gratë e ndershme. Na urdhëroi që t’i bindemi vetëm Allahut, Një të Vetmit, që të mos bëj­më shirk – të mos i bëjmë Atij shok në adhurim. Na urdhëroi të bëjmë namaz, të japim zekat (një pjesë nga pasuria) dhe të agjërojmë Ramazanin.”

Xha’feri ia numëroi bazat kryesore të Islamit dhe vazhdoi: “Të gjitha këto ne i pranuam nga ai si urdhra, sepse i besuam fjalëve të tij, prandaj besuam edhe në pejgamberinë e tij dhe filluam t’i ndje­kim mësimet e tij. U bëmë muslimanë dhe filluam të rrëfejmë Isla­min. Ne besojmë vetëm Allahun, nuk i bëjmë shok Atij, e nda­lojmë atë që është e ndaluar për ne dhe e lejojmë atë që është e lejuar për ne. Ja pra, për këtë shkak na urren populli ynë, për këtë shkak na torturojnë dhe na dhunojnë për të braktisur fenë tonë, e për t’iu kthyer statujave dhe idhujve, që përsëri të veprojmë ashtu siç vepronim para pranimit të Islamit. Prandaj, për shkak të tor­turave të mëdha që ushtronin mbi ne, ishim të detyruar të vinim në vendin tënd.

Të zgjodhëm ty nikoqir nga gjithë mbretërit e vendeve të tje­ra. E dëshiruam mbrojtjen tënde, sepse kemi dëgjuar se në vendin tënd askush nuk ka qenë i keqtrajtuar.”

Nexhashiu e pyeti Xha’ferin: “A ke diçka me vete nga Shpallja e Allahut?” Xha’feri u përgjigj: “Po.” “Atëherë ma lexo atë,” – tha Nexhashiu.

Xha’feri u ngrit dhe recitoi fillimin e sures Merjem – “Kaf, Ha, Ja, A’jn, Sad.” Nexhashiu qau, pasha Allahun! Qau dhe e tërë mjekra iu lag nga lotët. Qanë edhe patrikët dhe nga lotët e tyre u lagën Biblat që i mbanin gjithnjë të hapura para vetes. Sa fjalë të bukura ishin ato!

Pastaj Nexhashiu tha: “Këtë që dëgjova dhe fjalët që i janë shpa­llur Isait, vijnë nga i njëjti “burim”. Shkoni, jeni të lirë! Unë, për Zotin tim, nuk do t’ua dorëzoj këtyre të dyve – dhe u kthye nga Amri dhe Abdu­llahu – dhe mos të shpresojnë se do ta bëj këtë!” Që të dy dolën jashtë të turpëruar, e Amri i tha shokut të vet:

“Për Zotin, nesër do të vij­më përsëri dhe unë do t’ua gjej dermanin te Nexhashiu për kokën e tyre.” Abdu­llahu tha: “Mos e bëj këtë, ata i kanë të afërmit dhe farefisin e tyre. Edhe pse na kanë braktisur dhe kanë pranuar fe tjetër nga ajo jona, megjitha­të ata janë tanët.”

Por Amri ishte i vendosur. Të nesërmen që të dy vaj­tën te Nexha­shiu, ndërsa Amri filloi të fliste: “O mbret, ti i amnistove ata njerëz, por sikur ta dije se ç’thotë feja e tyre për Isanë!?”

Nexhashiu i thirri muslimanët dhe ua parashtroi pyetjen për Isanë. Ata u befasuan, por, pasi kishin vendosur të flisnin të vërtetën pa marrë parasysh se për cilën krijesë është fjala, Xha’feri u përgjigj:

“Për Isanë dimë vetëm atë që kemi dëgjuar nga Pejgamberi ynë. Isai është rob dhe i Dërguari i Zotit. Ai është i biri i Merjemes (virgjëreshës së pas­tër, e cila me urdhrin e Allahut: “Bëhu!, ajo bëhet” ka lindur djalë), ai është fryma e Zotit dhe Fjala e Tij që ia ka dorëzuar Merjemes, virgjëreshës.”

Nexhashiu tha: “Për Zotin tim, kjo që thatë për Isanë, ua shpë­toi je­tën.” Pastaj tregoi shkopin e shtruar mes tij dhe muslimanëve, e tha:

“Neve na ndan aq sa është kjo vijë e shkopit.”

Pastaj u tha muslimanëve: “Shkoni, ju jeni të sigurt në shtetin tim. Kush­do që ju sulmon, do të ndëshkohet! As për një kodër ari nuk do të lejoja t’ju ndodhte ndonjë e keqe.” Mandej u kthye nga shtetasit e vet dhe tha, duke treguar me gisht nga Amri dhe Abdu­llahu: “E këtyre këtu, ua ktheni të gjitha dhuratat që kanë sjellë. Mua nuk më duhen, për Zotin tim! Me ryshfet nuk e kam fituar këtë fron, e lëre më që me anë të rysh­fetit t’i dorëzoj këta muslimanë. Derisa të kem popullin e dëgjueshëm dhe unë të jem mbret i dë­gjueshëm që ndaj drejtësinë, këta janë të qetë.”

Ummu Selemja, e cila rrëfente këtë ngjarje, tha:

“Të dy kurejshët dolën nga Nexhashiu kokulur dhe pa e mba­ruar punën për të cilën kishin ardhur. Ndërsa ne mbetëm në paqe, në shtëpi të mirë, te nikoqiri i mirë.”[9]

Ky është versioni i Ibni Is’hakut.

Autorët e tjerë të sires thonë se dërgimi i Amrit te Nexhashiu është bërë pas Bedrit, e disa thonë se Amri ka qenë dy herë te Ne­xhashiu.[10] Mirë­po, pyetjet dhe përgjigjet që janë cekur gjatë bi­se­dës së Nexhashiut dhe Xha’ferit në vizitën e dytë, janë gati të njëjta siç i ka paraqitur Ibni Is’haku, ndërsa pyetjet vërtetojnë se dialogu është bërë gjatë vizitës së parë. Komploti që përgatiti paria e Mekës pësoi disfatë. Plani u dësh­toi, prandaj e ndienin veten të ofen­duar e të poshtëruar. Kuptuan se nuk ishin në gjendje t’i realizonin qëllimet e veta brutale, përveçse në sua­zat e pushtetit të tyre. Prandaj, në kokat e tyre lindi një ide e tmerr­shme. Duke parë se nuk mund t’ia dilnin në krye, më­nyra e vetme ishte që t’ia ndalonin Resulullahut përfundimisht vep­rim­tarinë e më­tejshme në përhapjen e Islamit, nëse jo ndryshe, atëherë me shka­të­rrimin e plotë.

Mësimet e marra nga ky migrim

Migrimi i besimtarëve në Etiopi bart tri domethënie të rëndësishme:

  1. Domethënia e parë:
  • Mbajtja e fesë është burim force dhe fuqie. Këtu qëndron edhe ruajtja e çdo të drejte të njeriut dhe kjo, patjetër, se thërret për mobilizim të përgjithshëm të misionarëve muslimanë për ta ruajtur këtë fe, qoftë kostoja e kësaj edhe internimi nga vendi, humbja e pasurisë dhe e vetë jetës. Kjo, për shkak se humbja e fesë paraqet rrezikun më të madh. Ndërsa, nëse feja e udhëheq shoqërinë, atëherë çdo humbje kompensohet…
  • Është ligj i Zotit përgjatë gjithë historisë se arsenali moral e ruan edhe atë material, kështu nëse ummeti është i fortë në moralin, besimin dhe sistemin shoqëror, atëherë edhe forca e tij materiale do të jetë më e konsoliduar dhe më e qëndrueshme. Ndryshe, dobësimi në aspektin moral është shenjë paralajmëruese edhe për shkatërrimin e fuqisë materiale.

Fakti se disa shtete, si Amerika dhe Evropa, me gjithë dështimet në aspektin moral, janë ende të fuqishme, nuk e zhvleftëson teorinë tonë. Gjendja e tyre e tanishme mbase është fillimi i fundit të tyre. Shkaku përse ne nuk mund ta vërejmë qartë këtë qëndron në atë se jeta jonë përballë jetës së historisë është shumë e shkurtër, ndërsa këto përfundime të mëdha vetëm syri i historisë mund t’i vërejë.

Në anën tjetër, mund të hasësh njerëz të varfër materialisht, por të pasur me besim të pastër, me moral të lartë, me dinjitet. Ata janë paralajmërimi i së ardhmes së ndritur të tyre. Vendi i tyre i pushtuar dhe pasuria e tyre e grabitur do t’iu kthehen shumë shpejt.

Këta njerëz sigurisht se janë muslimanët, ata që kanë besimin më të pastër dhe sistemin shoqëror më të drejtë…

  • Pikërisht për këto gjëra, që janë ideale të muslimanëve, ata sakrifikojnë pasuritë e tyre, e për këtë gjë po kështu është ligjësuar edhe migrimi.
  • Migrimi është një formë tjetër e persekutimit për shkak të besimit. Ai nuk nënkupton shpëtimin nga të ligat, por ndërrimin e sprovave, derisa të vijë zgjidhja përfundimtare prej Allahut të Madhëruar.
  • Meka e asaj kohe nuk ishte vatër islame, që të mos mendohet gabimisht se sahabët kanë braktisur vendin islam; atëbotë Meka dhe Habeshi (Etiopia) ishin të njëjta.
  • Sa i përket dispozitës së migrimit, ajo është ndërmjet lejimit, ndalimit dhe obligimit. Ai obligohet atëherë kur besimtari nuk mund t’i kryejë ritet fetare, si: namazi, agjërimi, haxhi, ezani etj. Lejimi bëhet kur besimtarin e godet ndonjë sprovë, që ia bën të vështirë qëndrimin, kështu që atij i lejohet të migrojë në vende të tjera islame, apo edhe joislame, me kusht që të ketë liri të plotë fetare. Ndërsa ndalohet kur migrimi do të kishte si pasojë braktisjen e ndonjë prej obligimeve fetare[11].
  1. Domethënia e dytë:
  • Domethënia e dytë konsiston në të vërtetën përkitazi në lidhjet ndërmjet Isait dhe Muhammedit [alejhimas selam]. Negusi ishte ithtar i Krishterimit, fe së cilës i përmbahej me sinqeritet. Ai i kishte vënë vetes obligim që të mos e ndihmonte askënd që nuk ndante besimin e njëjtë me të. E, sikur triniteti të ishte pjesë e Krishterimit, sigurisht se Negusi do ta mbante atë, për shkak të sinqeritetit të madh që kishte në zbatimin e urdhëresave fetare, por, mos mohimi i fjalëve të besimtarëve muslimanë dëshmon se ai nuk e besonte një gjë të tillë.
  • Kemi lexuar se Negusi, kur kishte dëgjuar fjalët e Kur’anit, kishte thënë se këto fjalë dhe ato që i janë shpallur Isait [alejhis salatu ves selam] vijnë nga i njëjti burim. Këto fjalë i tha në praninë e priftërinjve të tij dhe dijetarëve të tjerë të krishterë.
  • Kjo provon se pejgamberët [alejhimus selam], që të gjithë, kanë proklamuar të njëjtin besim, pa dalluar nga njëri-tjetri as sa qimja e flokut. Kjo është dëshmi edhe për atë se polemikat dhe kundërthëniet ndërmjet ithtarëve të librit janë pasi që atyre iu erdhi e vërteta – ashtu siç thotë Allahu[12].
  1. Domethënia e tretë
  • Në rast nevoje, lejohet hyrja e besimtarëve nën protektoratin e jomuslimanëve, pavarësisht se a janë këta jomuslimanë ithtarë të librit, siç ishte Negusi, apo idhujtarë, si ishin ata në Mekë, nën mbrojtjen e të cilëve hynë besimtarët pas kthimit nga Etiopia. Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] e kishin marrë idhujtarët nën mbrojtje: xhaxhai i tij, Ebu Talibi dhe Mut’im Ibn Adijji, pas kthimit nga Taifi.
  • Kjo mbrojtje assesi nuk guxon të jetë shkas për dëmtimin e thirrjes islame, apo për ndërrimin e ndonjë parimi fetar. Argument për këtë marrim vetë rastin e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], i cili pasi pa se xhaxhai i tij, Ebu Talibi, po kërkonte të mos i përmendte idhujt për të keq, vendosi të dalë nga mbrojtja e tij, duke refuzuar që të heshtë ndaj të drejtave apo ndaj atyre që duhen sqaruar dhe shpjeguar…[13]

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

LEKSIONE METODOLOGJIKE NGA SIRE-ja (Biografia e të Dërguarit të Allahut, alejhis salatu ves selam)


[1] Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, f. 107-113.

[2] Muhtesar Siretu-r-Resul nga Abdullah b. En-Nexhdi, f. 92, 93; Zadu-l-Me’ad: I/24; Rahmetun li-l-Alemin: I/61.

[3] Rahmetun li-l-Alemin: I/61; Zadu-l-Miad: I/24.

[4] Për këtë tregon Buhariu në kapitullin mbi sexhden në një version pak më të shkurtër nga Ibni Mes’udi dhe Ibni Abbasi. Të shikohet kaptina “Sexhdetu-n-Nexhm”, kaptina “Sexhda e muslimanëve dhe mushrikëve”: I/146 dhe kaptina “Çka ka përjetuar Pejgamberi dhe muslimanët nga mushrikët”: I/543.

[5] Tefhimu-l-Kur’ani: V/188.

[6] Tefhimu-l-Kur’ani: V/188; Zadu-l-Miad: I/24, II/44; Hishami: I/364.

[7] Zadu-l-Me’ad: I/24; Rahmetun li-l-Alemin: I/61.

[8] Rahmetun li-l-Alemin: I/61.

[9] Ibni Hisham – përmbledhtas: I/334-338.

[10] Muhtesar Siretu-r-Resul nga En-Nexhdi, f. 96-98. Në këto faqe gjenden gjerësisht pyetjet dhe përgjigjet e shkruara më sipër.

[11] Për më shumë rreth dispozitave të migrimit, referoju Tefsirit të Imam Kurtubiut (5/35) dhe atij të Ibnu-l-Arabiut (2/887).

[12] P.sh. në el-Bekare: 253. Përkthyesi.

[13] Për më shumë shih: Buti, Muhammed Seid Ramadan, Fikhus Sire, f. 91-94.