Kush është “tjetri”?

0
302

 

Kohëve të fundit, në dialogët dhe shkrimet e autorëve dhe mendimtarëve të ndryshëm, na ka rënë shpesh ta dëgjojmë këtë fjalë. Por cilat janë shkaqet e përhapjes së saj dhe cili ishte qëndrimi i pejgamberit Muhammed (alejhi’s selam) ndaj të tjerëve?

Tjetri”, siç sqarojnë disa ulema, është çdonjëri prej nesh në raport me tjetrin; gruaja është tjetri, babai është tjetri, djali është tjetri, shoku është tjetri, armiku është tjetri, kundërshtari në lojë është tjetri, muslimani është tjetri, çifuti është tjetri, i krishteri është tjetri etj.

Por, si terminologji, botëkuptimi i kësaj fjale më shumë ka të bëjë me perëndimin, gjegjësisht, jomuslimanët, çifutët dhe të krishterët, dhe kjo për shkak të ngërçit që kanë pësuar raportet politike, diplomatike dhe fetare ndërmjet tyre dhe për shkak të së kaluarës së tyre të përgjakshme.

Ndërsa sa i përket qëndrimit të pejgamberit Muhammed (alejhi’s selam), atë më së miri mund ta kuptojmë nga shkoqitja e disa inserteve nga jeta e tij.

  1. Respektimi i qenies njerëzore

Njerëzit – na mëson pejgamberi Muhammed (alejhi’s selam) – mund të kenë gjuhë, ngjyrë dhe fe të ndryshme, por megjithëkëtë kanë diç të përbashkët, që mund t’i bashkojë ata të gjithë. Nëse raportet ndërmjet tyre ndërtohen mbi bazën e respektit të ndërsjellë atëherë ky ideal mund të jetësohet. Allahu ka thënë:

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” el-Huxhurat, 13.

Allahu i Madhëruar i nderoi bijtë e Ademit (njerëzit) duke i veçuar ata me intelekt dhe mundësi të ndryshme, ndër të cilat edhe nënshtrimin e hapësirës (kozmosit). Këtë dhunti ia dha njeriut, pa marrë parasysh se çfarë përkatësie fetare ka. Edhe në traditën e pejgamberit Muhammed (alejhi’s selam) mund të hasim një praktikë të tillë. Imam Buhariu ka regjistruar në Sahihun e tij rastin e kalimit të kufomës së një çifuti, për të cilën Pejgamberi (alejhi’s selam) qe ngritur në këmbë me arsyetimin:

A nuk është qenie kjo?!

Ky rast, nga ky hadith i mrekullueshëm, është vetëm një prej mijëra dëshmive të tolerancës islame dhe filozofisë së tij karshi qenies njerëzore.

  1. Urat e besimit dhe bashkëpunimit

Allahu i Madhëruar ka thënë:

Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.” Ali Imran, 110.

…Urrejtja ndaj një populli, që iu pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyjë të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre. Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë.”el-Maide, 2.

Pejgamberi (alejhi’s selam) ishte shumë i zellshëm për ndërtimin e lidhjeve të fuqishme me tjetrin dhe gjenerimin e ndjenjave pozitive ndërmjet tyre. Nëse shfletojmë siren e tij do të arrijmë shumë lehtë tek kjo e vërtetë. Kur migroi nga Meka në Medinë, ai mori si udhërrëfyes Abdullah b. Urejkit Lejthiun, i cili në fakt ishte idhujtar. Mund të paramendoni se për çfarë udhëtimi të rrezikshëm bëhej fjalë dhe çfarë shpërblimi marramendës (prej 100 devesh) ishte ofruar për kapjen e Pejgamberit (alejhi’s selam)! Por ishte metodologjia pejgamberike në të qenit i hapur ndaj tjetrit dhe krijimin e një lloj bese reciproke që e shtyri t’i përballojë këto rreziqe.

Rrëfimi tjetër është edhe më i çuditshëm se ky. Kurejshët, me gjithë faktin se e persekutonin Muhammedin (alejhi’s selam) dhe ushtronin trysni të vazhdueshme ndaj tij, kishin besim të madh tek ai, saqë gjërat me vlerë ia besonin atij. Pejgamberi (alejhi’s selam) i pranonte ato dhe i ruante me besnikëri. Kjo natyrisht për shkak të nevojës së krijimit të atmosferës së besimit dhe sinqeritetit, mënyrë kjo për përfitimin e zemrave të pjesëtarëve të rinj të misionit islam.

Dëshmi tjetër që provon këtë moral pejgamberik është edhe hadithi, të cilin e transmeton Imam Buhariu nga sahabiu i nderuar Enes b. Maliku, që thotë:

Pejgamberi (alejhi’s selam) kishte si shërbëtor një djalosh të ri çifut, i cili u sëmur. Pejgamberi (alejhi’s selam) i shkoi për vizitë në shtëpi. Iu ul afër kokës dhe i tha: Pranoje Islamin! Djaloshi shikoi babanë, ndërsa ai i tha: Respektoje Ebu’l Kasimin![1] Djaloshi e pranoi Islamin, ndërsa Pejgamberi (alejhi’s selam) doli prej shtëpisë së tij duke thënë: Falënderimi i takon Allahut që e shpëtoi prej zjarrit!

Sot, disa muslimanë mund ta shohim me skepticizëm këtë ngjarje, por çështja atëkohë ishte kësisoj. Shoqëria islame ishte e hapur dhe kjo ka bërë që ithtarët e feve të tjera të njihen në masë të madhe me Islamin, misionin dhe moralin e tij.

Raportet e ftohta dhe ndarjet që mund t’i evidentojmë sot ndërmjet vetë muslimanëve, por edhe ndërmjet tyre dhe ithtarëve të feve të tjera, nuk janë produkt i këshillave dhe edukatës fetare aq sa janë produkt i ndjenjave psikike dhe zakoneve e traditave shoqërore të ndërtuara mbi bazën e frikës dhe dyshimit. Islami na e ka lejuar vizitën e dhimmiut (jomuslimanit që jeton në shtetin islam paqësisht), këshillimin dhe bamirësinë ndaj tij, si dhe e ka ndaluar padrejtësinë ndaj tyre. Ka dallim të madh ndërmjet jomuslimanit që jeton paqësisht në mesin e muslimanëve dhe jomuslimanit që i lufton dhe iu shpall armiqësi muslimanëve.

Dëshmi tjetër që fakton raportet e Muhammedit (alejhi’s selam) me jomuslimanët është edhe tregtia me ta. Imam Buhariu sjell rrëfimin e çifutëve të Hajberit, të cilëve Pejgamberi (alejhi’s selam) ua pati dhënë tokat dhe arat për punë me fitimin përgjysmë.

Po kështu është vërtetuar se Pejgamberi (alejhi’s selam) e pati lënë peng parzmoren e tij tek një çifut për të marrë 30 saë elb. Pejgamberi (alejhi’s sela) ia pati dhënë Omeri një rrobe ndërsa ky i fundit ia pati dërguarit vëllait të vet në Mekë që atëbotë ende nuk ishte musliman.

Kjo mirësi reciproke dhe ky respekt i ndërsjellë bart në vete disa nga kuptimet e shtetësisë apo jetesës në një tokë të përbashkët. Këto sjellje dhe veprime të Pejgamberit, alejhi’s selam përputhen plotësisht me fjalën e Allahut të Madhëruar:

All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë.” el-Mumtehineh, 8.

Kjo mirësi – sipas asaj që kanë sqaruar disa dijetarë – nënkupton butësinë ndaj të dobëtëve ndërmjet tyre, përmbushjen e nevojave të fukarenjve të tyre, ushqimin e të uriturve të tyre, veshjen e të zhveshurve të tyre dhe foljen me butësi e jo me vrazhdësi për t’i frikësuar e poshtëruar

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

TJETRI (dhe raportet me të nga perspektiva kur’anore dhe pejgamberike)


[1] Kështu ishte nofka e Pejgamberit (alejhi’s selam).