MENDIMI I IMAM KURTUBIUT PËR LUFTËN DHE PAQEN ME ARMIQTË

0
672

 

Imam Kurtubiu, në komentimin e ajetit 61 të kaptinës el-Enfalë,

Në qoftë se ata anojnë nga paqja, ano edhe ti nga ajo e mbështetu tek All-llahu. Ai është që dëgjon dhe di.

…thotë: Allahu i Madhëruar ka thënë se nëse ata anojnë nga paqja, atëherë ano dhe ti. ‘Silmi’ dhe ‘Selami’ (ar. السِّلم والسلام) kanë kuptimin e marrëveshjes (ar. sulh). Shumica  dijetarëve (xhumhuri) e kanë lexuar fjalën (fexhnah), pra shkronjën ‘n’ e kanë lexuar me vokalin fet’ha (zanoren ‘e’), derisa Esh’heb el-Ukajliu e ka lexuar me zanoren ‘u.’ Në rastin e parë, leximi është sipas gjuhës së Temimit, ndërsa në të dytin është sipas Kajsit[1].

Pas komentimit të ajeteve paraprake, Imam Kurtubiu i qaset dhe një tjetër çështjeje, asaj nëse ky ajet është abroguar (ar. nes’h) apo jo. Imami përmend mendimet e ndryshme të dijetarëve nga selefitë si dhe argumentet e tyre, duke ia shtuar kësaj edhe çështjen e periudhës së (zgjatjes së) marrëveshjes.

1) Mendimet e atyre që thonë se ajeti është abroguar (anuluar)

Katadeja dhe Ikrimeja, sqaron Imami, ndajnë mendimin se ky ajet është anuluar (vetëm si dispozitë) nga ajetet:

E kur të kalojnë muajt e shenjtë, luftojini idhujtarët kudo që t’i gjeni, robërojini dhe ngujojini ata, e vinju pritë në çdo shteg. Në qoftë se pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë ua lëshoni rrugën, se vërtet All-llahu fal, është mëshirues.“ (et-Teube, 5)

Tek All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e All-llahut, prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj). Luftojini të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim, e dijeni se All-llahu është me ata që ruhen (të këqijave).“ (et-Teube, 36)

Beraeteja (kaptina et-Teube), shpjegojnë këta të dy, ka anuluar çdo marrëveshje tjetër, derisa të dëshmojnë deklaratën islame.

Edhe Ibni Abbasi [Allahu e mëshiroftë!] ndan këtë mendim, vetëm se ajetin abrogues e sheh në kaptinën Muhammed, respektivisht ajetin 35 nga kjo kaptinë, e jo nga kaptina et-Teubeh, siç mendonin Katadeja dhe Ikrimeja. Fjala është për ajetin:

Pra, mos u dobësoni e të kërkoni pajtim (armëpushim), kur ju jeni ngadhënjyes dhe All-llahu është me ju dhe nuk ua pakëson veprat tuaja.

2) Mendimet e atyre që thonë se nuk është abroguar

Ajeti nuk është abroguar. Ajo çka synon ajeti ka të bëjë me pranimin e xhizjes. Kjo për faktin se marrëveshje mbi këtë bazë janë regjistruar në kohën e Omerit [Allahu qoftë i kënaqur me të!] dhe më pas, kur muslimanët, megjithëqë kishin mundësinë e shkatërrimit të armikut, në rast se këta të fundit e pranonin xhizjen, atëherë ua merrnin atë dhe nuk i luftonin. Madje, vetë i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] ishte ai që e praktikoi këtë gjë. Hajberasve (banorëve të Hajberit) ua dha lejen të ktheheshin në tokat e tyre pasi që më parë qenë mundur, me kusht që të paguanin ½ e të korrurave të tyre. Ebu Is’haku thotë se me këtë kanë qenë për qëllim çifutët e fisit beni kurejdha, ndryshe, xhizja nuk pranohet nga idhujtarët.

Nëse muslimanët kanë primatin e të fortit, atëherë ata nuk kanë pse të anojnë nga marrëveshjet, ndërsa në rast se nuk janë palë vendimtare, apo shohin se ikja nga marrëveshja do të sillte dëme të pariparueshme, lejohet, bile lejohet që vetë muslimanët të fillojnë negociatat për një gjë të tillë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] lidhi marrëveshje me banorët e Hajberit dhe marrëveshja vazhdoi e plotfuqishme derisa këta të fundit nuk e shkelën atë, sikurse që lidhi marrëveshje edhe me të tjerë, madje me kurejshët pati një të tillë për dhjetë vjet, derisa atë nuk e thyen kurejshitët. Këtë formë dhe këto aspekte që prezantuam dhe shpjeguam ishin forma që i praktikonin edhe Hulefatë dhe Sahabët [Allahu qoftë i kënaqur me ta!].[2]

Imam Kurtubiu, siç mund të shihet, nuk mendon se ajeti është abroguar, vetëm se çështjen e marrëveshjes e lidh shumë me rrethanat. Më qartë, nëse muslimanët nuk janë fuqi vendimmarrëse, pra janë të dobët, atëherë nuk ka të keqe që madje këta t’ia nisin negociatave për marrëveshje, ndërsa në rast se janë të fortë dhe janë ata që vendosin rregullat, atëherë marrëveshja nuk bën të lidhet.

Në shpjegimet e Imam Kurtubiut gjejmë edhe një parim tjetër, atë të varjes së vendimit nga kreu më i lartë shtetëror – lideri, i cili, në rast se, për shkak të rrethanave, sheh se duhet vepruar pro apo kundër marrëveshjes, atëherë duhet vepruar sipas vendimit të tij.

Pastaj, siç përmendëm më parë, Imam Kurtubiu flet edhe për periudhën e marrëveshjes me armiqtë, dhe për këtë citon Kushejriun të ketë thënë:

Nëse forca është në anën e muslimanëve, atëherë marrëveshja nuk duhet të zgjatë më shumë se një vit, ndërsa, në rastin e kundërt, kur forca nuk është në anën e tyre, atëherë lejohet të zgjatet deri në dhjetë vjet, por me kusht që kjo periudhë të mos tejkalohet, për shkak se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] bëri marrëveshje me mekasit dhjetë vjet.”

Por, për periudhën e marrëveshjes ndërmjet Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] dhe mekasve në vitin e Hudejbijes, Ibn el-Mundhiri ka thënë:  Dijetarët ndajnë mendime të ndryshme:

  • 4 vjet, mendim ky i Urves;
  • 3 vjet, mendim ky nga Ibni Xhurejxhi;
  • 10 vjet, siç thotë Ibni Is’haku, mendim ky edhe i Imam Shafiut, i cili thotë se, duke u bazuar në atë se si veproi Muhammedi [alejhis salatu ves selam] në vitin e Hudejbijes, nuk lejohet të zgjatet marrëveshja me idhujtarët mbi dhjetë vjet. Ndryshe, nëse ndodh ndonjë zgjatje eventuale mbi këtë periudhë, që është maksimalja e marrëveshjes me idhujtarët, atëherë marrëveshja konsiderohet e prishur, ngase, parimisht, idhujtarët duhen luftuar derisa të besojnë ose ta japin xhizjen.
  • Lejohet marrëveshja pa afat të caktuar, dhe ky është mendimi që Ibni Hubejbi përcjell nga Imam Maliku[3].

Konsideroj se, për këtë çështje, mendimi më i saktë është ai i Imam Kurtubiut, pasi që gjendja dhe pozita e besimtarëve është ajo që përcakton afatin e periudhës së marrëveshjes. Kësisoj, nuk mund të mbështetemi në mendimet e dijetarëve të hershëm se afati maksimal i marrëveshjes nuk duhet të kalojë dhjetëvjetëshin, ngase rrethanat e muslimanëve të tashëm janë diametralisht të kundërtat me ato të paraardhësve të tyre. Zoti e di më së miri!

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

VERSETET KUR’ANORE PËRKITAZI ME PAQEN DHE LUFTËN – krahasim ndërmjet komentimeve klasike dhe bashkëkohore të Kur’anit –

 


[1] Tefsiri i Kurtubiut, 3/20-22.

[2] Ibid.

[3] Tefsiri i Kurtubiut, 9/63.