Metoda e Kur’anit në eliminimin e koncepteve xhahilite

0
122

A). Gradualiteti

Gradualiteti është një ndër parimet më të mëdha të fesë sonë të pastër dhe në këtë mënyrë zbriti Kur’ani Fisnik në zemrën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që të jetë tërheqës i vërejtjes në gjuhën e pastër arabe.
Në këtë kontekst, Zoti i Madhërishëm thotë:
“Dhe (ta shpallëm) Kur’anin që Ne e ndamë pjesë-pjesë për t’ua
lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një”. (Israë, 106).
“E ata që nuk besuan thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij (Muhammedit) Kur’ani përnjëherë?” Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë) që me te të forcojmë zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajetit (dalëngadalë).” (Furkan, 32).

Gradualiteti është një ndër karakteristkat më të rëndësishme në metodën kur’anore në edukimin e Ummetit dhe në eliminimin e koncepteve të ndryshme xhahilite. Kjo ishte edhe një ndër karakteristkat e rëndësishme të periudhës mekase të Kur’anit, në të cilën Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) u ndal shume gjatë ne tefsirin e tij. Kur besohet rreth gradualitetit, duhet theksuar disa urtësi, fshehtësi e leksione që përfitohen nga zbritja graduale e Kur’anit.

Kur flet për urtësinë e gradualitetit prof.Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Ky Kur’an erdhi për të edukuar një Ummet, për të formuar shoqëri dhe për të vendosur sistem. Edukata ka nevojë për kohë që të ndikoj me veprime dhe fjalë, si dhe për lëvizje që do ta shndërrojë ndikimin dhe veprimin në realitet. Thënë ndryshe: Shpirti njerëzor nuk ndryshohet brenda një dite dhe një nate nga leximi i Librit të plotë që ka metodë krejtësisht të re. Ndikimi vjen ngadalë nga kjo metodë dhe zhvillohet hap pas hapi, dhe kështu dalë ngadalë mësohet me obligimet. Nuk do të pranohej sikur të ofrohej përnjëherë diçka e rëndë, e vështirë dhe e madhe.

Në këtë mënyrë, obligimi zhvillohet çdo ditë dhe njeriu gradualisht sa vjen e më shumë përgatitet për pranimin e obligimit tjetër, ndaj gradualiteti ndikon që ai më lehtë të pranon dhe më shumë të ndiejë kënaqësi.”

Nga urtësitë dhe leksionet që përfitohen nga zbritja e Kur’anit gradualisht dhe në mënyrë sukcesive; ne do të theksojmë vetëm disa, ngase këtu, nuk kemi mundësi për t’u zgjeruar më tepër:
* Glorifikimi i Kur’anit dhe atij që i është shpallur…;
* Përforcimi dhe aftësimi i zemrës së Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) si dhe ripërtëritja e zotimit të tij me engjëllin Xhibril, që të jetë shpresëdhënës dhe ndihmës i tij;
* Shpallja në përputhshmëri me ngjarjet, pyetjet dhe rastet e ndryshme e të reja. Kur’ani shpallej në çdo ndodhi, për të gjykuar me drejtësi rreth çështjes konkrete;
* Në bazë të thënies së Zotit të Madhërishëm: “Dhe e shpallëm atë një pas një”, këtu ekziston një fshehtësi e shpalljes në formë të tillë. Këtu ka ngadalësi dhe qetësi në fjalë e sqarim për bindje e konfirmim dhe në këtë formë përfitohet bindje dhe formim i plotë dhe një gjë e tillë nuk ndodh nëse  shpallet përnjeherë, por ndodh nëse shpallet në mësime edukative dalë ngadalë duke përfituar nga ngjarjet dhe rastet;
*Argumentimi para jobesimtarëve një nga një, duke ua rikujtuar atyre devijimin dhe besimin e shtrembëruar e negativ. Sikur Kur’ani të shpallej përnjëherë, jobesimtarët do të talleshin me të, menjëherë do ta refuzonin dhe njerëzit do ta harronin…;.

Malik ibn Nebij në librin e tij “Edh-Dhahiretu El-Kur’anijjetu” thotë: “Sikur Kur’ani të shpallej përnjëherë, shumë shpejtë do të shndërrohej në fjalë të shenjtë boshe, në ide të vdekur dhe në dokument fetar. Lëvizja historike shoqërore e shpirtërore me të cilat erdhi Islami nuk do të mund të realizohej përveçse nëpërmjet këtij gradualiteti.”

*Konfirmimi stilistik dhe legjislativ i mrekullise Kur’anore duke i sfiduar Arabet dhe oratoret e Mekes me kaptina(sure) dhe verse(ajete) te ndryshme.
*Zbulimin e kurtheve, fshehtesive, planeve te politesiteve (Mushrikeve) ne Meke, dhe hipokriteve(Munafikeve), ҫifuteve(Jahudive), te krishtereve (Nasranive) ne Medine kunder Muslimaneve dhe Muhamedit a.s.
*Lehtesimi i mesimit permendsh te Kur’anit dhe te praktikimit te ajeteve. Sepse po te zbriste Kur’ani menjehere kishte me qene veshtire qe te mesohej permendsh tere Kur’ani. Zbritja graduale u mundesoi muslimaneve gjate periudhes mekase dhe medinase ta mesojne Kur’anin permendsh dalngadale, sepse mjetet e shkrimit, kompilimit ishin ende shume primitive. Kjo urtesi edukativo- arsimore, akademike dominon anembane globit tokesor neper univerzitete dhe shkolla.

*Korrektimi i veprave, qendrimeve, vendimeve te Muhamedit a.s. dhe te Sahabeve kur ata gabonin ne ndonje ҫeshtje fetare, sociale, ushtarake apo familjare; siҫ eshte rasti i mosmarjes pjese ne luften e Tebukut te disa sahabeve nga Medineja, rasti i pengjeve te luftes ne luften e Bedrit, rasti i ndalimit te Muhamedit a.s. te disa ushqimeve hallall per hater te bashkeshorteve te tij, rasti i largimit dhe mosinteresimit te Muhamedit a.s. me pyetjet te sahabiut te verbert Abdullah ibn Umi Mektum etj .

Pra, mund të konkludojmë se Kur’ani Fisnik u shpall gradualisht për t’u folur njerëzve dhe për t’i zbritur parimet e ligjet, e kjo metodë u pranua nga arabët dhe kështu ata, dalë ngadalë i nxorri nga terri në dritë dhe i udhëzoi në rrugë të drejtë, gjegjësisht në rrugën e Zotit, në të cilën rrugë gjenden të gjitha qeniet që ekzistojnë në qiej e në tokë.
Në historinë islame ka shumë shembuj mbi zbritjen e parimeve të Kur’anit në këtë mënyrë si p.sh.: ndalimi i alkoolit, i cili u zhvillua në tre ose katër etapa (sipas transmetimeve të ndryshme). Gjithashtu edhe ecuria e ndalimit të kamatës është zhvilluar njësoj sikur ajo e alkoolit. Kështu ndodhi edhe me ligjet, obligimet dhe ndalesat tjera, si p.sh.: me hixhabin(mbulesen), agjërimin, xhihadin etj. Ajetet që i obligonin këto ligje zbritën në Medinë.

Periudha mekase perplot trembedhjte vite ishte periudhe teorike pregaditese, themeluese e bindjes dhe besimit te vertete ne Allahun xh.sh. A ndersa peruidha medinase ishte periudhe e praktikimit te ligjeve te Allahut xh.sh. Ky realitet historik Kur’anor nuk guxon te mungoje nga kokat e thirresve ne Islam; perndryshe puna dhe metoda e punes se tyre do te konsiderohej anti Kur’anore.

Në bazë të kësaj metode hyjnore (metoda e gradualitetit në parime e adhurime), Kur’ani i eliminoi konceptet xhahilite. Profesor Sejjid Kutubi u përqendrua gjatë kohë në këtë metodë duke menduar rreth fshehtësive të saj, dhe për këtë shkak, konkretisht për këtë metodë, ai shkroi mjaft gjerë e gjatë  në tefsirin e tij dhe e quajti: “Kur’ani mekas” ose “natyra e Kur’anit mekas.”
Kjo periudhë e Kur’anit, gjegjësisht periudha mekase e Kur’anit kishte qëllime specifike dhe natyrë të posaçme në zbërthimin e çështjeve dhe në sfidimin e koncepteve, parimeve e moralit të xhahilijetit.

Pra, ç’është kjo metodë, cilat janë hapat e saj dhe prej ku filloi?
“Natyrës së Kur’anit mekas”, profesor Sejjid Kutubi i zbuloi edhe një fshehtësi, gjegjësisht faktin se pse Zoti i Madhërishëm nuk e urdhëroi Pejgamberin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që të fillojë e të thirrë popullin e vet në nacionalizëm arab apo në reformimin e shoqërisë arabe xhahilite e cila ishte përplot amoralitet në sjellje, jetë e koncepte? Sejjid Kutubi përgjigjen e kësaj pyetje e zbuloi në periudhën mekase të shpalljes së Kur’anit. Ai e kuptoi se nuk ka dobi të shpëtohen popujt nga xhahilijetet e ndryshme, përpos nëse, në zemrat e tyre të prishura, mbjellet ajo çka duhet.

Në vazhdim le të përjetojmë disa çaste të këndshme me prof. Sejjid Kutubin rreth kësaj çështjeje të rëndësishme dhe të shohim e kuptojmë se si ai e shqyrton atë dhe si i thërret dhe u drejtohet, gjegjësisht si i udhëzon thirrësit në Zotin e Madhërishëm që ta përdorin të njëjtën metodë në veprimin e tyre dhe në edukimin e tyre me të tjerët.

Ai (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Thirrësit në fenë e Zotit dhe caktimi i sistemit që jetëson këtë fê në jetën reale duhet të qëndrojnë një kohë bukur të gjatë përpara këtij fenomeni të madh që ka të bëjë me Kur’anin e periudhës mekase gjatë trembëdhjetë viteve për ta përforcuar sa më mirë këtë besim. Ai ne fillim nuk jep detaje rreth sistemit të tillë dhe rreth ligjeve që aplikohen në shoqërinë islame. Urtësia e Zotit ka caktuar që da’veti të mbështetet në çështjen e besimit prej fillimit të mesazhit. Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka filluar da’vetin e tij me thirrjen e njerëzve që të dëshmojnë se “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”, që t’i informojë njerëzit për Zotin e tyre të vërtetë dhe që të adhurojnë vetëm Atë.

Kuptohet që kjo, sipas natyrës së çështjes dhe sipas intelektit të kufizuar njerëzor, nuk ishte rruga më e lehtë deri në zemrat e arabëve! Nga gjuha e tyre ata e dinin domethënien e “Zotit”- dhe: La ilahe Il-lall-llah.., “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” Ata e dinin se hyjnia nënkupton pushtetin e lartë absolut dhe se me të nënkuptohet monoteizmi hyjnor i Zotit të Madhërishëm.

Kjo nënkupton eliminimin e pushtetit të murgjërve, udhëheqësve të fiseve, prijësve e pushtetarëve dhe pranimin e pushtetit vetëm nga Zoti i Madhërishëm, pushtetin mbi ndjenjat, pushtetin mbi simbolet, pushtetin mbi realitetin e jetës, pushtetin mbi pasurinë, pushtetin mbi gjyqësinë, pushtetin mbi shpritëra e trupa…
Ata e dinin se: La ilahe Il-lall-llah.. “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” është revolucion mbi pushtetin tokësor që paraqet edhe karakteristikën e parë të hyjnisë si dhe revolucion mbi çdo gjë në të cilën mbështetet pushteti i tillë, si dhe kundërshtim ndaj pushteteve që gjykojnë me ligje që nuk i lejon Zoti!

Arabët e njihnin mirë gjuhën e tyre, ndaj mjaft bukur e kuptonin domethënien e vërtetë të da’vetit: La ilahe Il-lall-llah.. “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” se ç’do të thotë realisht kjo për pozitën e tyre, për udhëheqësinë dhe për pushtetin e tyre, dhe për këtë shkak ata e refuzuan këtë da’vet – apo këtë revolucion – aq ashpër sa që veçmë të gjithë njerëzit e dijnë se sa fuqishëm e luftuan atë.”

Nga ajo që u theksua më sipër vërehet qartë arsyeja e refuzimit dhe rezistencës së arabëve kundër këtij da’veti, ngase ata shumë mirë e dinin kuptimin e vërtetë dhe përgjegjësinë që del nga: La ilahe Il-lall-llah.. , “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” Ata frikësoheshin për veten dhe për pozitat e tyre në këtë botë, ashtu siç ndodh edhe me njerëzit e pozitave të larta në ditët tona. Këtu ka mësim të vlefshëm për thirrësit e ditëve tona, ngase thirrësi mund të rezistohet, jo nga injoranca e padituria, por nga frika e zhdukjes së pushtetit, autoritetit dhe pozitës.

Kjo mënyrë e diskutimit dhe kjo metodë e profesor Sejjid Kutubit në këto çështje te fshehta dhe sekrete ne zemrat e njerezve, dhe qe jane realitete te pamohueshme, ndaj dhe thirrësit duhet ta aplikojnë këtë metodë dhe të mos mbështeten vetëm në çështje të dukshme dhe sipërfaqësore gjate debatimit dhe diskutimit te ligjeve fetare.

Në vijim vazhdon zbërthimi i Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!), rreth urtësisë së fillimit të thirrjes së pari në besim e jo në diçka tjetër, dhe me plot bindje thotë se kjo metodë e Kur’anit është metoda e vetme e shëndoshë e cila i eliminon konceptet e ndryshme xhahilite dhe se gjithnjë duhet filluar nga baza e jo nga diçka tjetër. Baza e tillë ka nevojë për kohë të gjatë që të forcohet e pastaj të fillohet me periudhën e ndërtimit. Ai shtron pyetjen: “Pse ishte kjo pikënisje në këtë da’vet? Pse menquria e Zotit ishte e përqendruar aq shumë në këtë çështje? Ai e dërgoi Pejgamberin e Tij me këtë fê, por vendet më të bujshme dhe më të pasura nuk ishin në duart e arabëve, ata ishin në duart e të tjerëve…

Në veri, territori i Shamit ndodhej në duart e romakëve, kurse në Jug, territori i Jemenit ishte në duart e persianëve, gjegjësisht arabëve të kontrolluar nga persianët. Pra, në të dyja këto territore, arabët
sundosheshin nga të huajt apo nga arabët kuislingë. Në duart e arabëve ishte vetëm Hixhazi dhe shkretëtira, e cila aty-këtu kishte vetëm disa oaza.

Sipas Sejjid Kutubit, “ekzistonin mundësi reale që thirrja e parë të fillonte pikërisht në ato vende, por ndodhi e kundërta…
– Ai kishte mundësi të nxit nacionalizëm arab që do t’i bashkonte fiset arabe, të cilat ishin përplot hakmarrje e të copëtuar nga grindjet dhe hasmëritë e shumta dhe kështu do të shpëtonin tokën e tyre të okupuar nga perandoritë kolonialiste dhe do të formonin një unitet të fortë në tërë Gadishullin e tyre…”

Vazhdon prof. Sejid kutubi duke thene: “Sikur Pejgamberi i Zotit të thirrte në këtë parim, do t’i përgjigjeshin të gjithë arabët, në vend që të lodhej e të përjetonte maltretime plot trembëdhjetë vjet e të luftonte kundër rezistimit të pushtetarëve të Gadishullit. Ndoshta Muhammedi do ta bënte një gjë të tillë pasi t’i përgjigjeshin arabët dhe pasi t’ua jepte atyre sundimin dhe pushtetin, pas bashkimit të pushtetit që ishte i përçarë, e pastaj do të ftonte në besimin e monoteizmit me të cilin e dërgoi Zoti i tij dhe njerëzit do t’i bindeshin Zotit të tyre, pasi që t’i kishte marrë nën kontrollin e vet!

Por Zoti i Madhërishëm është i Gjithdijshëm dhe i Urtë, ndaj dhe nuk e udhëzoi në këtë drejtim, por e udhëzoi që të ftojë në: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” dhe tërë atë barë të rëndë ta bartë një pakicë e vogël.

Dituria e Zotit është absolute dhe Zoti i Madhërishëm është i Mëshirshëm dhe i Gjithdijshëm dhe e di më së miri se ç’është në favor të njerëzve. Pse? Zoti i Madhërishëm nuk dëshiron ta lodhë Pejgamberin dhe besimtarin me këtë çështje, ngase Ai e di më së miri se kjo nuk është rruga e duhur. Ai nuk dëshiron që ta shpëtojë tokën nga djalli romak apo nja djalli persian dhe t’ia jep atë djallit arab, ngase të gjithë djajtë janë një. Toka është e Zotit dhe vetëm Zotit duhet t’i drejtohemi dhe kjo do të ndodh, vetëm atëherë kur do të ngrihet në tokë flamuri: La ilahe Il-lall-llah.. “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”.

Ai(Allahu e meshirofte!) po ashtu potencon se: “Njerëzit duhet të jenë vetëm robër të Zotit dhe do të jenë robër të Tij vetëm nëse ngritet flamuri: La ilahe Il-lall-llah.. ”Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” – ashtu siç e kuptonte arabi se vetëm Zotit i takon pushteti, se sheriati është nga Zoti, se askush nuk mund ta pushtojë askënd, ngase pushteti i takon vetëm Allahut dhe se Islami prej njerëzve kërkon vetëm nënshtetësinë e besimit, në të cilin janë të barabartë arabi, romaku, persiani dhe të gjithë popujt dhe ngjyrat tjera nën flamurin e Zotit, ja kjo është rruga!”

Sipas metodës së da’vetit në Kur’an, Zoti nuk kërkoi prej Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që të bëjë thirrje shoqërore (sociale), ngase edhe kjo është njësoj si e para, nuk do t’u ndihmonte dhe nuk do t’i udhëzonte, ndaj dhe për këtë shkak Zoti i Madhërishëm nuk i thirri në këtë metode. Të shohim se çka thotë prof.Sejjid Kutubi rreth kësaj çështje të rëndësishme:
“Muhammedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kishte mundësi që të ngriste një flamur shoqëror (social) dhe të fillonte luftë kundër elitës së pasur (aristokratëve), t’ua merrte pasurinë, ta ndërronte situatën dhe t’ua jepte atë të varfërve! Sikur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të thirrte në këtë parim, atëherë populli arab do të ndahej në dy grupe: shumica që do të përkrahte këtë ide të re kundër të pasurve që kishin pasuri e autoritet, në vend që të bashkoheshin të gjithë nën: La ilahe Il-lall-llah.. “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”

Zoti i Madhërishëm e dinte se kjo nuk është rruga e duhur dhe se drejtësia shoqërore duhet të burojë nga koncepti i përgjithshëm i besimit në shoqëri dhe se çdo gjë i mbështetet Zotit, që e pranon se çdo gjë që cakton Zoti është e drejtë dhe e kapshme në shoqëri. Pra, në këtë mënyrë do të qetësohetedhe ai që merr edhe ai që jep, ngase këtë sistem e ka krijuar Zoti!

Prof.Sejid Kutubi e analizon edhe mundësinë e tretë te da’vetit; ku potencon se Muhamedi(paqja dhe meshira e Allahut qoftë mbi të) po të kishte thir në reforme morale dhe etike; padyshim se edhe kjo metodë kishte me has në mirkuptim, mirpo Muhamedi a.s. nuk e beri këtë, për arsye se Allahu donte që arabët të bashkohen rreth një fjale tjeter: fjala: La ilahe Il-lall-llah.. “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” Të shohim se si e analizon prof. Sejidi këtë qështje.
“Muhammedi githashtu ka pasur mundësi të shpallë thirrje reformiste për të përforcuar moralin, për të pastruar shoqërinë e njerëzit dhe për të ndryshuar vlerat e parimet! Si në çdo ambient, edhe ai do të gjente njerëz të mirë që prekeshin nga fëlliqësirat e tilla dhe kështu do të pranonin që t’i përgjigjeshin thirrjes së reformizmit dhe të pastrimit.

Ndokush mund të thotë se sikur Muhammedi të vepronte kështu, në fillim do t’i përgjigjeshin njerëzit e mirë, do të pastronte moralin dhe shpirtërat e tyre dhe kështu do të ishin më afër për ta pranuar besimin, në vend që të ballafaqohej me rezistencë të madhe që në fillim të rrugës kundër thirrjes së tij: La ilahe Il-lall-llah..“Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”198 “Por Zoti është i Urtë dhe di çdo gjë, Ai nuk e dhëzoi në këtë rrugë!

Zoti i Madhërishëm e dinte se kjo nuk është rruga e duhur dhe se morali mund të mbështetet vetëm në parime e vlera të besimit, dhe se vlerat e parimet vlejnë vetëm nëse mbështeten në këtë parim. Në këtë parim poashtu mbështetet çështja e shpërblimit për ata që i respektojnë këto vlera dhe e dënimit për ata që i refuzojnë. Para përforcimit të këtij parimi, vlerat mund të jenë të luhatshme, ashtu siç është edhe morali pa disciplinë, pa pushtet e pa shpërblim! Pas përforcimit të besimit dhe pas përpjekjeve të mëdha, përforcohet pushteti mbi të cilin mbështetet ky besim:

-dhe ketu prof.Sejid Kutubi pohon se –
* Kur njerëzit të dijnë Zotin e tyre dhe kur të adhurojnë vetëm
Atë;
* Kur të çlirohen njerëzit nga pushteti i robërve dhe nga pushteti i epsheve; dhe:
* Kur të përfocohet në zemra parimi: La ilahe Il-lall-llah.. “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”; atëherë Zoti e bën atë popull që të veprojë sipas rregullave që i cakton…
Toka u pastrua nga romakët dhe persianët, por jo për të dominuar pushteti i arabëve, por pushteti i Allahut. Toka u pastrua nga të gjithë djajtë: romakë, persianë dhe arabë.

Shoqëria u pastrua nga i tërë zullumi shoqëror, dhe u vendos sistemi islam që vepron drejtë në bazë të drejtësisë së Zotit, që peshon me peshoren e Zotit, që ngre lartë flamurin e drejtësisë vetëm në emër të Zotit e që ky flamur quhet flamuri i Islamit dhe nuk e pranon asnjë emërtim tjetër… Në këtë flamur shkruhet: La ilahe Il-lall-llah.. “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”

U pastruan shpirtërat dhe morali, zemrat e shpirtërat pa pasur nevojë për ndalesat dhe ndëshkimet që i ka caktuar Zoti – përveç në raste të rralla – ngase kontrolli-friga nga Allahu- kishte depërtuar në brendi, sikundër edhe dëshira për ta përfituar kënaqësinë, shpërblimin e Zotit si dhe turpi e frika nga hidhërimi dhe dënimi i Tij, të cilat kontrollonin dhe dënonin…”

Aludon prof. Sejjid Kutubi duke thene se:” Njerëzit u ngritën lartë në bazë të këtij sistemi dhe morali në jetën e tyre si asnjëherë më parë, ngritje kjo që u bë vetëm në saje të Islamit. E gjithë kjo ndodhi ngase ata që e ngritën këtë fê në formë të shtetit, sheriatit, sistemit dhe parimeve, më parë e kishin aplikuar këtë fê në shpirtërat e tyre dhe në jetën e tyre në formë të besimit, moralit, adhurimit e sjelljes…dhe kështu, Zoti e dinte tërë atë që ndodhi me ta dhe e dinte se ata u bënë të zotët e këtij amaneti të madh të Tij dhe të këtij besimi, me të cilin Zoti i Madhërishëm i pushtoi zemrat, ndjenjat, sjelljet dhe shpirtërat, në brendi e pasuri, në çdo situatë e gjendje… Ai atyre ua dha zotërimin e fuqisë për të aplikuar Sheriatin e Tij…”

Them se këtu vërehen mjaft qartë aspektet metodologjike të profesor Sejjid Kutubit gjatë shqyrtimit të ajeteve të da’vetit. Aspekti më i dukshëm është të kuptuarit e ajeteve kur’anore dhe zbërthimi i tyre sipas periudhave të shpalljes dhe sipas ngjarjeve që ndodhën gjatë jetës së pastër të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

Ai poashtu i formulon idetë dhe mendimet e tij sipas metodës së tillë dhe shumë herë transmeton tekste të plota nga biografia e Pejgamberit, me qëllim që duke u bazuar në to, të nxjerr mësime e leksione nga ajeti kur’anor. Prandaj për thirrësin në Islam t pastërt e të vërtetë në ҫdo kohë dhe në ҫdo vend ështe e domosdoshme dhe e pakontestueshme jeta dhe vepra e Muhamedi a.s. dhe te sahabeve te tij.

Në fund të këtij shqyrtimi të rëndësishëm konfirmojmë atë që u tha më parë, gjegjësisht faktin se sikur da’veti islam në atë kohë të fillonte me thirrje për bashkim nacional, për pastrim të moralit ose për të luftuar elitën (aristokracinë) e asaj kohe e cila ishte mjaft dominuese nëpër fise e familje, thirrja islame do të dështonte dhe nuk do ta kishte këtë sukses të madh e të mrekullueshëm që e arriti për një kohë fare të shkurtër.

Ai (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Kjo metodë e bekuar nuk do të realizohej në këtë nivel të lartë, sikur të mos fillonte me këtë parim dhe nuk do të mund ta ngriste aq lartë flamurin: La ilahe Il-lall-llah..“Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” Vetëm kjo rrugë e vështirë dhe e rëndë nga aspekti sipërfaqësor dhe e lehtë dhe e bekuar në thelbin e saj, mundësoi që da’veti të bëhet ky që është. Kjo metodë e bekuar nuk do të realizohej për hir të Zotit sikur të fillonte me da’vet kombëtar, apo me da’vet social ose me da’vet edukativ apo me ndonjë simbol tjetër krahas simbolit unik: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”

 

Asoc.Prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Rruga e Da’wetit në Allahun xh.sh. nën hijen e Sures El En’am (Direktiva te arta për hoxhallarë dhe studentë sipas Tefsirit të prof.Sejid Kutub)