Muhamedi a.s. ka thënë: “Për muslimanin (besimtarin) është mëkat që ai ta nënçmojë vëllanë e tij musliman.” [E transmeton Imam Muslimi prej hadithit të Ebu Hurejres]
Në këtë hadith të Muhamedit a.s. shihet dukshëm ndalesa e rreptë e nënçmimit të muslimanit nga vëllai i tij musliman, me të gjitha ngjyrat e nënçmimit.
Nocioni EL – IHTIKAR do të thotë: ‘poshtërim’, ‘nënçmim’ dhe ky nënçmim nuk lejohet kurrë, pa marrë parasysh shkaqet dhe motivacionet.
Ndërsa nocioni EL – INTIKAD ose EN – NEKDU do të thotë: të jesh kritik ndaj dikujt prej dy aspekteve: pozitiv dhe negativ, dhe kjo lejohet në rrethana të caktuara dhe për qëllime të caktuara.
NAKDI – bëhet ndaj dikujt kur ai person e lë mangët ndonjë vepër ose gabon në të. Kjo konsiderohet si kontrollim i veprave dhe plotësim i mungesave.
Ndërsa EL – IHTIKAR do të thotë: nënçmim dhe ulje të personalitetit të dikujt, duke i përjashtuar punët dhe fjalët e tij.
Nëse e ke kuptuar dallimin në mes këtyre dy termave, edhe pse është tejet e vështirë të dallohet dallimi në mes tyre dhe janë të paktë ata të cilët i kuptojnë ato, atëherë shihet dukshëm shkaku dhe mençuria e kësaj ndalese, në të gjitha emrat dhe llojet që ka.
Nënçmimi i të tjerëve ka si pasojë shkatërrimin e individit dhe shoqërisë, dhe nuk sjell asnjë dobi individuale e as shoqërore.
Ndërmjet nënçmimit përhapen farat e xhelozisë, hidhërimit, shkatërrimit dhe tradhtisë në shoqëri.
Ai i cili ua dëshiron të mirën të tjerëve i këshillon ata në mënyrë islame dhe vëllazërore, dhe kjo është më e lehtë dhe më e mirëseardhur për të dhe për shoqërinë. Ata të cilët e kanë zakon që t’i përqeshin dhe t’i nënçmojnë të tjerët, gjithmonë tentojnë që t’ua gjejnë të tjerëve të metat dhe anët negative, pa i parë asnjëherë anët pozitive të tyre. Kjo sjellje konsiderohet tejet e rrezikshme, sepse atyre nuk iu pëlqen askush, si në fjalë ashtu dhe në vepër.
Përbërja e njeriut (përveç pejgamberëve të Allahut xh.sh.) është e përzier me dobësi dhe plotësime, e një prej dobësive është kritika e tij ndaj të tjerëve. Mirëpo kritika, nëse është me vend dhe e qëlluar, është e mirëseardhur, ndërsa nëse kritika është për vetë qenien e njeriut dhe urrejtje personale ndaj tij, kjo me të vërtetë nuk lejohet dhe nuk ka aspak logjikë dhe bazë të shëndoshë. Ku gjendet rrugëdalja nga kjo krizë e rrezikshme dhe çfarë ilaçi duhet përdorur që personi të shërohet nga kjo sëmundje e rëndë?
Shërimi dhe zgjidhja e këtij problemi qëndron te vetë personi. Ai duhet të ndalet tek vetja e tij e të logjikojë për të metat e tij. E nëse është i mençur dhe i sinqertë, do të shohë se edhe ai vetë është i mbushur plot me të meta dhe sjellje të këqija dhe se nuk është hiç më i pastër se ata.
Prandaj ai duhet të fillojë gradualisht me përmirësimin e vetes së tij dhe duhet të përdorë metodat dhe forcat maksimale për përmirësim e vetvetes, e në fund kur të shohë se, mbas tërë atij angazhimi për përmirësim, ende është i përlyer me të meta, atëherë le ta dijë se kjo dukuri (dobësia e njeriut i cili i kritikon të tjerët dhe e harron vetveten) është vepër e Allahut xh.sh. i Cili e ka krijuar njeriun dhe ka bërë që dobësia të jetë pjesë e natyrës së njeriut. Njeriu është i dobët prej natyrës së tij dhe kjo dobësi duhet të jetë shkak që ai njeri t’i mbyllë sytë dhe gojën nga kritikat e të tjerëve sepse edhe ai vetë është sikurse ata.
Megjithatë, përveç këtyre që u thanë deri më tani, sheriati islam nuk na ka lënë neve që të jemi të lirë e të kënaqemi me gjestet e këqija dhe sjelljet jo islame të njeri-tjetrit, e të ndalemi nga këshillat dhe udhëzimet e njëri-tjetrit. Ne duhet që ta ndihmojmë njeri-tjetrit, që të ngrihemi në një shkallë më të lartë të moralit dhe të plotësimit, duke e këshilluar njëri-tjetrin me durim dhe në rrugë të vërtetë.
Madje këshilla dhe udhëzimi në rrugën e Allahut xh.sh. (fisebililah) kërkohet dhe preferohet. Për këtë Muhamedi a.s. thotë: “Feja është këshillë – nasihat.”
Ndërsa urrejtja dhe nënçmimi i të tjerëve ndalohet rreptësisht dhe duhen shmangur menjëherë. Për këtë Muhamedi a.s. thotë: “Është mëkat për muslimanin që ai ta urrejë dhe poshtërojë vëllanë e tij musliman”.
Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha
Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE